Diplomacisë Shqiptare- Midis Europianizmit e Sovranizmit, larg modelit sui generis Evropian

55
Sigal

Prof. Lisen BASHKURTI

Edhe në takimin e përpara pak ditësh në Bruksel të Këshillit të Asocimit midis KE dhe Shqipërisë u vërejtën diferencat diplomatike në qasjen midis KE dhe shteteve të vecanta të organizatës ndaj Shqipërisë. Natyrisht të shumta janë problemet me të cilat po haset Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin European. Pa u futur në kompleksitetin e tyre, për vetë fushën e njohjes, të dijeve, eksperiencës dhe praktikës time do të fokusohem vetëm në sfidën kryesore të diplomacisë, që ndonëse, nuk bie shumë në sy publik, sërish është po aq serioze sa edhe fushat e tjera si ato politike, ekonomike, ligjore dhe administrative.

Sfida kryesore e diplomacisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin European buron në mënyrë të dyanshme: nga vetë procesi i transformimit dhe karakteristikave të diplomacisë së BE mbas Traktatit të Lisbonës, si dhe nga trashëgimia jo e transformuar e diplomacisë shqiptare ndaj BE. Në këtë dyanshmëri, ajo që nevojitet të ndryshojë, të përshtatet dhe të zhvillohet parasëgjithash është diplomacia shqiptare, e cila po tenton që të bëhet pjesë e diplomacisë së BE pa humbur karakteristikat individuale si shtet i pavarur dhe sovran në familjen e kombeve të botës.

  1. Diplomacia e BE mbas Traktatit të Lisbonës

Përpara Traktatit të Lisbonës diplomacia e BE vuante nga inkoherenca serioze horizontale dhe vertikale që buronin nga ndarja e kompetencave midis BE dhe shteteve antare, që udhëhiqeshin nga një formë supernacionale (federaliste) e ndërqeveritare (sovraniste) e përfaqësimit diplomatik, me shumë qëndrime të aktorëve, organizuar në një strukture të shpërndarë autoriteti dhe legjitimiteti dhe në kushtet e mungesës së qartësisë ligjore.

Traktati i Lisbonës dhe Veprimi i Shërbimit të Jashtëm Europian (EEAS) që u krijua lehtësoi disa probleme. Por la sërish pas disa të tjera. Pengesa kryesore në përfaqësimin koherent dhe të unifikuar diplomatik nuk është mënjanuar tërësisht me Traktatin e Lisbonës. Natyra sui generis e Bashkimit Evropian, e ndërtuar midis një shteti federal dhe një organizate ndërkombëtare rezultoi në rrjetin e organizimit  të diplomacisë së saj, Veprimit të Shërbimit të Jashtëm të Europian (EEAS), që vazhdon të bashkekzitojë me shërbimin diplomatik të 27 shteteve antare sovrane.

Ajo që ka ndryshuar me Traktatin e Lisbonës dhe krijimin e EEAS është mekanizmi koordinues me një rrjet më pak kompleks, më qartësisht të ndarë dhe më të dukshëm në përfaqësimin ndërkombëtar, gjë që padyshim e ndihmon BE të ndërtojë imazhin e vet më pranë aktorit shtet të tipit Vestfalian. Gjithashtu, natyra jo shtetërore e BE vazhdon të paraqesë probleme serioze të përfaqësimit koherent në organizatat ndërkombëtare, madje edhe kur ekziston marrëveshje politike brënda BE.

Në rrafshin brënda Brukselit, EEAS koordinon gjithë strukturat burokratike, duke sjellur një përmirësim të dukshëm koherent horizontal të diplomacisë së BE. Në rrafshin ndërkombëtar, ajo që ka ndryshuar me Traktatin e Lisbonës dhe EEAS është thjeshtësimi i rrjetit, me zhdukjen e Presidencës së misionit diplomatik në fushat e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Përbashkët (CFSP).

