Vitore Stefa Leka:Kinezja e bukur me emrin Shpresa e dinte shqipen më mirë se unë

774
Sigal

INTERVISTA/ Flet, poetja dhe bamirësja e mirënjohur, Vitore Stefa Leka: Janë 130 mijë emigrantë në Itali që janë në moshë votuese

 Vitore Stefa –Leka u lind në Tiranë nga dy prindër intelektualë: Kostaq dhe Eleni Stefa. Pas vuajtjeve 40- vjeçare nën regjimin komunist largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Trieste të Italisë, ku edhe sot jeton dhe vepron. Është autore e disa vëllimeve poetike: “La liberta”, “Jetoj Ringjalljen”, “Vetmi e Largësisë” dhe përmbledhjen “Plagë Shpirti” libri i saj i parë në prozë. Është bashkautore e antologjisë “Mozaikë të një Portreti” si dhe e antologjisë “Metafora e Arratisur”. Ajo është ndër të paktat për të mos thënë e vetmja grua në moshë që shkoi vullnetare në luftën e Kosovës, duke u veshur me uniformën e saj dhe duke ndihmuar të plagosurit në luftë. Sot ajo është ndër luftëtaret më të nderuara të asaj lufte heroike. Në qëndrimin e saj në Trieste, me ndikimin e saj ka ndihmuar me mijëra emigrantë për të marrë lejeqëndrimin, apo për tu punësuar. Në miqësinë  e saj ndesh emrat nga më të njohurit të avokatisë i italiane, miqësi me dhjetëra deputetë, apo Kryetar Bashkish.

Ju jeni bijë e dy intelektualeve të shquar, Kostaq dhe Eleni Stefa. Babai juaj u pushkatua nga regjimi komunist ndërsa familja u internua. Mund të na përcillni diçka nga fëmijëria juaj?

 Rrjedh nga një familje intelektualësh nga Berati. Jam stërmbesë e Konstandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës, pjesëmarrës krah për krah me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit. Babai mbasi mbaroi shkollën teknike të Harry Fulc-it ku një kohë punoi dhe si profesor, studimet e larta i mbaroi në Institutin Superior ndërsa magjistroi në Firence. Babi im ka folur tetë gjuhë. Ka përkthyer edhe nga Japonishtja. U pushkatua në moshën 44 vjeç nga diktatura dhe që atëherë filloi kalvari i pa mbarim i vuajtjeve tona familjare. Nëna gjithashtu mësuese, edukatore e disa brezave, një grua e rrallë qe ia kushtoi jetën e saj, që nga mosha 33 vjeçare, rritjes së pesë fëmijëve jetim në një fukarallëk të plotë po me një krenari të rrallë. Pas rënies së diktaturës, babait i dhanë titullin “Martir i Demokracisë”. Sot në qytetin tim një rrugë mban emrin e tij, kurse mamaja ka titullin “Mësuese e Popullit “. Nga fëmijëria dhe rinia e hershme kam vetëm kujtime të hidhura e të dhimbshme, kështu që më mirë mos t’i kujtojmë e flasim për to. E shkuara nuk më kondicionin për atë që jam, por është një pjesë, e cila më ndihmon për atë që do të jem.

 Tregimi “Blerina”, është një tregim autobiografik?

E vërtetë tregimi “Blerina”, është autobiografik! Pikërisht tek personazhi i Blerinës si dhe te e gjithë tragjedia familjare e saj,  janë me dhjetëra vajza si unë, që kanë kaluar kalvare të tilla vuajtjesh. Në diktaturë kishte me mijëra familje të tilla të persekutuara, ku vuajtjet më të mëdha i kanë  pasur vajzat e reja. kam parasysh mijëra të tjera

 Kur dhe pse keni filluar të shkruani?

Qysh në fëmijëri kisha prirje për letërsi. Krijimet e mia fillojnë në shkollën  7- vjeçare, ku kam bërë poezi, por dhe krijime të tjera. Ajo që më veçonte nga të tjerët ishte se bëja hartime të bukura, të cilat mësuesit  i varnin tek këndi i letrarëve të rinj, por asnjëherë nuk u botuan as te gazeta “Pionieri” e as tek “Zëri i Rinisë”.  Këtu kam  një rast të veçantë kur ka ardhur shkrimtari Luan Qafëzezi në shkollën tonë dhe kërkoi nxënësen që kish shkruar tregimin që ishte varur tek këndi i letrarëve të rinj. Në këtë hartim unë kisha bërë nj përshkrim për Beratin. Kur hyra në sallën e mësuesve ai më përkëdheli dhe më pyeti se çfarë tjetër kisha shkruar duke më thënë  se do ti tek gazeta “Pionieri” në Tiranë.  Sa u gëzova. Por ky gëzim nuk zgjati as disa sekonda pasi dikush nga mësuesit i tha diçka në vesh shkrimtarit dhe çehrja e tij u prish menjëherë.  Ai kishte qenë nxënës i babait dhe për të mos më vënë akoma në pozitë më tha “Do shohim”.

