Verdi Take: Takimet me emocion me të madhin Kadri Roshi

739
Sigal

Isha ulur në divan dhe po ndiqja emisionin “Koha për t’u zgjuar”, me artikuj në shtypin e përditshëm. Një zile e celularit më shkëputi nga ekrani. Po dëgjoja zilen me shikim mbi celular dhe nuk po e merrja në dorë. Nuk para e hap celularin kur në ekran nuk më shfaqet emri i personit që kërkon të  komunikojë me mua. Shpesh, o nuk e hap fare, ose e mbyll pa u përgjigjur. E mbylla. Ndërsa mundohesha të zinja fillin e lajmeve në gazetat ditore, zilja tringëlloi përsëri. “Epo hape, de” mendova!

-Urdhëro, kush je, të lutem?

-Si je zoti Verdi? Klit Roshi jam!

Një si“sustë’ më shkëputi rrëmbimthi nga divani dhe, sakaq, u gjënda në këmbë!

Ai filloi të fliste, por mendja ime, në imagjinatë, më solli portretin e Atit të tij, të Madhit Kadri Roshi.”Shikoja mjekrën e tij, të bardhë dhe të butë. Më tingëllonte aq ngrohtë zëri karakteristik i Tij…Ato sytë, pak të mbyllur, zjarr! Ato kujtime plot emocione me Të.

-Po, Klit, po. Po të dëgjoj…por, u shtanga për një çast,

–Mik i dashur, kam projektuar të botoj një libër për tim Atë, por jo për talentin e tij, realizimet e roleve, por  vetëm si e kujtojnë Kadriun, shokët, miqtë, dashamirësit. Pra, Kadri Roshi

jo artist, por njeri. Dhe, ja ku jam ulur dhe mbaj në dorë një si libër që unë e quaj”Ditar i Kujtimeve të mia\”, si biçim “sinopse’, mbi të cilat, me kohë, mund të punohet diçka më shumë.Shfletoj…Kujtoj….Tund kokën , buzëqesh dhe, nis të shkruaj.

Dhjetor, 1985.’Ndryshim interenari’

Ishte ditë e diel. Ata vinin nga Tirana. Ishin nisur për gjueti peshku në Velipojë. Mes shokësh ishte edhe im vëlla Feriduni, i cili gjatë rrugës u kishte treguar atyre ngjarjen e hidhur në familjen time, me humbjen e bashkëshortes. Kur kishin mbërritur afër Bahçallëkut, para kthesës së Velipojës, Kadriu i kishte thënë shoferit. O Nasi, ec edhe pak dhe na fut brenda në Shkodër dhe, ti Duni ( kështu  e thërriste Ai vëllain tim) na trego ku e ka shtëpinë Verdi. Ti shkojmë për një ngushëllim. E kemi shok. Si thoni?  Dhe mbërritën te pallati ku banoja unë. Dera rrinte hapur, sepse hynin e dilni njerës për “t’u pjekë’, siç është zakoni. Unë u habita kur i pashë, por, më shumë se unë u habitën njerëzit kur panë Kadri Roshin! Ai hodhi një vështrim rretheqark dhomës, duke i parë të pranishmit në sy, dhe fare i qetë, foli.

-Na falni o njerës të mirë (duke tregua rrobat që kishin veshur) jemi nisur për gjueti.

Të gjithë në dhomë ishin ngritur në këmbë. Nuk është zakon në kësi raste, por, i ngriti befasia kur para tyre njohën një figurë që, nuk kishte burrë, grua, i ri, apo dhe fëmijë që nuk e njihte atë babaxhan, që të rrëmbente me pamjen dhe zërin e tij. Në ekran e kishin parë mijëra herë, ato çaste e kishin fare pranë. Kur u larguan, njerëzit u ngritën përsëri në këmbë…Takuan duart që u zgjaste ai , Artisti i Madh…Njeriu i thjeshtë , nga më të thjeshtit, Kadri Roshi i tyre!

Në Golem te“pishat e buta”

