Dalin pamjet e para të Avatar 2

591
Sigal

Deri vitin e kaluar, Avatar ishte filmi më i suksesshëm i të gjitha kohërave – një arritje mjaft mbresëlënëse, duke pasur parasysh se filmi u publikua një dekadë më parë.

Për fat të keq, filmi u mposht nga Avengers: Endgame në verë, por kjo nuk do të thotë se regjisori James Cameron është dëshpëruar nga ky fakt. Jo, sepse vazhdimi i filmit të shumëpritur është duke u punuar tash e një kohë të gjatë, me konceptin e Avatar 2 që duket më i mirë sesa paraardhësi i tij.

Të hënën mbrëma, Cameron u shfaq në ngjarjen 2020 CES në Las Vegas, ku zbuloi edhe konceptin e fotografive të vazhdimit. Pamjet më pas u publikuan në rrjete sociale, duke na dhënë përshtypjen e parë të rikthimit në Pandora.

Pamjet shfaqin ishujt tropikalë, pyjet e gjelbra dhe krijesat e reja të ujit. Një postim i bërë në Twitter nga llogaria zyrtare e filmit, shkruan: “Në vazhdimet e Avatar, jo vetëm që do të ktheheni në Pandora – por do të përjetoni pjesë të reja të botës. Shikoni këto copa arti koncept, për të parë se çfarë po vjen”.

Edhe pse traileri për filmin ka ende shumë kohë që të publikohet, fotografitë të paktën na tregojnë se çfarë të presim vitin tjetër, kur filmi – aktualisht i titulluar “Avatar: Rruga e Ujit” – pritet të lansohet.