Aktualisht, mbas Traktatit të Lisbonës, Delegacionet e BE përfaqësojnë Bashkimin European si union në tërësi më gjithë politikat e tij, kështu që ndarjet midis politikave supernacionalite (federaliste) dhe ndërqeveritare (sovraniste) janë tani të përfshira brënda EEAS. Impakti kryesor i këtij inovacioni institucional mbetet për t’u provuar në praktikë, për arsye se do të varet jo vetëm nga ndërtimi formal, por edhe nga mënyra sesi aktorët e përfshirë do të adoptojnë praktikat e reja të koordinimit që do të lejojnë BE të ketë një përfaqësim të unifikuar si një aktor i vetëm ndërkombëtar. Kjo, gjithashtu do të varet nga dinamikat e socializimit midis stafit të ardhur nga Komisioni, Sekretariati Këshillit dhe, jo më me pak rëndësi, të shërbimeve diplomatike të shteteve antare. Ndryshimet institucionale innovative dëshmojnë se ndryshimi strategjik në diplomacinë e BE do të dojë kohën e vet.

Ndryshimet e bëra në diplomacinë e BE kanë nevojë për më shumë eficencë dhe koherencë me qëllim që të mbrojnë më mire interesat e BE në marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo sjell një thyerje të nocionit të mëparshëm strukturor të diplomacisë dhe kthimit tek mënyrat Vestfaliane të pjesëmarrjes në marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo rrëshqitje strategjike në drejtim të paradigmës së mbrojtjes së interesave në një logjikë konkurruese me aktorë të tjerë nuk është pa probleme. Nëse shteti Vestfalian si një formë organizacionale ishte dhe mbetet problem për bashkekzistencën paqësore midis popujve, rikrijimi i këti lloj shteti shtetit në nivel Evropian, pra federalizmi, nuk mund të jetë një zgjidhje pa probleme.

Gjithsesi rrëshqitja strategjike e diplomacisë së BE përmes inovacionit institucional do thotë që BE është duke adoptuar me sukses kulturën diplomatike dhe praktikën ekzistuese në sistemin ndërkombëtar përgjithësisht dhe në këtë mënyrë është duke avancuar në procesin e ardhjes drejt termave në realitetet e reja të marrëdhënieve ndërkombnëtare.  Në fakt, inovacionet institucionale janë indikatorë që BE është maturuar si një aktor ndërkombëtar.

 

  1. Diplomacia e BE dhe shteteve antare në politikat e zgjerimit

Sikundër e parashtruam më lart, diplomacia e BE mbas Traktatit të Lisbonës ka rrëshqitur drejt një strategjie më eficente dhe më koherente në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si e tillë, kjo eficencë dhe koherencë po shfaqet edhe në politikat e fqinjësisë dhe të zgjerimit.

Por, pavarësisht këtij avancimi si aktor ndërkombëtar koheziv dhe i unifikuar sidomos në politikat ku arrihen marrëveshje brënda Unionit, sërish nga vetë natyra formësore e BE midis strukturës supernacionale (federalizmit) dhe strukturës ndërqeveritare (sovranizmit), diferencat vijojnë të mbeten edhe në politikat fqinjësore dhe ato të zgjerimit.

Veprimi i Shërbimit të Jashtëm Evropian (EEAS) si një strukturë përfaqësuese e legjitime e unionit në qasjet ndërkombëtare përfaqësohet nga Delegacionet e BE jashtë organizatës. Këto delegacione përfaqësojnë imazhin e entitetit të Unionit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë, 27 shtetet anëtare kanë përfaqësitë e tyre diplomatike paralelisht me Delegacionin e Unionit. Qëllimet, misionet, objektivat, prioritetet e këtyre dy entiteteve diplomatikë nga hapsira gjeopolitike e Kontinentit, ndonëse nuk janë perjashtimisht të kundërta, nuk janë gjithsesi as të njëjta, madje ngadonjëhera as të përafërta. Diplomatikisht Evropa vijon të shpaloset nëpër botë me diplomacinë Vestfaliane dhe me atë Evropiane, pra me një strukturë ku bashkekzistojnë federalizmi dhe sovranizmi.

