Yllka Mujo fiton ‘Çmimin e Karrierës’ në Monte Karlo 

605
Sigal

Duket e pabesueshme por është një realitet. Aktorja jonë e mirënjohur, e teatrit dhe filmit, Yllka Mujo, fiton çmimin e karrierës në Festivalin e Filmit të Komedisë në Monte Karlo, ku po zhvillohet edicioni i 12-të i tij. Yllka Mujo ishte anëtare e jurisë së këtij edicioni, ose e thënë ndryshe, artistja e parë shqiptare që përfaqëson artin shqiptar në këto nivele të filmit ndërkombëtar. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pjesëmarrëse në marrjen e çmimit në skenën e Festivalit në Monte Karlo shprehet. Fantastike!!! Krenare për karrierën dhe vlerësimin e aktores sonë Yllka MUJO! Duhet theksuar se Yllka Mujo është një aktore që nuk është shkëputur nga skena për mëse 40 vjet. Ajo qysh në fëmijëri ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve tanë të mëdhenj, që e afruan me shumë përzemërsi në skenën e teatrit dhe ën sheshet e xhirimit. Vlerësimi i Yllka Mujos nuk është i rastësishëm. Ajo në gjithë karrierën e saj ka realizuar  personazhe nga më të vështirët si në teatër edhe në film. Shumica e roleve të saj janë kryesorë por ka dhe role të karakterit që ajo i ka realizuar me po atë mjeshtëri dhe dinamizëm si rolet kryesorë, ku spektatori i thjeshtë nuk mund ti dallojë. Në gjithë karrierën e saj, ajo ka interpretuar me një individualizëm të spikatur, me një plastikë fantastike, me një forcë shpërthyese dhe dinamike, duke mos rënë kurrë në përsiatje. Rolet e saj shquhen për natyrshmëri, besueshmëri dhe përkushtim. Në jetën e saj artistike Yllka nuk ka bërë dallime mes rolit të madh apo rolit të vogël.

Jetëshkrimi

Lindi në Tiranë në vitin 1953. Mbaroi për kanto në Liceun Artistik dhe më pas për aktore në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa më 1974 u emërua në Teatrin Popullor. Në teatër ka interpretuar në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit. Ka interpretuar në filmat “I teti në Bronx”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Më 1995 fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” si aktorja më e mirë e Festivalit Kombëtar të Teatrove për rolin e Julias në dramën “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” të Dorstit. Mban titullin Artiste e Merituar.

Albert Z. ZHOLI