4 arsye të vlefshme përse duhet të marrësh drekën me vete

296
Sigal

Ruajtja e ekuilibrave mes punës dhe angazhimeve të përditshme me ushqyerjen e shëndetshme gjatë drekësështë një aspekt sfidues i përditshmërisë tonë.

Në shumicën e rasteve, pikërisht prej këtyre angazhimeve, njerëzit mjaftohen me një ushqim të shpejtë sa për të shuar urinë, duke anashkaluar rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.

Studimet tregojnë se në pjesën më të madhe, njerëzit zgjedhin ushqime të shpejta sepse është më e leverdisshme në aspekt kohe dhe fondesh.

Të tjerë preferojnë ushqimet e shpejta për shkak të shijes.

Por cilësia e ushqimeve në drekë është e një rëndësie të madhe për shëndetin veçanërisht atë të zemrës.

Përse Duhet Të Marrësh Drekën Me Vete

Ekspertët janë të mendimit se marrja e ushqimit të shtëpisë në ambientet e punës e bën njeriun më të vëmendshëm ndaj zgjedhjeve ushqimore dhe ka një kontribut të rëndësishëm në shëndet.

Më poshtë do të gjeni katër arsye të vlefshme përse duhet të merrni ushqim nga shtëpia për të konsumuar një drekë të shëndetshme dhe përse jo, për të kursyer.

Vetë-kontrolli

Duke marrë ushqimin nga shtëpia, e keni ju kontrollin mbi produktet që konsumoni.

Ju asnjëherë nuk e dini se çfarë përmbajtje ka ushqimi i gatuar në restorant apo në pikat e ushqimit të shpejtë.

Nëse ju merrni ushqim me vete, do të ushqeheni shëndetshëm çdo ditë.

Kursimi

Po të llogarisim një shpenzim mesatar prej 200-500 lekësh për një vakt dreke, atëherë me këtë zakon të ri ju do të kurseni minimalisht 4000 deri në 10,000 lekësh në muaj.

Buka e shtëpisë kushton më pak dhe mbi të gjitha është e shëndetshme.

Shpërdorimi i Ushqimit

Duke marrë gjellën e shtëpisë me vete në punë, ju do të shpërdoroni më pak ushqim. Shpërdorimi i ushqimit është një problem mjaft shqetësues. Çdo vit, 1.3 miliardë ton ushqim hidhet në plehra ndërkohë që në botë janë mbi 820 milionë njerëz që vuajnë nga uria dhe mosushqyerja.

Në nivel global, shpërdorimi i ushqimit çliron 4.4 miliardë ton gazra të dëmshëm për atmosferën.

Koha

Duke ngrënë drekën në punë, ju do të keni më shumë kohë në dispozicion qoftë për të bërë një pushim, për tu çlodhur, pirë një kafe apo bërë gjithçka që dëshironi.

Marrja e drekës me vete është një veprim i mençur jo vetëm në aspektin financiar dhe shëndetësor por edhe në atë mjedisor.