Zhani Ciko: Formacionet e bandave frymore dhe roli i historik i Siri Rojit

1060
Sigal

Nga Zhani Ciko, “Mjeshtër i Madh”

Momenti historik i tyre lidhet  me implementimin e ideve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në ndryshim nga bandat e garnizoneve të pushtetit osman, formacionet që u krijuan në Shkodër së pari dhe më pas në Korçë, Elbasan e me radhë në Durrës e Gjirokastër, veç frymës patriotike që i nxiti dhe u zhvilluan krahas realizimit të aspiratave pavarësuese që u kryen me aktin historik të Ismail Qemalit. U rritën në funksionalitetin e tyre sidomos njëherësh me zhvillimin e Kongresit të Lushnjës dhe fitoren e Luftës së Vlorës, që siguroi integritetin e territorit dhe ku për herë të parë në historinë e shtetit të pavarur shqiptar për të luftuar me armë, morën pjesë dhe formacione muzikore të plota si Banda “Vatra” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga komuniteti shqiptar i Bostonit, një formacion vokal, aktorësh të trupës teatrore të kolonisë shqiptare të Bukureshtit etj. Një ngjarje e tillë historike siç dihet madje u përjetësua dhe në këngë, si “Vlora,Vlora”. Kjo lidhje e ngushtë e historikut të një ose më shumë formacioneve muzikore në vorbullën e një ngjarjeje historike si lufta në Drashovicë, është e denjë për të qenë e regjistruar në Historinë botërore të muzikës, ku janë ngjitur me kohë në pjedestalin e historisë figura të mëdha krijuesish që kanë dhuruar kryevepra të njerëzimit për lëvizje çlirimtare kombesh, ndërrime sistemesh politike kontinentale, përballime shoqërisht ekzemplare të një qëndrese heroike gjatë konflikteve botërore. Janë të tilla zhvillime që gjenialiteti Bethovenian i derdhi në pentagram duke transformuar thelbin e artit të deri atëhershëm muzikor nga një pasqyrim etik të realitetit në një qëndrim aktiv ndaj tij. Shpirti delikat i një Shopeni që rrënqethej nga rrezja e hënës, në shpërthimin vullkanik të revolucionit çlirimtar brenda një etydi pianistik ose me densitet dramatik të jashtëzakonshëm si Sinfonia e Leningradit, që sfidoi urinë gjatë rrethimit nazist, nga realiteti në penën muzikore të një Shostakoviç-i. Për t’u kthyer tek bandat tona muzikore dhe llojet e tyre si fanfarat, orkestrat frymore etj, të cilat në historinë e hershme të pas pavarësisë mund të konsiderohen jo thjesht si ansamble instrumentore, por në fakt si nxitës të parainstitucioneve të para siç duhen konsideruar shoqatat muzikore të viteve 20-30 si Rozafat në Shkodër, Artet e Bukura në Korçë e me rradhë.

Banda e shoqërisë “Vatra”

Banda e shoqërisë “Vatra”, si më e organizuara dhe më e shkolluara solli nga Bostoni modelin e një institucioni shoqëror e aktivist të vetë administruar. Ajo ishte trupë instrumentore, grup instruksioni pedagogjik, që riprodhoi veten e saj në qendrat kryesore të vendit. Në kuadrin e veprimit në Korçë si një komponent i “Arteve të bukura”, bashkë me koralin masiv, grupin teatror dhe klasën e figurativit tejkaloi përmasat e çdo shoqate parardhëse dhe pasardhëse. Po ta shohësh hollë kemi të bëjmë me një shoqatë filarmonie,e cila mundi të realizohej shtetërisht vetëm pas 30 vitesh tek ne. Thoma Nassi, Mihal Ciko dhe Vangjush Mio realizuan modelin artistik e patriotik njëherësh. Në Shkodër po kështu Banda e Carnevale-s që e trashëgoi thuajse njëheri Palok Kurti e me rradhë krijues si Martin Gjoka e Frano Ndoja, më pas Mikel Koliqi e deri tek Prenk Jakova që mishëroi tipare të një autoriteti kapelmaestror madhor për vendin dhe artin kombëtar. Banda”Vatra”me shkëputjen nga Korça u transformua në të parin institucion muzikor shtetëror në Shqipëri që në vitet ’30, gjë që nuk është vlerësuar asnjëherë në këtë dritë. Shembulli i traditës së vyer të mbjellë nga vatrarët dhe sidomos atyre që qëndruan mbas Th.Nassit, ishte “Banda e Ushtrisë”e drejtuar deri ditët e fundit nga mjeshtri Kristaq Panduku, që ruajti një nivel të mirë profesional duke u ushqyer me instrumentistë të dalë nga shkollat tona dhe disa konservatore të huaja. Ajo trashëgoi dhe një bibliotekë muzikore të pasur të sjellë nga para ardhësit që ka mbërritur deri në ditët tona. Krijime të reja për këtë formacion sollën P. Jakova. P. Dungu, Mjeshtri K. Panduku u pasua nga Selman  Shtishi dhe Fatmir Foçi i përkushtuar dhe me aftësi dirigjimi të veçanta. Banda e Tiranës e ngritur nga Bashkia me dirigjentin dhe udhëheqësin artistik, mjeshtrin Sirri Roji, krijoi modelin e një trupe që dallohej për arritjet profesionale, ku krahas aktivitetit koncertor vijon aftësimi profesional dhe përfitohet niveli i lartë. Sirri Roji, drejtori artistic, pati meritën e zgjerimit të repertorit koncertor duke përshtatur për formacionin e tij veprat më të mira të muzikës shqiptare sidomos për një publik të huaj dhe për evente, festivale dhe konkurse ku ishim të pa njohur. Me  prezantimin serioz, disiplinën dhe kërkesat ai ia doli të ketë vlerësime dhe ftesa të shumta për disa vite. Me largimin e tij në emigracion Banda e Tiranës e ndërpreu aktivitetin duke e rrimarë më pas dhe deri në ditët që jetojmë. Po kështu Orkestra frymore e forcave të armatosura njohu një rigjallërim me pranimin e Shqipërisë në NATO. Përveç përmirësimit të infrastrukturës së orkestrës, instrumenteve të rinj, ambienteve të reja të provave u bë dhe një vlerësim i aftësive profesionale si dhe një shtim i organikës së formacionit, madje u përfshi dhe një kuartet harkor si dhe një grup vokal me disa këngëtarë. Orkestra frymore mori pjesë në një takim botëror të llojit në SHBA ku la përshtypje të mira. Disa koncerte publike në sallat kryesore të kryeqytetit si dhe pjesëmarrja sipas rastit në shfaqje madhore të Teatrit të Operas si” Aida”,”Skënderbeu”etj i shërbyen rritjes së nivelit profesional dhe prestigjit të saj.