Armatosja për “paqen” botërore!

486
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Një re e zezë po shfaqet në horizontin e paqes globale. Bota “harroi” për një çast garën e ethshme të armatimit. Në horizontet e përflakura mbizotëronte “paqja” por dhe kërcënimi, që për mjaft shtete të mëdhenj e të vegjël kafshonte buxhete deri edhe kafshatën e mjerimit të popujve. Përpjekje të shumta të diplomatëve, që rrëmbyen çantat e diplomacisë dhe i ranë kryq e tërthor botës në kërkim të “rrugëve paqësore” nuk munguan. Përpara çdo shtegu marrëdhëniesh ngriheshin “pirgje e male” konfliktesh të ndezura e të “fjetura”, që presin shkëndijën më të vogël të interesave dhe të rindarjes së tregëtisë botërore. Europianët dhe jo vetëm ulën armët dhe ngritën flamurin e paqes, por problemet e së shkuarës nuk u izoluan dhe as u shuan plotësisht. Çështjet europiane për mëse një shekull u pasua në fushën amerikane. Njerëzimi “ra” në qetësi dhe globi gjeti zot. Por paqe e qetësi të përhershme nuk mund të ketë. Kongresi amerikan së fundi synon zhbërien e disa marrëveshje me Rusinë për kontrollin e armëve, një reflektim delikat me të papritura në ecejaket Uashington-Moskë. Kërcënim apo një garë e re armatimi? Përse vallë në shënjestër vihet shpesh “Traktati Bërthamor me Rreze të Mesme”, “Starti i Ri” dhe “Qiejt e Hapur”? Që të tria janë decisive për kontrollin e armëve globale. Sinjale të politikës amerikane dërgohen në disa forma tek ata që kanë veshë. Siguria globale prek para së gjithash stabilitetin e dy fuqive më të mëdha bërthamore dhe sjell rrezikun e garës së riarmatimit bërthamor.

Zgjerimi i NATO-s, mbrojtja raketore e SHBA-së, demokratizimi i “revolucioneve me ngjyra” në ish-Bashkimin Sovjetik ka prekur fushën e marrëdhënieve Uashington-Moskë. Tendencat e dy viteve më parë të “lavdërimit të Putinit” nga Trumpi kanë sjellë zhvillime të reja. “Dashuria” e të mëdhenjve ka përfunduar dhe bashkëpunimi shikohet me dyshim nga zyrtarët e lartë. Mos vallë gara e re e armatimit është në prag? Ekzistojnë fitues në këtë garë? Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme i nënshkruar nga liderët amerikanë dhe sovjetikë në vitin 1987, eliminoi për herë të parë një klasë të tërë raketash në Europë. Kanë tashmë një pesëvjeçar, që prej vitit 2014, që Amerikanët kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për zhvillimin e një rakete, në kundërshtim me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, edhe pse ekspertët e inteligjencës kanë thënë se sistemi ka qenë në zhvillim e sipër disa vite para Traktatit. Bisedimet prekin kohë pas kohe dhe “kufijtë” me vija të kuqe, shkojnë tek rishikimi i detyrimeve ndaj ligjësisë ndaj Traktateve. Ndonjëherë sanksionet janë parë si “armë” dhe qasja teknologjike si mundësi avancimi. Traktati “Start”, nuk paracakton problematikë të zgjidhur. Deklaratat shpesh kanë qenë respektive nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Moska e Uashingtoni janë dashur e grindur, kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta për vendosje të sistemeve të mbrojtjes raketore në Evropën lindore, nga pika gjykimi të ndryshme në raportin nëse ato “shkelin Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi!”.

Propozimet në buxhetet për mbrojtje cekin edhe “Traktatin e Qiejve të Hapur”, e cila ka qenë një marrëveshje e vitit 2002, që lejonte SHBA-në dhe Rusinë, së bashku me 32 vende të tjera, të bëjnë fluturime mbikëqyrëse në territorin e njëri-tjetrit. Kjo rriste transparencën dhe zvogëlonte rrezikun e keqinterpretimeve për veprime ushtarake ndaj njëri-tjetrit. Koha e kërkcënimeve ndaj njera-tjetrës ka qenë prezente e hapur dhe e fshehur. Kështu kohët e fundit televizioni shtetëror rus ka publikuar listën me bazat ushtarake amerikane që rusët do të sulmojë në rast të një sulmi bërthamor dhe se një raketë hipersonike që Rusia po zhvillon aktualisht do të jetë në gjendje t’i godasë ato në më pak se 5 minuta!. Por në këtë rast objektivat përfshijnë dhe Pentagonin, selinë presidenciale në Kemp Dejvit, në Merilend etj. Para pak ditësh presidenti Putin deklaronte se, Rusia ishte gati për një krizë të re raketash me amerikanët, të njëjta me ato të stilit kubanez të viteve ’60-të. Tensionimi dhe kërcënimi në erupsion dhe shqetësimi i Kremlinit se Amerika mund të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Europë, ka sjellë një paralajmërim se Moska do të reagojë duke vendosur raketat hipersonike bërthamore në nëndetëset e saj pranë ujërave territoriale amerikane.

