Himalajet po shihen me sy të lirë për herë të parë pas 30 vitesh në Indi

401
Sigal

Më 23 mars, në Indi (një vend me 1 miliardë e 300 milionë banorë) hynë në fuqi masat për mbylljen e vendit, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Ndërkohë niveli i ndotjes ka rënë në mënyrë drastike. Aq sa, tani në pjesën më të madhe të vendit duken Himalajet, për herë të parë pas 30 vitesh.

Banorët në shtetin Punjab, në veri të Indisë, kanë mbetur të shtangur pasi po shohin me sy të lirë vargmalin madhështor të Himalajeve, më shumë se 100 milje larg. Ata kanë publikuar me dhjetëra foto dhe video në rrjetet sociale të maleve me dëborë.

Indianët në qytetin e Jalandhar (në shtetin e Punjab) dhe në zonën përreth kanë publikuar foto dhe video online të peizazhit nga shtëpitë e tyre. Ata thonë se nuk i kanë parë majat e Himalajeve për dekada të tëra.

“Për herë të pas në thuajse 30 vite (unë) munda t’i shoh qartë Himalajet, për shkak të kufizimit, që redukton ndotjen atmosferike. Është thjesht e mrekullueshme” – shkruan Manjit Kang.

E gjithë kjo, falë përmirësimit të cilësisë së ajrit në javët e fundit, pas mbylljes së fabrikave, mosqarkullimit të makinave në rrugë dhe anulimit të fluturimeve, në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Në Delhi, ndotja atmosferike u reduktua deri në 44% në PM10 që në ditën e parë që hynë në fuqi masat e ndalimit – tha Central Pollution Control Board në Indi. Standardi PM10 mat grimcat e ngurta në ajër, me diametër 10 mikrometra ose më të vogël.

Në raport shkruhet se në përgjithësi, në 85 qytete në Indi, ndotja atmosferike u ul që në javën e parë të bllokimit mbarëkombëtar. Cilësia e ajrit në Jalandhar, më shumë se 100 milje larg Himalajeve, nga matjet ka rezultuar “e mirë” në indeksin kombëtar të vendit që prej 16 – 17 ditësh kur hyri në fuqi bllokimi kombëtar.

Për krahasim, në të njëjtën periudhë 17-ditore një vit më parë nuk është regjistruar asnjë ditë e vetme me cilësi “të mirë” ajri dhe në 17 ditët e para të marsit, janë regjistruar vetëm tri ditë me cilësi “të mirë” ajri.

Në Indi ndodhen 21 nga 30 zonat me ndotjen më të lartë atmosferike në botë, sipas gjetjeve të World AirVisual 2019 të World Air Quality Report, me 6 zona në top 10. Vendi është bllokuar prej më shumë se dy javësh. Kryeministri Narendra Modi ka urdhëruar “ndalimin kategorik për të dalë nga shtëpia”

Vetëm shërbimet thelbësore janë funksionale, ndër to shërbimet e ujit, energjisë elektrike, shëndetësisë, dyqanet ushqimore dhe shërbimet komunale. Gjithë dyqanet e tjera, qendra tregtare, fabrikat, uzinat, zyrat, tregjet dhe vendet e kultit janë mbyllur, kurse shërbimi i transportit është pezulluar.

Burimi: CNN