Zbulohet arsyeja pse dokumentet ligjore shkruheshin mbi lëkurën e deleve

319
Sigal

Të gjithë mund të keni parë imazhe të dokumenteve të vjetër që janë shkruar në pergamena, lëkura të përpunuara kafshësh (dele, dhi, kec etj). Por a e dini arsyen pse janë shkruar këto dokumente në të tilla materiale?

Për shekuj me radhë, nga shekulli i 16 deri në atë të 20-të, në Mbretërinë e Bashkuar, dokumentet ligjore, marrëveshjet, kontratat, janë shkruar në pergamenat e lëkurës së deleve dhe kjo për një arsye shumë të rëndësishme, sepse ato nuk mund të falsifikoheshin.

Studimi më i fundit i botuar në “Heritage Science” shpjegon se si ky lloj materiali ishte ideal për të shmangur manipulimet dhe mashtrimet. Struktura dhe përmbajtja e lartë e yndyrës në lëkurën e deleve, e cila arrin deri në masën 50% në lëkurën e saj, ka bërë që ndërhyrja në tekstet e shkruara nga manipuluesit të mos ishte e lehtë.

Avokatët e asaj kohe në Britaninë e Madhe, sipas studiuesit Sean Paul Doherty, ishin shumë të shqetësuar me vërtetësinë dhe sigurinë e dokumenteve ligjorë, siç dëshmohet edhe nga përdorimi në masë i vulave.

Pse shkruhen dokumentet ligjore mbi lëkurën e deleve

Ndaj për këtë arsye ata gjatë këtyre shekujve përdorën në masë lëkurën e kafshëve për të prodhuar pergamena. Studiuesi analizoi 645 mostra të dokumenteve ligjore, nga arkivat dhe koleksionet private dhe zbuloi se 622 prej tyre ishin në lëkurë deleje.

Arsyeja do të qëndronte në vetitë e saj kundër mashtrimit: lëkura e deleve përbëhet nga disa shtresa, midis të cilave ka sasi të mëdha yndyre.

Për të prodhuar një fletë pergamenë, lëkura ishte zhytur në gëlqere në mënyrë që të thahej yndyra, duke lënë hapësira të zbrazëta midis shtresave të ndryshme.

Kushdo që përpiqej të gërvishte bojën për të modifikuar tekstin e një dokumenti do të kishte shkaktuar shkëputjen e shtresave, ato të sipërmet nga ato të poshtme, duke e bërë të dukshme përpjekjen për mashtrim dhe duke e bërë të pavlefshëm dokumentin.

Megjithatë, sot me zhvillimin e teknologjisë, elementët e sigurisë për dokumentet ligjorë janë zhvilluar shumë dhe pergamena ka mbetur thjesht si një dëshmi e së kaluarës.