Analizë nga Dalip Greca: Kriza kombëtare, fajësia e politikës dhe përgjegjësia e medias. Shqipëria vuan mungesën e elitës Kombëtare

518
Sigal

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste, por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk kanë evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërueshme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës dhe e pronës, është përzierë krimi me shtetin dhe politikën, amoraliteti sundon mbi moralin…

 

Që shqiptarët po përjetojnë krizën më të thellë Kombëtare, kjo nuk mund të diskutohet. Brezat që do të vijnë do t’u bëjnë gjyqin atyre që na drejtojnë dhe që na kanë çuar në këtë krizë totale. Nuk është vetëm mundësia e humbjes së territoreve, që mezi i siguruan paraardhësit patriotë përgjatë shekujve, por edhe boshatisja e trojeve, emigrimi masiv, varfëria ekstreme, kriminaliteti, përdhunimi, amoraliteti, vjedhjet, vrasjet, përçarja kombëtare. Gjithçka është në krizë. Shqipëria e ka humbë orientimin dhe duket se ecën symbyllazi, duke imituar somnambulët, ndërsa Kosova po përpëlitet mes ekzistencës së shtetit, ruajtjes së integritetit dhe politikë bërësve rrahagjoksë “patriotë”, që akuzojnë njeri-tjetrin për tradhtarë. Shqipëria dhe Kosova që vetëqeverisen si shtete të pavarura janë për momentin modeli më i keq që nuk të japin krenarinë e të qenit shqiptar për mënyrën e të bërit politikë, ku parlamentet e të dy vendeve kthehen në arena përleshjesh, ku jo kultura-por fjalorët banalë shiten për moral, ku deputetët tanë shahen me libër shtëpie, ku forca dhe jo logjika, përplasin pozitën me opozitën ose e kundërta, ku i pari i shtetit nuk e ka për gjë që ta shesë banalitetin e fjalorit të vet për modernizëm, fjalor që do t’ia kishin zili edhe shtetarët e politikanët në Rwanda e gjetkë. Si mund të predikojnë politikanët tanë se synojnë të shkojnë në Evropë kur sillen si harbutë dhe të paedukuar? Në cilën Evropë duan të shkojnë këta? Në Shqipërinë Evropiane gjithçka duhet të jetë evropiane, që nga sjellja, nga jetesa, nga mënyra e të folurit, nga bindja ndaj rregullit dhe ligjit. Por tek ne secili që merret me politikë vepron sipas motos “Ligji jam unë!” etj…

Shqipëria prej 106 vitesh shtet i pavarur, Kosova prej 11 vitesh shtet më vete, sillen rreth vetes si gurët e mullirit pa drithë. Mjafton të hapësh TV në Tiranë apo Prishtinë dhe, nëse ke nerva, dëgjon broçkullat e politikanëve dhe gazetarëve, që sillen rreth vetes dhe marrin poza të diturish, të dëgjosh gazetarët opinion-bërës, që hiqen si kompetentë në të gjitha fushat. I shihni me kujdes; janë po ata që bëjnë opinione për politikën; janë po ata që gjykojnë krimin dhe kriminelët, japin opinione për rendin, për dashurinë, për etikën, për veshjen, për krehjen, për turizmin… për gjithçka. Janë po ata… sikur nuk ka të tjerë Shqipëria! Madje disa prej tyre duken si të punësuar nëpër studio televizive. A e ndjen media shqiptare përgjegjësinë që ka në trazicionin tejet të zgjatur të Shqipërisë postkomuniste? Në një shoqëri demokratike media ka rol të pazëvendësueshëm në demokratizimin e shoqërisë dhe funksionimin e një shteti. Ajo mund ta mbajë drejt timonin e  drejtësisë ose mund ta hedhë vendin në anarki me anësitë politike dhe me paaftësitë e saj (Kujtoni vitin e mbrapshtë 1997, ku media i priu anarkisë). Paraardhësit tanë, që janë marrë me gazetari, na kanë lënë pas mësimin, se jo kushdo mund ta luajë rolin e gazetarit, veçanërisht tani, kur interneti bën këdo gazetar. Ish-Editori i Diellit, Bahri Omari, në kohën e tij konstatonte se Gazeta është instrument, të cilin po nuk e përdore mirë, jep pemët më të hidhura për një Komb. Derisa gazetaria, timoni më i fortë, që e drejton qytetarët, mbetet në duar gjysmakësh të paditur apo mercenarësh të paguar, nuk është e mundur të shpëtojmë nga anarkia shoqërore. Komenti është i tepërt. Sot media është e modernizuar por shfrytëzimi që i bëjmë ne shqiptarët është më së shumti primitiv (ndiqni komentet në rrjetet sociale)…Shihni gazetat e varfra shqiptare që sajojnë skoupe të paqena, shihni dhe nivelin shumë të ulët të komenteve në publikimet online të lexuesve militantë, dhe binduni për krizën e përbashkët të medias dhe ndjekësve të tyre që për model kanë njeri-tjetrin.

