Çapajev Gjokutaj; Shkoi djali në Patos, vate hu e erdhi lloz

524
Sigal

Ky bejt i moçëm të kujtohet kur sheh të rinj që kanë hyrë në politikë pasi kanë bërë studime të gjata në universitete dinjitoze të Perëndimit. Disa prej tyre kanë arritur deri në katet e larta të shtetit, deputetë, gjykatës e më lart. Arsimimi jashtë ofron dy shkolla: merr mësime në auditor për fushën që studjon, por merr mësime edhe nga shoqëria për etikën, jetesën, tolerancën, përgjegjshmërinë etj. Me ç’na shohin sytë e ç’na dëgjojnë veshët, ngjan se këta tanët kanë nxënë vetëm mësimet e auditorit dhe hiç fare ato të shoqërisë. Vështirë të gjesh pse dallojnë fare pak nga politikanët tanë tradicionalë. Ngjan se janë po aq të prirur për dallavere, korrupsion, konfliktualitet etj. etj. Imitojnë liderët kryesorë në gjithçka, duke nisur nga qasjet strategjike e duke bitisur tek gjestet. Mbase kjo vjen si rezistencë e mentalitetit kaçak për të mos u molasur me normat e demokracisë dhe me vlerat civilizuese. Mbase këta të rinj konformohen me situaten për të ngjitur shkallët e karrierës, për të marrë start. Mbase partitë politike tek ne funksionojnë si grupe tribale e u ngjajnë bokërrimave, që edhe dardhën e shndërrojnë në gorricë. Mbase, pesë poshtë pesë lart, njerëzit janë njëlloj kudo, por shoqëritë e përparuara demokratike kanë dhe institucione të forta dhe trysni qytetare për të bërë zap orekset korruptive të atyre që drejtojnë. Kurse këta tanët gjejnë shesh e bëjnë përshesh. Madje ngjan se e kanë të ngulitur në kokë se kështu i do mushka drutë, dmth kështu e do ky milet🤡

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )