Dr. Jorgo Mandili: Pa menaxhim modern, nuk ka rilindje të arsimit të lartë

1228
Sigal

Kanë kaluar pesë vjet nga Rilindja që ka ardhur në pushtet dhe çfarë ka ndryshuar në universitete? – Vizioni? Universitete të njëjtë në strukturë e tipologji të klonuar!  – Studentët? Të seleksionuar me të njëjtit formularë, një pjesë e mirë e të cilëve të pa interesuar dhe motivuar për studime universitare! – Stafi? E njëjta procedurë rekrutimi korrupsioni, mediokriteti, nepotizmi! – Kërkimi shkencor? Nuk ekziston shkenca dhe produkti shkencor në botën universitare! – Mësimdhënia? Tradicionale, si në shek. e kaluar!

Shkaku? Arsyeja? – Menaxhimi i Arësimit të Lartë! I njëjti lidership akademiko-shkencor– “SERVUM PECUS”. Në vend të meritokracisë – mediokriteti, në vend të karrierës – militantizmi, në vend të ndershmërisë – korrupsioni, në vend të dinjitetit – servilizmi, në vend të idealizmit – pragmatizmi. Dhe të gjitha këto shfaqje tek drejtuesit e të gjitha institucioneve e kanë të keqen tek përkohshmëria në vendin e punës dhe pandëshkueshmëria (kur largohen) e “mëkateve ” të tyre në kurriz të popullit taksapagues. “Gjemb në këmbë nuk u hyn” – siç thotë populli.

Dëmi, që sjellin drejtues të tillë në arsim është fatal. Sepse është dëm i pariparueshëm, i pakthyeshëm. Është kjo arsyeja që liderë të ndritur në historinë e njerëzimit duke e parë arsimin si “Arkën e Noes” për shoqërinë, menaxhimit të tij i kanë kushtuar kujdes të veçantë që të mos bjerë në “duar” të paafta, mediokre dhe të pamoralshme. Jo më kot Lindon Xhonsoni e fillonte punën në Shtëpinë e Bardhë, me problemet e arsimit. Edhe shumë liderë të tjerë, burra shteti, menaxhimin e të ardhmes së vendit të tyre ua kanë besuar individëve me integritet të lartë moral dhe profesional, vizionarë e të përkushtuar. Aq më tepër sot problemit të menaxhimit të arsimit të çdo niveli i kushtohet rëndësi parësore për vetë faktin se “bota po përjeton në arsim një revolucion kopernikan nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave”, ku gur themeli i drejtimit administrativo – akademik është pjesëmarrja e të gjithë stafit në vendimmarrjet më të rëndësishme, ku çdo punonjës të ndjehet pjesë e një ekipi dhe ku drejtuesin e sheh si një person vizionar, me integritet të lartë shkencor, moral e profesional, krijues e me iniciativë që nëpërmjet gjenerimit të ideve të reja dhe ndjeshmërisë ndaj progresives, të fokusojë me autoritetin e vet akademik, moral, shkencor e profesional të gjithë sinergjinë e komunitetit akademik-shkencor për projekte, reforma e vizione drejt një perspektive të qartë të institucionit.

Kësisoj drejtimi akademik është aftësi, është përkushtim, është ndërgjegje e mision. Është në instancë të fundit një tribunë, për të shpalosur ide, vizione, perspektiva e mundësi për t’u afirmuar se kush je dhe çfarë di të bësh. Por drejtues të tillë nuk mund të dalin as nga konkurset show, as nga rekrutimet nepotike, as nga zgjedhjet universitare, nga mënyra se si organizohen dhe zhvillohen ato. Çdo detyrë publike në një demokraci funksionale duhet të fitohet me meritokraci, me punë dhe veprimtari. Një drejtim modern dhe bashkëkohor do të thotë të vendosësh dhe të sigurosh marrëdhënie të mirëbesimit reciprok midis gjithë pjesëtarëve të stafit akademik. Nëpërmjet një strategjie të qartë përcakton prioritetet, projektet dhe reformat që do të ndërmerren, krijon një sinergji pozitive për mobilizimin e stafit, për nxitjen e potencialeve njerëzore, përdorimin e elementeve të shumtë motivues duke e bërë çdo individ të përjetojë ndjenjën e përkatësisë ndaj institucionit ku punon, duke e përfshirë secilin në marrjen e vendimeve dhe mundësinë të shpalosë idetë, vizionet e përpjekjet e tij modeste apo krijuese për zgjidhjen e situatave të ndryshme. Në këtë mënyrë drejtuesi i mundëson gjithë stafit shanse të shumta, u krijon hapësira të ndjehen të lirë, të provojnë idetë e tyre të eksperimentojnë forma të reja pune, pa u ndrojtur edhe pse mund të gabojnë. Madje më tepër t’i konsiderojnë gabimet si shanse të vlefshme për përmirësimin e punës dhe zhvillimin e tyre profesional.

