21 familje gjirokastrite ndezin qirinj për kryeministrin!

1017
Sigal

Kristo MËRTIRI

Përsiatje nga cikli “Antiharresa”

“Shifrës prej 27 mijë qytetarësh që kërkuan azil, iu shtua shifra e frikshme prej 367 mijë të tjerëve që aplikuan për lotarinë amerikane, e pa shtuar këtu shifrën e ikjes së përditshme të njerëzve të profesioneve dhe moshave të reja, kupton se Shqipëria nuk e administron dot si duhet jetën e qytetarëve të saj”…Dhe nuk është vetëm zhgënjimi shpirt-ngrënës nga qeverisjet e majta e të djathta, që u fal arratinë biblike nga sytë këmbët nëpër botën europerëndimore. Ikin shqiptarët, ikin. Ikin të dëshpëruar, zemracoptuar. Mjaft prej tyre nuk e kthejnë kokën prapa. Ikin qindra fëmijë e fluturojnë si zogjtë në shtegtim. Ikin e mjaft prej tyre mbeten gjuhëprerë me Atdheun. Plagosen rëndë gjyshër të rraskapitur nga jeta në fukarallëk. U piqet goja, u thahet syri e buza gjatë pritjes ulërimë në sofate e porta. Një plagë kombëtare që do kullojë gjatë nëpër Shqipërizën tonë hallemadhe. Plagë që vetëm politikanët e kamur e të dhjamur të shkërdhatokracisë, nuk e kanë provuar ende dhe një grusht milionerësh që krijuan parajsën e tyre mbi varfërinë, korrupsionin e krimin e pangopur jetëngrënës. Ama, një mallkim i vërtetë popullor i rrethon përditë e më tepër, një shfryrje e pandalshme e njerëzve të thjeshtë, të ndershëm, atdhetarë e idealistë të pandreqshëm. Ndërsa qirinjtë e ndezur nëpër xhami, kisha e teqe, po shtohen bashkë me ndërtesat e selitë fetare. Dhe pikojnë, treten e shuhen si shpresa, malli e brengat sa një mal, drithërojnë gërmadhat dhe oxhaqet pa tym në qytete e fshatra… Kur po rrëshqiste dimri i kaluar, gjatë muajit shkurt, në Gjirokastër pati rrëshqitje masive të dherave. Te ai pallati 8-katësh për pak u bë hataja, atje në lagjen “Kodra e Shtufit”. Befas, pallati po mbulohej nga llumi e balta. Vetëm mediat elektronike e të shkruara nuk heshtën. Një ankth e panik i veçante pushtoi mbarë qytetin e përtej tij. Prononcime e premtime zyrtarësh lokalë, por edhe një kakofoni burokratike nga qendra. Ikën mbi 7 muaj “urtë e butë”, miku ynë, por asnjë nga 21 familjet nuk mori arratinë e hidhur të kurbetit! Shpresuan te pushteti i “Rilindjes” se do u ndodhej pranë në ato ditë e net të nxira e jo pak të vështira. Besuan se një ditë do të merrnin mundimin plot sakrifica, ashtu siç bënë për dasmën e shekullit në kalanë historike, për “lali Erin” e partisë e të qeverisë. U derdhën taborët luksozë nga metropoli, fuoristradat, shoferët, gardistë e policë, kamerierë e kuzhinierë me përvojë, serbatorët me karburant të posaçëm, parfumet pa hesap, dhuratat në kesh e pa kesh në dorë etj. salltanete shtetërore e private. Vetë “Sheshi i Çeços”, Qafa e Pazarit dhe kalaja e famshme nuk kishin parë ndonjëherë aq shumë dasmorë VIP-a ! Disa të moshuar gjirokastritë, jo rastësisht kujtuan edhe dasmën e mbretit mbi shtatë dekada më parë…Dhe hamendjet njerëzore mbetën si ëndrra në diell e në shi. U shkurtuan bashkë me shkurtin që për pak mund të shkurtonte urët e jetës te 21 familjet e pafajshme e fatkeqe. Dhe marsi i plakave të marsit, me siguri e sipas mençurisë popullore, do të ngrinte lëkurët! Rreziku kërcënon ditë e natë, bashkëjetojnë me çarjen e baltën. “Përveç marrjes së mostrave të tokës në shtratin e rrëshqitjes, asnjë masë ndërhyrjeje stabilizuese nuk është ndërmarrë…Dhjetëra kërkesa të banorëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje(!). Frika nga stina e reshjeve që po troket, është reale dhe panikndjellëse. Jo më kot banorët po shtojnë ndezjen e qirinjve në kisha, xhami e teqe. U ranë kambanave dhe shumuan megafonët nëpër minaret. Disa ndezën qirinj edhe për Timonierin e vetëm të Tepsisë rilindiste në Tiranë (Hallall i qoftë që shpërndau në kohë rekord certifikatat e legalizimit për kishat e xhamitë! Madje shkoi gjer në Kukës e Gjirokastër). Por lutjet e tyre nuk kanë shkuar ende te “ramskarenjtë” e velur nga pushteti rilindist dhe as në veshët e Perëndisë. E megjithatë, ca luten ende nën flakët e qiririt. Ikën mbi 7 muaj kështu. Vetëm dy familje shkuan të jetojnë me qira. Dhe presin me sytë nga qielli dhe balta që nuk është më “më e ëmbël se mjalta”!… Dhe falen e bëjnë kryq te Xhamia e Teqesë; Kisha e Shën Mëhillit; Teqeja e Zallit; Kisha e Shpërfytyrimit; xhamia mbi 4 shekullore e Pazarit e përtej qytetit. Dikush paska kaluar edhe te Manastiri i Cepos; ura e Zonjës në Labovë; te rrënojat e urës së Shën Kollajve në Lazarat apo te manastiret e Shën Mërisë e të Ungjëllizimit në Goranxi e Vanistër. Por gjer më sot u ka shkuar mundimi për dhjamë qeni… Kjo qeveri rilindiste (jo socialiste) ku qysh në fillim “qeveris ambalazhi dhe jo kutia”, është shkëputur tmerrësisht nga shtresat e paprivilegjuara. Ngelën të ngujuar nëpër fejsbuqe e ulluqe fasadiste, të dashuruar fort pas propagandës uloke e camërdhoke. Shoumenë të paarritshëm e tashmë gjithnjë e më të mërzitshëm përballë hallexhinjve buzëplasur. Fjala vjen, ato familje krejt të pafajshme, si e ndiejnë veten kur shohin paradën irituese kryeministrore “bashkëqeverisje me qytetarët”?! Disa prej tyre para një muaji e thanë shkoqur e jo pa shpoti: E ka marrë ferra uratën !…Pra, tatëpjeta rilindiste duket sheshit. Nuk fshihet dot me kostume a kollare hipokrizie. Institucionet e Shtetit të së Drejtës, për Gjirokastrën janë ende te ura! Jo tek Ura e Zerzebilit ku dikur vranë Hanushen (“bilën e Bakirit”) vetëm sepse “hoqi përçen e sirit”. As te bishti i asaj urës mbi Virua apo në Kardhiq e Subash ku mund të presin të bëhet manari dash! Frika për të nesërmen nuk është hipotetike… “Po pritet çelja e fondit dhe transferimi i zbatimit të ndërhyrjes nën përgjegjësinë e Bashkisë,”-shpreheshin në Prefekturën e Qarkut. Kjo qeveri rilindiste (jo socialiste), shpesh la zanatin (hallet e vërteta të njerëzve) e zuri zurnanë nëpër pedonale; bunkerë “arti”; kulla qiellthyerëse sheikësh; bojatisjen e jashtme të ca pallateve lëkurënxirë e të palëpirë ku nuk banojnë të kamurit e të tjera thagma marramendëse elektorale. Më thoni, cilëve qeveritarë lokalë e qendrorë iu këput shpirti për ata banorë gjirokastritë fatgremisur? Më tej. Ç’ndodhi vallë të premten e parë të këtij shtatori?!