 Ju këto ditë ju kishin ftuar në një aktivitet në Vlorë. Si u ndjetë?

Ndihem shumë e vlerësuar kur më ftojnë në të gjitha aktivitetet që shoqatat e grave në Shqipëri zhvillojnë në qytete të ndryshme. Ndërsa aktiviteti i fundit ishte organizuar nga Shoqata e gazetareve (pra femra), të cilat organizuan Konferencën e parë Mbarëkombëtare me rastin e 40-vjetorit të diplomimit të gazetarëve të parë shqiptar. Në këtë aktivitet  mora vesh që në regjimin komunist nuk kishte degë të gazetarisë në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë aktivitet morën pjesë si të ftuara speciale, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Vitore  Sallaku dhe Skënder Sallaku, Virgjil Kule, nga diaspora kishin ardhur Flora Durmishi, por dhe shumë gazetare nga Ulqini, Kosova, Maqedonia, nga Amerika kishte ardhur Rajmonda Moisiu, por më e veçanta ishte se aty kishte ardhur dhe nj gazetare nga Vojvodina (nga “Goja e ujkut” siç tha ajo) Drita Nikoliqi, që përfaqësoi gruan shqiptare në këtë trevë.  Ajo na çuditi me aktivitetet që zhvillonin në  Vojvodinë komuniteti shqiptar.  Fjalën e hapjes e mbajti “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, e cila përshëndeti dhe  më vonë lexoi dhe fjalën përshëndetëse të Dritëro Agoillit për këtë organizim kaq të veçantë si dhe për librin e Zenepe Lukës.  Në këtë organizim kishte shumë ish-gazetare të radio Tiranës dhe të televizionit shqiptar. Një përshëndetje speciale u lexua nga deputetja kosovare Flora Borovina, por edhe e stërnipit të Skënderbeut, Aleksandro Scanderbeg që nuk mundi të vinte pasi atë ditë  bashkëshortja i lindi vajzë.  Luka Vakjani, deputeti italian dhe njëkohësisht avokat, kishte dërguar një përshëndetje që la mbresa tek të pranishmit. Ai është një miku im, i cili na ka ndihmuar në shumë çështje të emigrantëve. Ai banon në Verona dhe të gjithë emigrantët shqiptarë e njohin për mbrojtjen që u ka bërë shumë  çështjeve të emigrantëve.

 Ku u vu theksi në këtë Konferencë për gazetarët?

Në shumë drejtime. Sipas të gjithë të pranishmëve gazetarët janë në pararojë të ngritjes së problemeve  dhe shqetësimeve, gazetarët janë në opozitë me çdo qeveri pasi mbrojtën interesat e masave të gjera ndaj duhet të respektohen në maksimum. Gazetarët  janë ndër njerëzit e sakrificave, që janë zgjuar ditë e natë në shërbim të popullit, pararojë në luftën ndaj mashtrimeve, ndaj krimit të organizuar, ndaj korrupsionit.

  Cila njohje e re të la më shumë mbresa?

Mendoj se nuk do ta besosh, por unë aty njoha një vajzë të re kineze, që e quan Shpresa. Kur ma prezantuan  ngela me gojë hapur. Ajo fliste një gjuhë shqipe që të kënaqte shpirtin. As unë nuk e flas kaq bukur gjuhën shqipe. Në fillim mendova mos ishte ndonjë lojë, por jo ishte mëse e vërtetë. Asnjë theks kinez nuk kishte në fjalët e saj. Madje edhe bashkëshorti i saj e dinte shqipen po aq mirë sa unë qeshja me vete dhe thosha mos kanë vënë maskë në fytyrë që të duken si kinezë, për të mos thënë ja preka flokët dhe fytyrën Shpresës që tu besoja syve. Me bashkëshortin ajo ishte njohur në Universitet ku të dy studionin në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin për gjuhën shqipe. Tashmë Shpresa punonte si Drejtore e Radio Pekinit në sektorin e gjuhës shqipe. Ajo dinte aq gjëra për Shqipërinë sa mua më vinte turp të debatoja se s’dija as një të mijtën e saj. Kishte ardhur enkas nga Pekini, për të sjellë mesazhin e respektimit të statusit të gazetarëve dhe të ndaljes së dhunës ndaj gazetarëve. Unë që kur u njoha me të nuk ju ndava më. Ishin një çift brilant që e donin dhe respektonin Shqipërinë në maksimum.

 Kush ishte momenti më i spikatur i kësaj Konference?

