Bombardieri i Karameleve

551
Sigal

Në SHBA “Memoriali i Viktimave të Komunizmit” simbolizohet nga një Femër!

Nga Moza Boletini

 

Maj 2019, Washington, D.C., SHBA

Me rastin e 30 Vjetorit të Rënies së Murit të Berlinit në Gjermani, dhe Prezantimit të Medaljes së Lirisë “Truman – Reagan” që iu akordua veteranit Gail S. Halvorsen (Bombardierit të Karameleve) Fondacioni që Nderon Viktimat e Komunizmit në SHBA mbajti një Ceremoni Përkujtimore për respekt të viktimave të komunizmit në botë.

Të ftuar ishin trupa diplomatike, të mbijetuar nga diktatorët në botë, gazetarë, organizata të ndryshme, veteranë, studentë. Shqiptarët u përfaqësuan nga Federata “Vatra” në New York, Federata “Vatra” në Washington D.C, Federata “Vatra” në Tampa, Florida, Albanian American Council, gazetari dhe ish-i persekutuari politik Beqir Sina. Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” me qendër në New York ishte e pranishme nga zonjat Janulla Rrapi, Maja Tushe, Moza Boletini etj., të cilat edhe ato vendosën një kurorë me lule të freskëta në emër të Organizatës së tyre.

Fjalën kryesore të këtij tubimi pranë Memorialit të Viktimave të komunizmit në botë e mbajti Drejtori Ekzekutiv Marion Smith. Në SHBA simboli për nder të viktimave të komunizmit në botë personifikohet nga një Femër. Memorial që është ngritur 12 vite më parë nga Presidenti George W. Bush në Amerikë. Edhe në Kosovë është ngritur Memoriali i Heroinave, simbol i Femrës Shqiptare që u torturua, përdhunua, keqtrajtua dhe u zhduk nga makineria serbe në Kosovë.

Shembuj pozitivë që na frymëzojnë edhe ne si organizatë gruaje për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe fëmijëve. Vetëm në Shqipëri nuk po ngrihet një Memorial për të vlerësuar vuajtjet, vrasjet, burgosjet e internimet që ka përjetuar populli ynë, përfshi edhe femrat e fëmijët gjatë regjimit komunist, si regjimi diktatorial më i egri në Evropë.

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” shpesh herë ka shkruar dhe ka folur për ngritjen e një Memoriali Përkujtimor në Shqipëri, në Sheshin kryesor të Tiranës, pikërisht aty ku ka pasur themelet busti i diktatorit Hoxha, por askush nuk po e merr këtë iniciativë.

Interesante ishte historia e pilotit ushtarak amerikan Gail S. Halvorsen që në emër të tij Medaljen e Lirisë “Truman – Reagan” e mori biri i tij, pasi “Bombardieri i Karameleve” Halvorsen ndodhej i ftuar në Gjermani. Në vitin 1948 i stacionuar në Berlin si ushtarak kishte hedhur atje nga avioni amerikan 23 ton karamele, çamçakëz, çokollata të lidhura në shami të vogla në formë parashute për fëmijët që t’iu shkonin duarve të ndryshme. E nisi fillimisht vetë si mision, por që iu bashkuan edhe kolegët e tij, dhe gjeti mbështetje kombëtare në të gjithë Amerikën. 25 vitet në vijim të karrierës Gail Halvorsen e performoi këtë kauzë bamirësie në shumë shtete të botës okupuar nga lufta apo komunizmi, si në Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri, Japoni, Guam, Irak. Kauza e tij shërbeu për t’i ngritur moralin qytetarëve gjermanë të pas Luftës, ku mori shkas nga biseda me një grup fëmijësh gjermanë, të cilët kërkonin vetëm liri për vendin e tyre. Piloti amerikan Gail S. Halvorsen, i cili qysh nga ajo kohë njihet si “Bombardieri i Karameleve” vazhdoi për 25 vite rresht të hidhte nëpër botë parashuta të vogla me karamele, duke u identifikuar nga fëmijët me tundjen e krahëve të avionit….