Xheni Turku (Afezolli): të qenit pedagoge, nuk është privilegj

1216
Sigal

INTERVISTA/ Flet pianistja dhe pedagogia e Universitetit të Arteve Xheni Turku (Afezolli)

Të qenit pedagoge, sipas saj, nuk është privilegj, por përgjegjësi. Që fëmijë u dashurua me pianon dhe  këtë dëshirë e vazhdoi deri sa mbaroi shkollën e lartë. Ka fituar çmimin e parë absolut në konkursin e parë botëror “Music World” në recital Solo-Piano, ka luajtur me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli në koncertet kryesore të S. Chostakovic, Tchaikovskij, Beethoven , si dhe duete me tenorin Josif  Gjipali e baritonin Gëzim Myshketa.

  -A është bërë pianoja një vegël muzikore masive?

 Sot, konstatoj me shumë gëzim që vërtetë Shqipëria ka bërë një hap të madh që ndoshta hera- herës mund të duket edhe sikur nuk shkon, ku duhet, por duke marrë për bazë incestin 50 -vjeçar dhe etjen për art e kulturë të njerëzve them se sot njerëzit kanë mundësi të realizojnë çdo dëshirë dhe pasion të tyre pasi fusha, ku arti dominon janë të shumta, kështu pianoja është një ndër instrumentet më të dëshiruara institucionalisht dhe privatisht, ka shumë fëmijë dhe të rinj që edhe pse nuk janë në shkollat e muzikës ndjekin edukimin muzikor në kurse dhe mund të them që edhe me ‘to punohet seriozisht dhe ka edhe shumë talente mes tyre .

 -Kush ua ngjizi dëshirën për piano?

Mbaj mend që e vogël luaja doktoreshash në kopsht, me shumë dëshirë në fakt mendoja që këtë të bëja kur të rritesha, por vjen ‘dita e madhe’ kur nëna ime më përgatiti për klasën e parë dhe pianon. Fillova kështu pianon në moshën 6- vjeçare me mësuesen time (nënën time) Mirlinda Zëmblaku Turku, ka qenë këmbëngulja e saj, puna e palodhur dhe shumë sistematike me kërkesa të larta artistike, cilësi dhe vlera këto që, filluan të ndërtonin tek unë dëshirën për pianon.

 -Cilët pedagogë ishin në Juri kur konkurruat dhe çfarë pjese luajtët?

 Kjo pyetje më bën të mendoj për një moment që në fakt e gjithë jeta e një artisti është në një konkurrim të vazhdueshëm, ku nuk mund të veçosh asnjë nga momentet debutuese e krijuese, pasi intensiteti emocional është gjithnjë maksimal dhe kjo në fakt nuk ka as dallim moshe e as racionalizim pune, por mbaj mend që në akademi kur konkurruam luajta Scarlati, Bah, Bet’hoven, Shopen, Zacharian. Në juri ishin profesorët e katedrave kryesorë të muzikës dhe më kujtohet (pasi kanë kaluar plotë 17 vjet) që ajo çfarë bënte këtë konkurrim të veçantë ishte fryma konstruktive dhe serioziteti i jurisë, i cili përbehej nga profesoresha ime Nora Çashku, Anita Tartari dhe Rudina Ciko.

 -Cilat janë aktivitetet që keni marrë pjesë dhe ju kanë lënë mbresa?

Të luash në piano dhe të përgatitesh për të realizuar një projekt është një punë individuale që kërkon mund dhe sakrificë, por kur në fund realizimi dhuron sukses çdo gjë duket edhe më e bukur akoma dhe mund të kujtojë disa nga bashkëpunimet e aktivitetet e suksesshme; kam luajtur e ftuar nga Ambasada Franceze me ftesën personale të atasheut kulturor dhe ka qenë një koncert recital për prezantimin e Shqipërisë në aspektin artistik, kam luajtur në Francë së bashku me profesorin tim të master-class në Conservatoir Superieur de Paris, Prof. Gerard Fremmy në mbyllje të sezonit të masterit, kam luajtur në Itali recitale, të cilat ishin realizim i bashkëpunimit midis konsullatave dypalëshe në përhapjen e kulturës artistike shqiptare. Kam fituar çmimin e parë absolut në konkursin e parë botëror “Music World” në recital Solo-Piano, kam luajtur me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar në drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli në koncertet kryesore të S. Chostakovic, Tchaikovskij, Beet’hoven , si dhe duete me tenorin Josif  Gjipali e baritonin Gëzim Myshketa, por nuk mund të lë pa quajtur një aktivitet të rëndësishëm edhe realizimet 4-vjeçare nën kujdesin e Prof. Nora Çashkut, ku mora perfeksionimin pianistik, aktivitet të cilin e vazhduam edhe me post-masterin 2-vjeçar nga Ministria e Arsimit për perfeksionim të lartë pianistik në Universitetin e Arteve. Para një muaji, pata gjithashtu, kënaqësinë të luaj në Spanjë dhe nderin e të qenurit pjesë e Grupo Instrumental Siglo XX , krijuar nga violinisti shqiptar Florian Vlashi .

-Pianiste, por dhe pedagoge ku ndiheni më mirë?

 Një pyetje e bukur kjo, mendoj që të dyja aspektet janë në funksion të ndërthurur të njëri-tjetrit, kam nisur pianon në moshën 6 -vjeçare për t’u bërë pianiste dhe jam bërë pianiste për t’u bërë pedagoge. Të jesh pianiste së pari është sodisfaksion i punës dhe i vetëmohimit shumëvjeçar, ku në një vepër disa minutëshe t’i bëhesh pjesë e dy jetëve që në distanca kohore ndërthuren në raport emocional, pra ti ke mundësinë që të bësh publikun të përjetojë emocionet e tua dhe ato të autorit të veprës, realizim ky, që kërkon mund dhe një perfeksionim artistik, pra është liria më e madhe, ku asnjëherë s’ke kufij. Ndërsa, të jesh pedagoge do të thotë që pianisten brenda vetes t’ja falësh studentëve, pra, është dhurata më e bukur që një pedagog mund t’i bëj studentit, dhënia e dijeve të mirëndërtuara ndër vite pa kurrfarë interesi dhe me dëshirën maksimale për ta ndihmuar që nesër të jetë edhe ai pjesë e suksesit tënd.

