DREJT EVROPËS, SI TURMA MILITANTËSH APO SI QYTETARË?

705
Sigal

Jorgo MANDILI

Kështu tha At Fishta, por…

Gjergj Fishta në 1913, në 1923 dhe 1933, pra në çdo 10 vjet ka shkruar tre artikuj me të njëjtin titull: “Shqipëria u bë! A do të bëhen shqiptarët?” Edhe tani pas njëqind vjetësh ndodhemi përballë të njëjtit problem. Çfarë po ndodh me Ne? Jemi injorantë që besojmë çdo gjë, ndjehemi të kënaqur që na gënjejnë apo mashtrojnë, nuk i kuptojmë apo jemi indiferentë ndaj të vërtetave? Harrojmë shpejt apo kemi ngelur si njëqind vjet më parë? Mos vallë arsyeja qëndron tek ajo që ironizonte Konica i madh se “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve…” Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”. Pa frikë dhe ndrojtje duhet ta pranojmë, ashtu siç e kanë pranuar rilindësit tanë Konica, Fishta, M. Frashëri etj., se ne përgjithësi ne jemi popull tribal, turmë dhe fatkeqësisht gjatë gjithë ekzistencës mbi 100-vjeçare si shtet, në të gjitha regjimet si turmë jemi trajtuar. Dhe ende si turmë trajtohemi edhe në këtë regjim hibrid. Se ndoshta të tillë jemi! Ekziston një fakt, i cili sot ka një rëndësi kryekëput në jetën politike të vendit tonë. Ardhja e turmave në një fuqi të plotë shoqërore. Nga vetë përkufizimi i tyre, turmat nuk duhet e nuk mund të drejtojnë, as ekzistencën e tyre, e jo më të qeverisin shoqërinë në përgjithësi, pasi jeta publike nuk është vetëm politike, por mbi të gjitha intelektuale, morale, ekonomike dhe kulturore. Mediokriteti dhe mesatarizimi si metastazë është përhapur në të gjitha qelizat e shoqërisë, politikës, drejtësisë, shtetit, pushtetit, administratës e kudo, madje edhe në ato fusha, të cilat do të ishin të pamundura në një shtet ligjor të tilla si shkenca, artet, kultura, akademizmi, ku kërkohen individë tepër të kualifikuar dhe me pretendime të larta kulturore, morale, kërkuese e hulumtuese. A nuk ka ndodhur kjo tek ne gjatë këtij çerek shekulli? Për rrënimin e një shoqërie, për shpërbërjen morale të saj, mjafton të korruptosh dijen dhe të konvertosh virtytet në vese. Mjafton që shtetin ta drejtojnë sharlatanët me diplomë dhe politikanë-kusarë të rëndomtë dhe rrugeçër të pacipë. Atëherë, çfarë vlera mbeten, mbi të cilat të edukohet brezi i ri? A nuk vihet kështu në rrezik vetë ekzistenca e civilizimit tonë? Padyshim, sepse, tek ne individi e ka humbur identitetin e vet mendor e individual. Kësisoj, potencialisht jemi kontingjente për t’u kthyer në turmë. Dhe jo rastësisht, në vendin tonë mund të evidentojmë disa lloje turmash, por më të spikaturat janë; turmat militante që përdorin aksionin apo dhunën për t’u imponuar, turmat anonime që janë indiferente dhe kryesisht pragmatiste dhe minoriteti “qytetar” i strukur në strofullin e vet, por që mbetet ekzigjent dhe i moralshëm.

1-Turmat militante formohen zakonisht nga individë që, pavarësisht shkollës apo profesionit, nuk kanë ndonjë vlerë, madje as nuk përpiqen për t’i fituar, e ndërkaq e ndjejnë veten njësoj si të tjerët e, për më tepër, ndihen të lumtur në një gjendje të tillë. Zakonisht këto turma përfaqësojnë partitë apo organizata të veçanta nacionaliste Kjo turmë ushtron mbi individin një fuqi të pakufizuar e me rrezikshmëri te lartë e me pasoja shpesh të paparashikueshme kur “pompohet” nga “prijësi”, të cilin e përfytyron si “zotin” e vet pavarësisht se “prijësi”, as që do t’ia dijë për të. Shpesh “prijësi” sillet si sundimtar, bajraktar, narcizist, i plotfuqishëm.