Së pari, rrëfejnë se 21 familjet e braktisura nga shteti e pushteti rilindist, pritën me krahë e gojë hapur deklarenë e Kryetarit mandatdhuruar, deklaratë që ta bën mishin kokrra-kokrra dhe të lë pak çaste pa fjalë e pa halë. U publikua si fishekzjarr jo dosido slogani tronditës me shkronja kapitale: “E GJITHË VËMENDJA TEK JU”. Madje një sekretarkë “mbipeshë” në funksione, nuk vonoi të njoftojë njerëzinë se është çdo sekondë në dispozicion të tyre(!). Mirëpo po ngrihen në gatishmëri Nr.1 daullet elektorale të zgjedhjeve lokale.

Së dyti, u evidentua si ngjarje e shënuar e tepër kulmore përmes furtunës fasadiste një dukuri gëzimndjellëse: Paska “spikatur kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili është filmuar “rastësisht” teksa ka mbërritur me biçikletë” në Ansamblenë e PS-së!

Së treti, tregojnë se sportelet e Postës Shqiptare në qytetin e gurtë, nuk kishin parë ndonjëherë aq shumë njerëz si ajo mbrëmje e xhuma. Ish-kryetari i hershëm i Bashkisë gjirokastrite ishte zgjedhur nënkryetar i Asamblesë Kombëtare ose zëvendës i Taulant Ballës. Nuk e dimë ende numrin e saktë të telegrameve uruese e adhuruese…

Së fundi, lustraxhinjtë e vjetër e të rinj thirrën në sofrën e shtruar të memories 8 radhë jo të zakonshme, shkruar me dorën e Timonierit fiks 7 vjet më parë : “Në Gjirokastër, ku qyteti i me asnjë të përngjasurin ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore, i cili i fali Ismail Kadaresë parafytyrimet fantastike për të nxjerrë zënë e gurëve kudo nëpër botë, rënkon në agoninë e zgjatur të ngrënies së vetvetes gur pas guri, rrethuar me pallate të veshura me suva që u ngjajnë trashëgimtarëve të pangopur mbledhur kërrusur mbi shtratin ku po del ymri tekanjoz e koprrac i stërgjyshit pasanik”. Veçse të premten, Kryetari disi i ftilluar qëroi grykën e ngriti zërin e biçimnjëshit në ERTV: “Njerëzit nuk janë qorra, nuk janë as shurdhë! Duhen fituar zemrat e njerëzve…!” Dhe harron se gjirokastritët nuk bëhen kollaj urë e vig që të kalojë i mirë e i lig. Sigurimi minimal i jetës në pallate nuk realizohet thjesht me fasada e urata, por me shata e lopata dhe aq më pak me pordhale e pedonale. Përndryshe rrëshqitja e dherave do e përshpejtojë vithisjen rilindiste. Dhe s’do i bëjnë dot derman as qirinjtë e ndezur në xhami, kisha e teqe. Dhe as kurbanët e defterët e udhëtarit të famshëm Evlia Celebi…!