Engjëll Musai: Ish-ushtarakët, atdhetarët e nëpërkëmbur

60
Sigal

 

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Sa herë që në Shqipëri ka zgjedhje të parët që futen në listën e mashtrimeve, janë ish-ushtarakët e Forcave të Armatosura, të Minsistrisë së Brendshme, të Gardës, SHIKU-t, Burgjeve, dhe të gjithë ushtarakëve apo punonjësve të ish uzinave dhe ndërmarrjeve që përfitojnë nga Statusi i Ushtarakut. Kisha vendosur të mos shkruaja më për pensionet e ish-ushtarakëve, apo për lojrat e turpëshme që qeveritë kanë bërë e bëjnë me ish-ushtarakët, që pa dyshim janë heronjtë e këtij kombi, janë atdhetarët dhe njerëzit që kanë sakrifikuar jetën e tyre, kanë sakrifikuar familjet e tyre, vetëm e vetëm që Shqipëria jonë e dashur, Atdheu që të parët tanë na e lanë amanet, të mos cënohet. Madje një pjesë e mirë e ish-ushtarakëve, në vite kanë ardhur nga formacionet e LANÇ-it, dhe frymën e luftës partizane e shpërndanë ndër vite në brezat që ju bashkuan ushtarakëve shqiptarë.

Provokacionet greke të gushtit 1949, ato në bazën ushtarake të Pashalimanit në vitet 1960, toka, deti, ajri, rendi dhe Siguria e Brendshme Kombëtare, kanë qënë të pacënueshme sepse bijtë e këtij populli që milituan në radhët e Ushtrisë së FA, bashkë me qumështin e nënës u rritën edhe me ninullat ku atdheu dhe vatani janë më të shtrenjtat e kësaj jete. Prandaj dhe indinjata vete pikërisht për qeveritë e Majta dhe së fundmi Rilindjen, e cila ushtarakët i shikon vetëm si hambar për votat në pragë të zgjedhjeve. Edhe në vitin 2005, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve u miratua ligji për trajtimin me pension të ushtarakëve por që hynte në fuqi në muajin shtator të 2005. Kjo ishte tradhëti ndaj ushtarakëve, pasi kërkoi t’ja linte “kopilin” qeverisë tjetër, e cila duhet pranuar që këtë shtresë nuk e kishte votuese të saj, ndaj dhe e anulloi këtë ligj. Po pse nga 1997 deri në 2005 e majta shqiptare nuk mori një vendim për respektimin e Statusit të Ushtarakut ? E njëjta situatë po përsëritet këto ditë. Rilindja e Ramës është në pushtet që nga viti 2013 dhe sot në 2021, kujtohet pak muaj para zgjedhjeve, për një ligj që heq disa gjoba, por nuk miraton Statusin e plotë të trajtimit të ushtarakëve. E vetmja gjë që bëri Rama në këto tetë vite ishte largimi i një socialisti model si Arben Malaj nga Bordi i Bankës së Shqipërisë dhe zëvendësimi i tij në Bordin e Bankës së Shqipërisë me Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave që përpiloi Aktin Normativ famkeq që godiste, varfëronte dhe masakronte ushtarakët. Kjo është e vërteta e hidhur për ushtarakët, që sikurse theksova nuk doja të merresha më, por meqënse familja dhe fisi im, ishte dhe është me shumicë ish-ushtarake, brenda së cilës bëjë pjesë edhe unë, vendosa të shkruaj këto pak rreshta me bindjen e plotë se ish-ushtarakët kanë qenë, janë dhe do të mbeten Lavdia e Kombit, njerëzit që derdhën gjak në luftë dhe në paqe dhe askush nuk mund t’i mashtrojë dhe ta mposhtë karakterin e tyre burrëror dhe fisnik. Lavdi të gjithë ushtarakëve të Ushtrisë sonë Popullore që bënë histori dhe i dolën zot vatanit!