Individët e kësaj turme nuk kanë identitet individual e mendor. Ndërgjegjja e tyre është Prijësi. Kësaj turme i shkon për shtat thënia e Gebelsit: “Ndërgjegjja ime është Hitleri”.Dhe të gjithë e dinë fundin tragjik të tij dhe familjes së tij Menjëherë pas vdekjes së Hitlerit ai u flijua familjarisht për Prijësin e tij.!

Janë pikërisht këta inspiruesit e turmave për protesta për të realizuar synimet e tyre politike. Individët e inkuadruar në turma, janë pa identitet personal. Kur ai “kurmëzohet” nuk është më vetvetja, nuk është më i vetëdijshëm për veprimet e tij. Tek turma çdo ndjenjë e çdo veprim është ngjitës, turma shkon menjëherë ne ekstrem. Fillimi i një antipatie kthehet menjëherë në urrejtje të egër. Për individin e turmës, nocioni i të pamundures nuk ekziston. Kushdo që vepron mbi të, nuk ka nevojë të peshojë logjikën e argumenteve te tij, mjafton te paraqesë një tablo duke e ekzagjeruar e përsëritur vazhdimisht të njëjtën gjë deri ne sugjestionizëm.

“Që një njeri mund të ndjejë kënaqësi, duke marshuar në turmë, mjafton për mua e për ta. Kjo njollë murtaje e qytetërimit duhet të hiqet me shpejtësinë më të madhe.” -thekson Ajnshtajni. Fatkeqësisht kjo “njollë murtaje” e qytetërimit, siç duket, do të na mbetet ne shqiptarëve edhe për shumë kohë, në qoftë se nuk urbanizojmë mentalitetin rural, otoman e “haxhiqamilist” të atyre individëve militantë e lehtësisht të “kënaqur për të marshuar në turmë”.

2- Lloji tjetër i turmave janë turmat anonime. Zakonisht, këto turma formohen nga individë, që e ndjejnë veten plot me ide, por intelektualisht të hermetizuar. Të kënaqur me këtë dhe duke mos ndjerë mungesën e asgjëje, këta e gradojnë aparatin e tyre mendor në një pozicion të ndërmjetëm – një vetëshuarje, që i transformon në anonimatë dhe pragmatistë. Në përgjithësi këto turma, përfaqësojnë administratën publike në të gjitha tipologjitë e saj. Këta janë të “dënuar” të sillen ekletikë në të menduar dhe vepruar, thjesht për të ruajtur vendin e punës.

Ndërgjegjja e tyre është pragmatizmi. Thjesht për interesat e tyre kalojnë sa në njërin krah në tjetrin. Për këtë lloj specie humane Ajnshtajni do të shkruante: “Truri i është dhënë gabim një njeriu të tillë, shtylla kurrizore do t’i mjaftonte.”

3- Ndërkaq ekziston edhe një minoritet qytetar i formuar nga individë që i vënë vetes kërkesa të larta, duke u përballur me detyra, vështirësi, synime e objektiva, që në jetën e tyre udhëhiqen nga fisnikëria, arsyeja dhe ligji. Zakonisht këta janë të “padukshëm”, sepse nuk janë të pranishëm, as në studio, as në komisione, as në intervista, as në aktivitete solemne etj. Sepse këta nuk janë, as politikanë, as deputetë, as pushtetarë, as biznesmenë, as “show-man” apo “jesman”. Mediokriteti i ka izoluar duke iu “pushtuar” kështjellat e tyre – dijen dhe virtytin. Ndërkaq politika, këto shëmbëlltyra të dijes e të moralit i ka “demonizuar” me indiferencën e saj, që fjala e tyre të mos ketë vlerë, që të mos i dëgjojnë dhe pasojnë.

Megjithatë, ndërgjegjja e tyre mbetet dija dhe virtyti. Tek to ata gjejnë forcën e përparimit, forcën e jetës së tyre. Pavarësisht, numrit të vogël, ata mbeten gurë themeli i civilizimit. Si përfundim, mund të themi, se jetojmë në një shoqëri paradoksale ku veset konsiderohen si virtyte, injoranca si dije, ku imoralët flasin për moral, injorantët për arsimin, kriminelët për drejtësinë, kusarët për ndershmërinë, të pasurit për varfërinë, qorrat për pikturën e shurdhët për muzikën. Jetojmë në mënyrë komike, pasi komikja ekziston kudo ku jeta nuk ka kurrfarë dinjiteti, në mënyrë që një qëndrim i caktuar të merret si i vërtetë pa asnjë lloj rezerve. Sepse njeriu i turmës parapëlqen një ekzistencë jo reale, të mbetur pezull në ajër. Kësisoj ne jemi në prani të këtyre jetëve pa rrënjë apo substancë.

