Nxirret në shitje një bebe tiranozauri, alarmohen paleontologët

646
Sigal

Në eBay ju mund të gjeni gjithçka në shitje: së fundmi në shitje është hedhur një bebe T-rex dhe është hedhur në ankand me një çmim prej pothuajse tre milionë dollarësh.

Gjesti i zbuluesit dhe pronarit të tij, Alan Detrich, ka ngjallur protesta dhe indinjatën e paleontologëve: ka të ngjarë që ekzemplari të përfundojë në duart e personave privatë dhe prandaj do të humbë nga shkenca.

Përveç ebay-t, tiranozauri i vogël ka qenë ekspozuar deri më tani në Muzeun e Historisë Natyrore të Lawrence, Universiteti i Kansas-it, i cili ka rritur vlerën e tij komerciale.

Foshnja e tiranozaurit, u zbulua në vitin 2013-të në Montana nga Detrich dhe vëllai i tij, në një tokë private.

Është një skelet i paplotë që daton 68 milion vjet më parë; në 2017-tën ajo u huazua në Muzeun Lawrence. T-rex ishte rreth 4 vjeç, por trupi i tij tashmë mat më shumë se 4.5 metra dhe kafka e tij rreth gjysmë metri.

Dinosaurët që i përkisnin kësaj specie, në fakt, rriteshin shumë shpejt, një tipar i domosdoshëm për mbijetesën e tyre.

Në publikimin në eBay, pronarët e cilësojnë atë si të vetmin T-rex të vogël të zbuluar ndonjëherë, një pretendim që megjithatë është ende për t’u verifikuar.

Analiza e eshtrave të tij, në fakt, mund të hedhë dritë mbi debatin në lidhje me mostrat e vogla të gjetura deri më tani në Amerikën e Veriut: të gjithë mund të ishin foshnja T-Rex, ose ata mund t’i përkisnin një specie të veçantë të nano-dinosaurëve.

Megjithatë, nëse skeleti nuk kalon në pronësi të studiuesve, asnjë analizë nuk mund të verifikohet dhe rrjedhimisht do të humbasë çdo vlerë e lidhur me të.