 Kohët e fundit janë lakuar shumë pedagogë për mitmarje, cili është mendimi juaj për këtë fenomen të shëmtuar?

 …Mitmarrja, nuk është vetëm një fenomen i shëmtuar, por nga ana artistike është shkatërrimi më i madh që mund t’i bëhet të ardhmes së një institucioni. Ka zëra se ky është bërë një “proces” me vete në arsimin shqiptar dhe gjithashtu në një proces punohet në bashkëpunim, më vjen keq që po e përjetojmë … është një imazh që ndoshta u krijua kohët e fundit, por që do lëri gjurmë gjatë në brezat që vijnë, prandaj duhet të luftohet me paanshmëri dhe gjakftohtësi.

 Cilët janë pianistët që ju keni për zemër kryesisht në botë?

 Studente kam qenë e apasionuar pas pianistit kroat Ivo Pogorjelic , më mbushte emocionalisht dhe ende e adhuroj , por në fakt mosha mesa duket ndryshon edhe mënyrën e trajtimit e logjikimit , bëhesh paksa më shumë e vetëndjerë dhe me “këmbë në toke” . Mendoj që për mua, sot, Glen Goult është një njeri i madh , një pianist brilant dhe me një loje të përkryer të veprave të Bach, të cilat unë i adhuroj dhe ku asnjëherë nuk pushon së zbuluari thesare…

 A është e vështirë sot të jesh artiste?

  Të jesh artiste është një vështirësi e pambarimtë jetike , po nuk punove sistematikisht nuk mund të zbulosh dot shumë e më shumë… sepse mbetesh në vend dhe koha ikën, por sot, ndoshta jeta është paksa më bujare dhe kushtet për të qenë artist janë më të shumta, kreativiteti nuk kufizohet më, gjë kjo që në të kaluarën la pasoja të mëdha tek artistët e asaj kohe, unë në klasë të parë nuk lejohesha të hyja në asnjë nga shkollat e republikës pasi stërgjyshërit e mi ishin tregtare dhe familje aristokrate, nënës time iu mohua e drejta të ndiqte shkollën e lartë për të njëjtin fakt dhe shumë e shumë artistë u përndoqën e persekutuan u burgosën vetëm e vetëm për të mbytur shpirtin e botën e tyre shpërthyese, ndërsa sot kjo gjë fal demokracisë është “harruar” dhe nëse punon askush nuk ta mohon mundin.

 Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare post komuniste?

Politika shqiptare post komuniste, më vjen mirë në radhë të parë që kam përjetuar të dy sistemet emocionalisht e shpirtërisht, mendoj sot ndryshimi i madh është që njerëzit janë në lëvizje, ndoshta paksa kuturu, por dinë çfarë duan dhe mundohen të arrijnë diku të ecin, por sikurse e thashë në fillim, duhet që hapat të bëhen të menduara e të studiuara në mënyrë që të kemi të mirat e përbashkëta dhe jo individuale, duhet që çdo gjë të realizohet duke kthyer herë pas here kokën pas … 50 vjet janë shumë dhe shpesh edhe pse nuk e dallojmë dot gjithnjë ato janë dhe vetëm duke kthyer kokën atëherë do arrijmë të vlerësojmë 20 vite demokraci, duhet parë me bonsens arritja, shkëputja nga sistemi i vjetër dhe fryma konstruktive sot më shumë se kurrë.

 Motua juaj jetësore?

 Motoja ime është krijuar bashkë me mua nga prindërit e mi “të jem sa më e thjeshtë “.

  Si nis një ditë pune?

 Një ditë pune tek unë nis në shtëpi, vazhdon në universitet dhe mbyllet në darkë kur puth fëmijët e mi para se ti vë në gjumë. Pra, dita ime është një aktivitet i dashur për mua.

 Cili është vlerësimi juaj për njerëzit?

Vlerësoj të qenurit njeri, përkushtimin dhe dëshirën për të të dëgjuar,  kritikoj hipokrizinë dhe intolerancën.

 Keni ndonjë peng?

Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me dhimbje … me vjen keq që gjyshi im, pianisti Rexhep Zemblaku , nuk pati mundësinë të më shikonte në skenë …

Ç’është familja për JU?

Familja për mua është motivi që më bën të ndjehem në Shtëpi !

 Jeni femër. Ndihesh e respektuar në shoqërinë shqiptare?

Mendoj që femra shqiptare sot, i ka vetë në dorë të ngrejë vlerat e saj. Personalisht ndjehem e realizuar në të gjitha aspektet, ku deri më sot kam investuar punë. Mendoj që sot femra shqiptare mundet të ketë akses në çdo pozicion profesional. Politikat e brendshme janë jashtë mase inkurajuese.

  A mbizotëron maskilizmi në shoqërinë shqiptare?

 Pa dashur të bëhem feministe! Shoqëria shqiptare sot, mendoj që nuk ka më atë potencë maskilizmi se sa vite më parë, ndoshta ka konture tek tuk… Por mendoj që çdo zhvillim ideologjik ka të mirat dhe të këqijat e veta, por në këtë rast them dhe vë re që shoqëria shqiptare është në maxhorancë e predispozuar ndaj feminilitetit dhe vlerave dhe forcës së saj.