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk ka evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërueshme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës,instrumenti bazë i demokracisë.  Shiheni efektivitetin e polikë bërësve shqiptarë dhe mateni me atë çfarë është arritur në Shqipëri në këto 28 vite demokraci: Vendi ynë është bërë më i varfër, edhe pse pakica e pasur dhe e kriminalizuar, nuk dinë se ç’kanë. Pasuritë e dyshimta kurrë nuk u hetuan pasi Drejtësia jonë së bashku me politikën kanë bërë Padrejtësi…se Drejtësia jonë, ashtu si politika, janë militante, janë dhe të kriminalizuara. Pa e pastruar me rrënjë kancerin nga demokracia shqiptare nuk ka shërim të Shqipërisë, nuk ka demokraci reale.

Po kush merret me politikë në Shqipëri?

Mjafton të shihni Parlamentin që kemi sot, duke llogaritur dhe ata që u përzunë si kriminelë. Fatkeqësisht Shqipëria vuan mungesën e elitës Kombëtare në udhëheqje, e cila është zëvendësuar nga militantët. Fatkeqësisht Shqipëria jonë po prodhon elitë false, shitblerja e diplomave të universiteteve apo plagjiaturat pas-shkencore janë tregues i degradimit të shoqërisë. Mjerisht bëhen politikanë ata që nuk i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve, bëhen ata që s’kanë asgjë të përbashkët me artin e të bërit politikë, bëhen ata që delegon bota e krimit, e cila dërgoi në Parlament edhe kontingjente të drejtpërdrejta të kriminalizuara.

Ka ardhur koha që shqiptarët të reflektojnë dhe të bëhen zotë të vetvetes dhe të votojnë ata politikanë që u duhen, që nuk e kanë shitë veten dhe shpirtin, që kanë karakter të pastër, që vetingun nuk presin t’ua bëjnë të tjerët por ia bëjnë vetes çdo ditë, ata që nuk betohen për Partinë që i ka bërë të pasur, por që janë idealistë dhe betohen dhe luftojnë për Kombin. Një shoqëri që nuk nxjerr në krye elitën idealiste, është e destinuar të dështojë.

Gati një shekull më parë , ish editori i gazetës “Dielli” në SHBA, Bahri Omari, tek krahasonte politikë-bërjen në Amerikë me atë në Shqipëri konstatonte se në Shqipëri të gjithë duan të bëjnë politikë, të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, të gjithë kritikojnë, por sa efekt ka kritika dhe kush e bën atë?. Në Shqipëri konstatohet se populli merret me politikë dhe politikanët merren me biznes. Deri kur? Deri atëherë, kur votuesit të mos mendojnë të shesin votën, qoftë edhe për të mbajtur shpirtin gjallë, pra as për një thes miell e as për 50 mijë lekë, kur votuesi të denoncojë jo vetëm vjedhësin kundërshtar politik, por edhe militantin apo udhëheqësin e vet. Kur vota të marrë shenjtërinë e vet e paprekshmërinë, vetëm atëherë do të kthehet Demokracia reale, ajo për të cilën luftuam në fillimin e proceseve.

Le t’i mbyllim këto radhë me konstatimin e Bahri Omarit, gazetarit që e drejtoi Diellin e përditshëm, nga 7 korriku 1916 deri në 3 nëntor 1919:  “Në Amerikë, kritikat i bëjnë ata njerëz që janë të zotë, krerët e punëve, dhe populli mban sehir dhe bën gjykimin e vet. Po ne shqiptarët, u bëmë të gjithë politikanë, kritikanë, shkrimtarë të klasit të parë, kurse s’kemi haber fare nga çështja. Kështu çgjaksohet njeri dhe tjetri dhe pastaj mbushen zemrat me inate dhe mërira.”

Shikoni se ç’ndodh në Shqipëri 100 vite më pas këtij konstatimi dhe nëse mundni, i hiqni një presje Bahri Omarit të ndjerë, i cili edhe para Prokurorit dhe gjykatësit tek dënohej me pushkatim, edhe para skuadrës së pushkatimit, deklaroi: “Unë edhe në varr do t’i shërbej Shqipërisë!”. Edhe pse e lanë pa varr, ai ende na mëson se duhet t’i shërbejmë Kombit. Po ku t’i gjejmë idealistët e këtij kalibri?!