– E kini në plazhin e Golemit, te “Pishat e buta” Kështu na thanë njerëzit ndërsa po kërkonim Kadri Roshin për t’i marrë një intervistë. Kisha shkruar një skenar për një film dokumentar që po e realizonte Televizioni Shqiptar kushtuar aktorit Vilson Gjoça. Nuk e patëm vështirë për ta gjetur sepse këdo që pyesnim, na thoshin buzagas “ E kini te Pishat e buta” Regjisori Kliton Nesturi, që po realizonte skenarin, tha –e paska marrrë vesh gjithë Golemi që ka ardhur për pushime Kadri Roshi. Nuk i ramë burisë, sepse  ai, sapo dëgjoi  zhurmën e një makine që afrohej drejt tij, ngriti kokën dhe, kur më pa mua që dola nga makina, bëri me dorë dhe lëshoi një” Ho-ho, kush na erdhi! Edhe këtu më gjete, or, djall! Hajdeni- hajdeni, mirë se erdhët.” Ai ishte ulur pranë një tavoline druri nën hijen e pishave dhe po rregullonte veglat e gjuetisë- passion i tij i madh. I treguam përse kishim shkuar. Na dëgjoi me shumë vemendje. I shtyu një çast  veglat e gjuetisë, dhe pasi shkoi dy tri herë dorën mbi mjekrën e bardhë, pak bojkafe te buzët, picëroi sytë dhe tundi kokën. -Për Vilsonin! Për atë aktorin e mrekullueshëm. Shumë mirë që po bëni film për të..Shumë mire. Fillimisht e kam njohur kur po vinim në skenë dramën”Arturo Ui’. Vilit iu caktua roli i prezantuesit të dramës. Na hodhi një vështrim, siç vështronte Ai dhe, duke  tundur lehtë kokën tha: e realizoi shumë mirë rolin, shumë mirë e realizoi! Por më shumë mbresa më ka lënë disiplina, që vura re te ai djalë. E di Verdo, Vili vinte i pari në prova dhe largohej i fundit.Vinte edhe kur nuk punoheshin skenat e tij. Shumë nesh duhej të merrnim shëmbull prej atij amatori. Mikrofoni ishte hapur, Klitoni nuk e ndërpriste me pyetje dhe: Ai, Kadriu i Madh, fliste e fliste për një aktor të ri, jo fort i njohur. Jo i kaibrit të “Kadri Roshit”. Nuk shante njeri Kadriu. Nuk mbante njerëz nëpër gojë, jo. Te çdo njeri shikonte dhe vlerësonte anët më të mira. Nuk kishte cmirë për kërkënd. Nuk bëhej kurrë xheloz dhe përbuzës ndaj arritjeve të kolegëve.

Te birraria karshi Bankës

Ai më pa dhe i ra xhamit të trashë të lokalit, që unë të ktheja kokën nga ai. Ishte ulur në një tavolinë te lokali shumë popullor, te birraria  pranë stacionit të autobusave urbanë të linjës Kombinat-Kinostudio:

-Hajde, hyrë brenda- bëri ai me dorë. Zëri nuk dëgjohej, por e kuptova çfarë po thoshte. Hyra. U përqafuam.

-Për ku nxiton kështu , ‘zotrote’?

-Për në shtëpi!

-Ulu pi një birrë, pastaj mund të shkosh (dhe pasi picëroi sytë , shtoi, gjoja si nën zë, ) Në të lënça unë të shkosh. Ulu. Diku nga cepi i sallës, dallova një shokun tim, që ishte ulur bashkë me tre të tjerë. Ai u ngrit në këmbë dhe ma bëri me dorë. Edhe unë ashtu iu përgjigja. Nuk kishte ardhur ende kamerieri të merrte porosinë për mua, kur ai shoku im po afrohej si me ndrojtje drejt tavolinës sonë.

-Me leje?

Unë u ngrita në këmbë ta takoja, por ai më bëri shenjë të ulesha dhe, duke parë nga Kadriu,  tha, ‘prit , or ti”!

-Me leje… shoku Kadri- përsëriti plot emocion.

-Po ulu, or, mik, ulu me ne – e ftoi Kadriu.

-Jo…unë…unë desha vetëm t’u jap dorën…po pati mundësi!

-Dorën?! –Kadriu u ngrit në këmbë dhe e përqafoi.

Shokët e tij te tavolina përtej kishin mbetur gojë hapur. Rrëmbyen krikllat e birrës dhe i ngritën lart, në shenjë përshëndetje për ne.

-Ulu!- i tha Kadriu, si një formë urdhëri.

-Jo….shfrytëzova rastin….Kam patur shumë dëshirë t’u takoj shoku, Kadri.

-Po ulu more mik, ulu!

-Faleminderit!…Jam me ata shokët atje…

-Po merri edhe shokët dhe hajdeni të rrimë bashkë!

-Jo…jo….

-Epo mirë, përqafoji nga ana ime. Dhe iu bëri atyre me dorë. Ata i ngritën gotat më lart se çduhej, mbi kokat e tyre.

-Faleminderit…faleminderit shumë shoku Kadri.

-Përse?

-Që më dhe dorën.

-Hajde, more, këtu. U ngrit në këmbë, e përqafoi dhe e puthte pllaq, plluq , siç puthte ai.

Ja, kështu e kujtoj ATË, TË MADHIN, NJERËZORIN, KADRI ROSHI!