A po dështon edhe Parku Diellor i Karavastasë?

392
Sigal

Nga Klodian Tomorri

Në 27 maj qeveria hapi ofertat e ankandit për ndërtimin e Parkut Diellor të Karavastasë. Bëhet fjalë për një investim 100 milionë euro, i cili parashikon ndërtimin e një centrali diellor me fuqi të instaluar 140 mega për prodhimin e energjisë elektrike, nga të cilat 70 mega i shiten shtetit dhe pjesa tjetër në treg të lirë. Fituese në gare u shpall oferta e kompanisë Voltalia, e cila ofroi që gjysmën e energjisë së prodhuar t’ja shiste shtetit me cmimin surprizë 24.89 euro për mega.

Në fakt oferta e kompanisë Voltalia ishte me të vërtetë përtej pritshmerive. Me të drejtë, shumëkush e përgezoi qeverinë kur u njoftua cmimi 24.89 euro, i cili është dy herë më i ulet se sa cmimi mesatar me të cilin Shqipëria e blen energjinë aktualisht. Por disa ekspertë më skeptikë paralajmeruan se djalli fshihet në detaje. Ndoshta këta të fundit nuk kanë qenë aq gabim.

Në dokumentat e tenderit përcaktohet shprehimisht se brenda 30 ditëve nga shpallja e ofertës fituese, Ministria e Energjisë dhe kompania duhet të lidhnin kontratën e koncesionit. Afati 30 ditor ishte data 25 qershor, por kontrata nuk u nënshkrua. Tani po kalojnë 60 ditë, por kontratë sërish nuk ka. A mos po shkon dhe centrali i Karavastasë drejt dështimit?

Nën zë flitet se kompania ka kërkuar favore dhe po negocion me Ministrinë e Energjisë. I vetëm, ky fakt ngre shumë dyshime.

Kontrata e koncesionit ka qenë standard dhe pjesë e dokumentave të ankandit. Ndaj negocimi nuk ka sens. Cdo marrëveshje për të ndryshuar kontratën apo kushtet e shpallura në dokumentacionin e procesit konkurrues do të ishte ndryshim i kushteve pas garës dhe praktikisht do ta kompromentonte totalisht procesin.

Pyetjet qe shtrohen tani janë disa:

Pse nuk po nënshkruhet kontrata e Parkut Diellor të Karavastasë, pasi ka tejkaluar të gjitha afatet?

Cfare favoresh po kërkohen kur të gjitha kushtet kanë qenë të përcaktuara qartë në garë?

Dhe në fund, a mos vallë ky është Sukses-Qameti i radhës?