Në rastin e politikave të integrimit diplomacia e BE lëviz nëpërmjet këtyre dy pistave diplomatike, federalizmit dhe sovranizmit ose midis diplomacisë Evropiane dhe Vestfaliane ose midis kulturës dhe praktikës diplomatike tradicionale të aktorit-shtet dhe kulturës dhe praktikës innovative institucionale post Lisbonë të aktorit-kontinent. Këto dy pista diplomatike shtrihen nga Brukseli në kryeqytetet Evropiane drejt vëndeve dhe qëndrave të tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe vëndet kandidate për në BE.

Në politikat e zgjerimit këto dy pista diplomatike, federaliste dhe sovraniste ose Evropiane dhe Vestfaliane, ose innovative dhe tradicionale të lartpërmendura janë shumë të larmishme dhe dinamike. Në varësi të vlerave dhe interesave të përfaqësimit këto dy pista diplomatike herë afrohen, herë largohen, herë ecin paralel dhe herë përputhen. Politikat e zgjerimit të BE janë kështu në varësi dhe në ndikim të dyfishtë. Aktorët kandidatë për antësim në Union vëzhgohen, analizohen dhe gjykohen nga perspektiva të ndryshme diplomatike Evropiane dhe Vestfaliane, pra nga Delegacionet e EEAS dhe përfaqësitë e shteteve antare, në të njëjtën kohë. Në këtë pistë të dyfishtë lypet të luajë diplomacia e vëndeve kandidate, për të përcuar qartësisht imazhin e saj në Unionin sui generis.

 

  1. Adoptimi i diplomacisë së vëndeve kandidate

 

Evropa e dyzuar diplomatikisht, e tillë është në konstitucionin e saj. Diplomacia e saj edhe zgjerimit i qaset njëherazi mënyrës Evropiane  dhe modelit Vestfalian. Sistemi i vlerave, gama e interesave, qëllimet, misionet, objektivat, prioritetet janë dinamike dhe të larmishme. Vëndet kandidate ‘lundrojnë’ në këtë mjedis të rrëshqitshëm, herë-herë duke ecur në drejtimin e duhur konsesual midis dy pistave të diplomacisë në Evropë, herë duke anuar nga Vesfalizmi, herë nga Evropianizmi pa arritur të gjejnë pikëtakimet midis tyre.

Këtu qëndron roli kryesor i diplomacisë së vëndeve kandidate, e cila lypet gjatë tërë kohës të ‘lundrojë’ midis Vesfalizmit dhe Evropianizmit, duke synuar gjithnjë të arrijë pikëtakimet midis tyre ose të gjurmojë e të qëmtojë më kujdes filigrame konsesusin politik midis tyre në qasjen ndaj vëndit kandidat të dhënë. Europianizimi i diplomacisë në vëndet kandidate, përfshirë Shqipërinë kryesisht që po sfidohet prej vitesh nga diplomacia e BE, kërkon që të ndërtohet diplomacia mikse e ngritur midis pikëtakimeve Europiane dhe Vesfaliane.

