Valbona Xeka: “Dashuria na bën më të bukur më njerëzor”

745
Sigal

Intervista/Flet këngëtarja e mirënjohur e diasporës, Valbona Xeka : Jam pro kirurgjisë estetike

Një këngëtare simpatike, që nuk bën shumë zhurmë, por punon shumë. Dyert e suksesit i ka çelur një e një, saqë sot ndihet e sigurt në hapat që ka hedhur. E lidhur me librin dhe me dijen, ajo është gjithmonë në lëvizje, është gjithmonë në kërkim të së resë, duke e parë jetën plot siguri. Sipas saj në Europë, artisti, këngëtarja vlerësohet shumë. Një mashkull shqiptar nuk jep kaq përkujdesje për një femër.

-Përshëndetje Valbona, sapo keni lançuar në tregun muzikor klipin tuaj më të fundit, “Gusha me Aromë”, më flitni pak më shumë, cilët ishin bashkëpunëtorët?

Po, është e vërtetë, ky klip transmetohet tek “BBF Televizion” dhe është një prodhim i “Max Production”. Kënga është bërë nga i madhi Alfred Sula, me tekst të “2 Steep” dhe make-up “Sallon Aleksi”. Një këngë ku teksti, muzika dhe interpretimi janë në unison dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Jo çdo këngë rrezaton në mënyrë të tillë.

-Në jetë keni bërë arritje. Po të ktheheshe pas në jetën tënde do doje të ndryshoje diçka?

Ah! Jeta ka ligjësitë dhe veçantitë e saj. Por unë mendoj se nuk do ndryshoja asgjë. Besoj se kam vepruar drejt në çdo kohë dhe situatë. Jam përpjekur të gjejë rrugën më të mirë në jetë. Ndoshta dhe kam gabuar, por gabimet janë pjesë e jetës. Gabimet e mia nuk kalojnë në faj, janë shumë të papërfillshme, ashtu sikundër mund të jetë thyerja pa dashje e një gote uji. Gabime pa zarar që kalojnë në mësim konkret.

-Sekreti i bukurisë suaj?

Jetë e rregullt, punë, fitness, ushqim pa teprime, korrektesë, lëvizje. Aktivitete të pandalshme, shëtitje në ajër të pastër dhe një jetë plot gjallëri. Nuk rri pa jetë aktive.

-Ka dashuri të përjetshme?

Besoj se jo. Jeta këtë e ka vërtetuar. Ka pas shumë dashuri të mëdha që nuk kanë përfunduar në përjetësi. