Vangjush SARO/Kinoregjisori i heshtur Albert Xholi

937
Sigal

Fjalë për autorin e filmave të njohur “Familja ime”, “Fillim i vështirë”, “Shkëlqim i përkohshëm”, “Jeta në duart e tjetrit”, “Besnik Sykja”, etj.

Kinemaja shqiptare e para viteve ‘90, që shpesh merret si një e gjitha dhe për të cilën ka individë që flasin pa nderim, meriton një analizë të gjerë dhe realiste; një analizë që të sjellë pamje të vërteta të saj. Nëse nuk mundemi ta bëjmë këtë në bllok e duke pasur parasysh krejt prodhimtarinë apo pjesë të saj, me të drejtë ndalemi ndonjëherë në emra të veçantë dhe në episode të veçanta. Një prej emrave më të veçantë të kësaj kinemaje, edhe pse nuk del të bërtasë e të duket, si shumëkush, është kinoregjisori Albert Xholi.

I lindur në Korçë në një familje që s’mund të thuash se i kishte mirë punët me shtetin e kohës, Xholi studioi në Institutin e Lartë të Arteve. Ai luajti disa role episodike në një sërë filma dhe punoi për një kohë të gjatë si asistent regjisor. Albert Xholi është i martuar me vajzën e shkrimtarit dhe përkthyesit të persekutuar Mustafa Greblleshi (“Gremina e dashurisë”, “Albumi i një bojaxhiu”, etj.); një nga krijuesit më të talentuar dhe njëherësh më të pafat të këtij vendi. Kaloi shumë kohë, që drejtuesit e Kinostudios të ndiznin për A. Xholin dritën jeshile. Pas një filmi me metrazh të shkurtër, të realizuar bashkë me një koleg, për herë të parë ai mori në dorë ‘megafonin’ e kinoregjisorit në filmin “Familja ime”, me skenar të Rozi Theoharit, një shkrimtare e njohur në atë kohë në gjininë e humorit.

Filmi “Familja ime” është një kinokomedi, por që në vështrimin e A. Xholit merr më tepër trajtat e një drame lirike. Një grua e vjetër, në gjithë kuptimet e kësaj fjale, vjen të jetojë në Tiranë te i nipi. Pra, konflikti është që këtu i ‘siguruar’. Aktualisht, edhe në shtëpinë e të nipit, për shkak të modelit të dashurisë së asaj kohe, që prindërit mëtonin ta kontrollonin, ekziston edhe një konflikt tjetër. Filmi, që nuk ka kurrfarë ngarkese ideologjike dhe s’merret asfare me partinë e kohës, përqendrohet në zgjidhjen e këtyre konflikteve; dhe këtë e bën pa bujë. Loja perfekte e aktorëve Liza Laska (teto Kalina), Roza Anagnosti, Sheri Mita dhe Anila Bisha, i dha filmit një dimension bindës.

“Fillim i vështirë” me skenar të Shpresa Vretos, ishte sfida tjetër e regjisorit A. Xholi; një film po me temë shoqërore, trill mjaft delikat. Do të pasqyroheshin në të marrëdhëniet e vështira midis një burri vejan, por ende mjaft i ri (interpretuar  nga Timo Flloko) dhe një vajzë e thjeshtë (interpretuar nga Marjeta Ljarja) që duhet të kapërcejë një sërë pengesa (edhe djalin përmidis) për të gjetur sadopak qetësi; që të mos përdorim termin lumturi. Ashtu si në kinokomedinë e parë, Albert Xholi, me vetëdije, i largohet ideologjisë dhe temave të angazhuara. Është një meritë e tij që përzgjidhte të tilla skenare, pa ngarkesa politike, pa direktiva, por ngjarje me karakter familjar, që gjithsesi rrezatonin probleme të rëndësishme të kohës; jo ato që agjitonte një pjesë e madhe e krijuesve. Gjithaq përbën vlerë këmbëngulja për t’i mbrojtur ato skenarë (pa politikë) dhe për t’i bërë film.

“Shkëlqim i përkohshëm”, kinokomedia tjetër e këtij kinoregjisori, filloi të konceptohej në vitin 1986*, për t’u realizuar në vitin 1988. Trajton përpjekjet e dëshpëruara të një djali nga një krahinë e largët për t’iu ikur mundimeve të fshatit. I sapokthyer nga ushtria, të cilën e ka kryer në një qytet, ai kthehet në shtëpinë e vet me ‘mendje të keqe’. Dikur arrin e realizon ëndrrën e tij, por duke shkelur mbi veten, duke shfrytëzuar dashurinë e sforcuar me një vajzë qyteti; mbase edhe një pikë talent prej futbollisti. Por që në ndeshjen e parë me fatin, thyhet. Me “Shkëlqim i përkohshëm”, si me të gjithë filmat e tij, A. Xholit iu desh të ‘kapërcente’ disa pengesa; filmi tregoi se në fshat njerëzve iu kishte ardhur në majë të hundës. “Jeta në duart e tjetrit”, me skenar të Lliko Nanos, ishte hapi tjetër i rëndësishëm i Albert Xholit në kinema. Përsëri një subjekt larg politikës dhe ideologjive, larg brohorive gjithashtu; dy të rinj që ëndërrojnë të vijnë e të jetojnë në Tiranë dhe një miku i tyre, që pasi i ndihmon, kërkon të bëjë të vetën gruan e shokut të tij. Monstra është i biri i ‘dikujt’ dhe në emër të tij i pret shpata sa andej-këtej. Për lexuesin, drama e interpretuar me klasë nga Eva Alikaj, është e njohur; gjithaq interpretimet profesionale të Bujar Asqeriut dhe Kristaq Skramit. Sidoqoftë, kinoregjisori i heshtur dhe pa shumë fjalë, mëshoi mbi të vërteta që jo gjithkush merrte guximin t’i thoshte në ato vite. Nuk mund të lëmë pa përmendur ndërkaq dokumentarin e tij “Besnik Sykja”, si dhe bashkëpunimi me S. Kumbaron, për të përfunduar filmin “Vdekja e kalit”, një nga veprat më të arrira të Kinostudio-s, film që hodhi dritë mbi atë se ç’do të ndodhte përgjatë viteve të tranzicionit. Një ish-i burgosur politik (interpretuar nga Timo Flloko) që humbet gruan dhe një pjesë të mirë të jetës së tij. Dhe përndjekësi i tij, një komisar (interpretuar nga Niko Kanxheri) që bëhet deputet; dhe dreqi që e mori atë punë…

Albert Xholi, që tani punon në një studio të thjeshtë dizenjimi në rrugën “Myslym Shyri”, sigurisht ka ende për të thënë; ai ka skenare dhe ide, por nuk ka mbështetje financiare dhe, sidomos, nuk di të shtiret e të lutet. Është e vështirë të ndërrojë njeriu i mbrujtur me modesti e veneracion, i ndërgjegjshëm për aftësitë dhe prirjet e tij, por i pazoti për të rënë në sy në këtë kohë të vështirë për të gjithë, e jo më për një kineast të heshtur… Të shpresojmë për më shumë; sidoqoftë, edhe me ato pak filma që i ka lënë publikut, ai zë një vend të merituar në kinemanë shqiptare, të cilën (bëhet fjalë për vitet ‘80) e ndihmoi të bëhej sadopak e vërtetë.

*Duke qenë skenarist i asaj kinokomedie, i kërkoj ndjesë lexuesit të nderuar për mungesën e modestisë, por do të them disa fjalë më tepër. Me këmbënguljen e Teodor Laços, atëherë përgjegjës i Redaksisë së Filmit Artistik, regjisori Albert Xholi e mori përsipër realizimin e atij skenari; por duke ma bërë të qartë se mjaft gjëra ‘do të ndryshonin’. Disa zgjidhje në fakt ndryshuan kahjen e skenarit. Kështu, në një moment që shpreson se ia hodhi, personazhi (interpretuar nga Xhevahir Zeneli) rend i gëzuar dhe e flak shatin në mënyrë demonstrative diku në një greminë që të merr frika ta shikosh. (Ai i kishte thënë më parë së ëmës se nuk shtyhet jeta ‘me shat në dorë’…) Kurse monologun e Hamletit e reciton duke mbajtur në duar një kafkë dhie, simbol pothuaj i përdhosur në ato kohë. Pati vështirësi në kalimin e skenarit; drejtues të Kinostudio-s bënin njëlloj presioni për ta ‘pastruar’ pak filmin. Për të qenë i sinqertë, kolegu im i heshtur tregoi më shumë durim dhe guxim se unë për ta mbrojtur dhe realizuar veprën në mënyrë realiste.

Kolegë me këmbë në tokë, si aktori Agim Qirjaqi, regjisori Kristaq Mitro dhe skenaristi Nexhati Tafa folën mirë për filmin. Kurse disa të mjerë, që më pas na dolën demokratë të flaktë, paçka se ndonjëri edhe me dosje, bënë kritika te “Zëri i popullit” dhe “Drita”, madje duke na kujtuar ne autorëve…një fjalim të R. Alisë për të rinjtë e fshatit…Gjëra të ngatërruara.