Ky është vizioni modern në lidhje me mënyrën e menaxhimit dhe drejtimit akademik të institucioneve arsimorë.

Në këtë kontekst më poshtë do të tregojmë për përvojën e një ish-rektori të universitetit të Vlorës në vitet 2008-2011, i cili nëpërmjet një projekti të ri menaxhues dhe administrativ transformoi sistemin e vjetër dhe jo eficient të universitetit në një sistem universitar model, me kurrikula bashkëkohore, me një staf akademik të kualifikuar, me një sistem informativ modern, dhe mbi të gjitha me një kulturë të re shkencore dhe civile në të gjitha drejtimet dhe aspektet e veprimtarive pedagogjike-kërkimore si dhe me krijimin e mjediseve dhe kushteve të përshtatshme për komunitetin e mësimdhënësve dhe studentëve. Shpresa për ndryshim, lidhej me vizionin dhe aspiratën e tij për të besuar në një ndërgjegje reformuese dhe thelbësisht ndryshe në menaxhimin e këtij universiteti për ta futur atë në garën e madhe dhe të vështirë të konkurrimit me universitetet perëndimore. Por, ky ndryshim, ​theksonte Prof. Shaska, ​nuk arrihet brenda natës, por me një plan agresiv, me vënien e institucionit mbi egoizmin vetjak…“Ne si individë jemi fare pa rëndësi. Janë institucionet ato që mbeten dhe i japin vendit dhe historisë”. Ndryshimi ishte radikal. Sepse modeli ishte perëndimor, drejtimi intelektual, menaxhimi modern. Prof. Shaska përcaktoi sfidat dhe politikat për to për ta transformuar U. V. në një universitet modern, me prioritet teknologjik dhe me programe mësimore të krahasueshme me universitetet më të avancuara të rajonit.

Në tërësinë e sfidave, të përcaktuara në këtë platformë, me prioritet strategjik, më kryesoret ishin: kërkimi shkencor, reforma kurrikulare, metodologjia e mësimdhënies, përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve nëpërmjet një sistemi informativ modern, përmirësimi i vetëqeverisjes nëpërmjet lirisë akademike dhe autonomisë financiare.

Në kërkimin shkencor, u riformuluan politikat lidhur me drejtimet ku do të orientoheshin fushat e studimit si dhe në rritjen e rolit të departamentit dhe fakultetit, për hartimin e projekteve, ku fituesit financoheshin përmes një procedure transparente konkurrimi. Jo i gjithë personeli u përfshi në kërkimin e mirëfilltë shkencor. U aktivizua vetëm pjesa e profesoratit i cili kishte qenë i suksesshëm. Për pjesën tjetër, ky lloj kërkimi nuk ishte i detyruar, prandaj dhe ngarkesa më e madhe e tyre (rreth 70% e kohës) ishte në dispozicion të mësimdhënies dhe shërbimeve që ofronte universiteti në aktivitete të ndryshme. Për realizimin e këtyre synimeve, u ndërtua edhe infrastruktura përkatëse, e cila mbështeste dhe ndihmonte zhvillimin normal të saj: Zyra e kërkimit shkencor, revistat shkencore, qendra e koordinimit shkencor, qendra e I.T si dhe inkubatori teknologjik. Veçantia ishte, se në krye të këtyre institucioneve u emëruan djem e vajza të reja që kishin studiuar në universitetet perëndimore dhe kishin një përvojë të suksesshme.

Me një konceptim të tillë të punës shkencore, profesorati filloi të realizonte në praktikë projekte kërkimore, konferenca shkencore, artikuj shkencorë, bashkëpunime me universitete evropiane dhe rajonale për studime të përbashkëta. Filloi pra një gjallërim i përpjekjeve të çdo pedagogu për të pasuruar CV e vet se në fund të vitit bëhej bilanci dhe vlerësohej performanca e secilit individ, departamentit dhe fakultetit.

