EKSKLUZIVE/ Çollaku: Përgjigjia e Gjykatës Gjermane për Shijak TV, Rama ka paditur ‘Bild’, avokati e ka braktisur çështjen, dosja është mbyllur

544
Sigal

Nga Basir Çollaku

A ka pasur një padi të Edi Ramës, ndaj Axel Springer, botuesit të Bild dhe gazetarit të saj, Peter Tiede, në gjykatat e Hamburgut dhe Frankfurtit?

Sigurisht që po! Drejtësia gjermane ka konfirmuar për Shijak TV, padinë e Edi Ramës ndaj Axel Springer në  Gjykatë për publikimet e bëra nga Bild në qershor 2019. Ndërkohë, konfirmimin e ka dhënë gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama, me 25 qershor të vitit të shkuar, kur lajmëroi se ka kontraktuar avokatin, Mathias Prinz, për ta përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor ndaj ‘Bild’ në Gjermani. Janë konkretisht dy ankesa në gjykatat përkatëse me dy numrat e çështjeve 324O324 / 19 dhe 324O325 / 19 (në të dyja rastet: Edi Rama vs Axel Springer SE). Arsyeja e padisë ka të bëjë me publikimet e ‘Bild’ me 17 qershor të vitit 2019, për një raportim që fliste për lidhjet e Edi Ramës me mafian e drogës dhe përfshirjen e tij në dijeni të manipulimeve zgjedhore.

Shijak Televizion ka kontaktuar me Gjykatën e Hamburgut dhe atë Rajonale të Frankfurtit, duke u interesuar për çështjet konkrete, me numrat e mësipërm, për ecurinë e tyre dhe në çfarë situate ishte shqyrtimi  në procesin gjyqësor.

 

Pyetja konkrete nga Shijak Tv ka qenë :

Unë kam një pyetje në lidhje me dy numrat e çështjeve 324O324 / 19 dhe 324O325 / 19 (në të dyja rastet: Edi Rama vs Axel Springer SE). Me sa kemi dijeni, kreu i qeverisë shqiptare ka  ngritur padi ose ankesa kundër gazetës BILD / Axel Springer Verlag në verën e vitit të kaluar. Arsyeja për këtë ishte raportimi për lidhjet e Ramës me mafian e drogës dhe përfshirjen e tij në/ose njohuri të manipulimeve zgjedhore. Vetë zoti Rama ka raportuar publikisht se kishte shkuar në gjyqPyetja ime është: Cili është statusi i procedurës, kur është ngritur padi dhe kur mund të pritet seanca dëgjimore? Dhe nëse sipas informacioneve tona ka një tërheqje, kush e ka bërë atë mbi çfarë baze?Interesi i publikut është i konsiderueshëm nga fakti se paditësi është kreu i qeverisë së shtetit shqiptar dhe publikimet janë përcjellë me trazira dhe në vendin tonë, ndërkohë që Kryeministri ka njoftuar publikisht se do ta çojë çështjen në gjykatat gjermane?  Gjykatat e Hamburgut dhe Frankfurtit kanë kthyer përgjigjet e para ndaj interesimit të Shijak Televizion në një kohë vërtet rekord në pak minuta. Më tej kemi shkëmbyer gjatë disa ditëve informacione dhe konfirmime, sipas procedurave të kërkuara prej tyre. Ky komunikim me gjykatat gjermane, është bërë në fillim të muajit mars 2020, javën e parë të tij. Gjendja e jashtëzakonshme dhe situata informative e përqendruar në një rëndësi të veçantë tek Pandemia e coronavirusit, na bëri ta shtyjmë publikimin e këtij materiali zyrtar nga institucionet e drejtësisë gjermane.

 

Dy nga përgjigjet e gjykatave gjermane janë:

Gjykata e Hamburgut

‘Gjykata e Hamburgut thekson se nuk ka një çështje pezull për palët e përmendura nga ju, por për njërin nga rastet e cituara prej jush, në numrin përkatës mund t’i drejtoheni Gjykatës Rajonale të Frankfurtit.’

 

Gjykata e Frankfurtit

‘Unë mund t’ju konfirmoj se Rama paditi Axel Springer në këtë Gjykatë në atë që quhet aksion shtypi. Rasti ka të bëjë me artikullin e 17 qershorit 2019 në gazetën gjermane “Bild Zeitung” me shkrimin kryesor ‘Manipulimi i votave në Shqipëri’ Kjo çështje është braktisur nga avokati i zotit Rama. Dhe që atëherë ne nuk kemi dëgjuar më përreth kësaj dosjeje dhe mund ta konsiderojmë atë të mbyllur’

Të gjitha komunikimet me përfaqësuesit e gjykatave po i përcjellim si dokument të kësaj përgjigjeje zyrtare. Sigurisht në këtë histori ka edhe shumë pyetje të tjera, materiale të tjera, kontrata e paditësit Edi Rama me avokatin Mathias Prinz, sa kohë ka punuar për zotin Rama dhe a e ka deklaruar këtë shpenzim në transparencën e tij zyrtare me paranë. Kjo do të vijojë të ndiqet nga ana jonë me palën gjermane, me të cilën jemi në komunikim, për të zbardhur sa më shumë të dhëna e detaje rreth çështjes, për të cilën publiku ka një interes të marrë dijeni..