Njihuni me Shqiponjën e rrallë në Gjirokastër

406
Sigal

Një shqiponjë e rrallë e llojit Gyps Fulvus është lënë e lirë në luginën e Drinos prej ornitologëve dhe do të mbahet në monitorim në vijimësi deri sa të stabilizojë pozicionin e saj në këtë habitat të ri. Shpendi i rritur në një habitat të mbrojtur ishte unazuar dhe pajisur me mikroçip prej ornitologëve kroatë u gjet në Shqipëri në limitet e gjendjes fizike prej mosushqyerjes. Ekspertët mendojnë se shpendit i mungonte përvoja për gjetjen e ushqimit për shkak të suportit artificial njerëzor, ndërsa tani që është fuqizuar do të duhet t’ja dalë vetë në luginën e Drinos një habitat i rëndësishëm i shpendëve të rrallë të llojit të shkabave.

“Nga mosushqyerja për ditë të tëra ajo kishte humbur peshë deri në nivelin kritik nën 5 kg. Ne e morrëm diku tek dy muaj me parë e trajtuam për të gjitha nevojat dhe tani po e lemë të lirë në luginën e Drinos një habitat e njohur i kalit të qyqes edhe për shkak të pranisë këtu të një stacioni të ushqimit suplementar për shkabat si dhe afërsisë me kufirin grek pasi në anën tjetër të kufirit ka prani të shkabave të të njëjtit lloj”, shprehet Erald Xeka, ornitolog.

Gyps Fulvus është një lloj i ri që i shtohet luginës dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura shpreson të mbështesë mbijetesën e tij përmes stacioneve të ushqimit suplementar për shkabat pranë fshatit Glinë. “Ne jemi në krah të këtyre organizatave si në rastin e sotëm që kemi të bëjmë me lëshimin e një shkabe shumë të rrallë për vendin tonë e cila është gjetur e plagosur dhe është rehabilituar në qendrën e rehabilitimit të shpendëve në Divjakë”, deklaron Gligor Dushi.

Turizmit të birdwatching i shtohet edhe një tjetër lloj për vëzhgim dhe Gent Hyka biolog shpreson se numri i ekzemplarëve të rrallë do ti shërbejë në vijimësi këtij lloji të turizmit. “Duke qenë se këta shpendë janë tregues të një habitati të shëndetshëm dhe të mbrojtur ata mund të shërbejnë edhe për turizmin në Gjirokastër duke ofruar kështu një tjetër dimension të turizmit për të gjithë admiruesit e shpendëve dhe të botës së egër”, tha Hyka.