Momenti tjetër ishte reforma kurrikulare: kalimi nga një kurrikul pa filozofi në një kurrikul me filozofi të qartë që t’i jepte kuptim veprimeve dhe vendimeve drejt një oferte të re didaktike, e cila të pasqyronte mënyrën e të kuptuarit të botës dhe të marrëdhënies së individit me të, ndryshimet në mënyrën e formimit të tij dhe të interesave të tij, i cili duhet të kryejë punë, duke u mbështetur në dije të kuptuara si kapital intelektual. Ky kuptim i ri i dijes kërkonte: zëvendësimin e mësimdhënies deklarative që stimulonte riprodhimin dhe memorizimin, me mësimin dhe kërkimin apo, hulumtimin, që stimulon të mësuarit kritik e krijues dhe vlerësimin e aftësive të individit për të argumentuar veprimet në situata të reja problemore. Programet dhe tekstet nuk u panë si qëllim, por si mjete për plotësimin e qëllimit. Kurrikula i detyronte studentët jo të konsumonin dije por të prodhonin dije duke e parë veten si ndërtues të dijeve të reja.

Përmirësimi i shërbimeve të studentëve dhe profesoratit nëpërmjet një sistemi informativ të Universitetit të Vlorës (S.I.U.V.) e lehtësoi administratën jo vetëm nga ngarkesa burokratike por i preu edhe mundësinë e korruptimit. Nga një sistem bllokues në letër u kalua në një sistem dinamik elektronik që pasqyronte çdo ndryshim në çdo moment që lidhej me jetën dhe veprimtarinë e universitetit. I vetmi universitet që kishte një faqe interneti funksional shqip dhe anglisht.

Çdo pedagog e student kishte password-et, email​-et e tyre me anë të të cilave realizohej një komunikim ekselent midis gjithë komunitetit universitar. Nevojat e përditshme të këtij komuniteti: regjistrime, pagesa, vërtetime, listë notash, detyra, programet mësimore, orarin, testet mësimore, sylabus-et, provimet e shumë shërbime të tjera realizoheshin nëpërmjet S.I.U.V.

Risia dhe specifike për këtë universitet ishte se për herë të parë studenti ishte i lirë të zgjidhte vetë orarin, pedagogun, dhe lëndën. Vetëmenaxhonte kohën dhe aftësitë intelektuale. Universiteti ishte i hapur nga ora 7.00 ­​21.00 dhe nga tetori në tetor, ku në muajt e verës organizoheshin kurse verore si për studentët ngelës ashtu edhe për të tjerët që ndiqnin kurse speciale me profesorë të huaj në anglisht. Brenda një kohe të shkurtër ndryshoi imazhi i Universitetit të Vlorës. Interesimi ndërkombëtar nga universitete rajonale e më gjerë u rrit dhe u nënshkruan një sërë marrëveshjesh për projekte të përbashkëta. Kishte një impenjim e gjallëri të aktiviteteve universitare të papara më parë.

Liria akademike dhe autonomia financiare. Ndërkaq, një universitet modern nuk mund të konceptohej pa një vetëqeverisje të brendshme si në aspektin akademik​-shkencor ashtu edhe në atë financiar. Liria akademike dhe autonomia financiare të lidhura ngushtë me njëra tjetrën përbëjnë filozofinë e kësaj vetëqeverisjeje. Në qoftë se këto parime respektohen, atëherë mund të flasim për një universitet të lirë në kuptimin “humboldtian”, d.m.th të krijohen të gjitha kushtet për një karrierë produktive si për studentët ashtu edhe për profesoratin.

Është kjo arsyeja që Prof. Shaska u përpoq dhe luftoi për të fituar këtë autonomi kur deklaronte: “Që U. V. të mbijetojë dhe të ketë imunitet nga zhvillimet politike në vend, ne duhet të kemi një strategji të qartë për liri akademike dhe autonomi financiare nga MASH. Universitetet perëndimore edhe pse publike vetëm një përqindje të vogël të fondeve të tyre e sigurojnë nga buxheti shtetëror. Pjesa tjetër del nga aktiviteti shkencor, bashkëpunimi me kompani private dhe taksat e studentëve. Një strategji të ngjashme duhet të kemi edhe ne. “A nuk kërkon këtë gjë edhe Ligji i Ri i Arsimit të Lartë, kur Prof. Shaska si rektor e kërkonte 10 vjet më parë?