Mos përputhjet midis Vestfalianëve dhe Evropianëve ndaj një vëndi kandidat, sic është rasti i Shqipërisë, mund të rezultojnë problematik. Nëse diplomacia e vëndit kandidat përplaset midis mospërputhjeve Evropianizmit dhe Vestfalizmit, në vënd që të ngrihet mbi pikëtakimet e tyre, procesi i zgjerimit mund të shtyhet në ‘kalendat greke’ si në rastin e Turqisë, ose të ecë fare shpejtë si në rastet e vëndeve të Vishegradit apo të Vilniusit, sikundër mund të ballafaqohet me ulje-ngritje, ecje-ngecje, shpejtësime-ngadalësime si në rastin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Në rastin e Shqipërisë, pa hyrë në sfidat e reformave të brëndshme, disa të realizuara, disa të përgjysmuara dhe disa të tjera të pafilluara, diplomacia duket se është larg adoptimit të strukturës diplomatike mikse supernacionale dhe ndërqeveritare të BE. Për vetë traditën, diplomacia shqiptare është më e kulturuar dhe më e praktikuar me modelin sovranist Vestfalian dhe më pak me mënyrën Evropianiste. Ajo vepron më e sigurt në mënyrë unilaterale dhe bilaterale, pra në formatin kulturor dhe praktik tradicional sovranist. Prej më shumë se një shekulli Shqipëria ka ushtruar një diplomaci të tillë në familjen e kombeve.

Diplomacia shqiptare, për vetë traditën e saj, qysh prej pranimit në Lidhjen e Kombeve, mbas Luftës së Parë Botërore, e në vazhdimësi ka fituar një kulturë dhe praktikë edhe në formatin multilateral të diplomacisë. Ndonëse në diplomacinë multilaterale diplomacia shqiptare u tkurr gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, duke kaluar në vetizolim, cka e ngurrtësoi dimensionin multilaterale të saj, sërish multilateralizmi ka një farë baze në diplomacinë shqiptare. Kjo është arsyeja që në Lidhjen e Kombeve e më pas në Kombet e Bashkuara, diplomacia shqiptare ka qënë e pranishme e herë-herë ka treguar eficencë dhe koherencë për situata apo ngjarje të caktuara ndërkombëtare.

Por, as diplomacia unilaterale, as diplomacia bilaterale, madje as ajo multilaterale vecmas nuk mund të jenë eficente dhe koherente në rastin e diplomacisë me Bashkimin Evropian. Unioni është entitet sui generis.  Unioni është formuar si një format midis supernacionalizmit dhe ndërqeveritarizmit, ose midis federalizmit dhe sovranizmit, ose midis Evropianizmit dhe Vesfalizmit, ose midis tradicionalizmit dhe inovacionit.

E tillë është edhe diplomacia e Unionit. E, prandaj e tillë lypet të adoptohet edhe diplomacia e vendeve kandidate, posaqërisht e Shqipërisë, e cila po përballet specifikisht me qasjet kontraverse diplomatike midis Vesfalianëve dhe Evropianëve, pa qënë eficente dhe koherente t’i afrojë ato në pikëtakime të njëjta qasjeje ndaj Shqipërisë. Ky është problem filozofie diplomatike, është problem strukturor diplomatik, është problem kulture dhe praktike diplomatike që, në tërësi, mund të thuhet është problem reformimi tërësor i shërbimit diplomatik shqiptar. Ky reformim nuk zëvëndësohet vetëm me emërimin e një kryenegociatori, sado i kulturuar dhe me përvojë që të jetë ai.

Reformimi i shërbimit diplomatik shqiptar për adoptimin e strukturës së diplomacisë mikse Evropiane nuk do thotë që të heqim dorë nga diplomacia dhe praktika diplomatike tradicionale sovraniste Vestfaliane që e gëzojmë në rrafshe unilaterale, bilaterale dhe multilaterale prej afro një shekulli. Reformimi i diplomacisë shqiptare ka të bëjë me adoptimin e një filozofie, strukture, kulture dhe praktike, mekanizmash dhe teknikash mikse sui generis që i ka Bashkimi Evropian dhe që në thelb rrisin efikasitetin dhe kohezionin midis sovranizmit dhe europianizmit në shërbimin diplomatik shqiptar në rrugën e integrimit Evropian dhe më tej. Pa këtë adoptabilitet apo përputhshmëri diplomatike midis diplomacisë shqiptare me atë të Unionit, Shqipëria do ballafaqohet gjatë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian e më tej në mirëfunksionimin e saj brënda Unionit.