Rënia e shpejtë në peshë ka një pasojë negative, për të cilën mund të mos kesh dëgjuar

21
Sigal

Lufta me peshën dhe kilogramët e tepër ngjan me ato betejat që nuk përfundon asnjëherë. Për vite me radhë njerëzve u tregohet përmes regjimeve të ndryshme ushqimore, dietave apo palestrës se cila është mënyra më e shëndetshme për t’u dobësuar.

Por, cilat janë pasojat e padëshiruara nga humbja e peshës?

Një nga pasojat kryesore është dëmtimi i densitetit të kockave, kjo sipas endokrinologut Kurt Kennel nga klinika Mayo. Problemet që vijnë pas kësaj, janë dhimbja e vazhdueshme e kockave dhe mungesa e rezistencës për aktivitetet e përditshme dhe jo vetëm. Megjithëse për densitetin e kockave nuk flitet shumë, kjo është një pikë e rëndësishme që duhet të diskutohet sidomos kur njerëzit ndjekin dieta apo regjime të caktuara.

“Nëse keni densitet më të lartë të kockave, kjo do të thotë që keni kocka më të dendura, më të shëndetshme dhe që janë më rezistente ndaj thyerjeve”, thotë Gillian Wooldridge, mjeke Houston Methodist Hospital. “Nëse keni densitet kockor më të hollë, kjo do të thotë që nuk keni strukturë aq të mirë atje dhe kjo çon në rrezik të shtuar për fraktura.”

Kjo është arsyeja pse rënia në peshë sjell edhe probleme me kalimin e moshës, duke çuar në thyerje të kockave apo fraktura të ijëve. “Ne duam të qëndrojmë në kulmin e densitetit të kockave, por faktorë të tillë si menopauza dhe plakja, ndër të tjera edhe dobësimi për shkak të dietave ndikojnë në densitetin e tyre,” thotë Kennel.

Humbja e peshës mund të dëmtojë densitetin e kockave, por humbja ekstreme e peshës dhe dietat e rënda janë më të dëmshme. Studimet tregojnë se ky fenomen është më pak i përhapur te njerëzit që humbasin peshë në mënyrë të moderuar dhe më e theksuar te personat që humbasin peshë shpejt. Kjo do të thotë kufizim i kalorive, defiçit i kripërave dhe mineraleve dhe si pasojë nivel energjie më i ulët dhe kocka më delikate.