Por ….si në Shqipërinë me mentalitet otoman, nuk e pati të gjatë as Shaska nga politika e pushteti e as projekti nga “dovleti”. Prof.Shaska bëri gabimin fatal që nuk u “shqiptarizua”, nuk pranoi të bëhej anëtar i çetës “SERVUM PECUS”.

Kryeministër i Rilindjes! Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë në mënyrë krijuese nuk mund të realizohet nga një çetë “SERVUM PECUS”, që lenë shijen e keqe të mëshirës dhe neverisë në opinionin akademik e publik, përfaqësues të interesave të vogla, meskine, amorale dhe shpirtrave të shitur,të dalë nga zgjedhjet farsë universitare nëpërmjet një ligji “putinist”, të iniciuar nga ministrja e arsimit, të cilën për hir të té ardhmes së gjeneratës së re urgjentisht duhet ta largoni nga ai fron.

NDRYSHIMI mund të vijë vetëm nga një lidership akademik e shkencor i formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist racional, që me kurajë civile e guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor anakronik duhet shembur dhe në vend të tij të luftojë të ngrejë një sistem arsimor të lirë, i cili të gjenerojë intelekt e qytetari. Një lidership akademik që nuk e ka pushtetin si qëllim në vetvete,që fokuson sinergjinë e komunitetit akademik drejt një perspektive të qartë të institucionit që drejton. Një lidership jo i shqiptarizuar! I cili të realizojë dy akte të mëdha: Vetingun dhe Ndryshimin.

Kjo e domosdoshme, sepse nuk mund të guxosh të realizosh Ndryshimin radikal në një mjedis akademik të infektuar moralisht e të korruptuar materialisht. Përpjekjet për të implementuar vizionin e ri në Arsimin e Lartë me çetën “SERVUM PECUS” është anakronizëm dhe vetëmashtrim. Ndryshimi në Universitetet do të vijë vetëm nga Diaspora, nga akademikët, profesorët dhe shkencëtarët shqiptarë të Diasporës. Këta janë qytetarë të një Bote të Lirë, që udhëhiqen nga laokoontizmi, që kanë për devizë mendimin ndryshe. Mbi të gjitha, si intelektualë të spikatur, kanë një përvojë tjetër, atë euroatlantike në shkencë, mësimdhënie e menaxhim,gjë që i mungon çetës “SERVUM PECUS” . Shembulli i prof. Shaskës, “matematicienit të njohur, moderator e drejtues i shumë projekteve të NATO-S “, ish-rektori i universitetit të Vlorës, (2008 – 2011), tregoi më së miri se edhe në Shqipëri mund të ndryshojnë gjërat, se edhe në Shqipëri mund të ngrihen institucione moderne, por… duhen gjetur personalitete me perfomancë të lartë shkencore, akademike, menaxhuese e mbi të gjitha morale. Dhe Diaspora është një mundësi potenciale e “artë” për ndryshimin e kërkuar. Dhe jo vetëm në arsim. Por në arsim është imperative se kërkohet rilindja e Intelektit të rrënuar, kërkohet krijimi i qytetarit, mbartësit të mendimit të lirë, të së drejtës dhe demokracisë, kundrejt qytetarit-otoman- një individ që udhëhiqet nga instinktet emocionet dhe interesat meskine, lehtësisht i manipulueshëm për t’u “turmëzuar”.

A do ta shfrytëzoni ju këtë mundësi për ta Rilindur Arsimin e Lartë?A ka ardhur koha që të përfshini intelektualet e spikatur të Diasporës në projektet e reformat e qeverisë? Këtë duhet të bëni ju tani. Resurset e brendshme për një menaxhim intelektual janë ose të konsumuara ose të korruptuara. Një rast e humbët me Ligjin e Arsimit të Lartë. Ekziston edhe një mundësi tjetër: Rishikimi dhe monitorimi i Ligjit të Arsimit të Lartë. Të shpresojmë që “laokoontët” mendim-ndryshe të mos i përjashtosh si paraardhësi juaj.