Si të kujdesesh për qenushin në këto ditë të nxehta

43
Sigal

Qenushët, ashtu si ti, e ndiejnë shumë të nxehtin, ndaj është detyra dhe përgjegjësia jote që të kujdesesh për ta në ditët më të nxehta të vitit. Përmes këtij artikulli, të japim disa këshilla se si t’i ofrosh qenushit një verë më të freskët, pavarësisht temperaturave.

Planifiko shëtitjet

Kushtet emergjente kërkojnë edhe zgjidhje emergjente, ndaj ndoshta duhet që të ndryshosh pak orarin në të cilin e shëtit qenushin. Zgjidh orët më të freskëta të ditës, në mënyrë që edhe ti, edhe qenushi të mos ekspozoheni në pikun e vapës.

Mos harro ujin

Uji është super i rëndësishëm për qenushët gjatë gjithë vitit, ama në ditët e nxehta është një domosdoshmëri. Nëse je jashtë me qenushin, merr gjithnjë me vete një shishe me ujë dhe në shtëpi, mos harro që tasi i tij/saj të jetë gjithnjë i mbushur me ujë.

Kujdes nga goditjet nga dielli

Qenushët vuajnë nga goditjet e diellit kur janë duke u ekspozuar shumë në diell dhe vapë. Goditja nga dielli ndodh kur qenushët nuk mund ta reduktojnë temperaturën e lartë të trupit dhe kjo mund të jetë edhe fatale.

Të gjithë qenushët mund të goditen nga dielli, por më të rrezikuar janë qenushët obezë, racat me përmasa të mëdha, qentë e moshuar, si dhe ata që kanë gëzof të dendur.

Si ta identifikosh goditjen nga dielli?

Gulçim i rëndë
Letargji
Konfuzim dhe humbje e orientimit
Dridhje dhe shkumë në gojë
Të vjella
Diarre
Dridhje dhe dobësi

Ç’të bësh kur vë re se qeni është goditur nga dielli?

E para, duhet të veprosh shumë shpejt dhe të kontaktosh me veterinerin. Ndërkohë:
 
Zhvendose qenushin në një zonë me hije dhe të freskët
Qetësoje
Vendosi një peshqir të lagur sipër, ose freskoje me freskuese apo kondicioner
Jepi të pijë pak ujë
Nëse është e mundur, freskoje edhe ndërkohë që e çon te veterineri

Krihe dhe qethe shpesh

Kjo varet nga gëzofi i qenushit. Nëse raca e qenushit karakterizohet nga gëzofi i dendur, është mirë që ta qethësh. Nëse nuk ka gëzof shumë të dendur, sërish krehja është një opsion shumë i mirë.

Mbro putrat e mikut tënd

Sipërfaqet shumë të ekspozuara nga dielli, si asfalti apo rëra mund të jenë të dhimbshme për qenushin dhe mund të shkaktojë djegie të rënda. Provoje vetë sipërfaqen, sidomos rërën. Nëse është shumë e nxehtë për ty, e njëjta gjë vlen dhe për qenushin.

Mos e lër kurrë në makinë

Ta lësh qenushin në një makinë të ekspozuar në diell mund të rezultojë fatale. Edhe nëse makina është parkuar në hije, me xhamat e hapur, sërish qentë mund të stresohen dhe të mos jenë fare rehat. Makina nxehet shpejt dhe rriten shumë shanset që qenushi të goditet nga dielli.