Efekte anësore problematike, deri në raste vdekjesh. Çfarë po ndodh me vaksinën anti-covid? Sqaron mjeku Erion Dasho

258
Sigal

Çfarë po ndodh me injektimin e dozës së parë të vaksinave anti-covid? Ditët e fundit, shtypi botëror është përfshirë prej lajmeve që raportojnë mbi një sërë efektesh anësore tyret, deri në raste vdekjesh. Jo më larg se pak ditë më parë, Norvegjia raportoi për humbjen e jetës së rreth 23 të moshuarëve që sapo kishin marrë dozën e parë të Pfizer-it, ndërkohë që mbrëmë gazeta presigjoze ‘The Guardian’, raportoi alergjinë si efekt anësor të fortë për Modernën, si dhe kërkesën për pezullimin e përkohshëm të saj. A duhet të trembemi? Çfarë duhet të bëjnë moshat e treta?

Metropolpost ia drejtoi këto pyetje mjekut Erion Dasho, i cili, në intervistën e mëposhtëme dhënë gazetarëve tanë, sqaron disa prej frikërave më të mëdha prej vaksinës tashmë.

Erion Dasho: Përsa u takon vdekjeve që kanë ndodhur në disa vende, duhet të kemi parasysh se janë vaksinuar persona të moshuar, në shtëpi të kujdesit për të moshuar, në Suedi, në Francë,  dhe kuptohet se, në këta persona, ka një vdekshmëri normale; për shembull, vlerësohet se në Norvegji, çdo javë ndodhin 400 vdekje, në personat që trajtohen në shtëpi kujdesi për të moshuarit. Pra, në qoftëse ti e vaksinon të gjithën këtë popullatë, natyrisht që 400 veta prapë do vdesin, dhe këta do jenë nga personat që kryen vaksinën. Pra nuk ka të dhëna të mirëfillta që të lidhin vdekjet, të dhëna të bazuara pra, që të lidhin vdekjen me vaksinimin.

Sa u takon alergjive, ka një përqindje të caktuar personash që zhvillojnë fenomene alegjike, madje ka raste shkojnë deri në anafilaksi, që është edhe forma më e rëndë e alegjisë. Për këtë arsye është rekomanduar gjithmonë që vaksina duhet të kryhet në mjedise të sigurta, duhet të ketë strukturë mjekësore afër, që të jetë në gjendje të trajtojë këto probleme, sidomos kur vaksinohet një numër i madh personash dhe, sipas ligjit të probabilitetit pastaj, sa më shumë persona të vaksinohen, shtohet mundësia që dikush prej tyre të manifestojë qoftë edhe forma të lehta të komplikacioneve. Për këtë arsye ka qenë e pakuptimtë se përse për t’u vaksinuar, mjekët, duhej të venin në stadium për shembull, kur në spital vaksinimi mund të ishte kryer fare i sigurt dhe nën mbrojtjen e mbështetjen e kolegëve në raste vështirësish dhe komplikacionesh.

Unë nuk kam të dhëna për vende që e kanë ndërprerë vaksinimin, të paktën me ato burime që konsultohem unë, vaksinimi vazhdon, janë mbi 50 vende të botës që  kanë filluar vaksinimin dhe kryesorja që i ka penguar der tani, në vendet e fuqishme që kanë mundur të sigurojnë një numër të madh vaksinash, ka qenë sfida logjistike, të cilat, për të qenë të ndershëm, janë kudo  të pranishme. I vetmi që arriti t’i kapërcente sfidat logjistike, ka qenë Izraeli, i cili ka arritur të administrojë rreth tridhjetë doza vaksine për 100 banorë,  një numër jashtëzakonisht i lartë ky, ndërsa vendet e tjera pastaj, e kanë pasur të kushtëzuar ecurinë, nga numri i kufizuar i vaksinave që kanë mundur të sigurojnë. 

Në rastin e Shqipërisë, kontrata që u bë publike ose që u zbulua, se nuk u bë publike, por u investigua nga shtypi dhe doli në media, është një kontratë e pafavorshme. Ne marrim rreth 40 mijë doza vaksine për dy muajt e parë, pastaj për një periudhë kohe shumë mujore nuk marrim asnjë dozë, kur është periudha që në fakt duhet të ishte vaksinuar, kjo ishte periudha më e përshtatshme për vaksinimin, dhe pastaj do vijë pjesa tjetër e dozave, tre mujorin e tretë apo të katërt të këtij viti, ateherë kur mund të nis një valë tjetër e epidemisë, sipas të gjitha këtyre cikleve që kemi parë deri më tani. Në këto kushte, nuk kemi një plan vaksinimi, kemi një plan propagandistik, dhe deri më tani nuk është bërë ndonjë punë konkrete, qoftë në organizim, qoftë në sigurimin e dozave të nevojshme të vaksinës, por thjesht është punuar për elementët propagandistikë, për elementët e demagogjisë, dhe kemi parë thjesht një situatë ku ato 50-60 doza që po administrohen në ditë, që mund t’i administrojë dhe një ambulancë fshati, po administrohen me bujë e potere të madhe në mes të stadiumit. Unë e kam krahasuar me atë që për të korrur një kalli, të ndezësh e të vësh në lëvizje një autokombajnë.

Të moshuarit nuk kanë përse të tremben. Nuk është detyra ime, të filloj lart e poshtë të propagandoj për të bërë vaksinën, se çdo njeri flet me shembullin personal, por unë, nëqoftëse do të kisha mundësi, prindërve të mi ua kam rekomanduar vaksinimin, miqve të mi të cilët më pyesin, ua kam rekomnaduar dhe  vetë, kur të vij koha për ta administruar këtu në Gjermani, sigurisht që do ta administroj tek vetja ime. Mua më duket se, deri tani, vaksina është e vetmja armë dhe e vetmja mundësi që kemi për ta ndërprerë dhe për ta luftuar pandeminë, kështu që kjo shpresoj të kuptohet nga të gjithë, me qëllim që t’I afrohemi sa më parë fundit të kësaj sfide kaq të madhe.

Sigurisht, nuk ka asnjë procedurë mjekësore që të ketë siguri 100% apo të mos ketë komplikacione, kjo nuk ekziston. Edhe procedurat më të thjeshta mjekësore kanë shkallën e tyre të komplikimit, madje që mund të jetë edhe me rrezik për jetën, por ne flasim me ligje probabiliteti, pra deri tani në botë janë vaksinuar më shumë se 50 milionë njerëz dhe të gjitha të dhënat flasin për një procedurë mjekësore të sigurt, për një vaksinim të sigurt