Vllasova Musta:Kujtim Spahivogli u dënua për të vetmen arsye se i kërkuan të shprehej hapur kundër Fadil Paçramit

1513
Sigal

INTERVISTA/ Flet poetja dhe skenaristja, ish- bashkëshortja e Kujtim Spahivoglit, Vllasova Musta: Kujtim Spahivogli mbetet një shkollë e veçantë e aktrimit dhe e regjisë shqiptare

 Vllasova Musta, poete, skenariste, ishte bashkëshortja e Kujtim Spahivoglit, aktorit, pedagogut dhe regjisorit të talentuar. Kur flet për kujtimin ajo loton, thith lotët e dhimbjes dhe fillon të tregojë mes psherëtimave: Kujtimi u lind më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987, ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit“, “Në tufan“, “Shtëpia në bulevard“, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.. Kujtim Spahivogli është themeluesi i Fjalës Artistike. Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh: Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese. Vdiq në vitin 1987 në moshë të re, pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”. Dje u përkujtua 26 vjetori i vdekjes.

 E fillojmë nga emri juaj, Vllasova, kush e përzgjodhi këtë emër dhe pse?

 Emrin Vllasova ma kanë vënë prindërit, të ndikuar nga letërsia e kohës dhe konkretisht nga shkrimtari Maksim Gorki, autor i romanit “Nëna”, ku Vllasova është nëna – heroinë e personazhit kryesor. Atyre u kishte pëlqyer shumë karakteri i saj i fortë dhe përballja me sfidat e jetës dhe e morën këtë emër për mua, vajzën e tyre.

 Rridhni nga një familje intelektuale, çfarë ju ngjizën prindërit në vitet e fëminisë?

 Unë kam qenë vajzë e vetme dhe motër e dy vëllezërve në familjen tonë. Sa herë u rikthehem dhe trokas në kujtimet e mia, ruaj të shenjtë e të bukur një fëmijëri dhe rini të mrekullueshme. Kam qenë natyrë mjaft e qetë, tepër e përmbajtur dhe me një rregullsi të veçantë. Këtë përkujdesje, për të qenë përherë e rregullt jo vetëm në paraqitjen time, por edhe në gjithçka që më rrethonte, e kam marrë nga ajo që përjetoja në familje. Tek ne kishte rregull, asgjë nuk i lihej rastësisë, asnjëherë nuk prisheshin oraret dhe fjala që jepej ishte e shenjtë. Prindërit organizonin në kohën e lirë shëtitje në natyre me ne, në formë pikniku, dhe kjo na gëzonte pa masë. Ne, e dinim se kur thuhej apo bëhej një plan, ai do të realizohej, patjetër! Kjo na u bë shprehi dhe e përcollëm në familjet që krijuam, kur u rritëm.

Tek unë,  dashuria për librin u mëkua dhe u ngjiz prej tyre. Në kohën e lirë, babai vazhdimisht lexonte, bile edhe kur priste të shtrohej dreka apo darka, ai mbante përpara librin. Lexonte vetëm i ulur dhe kurrë i shtrirë. Në shtëpi kishim bibliotekë të pasur, aty gjeje nga “librat e verdhë”, siç quheshin atëherë dhe që ishin të rinisë së tim eti, e deri tek më i riu, që botohej, pasi botimi i një të  libri të ri përbënte ngjarje. Ishte babai, ai që më dha librin e parë për të lexuar dhe për një kohë ishte pikërisht ai, që më rekomandonte nëse duhej ta lexoja apo jo një libër. Më pas, kam provuar për vite e vite me radhë kënaqësinë e diskutimit të përbashkët për librin e sapolexuar dhe kjo vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Mbaj mend, kur shkoja pranë tyre, pas përshëndetjes së parë, më pyeste: Ke blerë ndonjë libër të ri, kur do na i sjellësh?! Ishte bukur të rrije pranë tij dhe ta dëgjoje sepse, jo vetëm qe njeri me kulturë të lartë, por mbi të gjitha qe njeri i vërtetë në kuptimin më të saktë të fjalës. Kishte shenjtëri në fjalë, në miqësi dhe në jetë, prandaj them që qe njeri i vërtetë!

  Një poete e afirmuar, cila qe poezia e parë dhe në cilën gazetë e botove dhe si je ndjerë. Si vepruat kur patë poezitë në gazetë me emrin tuaj?

Fillova të shkruaj kur isha ende e vogël, e dërgova poezinë në gazetën “Pionieri” dhe veç kur e pashë të botuar! U gëzova shumë dhe ua tregoja gazetën shokëve të klasës, por ata nuk përjetuan atë çka ndjeja unë dhe për këtë më erdhi keq dhe mbeta e habitur, disi e lënduar. Më vonë, kur isha gjimnaziste, më botuan poezi në gazetën “Drita”. Teksa ecja rrugës për në librarinë e qytetit, për të blerë gazetën, po më ndalnin të njohur e të panjohur dhe më uronin dhe çuditërisht më dukeshin të qeshur e të gëzuar, jo vetëm nga fjalët që më thoshin, por gjithë portreti i tyre sikur dukej ndryshe! Sapo hyra në librari, ndjeva një reagim të paprovuar kurrë: aty zakonisht mblidheshin gjithë dashamirësit e letërsisë, aty bëheshin komentet e para, kritikat e para, vlerësimet e para dhe ky “debat” krejt papritur sikur merrte formën e një shpendi, shndërrohej në zog e dilte jashtë, merrte rrugët e përpjeta e të tatëpjeta të Gjirokastrës: përcillej opinioni i parë! Unë akoma s`e kisha marrë gazetën në duar, kur e pashë veten të rrethuar nga njerëzit, që po më uronin. Ishte moment i mrekullueshëm, me emocion të papërsëritshëm dhe që mbetet nga ato çaste kristalore, që sa herë i kujton, ndrisin dhe vetëm ndrisin. Të nesërmen, në shkollë, tashmë isha gjimnaziste 16- vjeçare, ka qenë një ditë që mbetet e paharruar, mora tej kënaqësisë jo vetëm nga shokët, por edhe nga pedagogët. Tashmë isha rritur jo vetëm unë, por dhe shokët e mi, që aq sinqerisht më rrethuan e më përgëzuan për poezitë e botuara.

 Librat janë të shenjtë. Kur trokiti shenjtëria e librit tuaj të parë. Si e titulluat dhe si reagoi kritika?

 Librin e parë e botova sapo përfundova gjimnazin dhe titullohej “Pa kopertinë”. U prit mjaft mirë, u shkrua dhe u vlerësua nga kritika e kohës dhe në Takimet Kombëtare të Talenteve të reja apo më pas në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve isha njëri prej zërave që lakohej krahas talenteve të reja. Ndërkohë, botoja cikle me poezi në shtypin e kohës dhe kam fituar çmimin e parë në konkursin kombëtar të poetëve të rinj. Kanë  qenë vite të bukura me krijimtari, me vlerësime, me njohje, me shokë dhe shoqe te reja.

 Shkolla e lartë. Cilët ishin shoqet dhe shokët që sot kanë emër? Si do ta cilësonit jetën konviktore. A e ndiqje modën dhe si u përgjigjeshe ngacmimeve të çunave? Botimet a të kishin dhënë emër në shkollë?

 Kur erdha për studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, Dega Gjuhë-Letërsi, nuk u ndjeva e huaj, sepse të gjithë shokët apo shoqet që gjeta, edhe pse shiheshim për të parën herë, më njihnin, pasi ahere të rinjtë lexonin dhe dinin thuajse gjithçka për këdo që shkruante. Ndjehesha mirë kur më thoshin se më kishin lexuar dhe i pëlqenin poezitë e mia. Në kursin tonë ishim një grup mjaft i mirë të rinjsh që shkruanin dhe që kishim bërë emër, si: Moikom Zeqo, Shefki Karadaku, Niko Kacalidha, Lliko Nano, Thanas Dino, Enver Kushi, Llazar Vero, Mehmet Elezi, Fluturak Gërmenji, Filip Rrumbullaku etj.. Jeta konviktore, të thuash ishte e bukur është fare pak, mbetet periudha më e këndshme e jetës, gjithçka flurore: ajër, tinguj, poezi, shfaqje teatrore, opera, filma, libra dhe mbi të gjitha rinia!   Për sa i përket modës, më ka pëlqyer, më pëlqen dhe do të jem përherë bashkudhëtare me të. Pëlqej të dukem bukur, për veten time, për të dashurit e mi, por edhe për ata që nuk më njohin.  Ngacmimet e djemve? Nuk besoj se ka vajzë të re, që nuk e kanë ngacmuar shikimet e djemve apo prania e tyre. Është krejt normale. Më kanë ngacmuar duke më bërë të ndihem mirë, s`kam pasur asnjëherë shqetësim prej tyre. Kam vazhduar rrugën duke bërë indiferenten.

