Bylykbashi kallëzon në SPAK, PS për aplikacionin ‘Aktivisti’: Të ndalet menjëherë, krim i rëndë zgjedhor!

180
Sigal

Partia Demokratike ka bërë kallëzim në SPAK për aplikacionin “Aktivisti” që Partia Socialiste ka hedhur në qarkullim para zgjedhjeve, duke e konsideruar një skemë kriminale që dhunon vullnetin e zgjedhësve.

Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, i shoqëruar nga Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Ivi Kaso, bëri të ditur para medieve se kallëzimi penal nuk u pranua menjëherë nga SPAK për arsye burokratike, por se Partia Demokratike do ta dorëzojë atë sot brenda ditës për vetë rreziqet që mbart ky aplikacion që po përhapet.

“Sot bëmë kallëzimin penal për aplikacionin “Aktivisti” të Partisë Socialiste, – tha Bylykbashi, – nëpërmjet të cilit ne kallëzojmë Edi Ramën kryeministër, ministrat, zyrtarë të lartë të PS, të gjithë drejtuesit e bashkive dhe të institucioneve që në mënyrë kriminale, duke përdorur një aplikacion, qartazi, në shkelje të ligjit, të Kodit Penal dhe qartazi dhe në shkelje të atyre që janë rekomandime prioritare të OSBE/ODIHR, nëpërmjet veprimeve të tyre kanë konsumuar pothuajse të gjithë kapitullin e krimeve zgjedhore në Kodin Penal.

Erdhëm këtu në fakt për ta dorëzuar. Për fat të keq SPAK nuk e mori në dorëzim. Kanë vendosur procedura burokratike, që refuzojnë që ne t’i dorëzojmë drejtpërdrejt. Gjithsesi ne do ta ndjekim më tej. Ky kallëzim do të dorëzohet patjetër për të gjithë këta zyrtarë të lartë, duke filluar nga Kryeministri, që kanë konsumuar edhe njëherë siç e thashë, vepra penale të rënda siç janë ato të korrupsionit zgjedhor apo të thyerjes së normave të Kodit Penal në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të shtetasve, të zgjedhësve dhe vepra të tjera penale, pra, të gjithë, pothuajse të gjithë kapitullin për krimet zgjedhore.

Një kontroll sistematik me një plan kriminal, me një veprim të strukturuar kriminal që e ka burimin drejtpërdrejt nga Kryeministri, nga Këshilli i Ministrave, i shtrirë në të gjithë administratën duke dhunuar haptazi të drejtat e zgjedhësve në Shqipëri.

Ne kërkojmë që nëpërmjet veprimit energjik të SPAK, nëse do ta gjejë vullnetin, të ndalet dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë sot të drejtat e shtetasve shqiptarë, të drejtat e zgjedhësve dhe sigurisht i bie barra këtij institucioni që të fillojë dhe të krijojë një situatë ku, ndoshta, zgjedhësit të fillojnë dhe të kenë besim te një proces zgjedhor tashmë i brutalizuar në disa palë zgjedhje nga Partia Socialiste.”

Ne kemi dorëzuar provat që kemi në dispozicion dhe është barrë e Prokurorisë të vërë para përgjegjësisë penale ata që kanë të bëjnë me këtë skemë manipulimi jo thjesht të rezultatit zgjedhor, por të manipulimit të vullnetit të lirë të zgjedhësve. E tëra administratë është nën presion kriminal për të ndikuar në procesin zgjedhor dhe në votën e tyre.”