Mbjellja e pemës së ullirit të paqes në një ambient në qendër të qytetit të Vlorës, në shenjë respekti ndaj punës së gazetarëve por dhe të paqes që duhet të ekzistojë kudo në botë, në emër të mirësisë, dashurisë, vëllazërimit të popujve. Në këtë moment gazetarja kineze qau dhe më tha një fakt shumë interesant.

 Kush është ky fakt?

Kur kishte ardhur Çu En Lai në Tiranë kishte marrë një ulli nga Shqipëria dhe e mbolli në mes të parkut qendror të Pekinit duke e quajtur pema e miqësisë Shqipëri-Kinë. Ky ulli është ende në Pekin. Më tej ajo më tregoi për shumë filma shqiptar që shiheshin ende me ëndje në Kinë si dhe për disa parulla që Cu En Lai kishte parë në Shqipëri dhe që i kishte lënë në shënimet e tij, si p.sh “Dy luanë ka sot bota, një Azia një Europa”.  Shpresa theksoi se, ishte e nderuar që merrte pjesë në mbjelljen e një peme të paqes dhe të miqësisë mes popujve, sidomos në shenjë respekti ndaj gazetarëve dhe  luftës kundër dhunës që zhvillohet jo në pak raste ndaj gazetarëve të të gjithë botës.  Gjatë këtyre ditëve vizitova shumë fshatra të Labërisë.

Cili fshat të bëri përshtypje në Labëri?

Fshati Tragjas. Një fshat arsimdashës. Pashë dhe mësova se aty të gjithë ishin dashuruar me arsimin, ku kryeplaku i fshatit dhe një fëmijë të një familje të varfër e kishte shkolluar me ndihmat që kishte gjetur. Ky fshat kishte burra të zgjuar. Aty pashë një varr shumë të veçantë të nj vajze që i thoshte të atit në mbishkrimin e varrit “Baba , ta çova në fund amanetin tënd, e hapa shkollën e parë shqipe në fshat”. Babai i saj ishte përpjekur që në kohën e sundimit otoman që të hapte një shkollë shqipe në fshat, por pushtimi, arsyet ekonomike, nuk e bënë të mundur që ai ta hapte shkollën dhe ja la amanet vajzës. Dhe kjo vajzë e kishte çuar në fund amanetin e tij.  Shiko se si i çonin amanetet e prindërve para 100 vjetësh.

 Si e gjetët Shqipërinë kësaj here?

Unë kisha merak të vizitoja bregun e Shqipërisë. Kisha dekada pa shkuar. U mrekullova me kampin turistik të Llogarasë, pastaj më poshtë të gjithë fshatrat e bregut, që nga Palasa, Himara, Jala, Qeparo, Palermo dhe Porto Palermo, deri në Borsh. Një bregdet që më mrekulloi. Në Qeparo ndaluam në shtëpinë-hotel  të Sotirulla Kapaj, ku na u bë një pritje tipike shqiptare që më befasoi. Unë jetoj në Trieste, mes detit, mes shumë bukurive që ka bërë dora e njeriut, por atë që pashë në Rivierën tonë, atë bukuri që i ka dhënë zoti Shqipërisë, se ka Italia. Ai det i pastër, i thellë, ai ajër i pastër, ajo mrekulli, nuk ka të krahasuar me asnjë vend të Itali.

 Cilat janë problemet e emigrantëve tanë në Itali?

Problemet janë të shumta. Në Itali janë rreth 324 mijë emigrantë shqiptarë që përbëjnë komunitetin e dytë më të madh pas marokenëve. Problemet e tyre tashmë janë kriza ekonomike, marrja e nënshtetësisë, gjuha shqipe, etj..Por në këto situata problemi më i madh është votimet.

Në çfarë kuptimi?

Në kuptimin se emigrantët duan të votojnë, madje duan të votojnë të gjithë.  Këtë konfirmim e kam marrë me takimet apo me korrespodencën që mbaj me pjesën dërrmuese të shoqatave shqiptare në Itali ku unë jam Kryetare Nderi e 36 shoqatave. Në shumë biseda ne e kemi bërë prezent këtë dëshirë. Ne i kemi sytë nga atdheu. Ne shikojmë të gjitha lajmet ashtu si ju. Pra ne jemi afërisht 130 mijë emigrantë në moshë votuese dhe mendohet që të vijnë për votime 10 apo 20 mijë. Ky numër kaq i pakët vjen për shumë arsye pro kryesorja është sepse  të ardhurat janë të pakta dhe nuk mund të përballohen rruga, ditët e humbura të punës etj…Për ne do të ishte e mira të votonim në Itali, pra aty të hapeshin qendra votimi për emigrantët. Kjo do ishte në interes të popullit shqiptar, pasi do rritej numri i votueseve.

 A keni lidhje të vazhdueshme me ambasadën dhe konsullatat?

