Gersi Troka garon me sukses në Prishtinë, gati për Botërorin në Kanada

1474
Sigal

Nga Arian FETISHAJ

NOT/ Në veprimtarinë Ndërkombëtare që u zhvillua për dy ditë në Kosovë, spikati notari shqiptar me sindromën Dawun

Sporti i notit në Shqipëri, ka disa vite që frekuentohet edhe nga sportistë të veçantë, siç është Gersi Troka me sindromën Dawn. Çdo veprimtari Kombëtare e notit në vendin tonë, kryesisht në 3-4 vitet e fundit, e ka një garë përshëndetëse nga notari Gersi Troka, i cili për moshën e statusin e tij, është kampion absolut në disa gara. Këto ditë, ai ka garuar një një aktivitet ndërkombëtar që u zhvillua në Prishtinë fundjavën e kaluar, duke u përfaqësuar me dinjitet për kohët që arriti në tre garat që zhvilloi. Kështu, i shoqëruar nga trajneri i tij Gentian Lama, Gersi garoi për Shqipërinë në garën 50 m stil i lirë, ku arriti me kohën 38 Sek 75 të qindtat. Në garën 50 m shpinë, ai shënoi kohën 48 sek e 34 të qindtat, ndërsa në garën e 100 m stil i lirë, koha e tij ishte 1 min 24 sek 31 të qindtat. Trajneri i Gersit, Gentian Lama, për gazetën “Telegraf” u shpreh se rezultatet e tij janë të nivelit profesionist. “Përfaqësimi i vetëm i Gersit në këtë veprimtari ndërkombëtare, mundësoi edhe përfshirjen e Shqipërisë në këtë aktivitet. Me një përfaqësim shumë të mirë dhe me rezultate te larta, Gersi konkurroi me dinjitet mes pjesëmarrësve nga 11 shtet të Evropës. Rezultatet e tij krijojnë një atmosferë të bukur dhe plot shpresë nga të gjithë fëmijët me sindromën Dawn, të cilët garuan me seriozitet në këtë aktivitet”, kështu u shpreh dje trajneri i Gersit, Gentjan Lama, i cili theksoi më pas edhe veprimtarinë e radhës të notarit që ai përgatit. “Një aktivitet tjetër i rëndësishëm për Gersin është Kampionati Botëror i Notit për fëmijët me sindromën Dawn, i cili do të zhvillohet në Kanada gjatë muajit korrik 2018. Edhe atje do të presim rezultate të larta nga Gersi”. Kujtojmë se, notari shqiptar me sindromën Dawn, stërvitet në pishinën e shkollës “Nobel” dhe mbështetja e kësaj shkolle bën që Gersi të stërvitet në pishinë në mënyrë sistematike. Një rol të rëndësishëm në suksesin e Gersit, ka edhe nëna e tij, Merita Thoma, e cila është në çdo çast mbështetja e tij në stërvitje dhe në aktivitete Kombëtare e Ndërkombëtare. Njëherësh, një koordinim të mire në të tilla aktivitete ka bërë edhe përfaqësuese e Fondacionit “Dawn Syndrome” në Shqipëri, Emanuela Pepkola Zaimi, si edhe Member në “European Down Syndrome Association”.

Notari Gersi Troka, “rekordmeni” i vetëm i Kupës “Pavarësia”

Në muajin nëntor 2017, në pishinën e AN “Te Stela”, notari Gersi Troka u duartrokit gjatë për fitoren në garën që zhvilloi në 50 m stil i lirë, i cili tregoi se i meritoi të gjitha dashamirësitë e publikut. Edhe pse me aftësi të kufizuar shëndetësore, por me një fizik të admirueshëm, Gersi triumfoi realisht mbi 5 garuesit e tjerë në baterinë e tij, me kohën 37.22, duke treguar se në në pishinën “Nobel”, trajneri i tij ka punuar e ka besuar shumë prej tij. Njëherësh, nga të gjithë pjesëmarrësit, dhe të miratuar nga gjyqtaria, ky mbeti edhe “rekordi” i Kupës “Pavarësia” 2017, dhe Gersi në podiumin e fituesit. “Jam i kënaqur që fitova vendin e parë, unë jam stërvitur mirë dhe do notoj përsëri, do kem rezultate më të mira”, kështu deklaroi Gersi për gazetën “Telegraf”, pas garës në Kupën “Pavarësia”.