 Emërimi në Kinostudio erdhi i befasishëm? Çfarë ka qenë për ju Kinostudio?

 Jo, nuk ishte i befasishëm. Në fund të vitit të katërt, para diplomimit, më kërkoi kryeredaktori i gazetës “Drita” dhe më pyeti, nëse kisha dëshirë të punoja në atë gazetë. Mua më gëzoi ky propozim dhe gati fluturova nga kënaqësia. Më pas, kur po përgatitesha për diplomën, më pyetën, a të pëlqen të punosh në Kinostudio? Kjo ishte tej çdo ëndrre, pa asnjë mëdyshje pranova dhe pasi mora diplomën, u paraqita në punë. Ka qenë 1 shtator, sapo isha kthyer nga pushimet, një ditë e bukur dhe krejtësisht e veçantë dhe çuditërisht, sa herë i rikthehem asaj dite, nuk di të them saktësisht, si shkova deri aty, me autobus, me biçikletë, me këmbë apo si?! Gjithnjë më duket se isha mbi një re pupëlore, nga ato të bardhat, transparentet, që janë si copëz ëndrre dhe të gatshme të të çojnë aty ku do ti…

Në Kinostudio gjeta një oaz të pakrahasueshëm paqeje dhe dashamirësie, një frymë mirësie që rrallë e gjeje tjetër kund! Unë dhe shoqja ime e Fakultetit, Angjelina, ishim të parat femra që u bëmë pjesë e redaksisë së filmit. Edhe pse nuk e njihja gjuhën e kinemasë, në fillimet e punës sime, kur isha njëzetvjeçare, pata pranë mbështetjen dhe përvojën e kineastëve më të mirë, më rrethoi prania e tyre, vëmendja dhe dashuria që aq hijshëm dinin ta jepnin dhe ta përçonin tek të rinjtë krijuesit, që unë, pata fatin t`i kisha pranë. Kinostudio ishte dhe mbeti familja ime e madhe, aty rrodhi rinia, aty u bëra nënë, aty provova ndjesinë e të bërit gjyshe…E nisa punën si skenariste dhe e u largova prej andej, si drejtore… 35 vjet pune!

 Sa skenarë filmash keni realizuar dhe kur jeni ndjerë më keq. A ju kanë rrëzuar ndonjë skenar?

 Unë punova për shumë e shumë vite në Kinostudio dhe është më se e natyrshme që gjatë këtyre viteve të kem shkruar me dhjetëra e dhjetëra skenarë për filma dokumentarë dhe për filma ta animuar. Ajo që më ulte të shkruaja dhe më jepte frymëzim për atë që do të krijoja ishte dashuria për punën. Mua më pëlqente e përditshmja ime, puna dhe tek gjithçka rreth e qark shikoja me syrin vëzhgues, nëse kishte gjetje në të për një film të ardhshëm?! Krahas kësaj, për krijuesit në Kinostudio qe një praktikë pune që të favorizonte për atë që do të realizoje nesër, sepse secili sillte propozimet e veta, për temat që do të realizonte, pra, t’i shkruaje apo vije në jetë atë që kishe ideuar vetë dhe kjo, jo vetëm ta bënte të lehtë krijimtarinë, por e bëje me ëndje, se qe formësuar tek ty dhe kish dalë prej teje.