Dua të them se mirë është punuar, por unë dua të veçoj punën e Ambasadës së Kosovës në Itali. Kjo ambasadë merr takime të vazhdueshme me kryesitë e shoqatave, për hallet, problemet shqetësimet. Madje tani flitet se Kosova do të hap dhe dy Konsullata në Itali, për të qenë më pranë nënshtetasve të tyre në Itali. Kjo punë duhet të bëhet edhe nga shteti jonë.  Shteti dhe emigrantët kosovarë janë shumë të lidhur, por edhe vetë komuniteti kosovar është shumë i lidhur, por dhe shumë aktiv. Unë mendoj se me kaq emigrantë që ka Shqipëria duhet të kishte një Ministri Emigracioni, pasi dhe problemet e tyre janë të shumta. Unë kam 23 vjet në Itali dhe i jam përkushtuar çështjes shqiptare, por ne sado të bëjmë pa përkrahjen e shtetit nuk mund të bëjmë asgjë. Edhe mediat duhet të shkruajnë më shumë për emigracionin, nis gazetat, si gazeta “Telegraf” do të jetë më afër problemeve të emigrantëve edhe shteti do të reagojë.

 Po problemi i gjuhës shqipe, a është shuam shqetësues?

Po. Këtë problem do të rrekja edhe unë. Po bëhet prezent një analfabetizëm masiv dhe kudo kemi ndeshur probleme të shumta. Shteti ka heshtur në këtë drejtim. Ti dëgjosh nipërit tanë, shqipen jo vetëm e flasin me theks italian, por flasin një shqipe të çalë, me shumë fjalë italiane. Unë dua të përmend një shqiptar të Maqedonisë. Ai quhet Nehat Marku  që ka qenë mësues në Maqedoni i cili ka hapur një shkollë shqipe, që i mëson nxënësit deri në gjimnaz. Kjo ishte nj nismë e tij private por që pati mbështetjen e komunitetit shqiptar të Maqedonisë.  Kjo shkollë ndodhet në Forlino afër Peruxhias. Shkolla në fillim është hapur dhe me ndihëm e shoqatës “Iliriada” dhe më pas z. Nehat e vazhdoi me forcat e veta.  Njëkohësisht po me këtë përgjegjësi vepron edhe Shoqata “Çamëria” të cilët kanë lidhur një miqësi të madhe me shqiptarët e Ukrainës. Kryetari i kësaj shoqate shkoi vetë në Ukrainë  që realizoi këtë lidhje dhe tashmë ata ndihmojnë njeri tjetrin për tekste dhe mjete didaktike, për mësimin e gjuhës shqipe.

 Po shteti shqiptar nuk është interesuar fare për gjuhën shqipe të fëmijëve të emigrantëve?

Këtu duhet të jem e sinqertë. Nora Malaj ish- zëvendësministre e Arsimit na ka ndihmuar shumë, për sigurimin e teksteve dhe abetareve, për të hapur shkollat shqipe me punë vullnetare. Pra tashmë edhe në zonën ku jam unë ka disa shkolla shqipe mbi baza vullnetare, ku tekstet mësimore janë siguruar nga Nora Malaj dhe Zëvendësministri i Arsimit.

 A po kthehen emigrantë shqiptarë të Italisë në atdhe?

Për fatkeq po kthehen. Po them për fat të keq sepse ata kanë shumë vite aty, kanë ndërtuar jetën aty dhe tani për shkak të krizës duhet të kthehen.  Janë afërisht 20 mijë familje emigrantësh që po kthehen nga Italia. Ata nuk kanë mundur të përsërisin kontratat e punës. Kështu që janë të detyruar të kthehen. Po ku të shkojnë? Këtu me sa shoh ende nuk ka një ekonomi të stabilizuar që të mund të mbijetojnë. Qeveria nuk ka pasur një strategji për pritjen e emigrantëve. Ndaj ata ngelen pa përkrahje, pa asnjë lloj perspektive, u duket vetja emigrantë në atdheun e vetë.

Larg atdheut

Unë shpirtërisht jam çdo ditë në atdhe, çdo sekondë. Unë kudo që jam ndihem një copëz Shqipërie. Nga ana tjetër të një milion e dyqind mijë shqiptarët e diasporës së Shqipërisë së pas nëntëdhjetës (një hemorragji tronditëse për popullin shqiptar dhe atdheun tonë të shtrenjtë) ja kanë gjetur edhe një mënyrë të mrekullueshme për të kontribuar sadopak me sa është e mundur në identitetin kombëtar. Kjo mënyrë është – krijimi i listave virtuale me të cilat ne lidhemi me njëri-tjetrin. Me këtë korrespondencë të shpejtë ne mbulojmë orët tona të vetmisë në mungesën e asaj që nuk zëvendësohet dot – asaj qenie abstrakte dhe po aq konkrete që quhet ATDHE.