Retorika ushtarake kundër Perëndimit, vjen me rezerva për një garë të re armatimesh bërthamore. Meraku i Kremlinit është se ajo kushton shtrenjtë dhe Moska e ka një eksperiencë të hidhur atë të “shkërmoqjes së Bashkimit Sovjetik”, që bashkë me shkërmoqjen e shtetit sjell dhe fundin e pushtetit.

Rënia ekonomike, tkurrja e buxhetit përballë sanksioneve të Perëndimit, mund të çojë në një garë të re armatimi bërthamor me amerikanët, por Moska mund të bëjë edhe përllogaritjet e kësaj krize të re, kur deri dje ka folur me tone të tilla se: “Uashingtoni vendosi që përballë Rusëve të bëjë lëvizjen “në lojën e shahut” me “daljen nga traktati që ndalonte raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, duke zgidhur duart nga detyrimi për të mos i prodhuar ato”.

Mos ishte kjo lëvizja e parë për një perspektivë në një garë të re armatimesh mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit. Putini deklaronte se Rusia do të kopjonte lëvizjet e amerikanëve dhe faktikisht ashtu veproi. Në fakt Putini nuk e shoqëroi me buxhet “retorikën ushtarake për t’u përballur me Perëndimin”, por tha se: “pozicionimi i raketave për sistemet e reja do të bëhet nga fondet ekzistuese të buxhetit”, çka nuk është shumë premtuese për ekonominë ruse. Në këto pozita nuk është leverdia ruse për t’u përfshirë në një garë të shtrenjtë armatimesh”. Vështirësitë ekonomike, realitetet e reja politike, kujtimet e së shkuarës së garës së armatimeve gjatë Luftës së Ftohtë mund të frenojnë oreksin për një përshkallëzim të shtrenjtë të situatës së armatimit bërthamor. Ndërkohë që edhe një zë i shekullit të XX, 88-vjeçari Mikhail Gorbaçov Ish-Presidenti sovjetik, deklaronte para gazetarëve se, “Duhet të bëhen përpjekje urgjente për të parandaluar një garë të re armatimi, Moska e Uashingtoni duhet të përqendrohen në ngushtimin e hendekut dhe përmirësimin e marrëdhënieve, si çështja më e rëndësishme në botë”.

Në këtë situatë, a do ta tërheqin amerikanët sërish rusët në fushën e dështimit strategjik në armatim sikurse vepruan në periudhën e Luftës së Ftohtë? Ka kaluar më shumë se dy dekada kur rusët i panë dyqanet e tyre të ushqimeve të boshatisura në 1991-in, që çuan në dorëzimin dhe falimentimin e supershtetit Sovjetik. Kujtimet janë të freskëta. A do të bëhet industria ushtarake ruse sërish një konsumator gjigand i buxhetit. Koha do vërtetojë “trimërinë” e tyre për të qenë “i barabartë” me amerikanët. Shpenzimet e fuqishme në sektorin ushtarak me një seri armatimesh të reja, me raketa hipersonike, armatime me lazer, drone, armatime nënujore bërthamor e raketa bërthamore të fuqishme kafshojnë rëndshëm buxhetin e një shteti. Prandaj edhe ekspertet e mbrojtjes janë në pozita nguruese, pavarësisht politikave, politikanëve, dëshirave e synimeve strategjike, ndonëse ndonjëherë edhe krejtësisht të pamundura.

Amerikanët kanë thënë se, nuk kanë plane zhvillimore raketore dhe i kanë cilësuar paralajmërimet e ruse si një propagandë. Amerikanët deklarojnë se, nuk kanë plane të së ardhmes për raketa bërthamore me bazë tokësore që mund t’i vendosin në kontinentin e vjetër. Por vendimi për t’u tërhequr nga traktati bërthamor i vitit 1987 i hap rrugë ShBA-së të prodhojnë armatime të tilla. Por lind pyetja: “Mos vallë është duke iu hapur rruga një stresi ndërkombëtar mbi vringëllimën e re të armëve, rritjen e buxheteve të mbrojtjes, dhe kthimin e tyre në buxhete lufte? Fakt është se Amerikanët e Rusët janë zotërues të 93% të armatimit bërthamor të botës. Pothuaj në tre dhjetëvjeçarët e fundit regjimi i kontrollit të armëve i trashëguar nga Lufta e Ftohtë po çon në asfiksimin e formatit të trashëguar të çarmatimit. Hijet e armatimit janë me kosto dhe pasoja, të cilat komplikojnë së tepërmi situatat dhe bien edhe pasoja të pallogaritshme që duhet shtuar këtu edhe aksidentet. Por hijet e armatosjes edhe më të sofistikuar nuk çojnë në “të fituar”, por në një të ardhme të paparashikueshme.

Armatosja për “paqe”, do sjellë dhe strategji të reja bërthamore, arsenale përtej kapaciteteve që do ta shkatërronin civilizimin e globit me një të rënë të butonit të valixhes bërthamore. Në kushtet kur palët flasin për “premtime të thyera”, arsyetimi logjik kërkon bisedime diplomatike e marrëveshje jashtë patheve destabilizuese e krejtësisht të panevojshme për njerëzimin.