-Lëvdohemi “të zhytur në baltën e injorancës, llumin e padrejtësisë dhe të dremitur në frëngjitë e hakmarrjes”;

-Kënaqemi të gënjehemi e të mashtrohemi duke u hedhur në flakë për prijësin, kurse për të drejtat tona pranojmë të nëpërkëmbemi e të poshtërohemi;

-Jemi “gjithmonë gati” të bëjmë marrëzira “për çështjen e partisë”, kurse për familjen tonë pak sakrifikojmë;

-Lëkundemi në “kolovajset e kënaqësisë, dalim nga honet e dëshpërimit e papritur duke u shfaqur nga mullarët e entuziazmit pa arsye” , bërtasim me një krenari të shtirur : “O sa mirë me kenë shqiptar!”

Sa do të vazhdojë kështu ?

Aq, sa ne do të lejojmë që të tjerët të ushtrojnë vullnetin e tyre ndaj nesh, të na detyrojnë që të zbatojmë ato që thonë ata, përderisa te na orientojnë gjykimet e tyre apo të na grumbullojnë në mitingje e protesta, pa qenë të vetëdijshëm, se përse mblidhemi, cila është kauza që mbrojmë. Me pak fjalë, deri sa të ndalin së ndrydhuri lëndën e papërpunuar të personalitetit tonë në shkolla, administratë, universitete e kudo ku punohet e jetohet. Ne nuk duhet të shpresojmë se më vonë në jetë do të mund ta ringjallim atë.

Deri atëherë a duhet të protestojmë?

Padyshim, që ka shumë arsye për të protestuar. Kanë arsye për të protestuar:

-Pensionistët për diskriminimin dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre;

-Të varfrit që nuk trajtohen me minimumin jetik;

-Punëtorët e fasoneve, minatorët e naftëtarët që skllavërohen;

-Fermerët që përmbyten dhe prodhimet u kalben në fushë;

-Qytetarët që sorollaten zyrave e tallen e nëpërkëmben nga administrata’

-Mbi të gjitha studentët. Ata që konsiderohen si” fermenti “i shoqërisë së re, nuk u falet të rrinë të mefshtë, të nënshtruar e të politizuar, por duhet të ngrihen në këmbë e të protestojnë;

-Për sigurimin e diplomave cilësore për të konkurruar suksesshëm në tregun e punës;

-Kundër rekrutimit të pedagogëve të paaftë, kundër plagjiaturës dhe abuzivizmit me gradat dhe titujve, titujt;

-Kundër korrupsionit, nepotizmit dhe mediokritetit të menaxhimit të universiteteve nga një lidership “bordesh e tenderësh”, pa asnjë lidhje me akademizmn, kërkimin apo hulumtimin.

Të gjitha shtresat shoqërore kanë shumë arsye të protestojnë, kundër qeverisë, por jo për kauza false apo për interesa të caktuara të partive apo grupeve politike të caktuara.

Të protestojnë për:

  • Standarde të larta të mirëqenies së tyre,
  • Të drejtat e tyre për arsimim e shërbim shëndetësor cilësor,
  • Barazi sociale,
  • Shtet të së drejtës etj.

Me kauza dhe kërkesa të qarta që i detyron pushtetarët t’i “vënë gishtin kokës” dhe të marrin masat për zgjidhjen e problemeve të tyre. Kjo është qytetaria ,që udhëhiqet nga Arsyeja dhe Ligji dhe jo nga Instinktet e Emocionet. Nëse kjo ëndërr do të realizohej, atëherë partitë apo shefat e tyre do izoloheshin vetëm me militantët dhe fanatikët e tyre.

A do t’ia arrijë Shqipëria kësaj ditë?

Kësaj pyetjeje Gj Fishta i madh i ka dhënë këtë përgjigje profetike : “Shqipëria dhe shqiptarët do të bëhen! Zoti do ta bëjë edhe për inat të djallit dhe të vetë shqiptarëve”! Kështu e tha at Fishta, por…..a u ka dalë inati shqiptarëve, edhe pas kaq vjetësh që nga koha e tij? Përkundrazi! Jemi tronditur kaq shumë gjatë kësaj kohe, saqë me të drejtë shtrohet pyetja: Në cilin qytetërim do bëjmë pjesë? Jemi larguar kaq shumë intelektualisht, kulturalisht e moralisht nga qytetërimi, saqë me të drejtë shtrohet pyetja: Drejt Evropës do shkojmë si turma apo si qytetarë?