Vepror Hasani: Spanja Pipa e lindur për të kënduar serenatën korçare

209
Sigal

Sot Spanja feston 87-vjetorin e lindjes

Korçë- Ndodh që mbrëmjeve aty mbi qytetin e Korçës ku gjendet një burim që mban emrin “Çezma e Shetros” shumë pranë me klubin e dikurshëm të quajtur “Panda”, emër që e ruan edhe sot e kësaj dite, të dëgjohet një këngë që të sjell pranë shumë mall dhe të shtie në mendime: “Sa lotka kam derdhur unë për ty/, sa shumë të kam dashur/, më mirë me ty dhe fukara/, se sa pa ty dhe i pasur…” Nuk dihet se kush e këndon. Ngjan me një zë të largët të kënduar dikur. Ai që e këndoi këtë këngë për herë të parë ndoshta nuk është më, por zëri çuditërisht ka mbetur aty si një brengë. Po t’i vësh veshin mund ta dëgjosh këngën deri në fund: “U mblodhëm një natë me shoqëri/, dolli për ty më dhanë/, e piva shishen pa mbarim/, lotkat përdhe më ranë…”. Ndoshta bëhët fjalë për një djalë të dashuruar, që loton dhe kthen shishen pa mbarim, kërkon t’i thotë diçka vajzës që do dhe nuk mundet. E kërkon vazhdimisht dhe nuk e gjen: “Rrugës tënde kur kaloj/, shikoj portën mbyllur/, u ula putha pragun me mall/, sikur të putha ty”! Aty, diku te çezma e Shetros apo te “Panda” do të lindnin shumë histori, aty do të merrte udhë edhe jeta artistike e këngëtares së mirënjohur të qytetit të Korçës, Spanja Pipa, e cila dëshiron të sjellë për lexuesin jetën e saj.

Fillimet

“Te “Panda” kam kënduar edhe unë që kur isha fare fëmijë, nis të na tregojë këngëtarja Spanja Pipa, por që nga ajo ditë do të rridhte shumë ujë. Kishin kaluar vite dhe unë isha bërë këngëtare profesioniste e estradës së qytetit të Korçës.  Tashmë isha e njohur në gjithë qytetin. Isha e para vajzë që u ngjita në skenë për të kënduar. Mëngjeseve, rrugën nga shtëpia te estrada e bëja mes përshëndetjeve të njerëzve. Pse ta fsheh, diku më priste një djalë për të më thënë “mirëmëngjes Spanja!”, diku kapja një vështrim të drojtur, diku një varg kënge që unë e kisha kënduar një natë më parë në shfaqjet e estradës… por atëherë kjo ishte më e shumta që mund të bënte një djalë për të shprehur dashurinë e tij. Ishte gati të puthte pragun e portës, pa mundur të të thoshte asgjë tjetër më shumë. Vajzave u duhej të ecnin me kokën ulur përgjatë gjithë rrugës, sikur nuk vinin re asgjë se çfarë ndodhte. Megjithatë, ndihesha tejet e lumturuar. Ndoshta edhe unë kam qenë po kaq e drojtur. Kur shkoja te radio Korça për të kënduar, djemtë i gjeja duke dëgjuar këngën time pranë altoparlantit që ishte vendosur diku aty përballë “Valbonës”. I shikoja që larg dhe stepesha. Bëja sikur nuk i kisha parë dhe ndërroja rrugën për të hyrë te radioja nga ana tjetër. Ende nuk kisha vendosur për princin tim të kaltër. Kishte raste kur nisja ta përfytyroja si do të ishte ai, por ende ishte shumë shpejt për të vendosur. Kënga do të më rrëmbente të gjithën.

Plakat

Megjithatë për plakat e qytetit kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një marrëzi. Ato rrinin te sofatet e portave dhe më vështronin gjithë çudi. “Si është e mundur të këndojë një çupë në mes të burrave!”  Më ndiqnin me vështrimet e tyre deri sa u humbsja nga sytë. Ishin kureshtare të dinin me kë shkoja në punë, kush më përshëndeste, donin të dinin gjithçka. Për to unë isha si një botë tjetër e panjohur. “Thonë që këndon këngë dashurie me puthje dhe përqafime”, i tregonin njëra-tjetrës gratë e moshuara. Kur m’i tregonin të gjitha këto, më vinte për të qeshur. Diku kisha dëgjuar se portat me sofat ishin shpikur për thashetheme.  Ishte një mënyrë për të përcjellë nga njera portë te tjetra lajmet e ditës. Të hyje në gojën e plakave nuk ishte e lehtë, por kënga kishte nisur të më tërhiqte pas vetes si një magji nga e cila nuk do të shkëputesha dot kurrë, as sot e kësaj dite. Nuk ka shumë kohë që përfundova një sidi me këngët e mia më të bukura. Do të vazhdoj të këndoj deri ditën e fundit të jetës time. Më pëlqen edhe kënga e Sofatit

Panda

Në të vërtetë gjithçka filloi aty te lokali “Panda”. Babai, Dhori, më merrte për dore dhe më çonte atje, sepse aty vinin të gjithë ata që këndonin serenata. Shpesh mblidheshin edhe mbi çezmën e Shetros. Ne shkonim si familje, nuk mungonte as nëna, as vëllezërit Kostandini dhe Petraqi, as motrat Lirika dhe Luiza. Këndonim që të gjithë. Babai dinte të luante edhe në fyell, këndonte edhe me korin “Lyra”. Po kaq bukur dinin të këndonin edhe vëllezërit dhe motrat e mia. Isha mjaft e vogël atëherë, kur babai më thoshte: “Tani do të këndosh ti “Spanja!”. Nuk prisja të më thoshin dy herë. Nisja të këndoja. Të gjitha këngët e serenatës flisnin për dashurinë. Ata që ishin rreth nesh, qëndronin të heshtur dhe më dëgjonin me kërshëri. Babai thoshte: “Spanja do të bëhet këngëtare!” Fjalët e babait filluan ta nxitnin këtë ëndërr edhe në shpirtin tim, por si do të ndodhte kjo, nuk dija asgjë.  Pas meje këndonin të tjerë: “Dashurova sytë e bukur/, sytë e djallëzisë/, më harrove. më shkatërove moj/, ma humbe rininë/. Dhe ti vetëm qaje/, s’pranoje të qeshje/, dhe më thërrisje si e marrë moj, hajde-hajde! Çuditesha pse njerëzit këndonin kaq shumë për dhimbje dhe lot, për zhgënjime dhe humbje, por nuk isha aq e rritur sa t’i kuptoja. Por edhe pse shumë këngë ishin të tilla, mua më dukeshin të gjitha të bukura.  

Ishte e shkruar

Që unë do të bëhesha këngetare duket se kishte qenë e shkruar. Në vitin 1956 fillova punë te artizanati. Pavllo Sholla, mik i familjes tonë, i cili ishte drejtor i grupit artistik të ndërmarrjes e dinte që unë këndoja dhe më mori në grupin artistik bashkë me motrën time Lirikën. Për herë të parë u ngjitëm në skenë dhe kënduam një duet. Nuk kam për ta harruar atë ditë. Dridhesha e gjitha nga turpi dhe emocionet. Ashtu si unë edhe motra ishim në ankth. Salla ishte e mbushur plot. Vështrimet e njerëzve ishin ngulur mbi ne të dyja. Kishte qenë një tmerr i vërtetë. Nuk ishte njëlloj si të këndoje në shtëpi apo të “Panda”. Pas përfundimit të këngës u dëgjuan duartrokitje. Ishte një çast që për mua mbeti i paharrueshëm. Me t’u kthyer në shtëpi u thashë prindërve se isha bërë këngëtare. Kuptova se ata do ta mbështesnin ëndrrën time. Në ditët që do të vinin grupi ynë artistik do të jepte koncerte në të gjitha ndërmarrjet e rrethit. Pata frikë se nëna mund të më pengonte, por ajo tha, dua të bëhesh një këngëtare e zonja dhe e nderuar. Me këto fjalë i kishte thënë të gjitha çfarë kërkonte  nga mua. E kuptova, ajo druhej se mos më përgojonin kur të dilja në skenë për të kënduar. Atë çast e përqafova nënë time me shumë dashuri. Po nënë, iu përgjigja, do të jem një këngetare siç të pëlqen ty.

“Kinezka”

Të nesërmen mora vesh se edhe Pavllo Sholla kishte mbetur  i kënaqur nga interpretimi im. Ishte kjo arsyeja që më dha të këndoja një këngë kineze. Mbeta e habitur kur ma tha këtë gjë. Nuk isha e sigurtë nëse do t’i mësoja dot fjalët, melodia ishte krejtësisht e panjohur për mua, por Pavlloja ishte i bindur që mund ta këndoja. Më veshën me rroba kineze, madje më shndëruan në një kinezkë të vërtetë. Mbaj mend që arrita t’ia dal mbanë. Pata sukses. Njerëzit më dëgjonin gjithë kureshtje dhe habi. Adhuruesit e mi patën rastin të më thërrisnin “kinezka”. Megjithatë dua të them se ishte kohë tjetër atëherë. Vlerësimi ishte i madh. Ishin gjëra që ndodhnin për herë të parë. Më vështronin sikur të isha Perëndi.  Karriera ime kishte nisur të ecte me shpejtësi. Në vitin 1960 fillova punë si këngëtare profesioniste në estradën e Korçës.  Për ata që më prisnin te pragu i portës u duka sikur isha bërë edhe me e largët, por përsëri dëgjoja të këndoheshin këngët: “Sa lotka kam derdhur unë për ty/, sa shumë të kam dashur/, më mirë me ty dhe fukara/, se sa pa ty dhe i pasur…”. Gratë e sofateve vazhdonin të thoshin se bota kishte filluar të prishej, se djemtë dhe çupat po luanin nga fiqiri. Por jeta ime tashmë ishtë shndërrur në këngë. Nisa të merrja pjesë edhe në teatër, vallëzoja, më jepnin role, këndoja këngë, interpretoja parodi me aktorin Aleko Prodani. Te “Karnavalet e Korçës” me regji të Sokrat Mios, lujta rolin e Nastës, kurse te “Sekreti M…M” me regji të Aleko Prodanit pata një monolog të Zenepe Salepit. Mora pjesë edhe te drama e Namik Dokles, “Era e lartësive”. Punova gjithashtu edhe me regjisorët Aleko Skali, Dhimitër Orgocka, Petraq Marjani, Raqi Çili dhe Piro Manin, i cili te “Nata e Dymbëdhjetë” më dha rolin e Maries. Mbaj mend që Maria thoshte: “Muzika është buka e dashurisë”. Ishte një thënie që mua më pëlqente shumë. Nuk besoj se ka njeri në botë që të mos dashurohet pas muzikës. Dashurinë e njerëzve kisha filluar ta ndjeja çdo çast, por ende mendoja shumë pak për princin tim të kaltër.

Këngëtaret

Për shumë kohë do të isha këngëtarja e vetme e estradës. Më pas do të vinte Afërdita Tringovski, Afërdita Katundi, Fatbardha Hoxha dhe Donika Zëre. Gjithashtu grupi i këngëtarve u shtua edhe me Mihallq Zallëmin, Dhimitër Dishon, Niko Qiricin, Nysret Frashërin dhe Premti Trajani. Orkestra përbëhej nga Viktor Çani, Apostol Simoni, Fiqiri Islami, Fuat Sulo etj.  Ndërkohë kisha punuar edhe te estrada e ushtarit me Agim Krajkën, Vilson Gjoçaj dhe Ollga Maliqin. Gjithë vitin ishim të zënë me punë. Shkonim në të gjitha qytet e Shqipërisë, por edhe në të gjitha fshtarat e rrethit të Korçës në kohën e korrjeve dhe shirjeve. Mbaj mend se në shtëpi ktheheshim në orët e vona të natës. Nëna më priste zgjuar deri sa më shihte që kisha hyrë në dhomë. Ajo u nda shumë shpejt nga jeta, por gjithnjë lumturohej kur më shihte të gëzuar. Vinte gjithnjë te estrada për të më ndjekur. “Sot këndove shumë bukur më thoshte, por kam frikë se po lodhesh shumë. Megjithatë pas ardhjes së vajzave të tjera kasha filluar të ndihesha me e qetë.

“Sofati”

Tashmë kënga ishte bërë jeta ime. I isha përkushtuar asaj aq sa kisha harruar gjithçka tjetër. Abaz Hajro, dirigjenti, kompozitori dhe firsamonicisti i talentuar i estradës më thoshte gjithnjë duke qeshur: “Spanja, mundohu ta harrosh ndonjë çast edhe këngën”, dhe pas kësaj si për të mos më lënduar, shtonte: “Të kam sjellë një këngë të re, sapo e kam kompozuar”. Keshtu ndodhi edhe kur me solli kwngwn e titulluar “Sofati”, e ka shkruar Aleko Skali, mw tha, ja, pa këndoje një herë”. Dhe unë nisa me vargjet e para: “Shkoj përditë rrugës sate/, si më parë/, por më parë të kisha ty/, tani kam mall…”. Sofati më kujtonte gjithnjë grate e moshuara të ulura pranë njera- tjetrës duke folur për çuditë e kësaj bote. Ndoshta prania e tyre më kishe ndrydhur krejt, ndoshta isha harruar krejtësisht pas këngës, por sido që të ishte asnjëherë nuk u pendova që princi im i kaltër kishte qenë vetëm kënga. Sot e kuptoj edhe më qartë; të jesh artist nuk është e lehtë, por është ëndrra e tij që i jep krahë të fluturojë, të ëndërrojë dhe të jetë i lumtur.