Sa herë hedh sytë në raftet e bibliotekës sime, ndesh me çmime, medaljone dhe kupa që më janë dhënë gjatë viteve në festivalet e Filmit Shqiptar.

Të vlerësohesh dhe të kesh në arkivin tënd, pas një pune 35- vjeçare, veç të tjerave, dy kupa të Festivalit të Filmit për skenarin më të mirë, sigurisht që ndihesh mirë dhe e vlerësuar për punën që ke bërë. Unë i ruaj si të shenjta këto vlerësime, pasi ato janë dëshmia e punës sime, që flasin dhe tregojnë si askush tjetër për një jetë të përkushtuar me pasion dhe shpirt.

Nuk kam pasur asnjë rast, që skenarët e mi, të mos jenë aprovuar, për sa kohë funksiononte Kinostudioja dhe ishin redaksitë përkatëse.

 Cilët ishin miqtë e tu në Kinostudio dhe si ishte niveli profesional aty?

 Në Kinostudio gjeta njerëz mjaft të mirë, shokë të vërtetë, me të cilët ruaj një miqësi të pandryshuar edhe pse kanë kaluar vite e vite. As koha, as vitet dhe as ngarkesat e ndryshme që vinë krah saj, nuk i tjetërsojnë miqësitë e vërteta. Kujtoj këtu mikun tim të dashur, përherë të përmalluar Vlash Drobonikun, të talentuarin Artur Muharremin, njerëzorin dhe të këndshmin Luan Dibra, të mirin dhe përherë të qeshurin Luan Rama, të veçantin dhe të rrallin Gazmend Leka etj., etj.. Të gjithë këta që përmenda si dhe shumë të tjerë kanë qenë dhe mbeten shkolla më vete kulture, dijeje dhe vlerash të larta njerëzore. Në Kinostudio kishte talente të shndritshme, që ua shihje dritën sapo niste biseda, që pulsonte ekrani që në sekuencat e para, njerëz që kishin synim të vetëm si të sillnin një tjetër mrekulli në ekran e që nuk merreshin fare me gjëra të rëndomta apo prapaskena intrigash. Aty, e them pa kurrfarë rezerve, ndoshta ishte i vetmi vend, ku shqetësimi i njërit bëhej i të gjithëve dhe ku suksesi përjetohej tek secili.

 Si u njohët me Kujtim Spahivoglin. Në çfarë rrethanash dhe si lindi dashuria?

 Sa herë që më drejtojnë këtë pyetje, më vjen ndërmend një stinë e bukur pranvere. Isha studente, ndërsa ai, pedagog në Institutin e lartë të Arteve. Unë e njihja si aktor dhe regjisor, e kisha parë në shfaqje dhe asgjë më tepër, ndërsa ai kish lexuar poezitë e mia, i pëlqenin dhe nuk më kish parë asnjëherë. Në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndër të tjera u përmend emri im si poeteshë e re dhe kur u bë pushimi, në ambientet e jashtme të sallës (aty ku sot është Kuvendi i Shqipërisë), dikush i thotë: ja, ajo është Vllasova. Kujtimi, pa pritur më gjatë më thirri në emër dhe erdhi drejt meje. Ai çast, befas u shndërrua në një çast magjik, teksa Kujtimi po vinte drejt meje, mua m`u duk sikur lëvizën pemët, lulet, toka dhe e ngurtësuar nuk lëvizja nga vendi, nga ndrojtja se po bija, mbeta si e ngrirë dhe e prita. Ai më takoi sikur të ishim të njohur dhe mua më mrekulloi natyrshmëria e komunikimit të parë me të. Ai erdhi drejt meje, sikur gjeti njeriun që kish kërkuar apo që e priste t`i dilte diku, erdhi dhe që në hapat e parë, m`u bë sikur derdhi para meje veç dashuri, mirësi dhe bujari, ashtu siç dinte të jepte vetëm ai. Teksa flisnim, mua më bëhej se rreth e qark nesh dilnin shkëndija, shkëndija që më rrethuan, më përpinë, u bënë zjarr dhe me kohë morën dritë, një dritë që nuk u shua kurrë!

 Si e përjetuat lindjen e vajzës, Anit?

 Ahere nuk parathuhej se çfarë do të lindë, djalë apo vajzë se nuk ekzistonin mundësitë e sotme, por unë e dija se do të lindja vajzë, isha e sigurt për këtë sepse kështu doja, kështu më pëlqente. I kishim gjetur dhe emrin që e krijuam vetë, Andeta, se të dyve na pëlqente shumë deti, plazhi. Unë përfytyroja se do të lindja në një ditë me diell dhe do të ishte e diel dhe kështu ndodhi vërtet. Atë të diel, pasi lindi vajza, më sollën një tufë të madhe me lule dhe ma vendosën tek koka e shtratit. Ajo aromë e ëmbël  lulesh të freskëta, më depërtoi në shpirt dhe më përcolli një përjetim të papërshkrueshëm, m`i kish dërguar Kujtimi! Brenda tyre ishte një copëz letre e palosur, ku shkruhej: “Për mami Sovën dhe Anin, ju puth Kujtimi, babi”. E përlotur e palosa letrën dhe e ruaj edhe sot, duket sikur ka ardhur dje, sikur vjen sot dhe do të vijë përsëri nesër…

Nëse them se lindja e vajzës më mrekulloi është pak, fare pak. Ajo më dha një dritë ta paparë që me kalimin e viteve u bë diell i jetës sime dhe i tillë do të mbetet pafundësisht. Unë kam fat që kam një vajzë të rrallë, që di të japë veç dashuri!

Kur dhe si u dënua Kujtim Spahivogli. Cilët ishin kundërshtarët e tij?

 Kujtim Spahivogli u dënua për të vetmen arsye se ishte njeri me karakter të fortë dhe nuk pranoi të bëhej vegël e regjimit të kohës. I kërkuan të shprehej hapur kundër Fadil Paçramit, të cilin Enver Hoxha e dënoi duke e shpallur armik dhe përçues të pikëpamjeve liberale në artin dhe kulturën shqiptare. Kujtimi asnjëherë nuk e bëri këtë, edhe pse e dinte se pas Fadilit do kishte të tjera viktima. Dhe kështu ndodhi, breshëria ra mbi ‘të, e dënuan duke i hequr të drejtën e mësimdhënies në Akademinë e Arteve, i hoqën të drejtën e profesionit si regjisor, e hoqën nga Tirana dhe e dërguan në Fier, punëtor në betonierën e  kanalizimeve për bujqësinë.

 Ku ishit kur iu dha dënimi dhe si reaguat?

 Isha pranë tij. Në atë kohë nuk jam ndarë asnjë moment prej tij, në të gjitha mbledhjet, në të gjitha ecejaket, kudo ishim bashkë.

Një natë, teksa bëhej mbledhja e fundit në Akademi, unë rrija jashtë dhe prisja të mbaronin. Ishte fund gushti dhe mbledhja bëhej me dritare hapur, kështu që dëgjoheshin diskutimet dhe kundërvënia që po i bëhej Kujtimit. U tremba. Kur doli, u habit që më gjeti aty në atë orë të vonë pasmesnate bashkë me vajzën e vogël në karrocë. Po ti,- më tha, -ç`bën këtu? Po të prisja ty, munda t`i thosha me gjysmë zëri. Të dërmuar, morëm rrugën për në shtëpi, të tre, diku ndali dhe më tha: Unë, s`e kam bërë ndonjëherë dhe s`do ta bëj kurrë, t`i bije tjetrit kur rri varur në humnerë…edhe pas dhjetë vjetësh, kur ta shoh Fadil Paçramin dua ta shoh në dritë të syrit, pa m`u dridhur qerpiku!

Ai nuk e besonte se kjo qe fatale, gjithnjë shpresonte dhe mendonte se është një gabim.

Nesër do të lexoni:

-Kur dhe si u dënua Kujtim Spahivogli

-Presioni që më bënë për ndarjen me Kujtim Spahivoglin

-Ku isha në ditët e grevës së studentëve dhe si e përjetova rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës

-Njohja me Kadarenë dhe me Dritëro Agollin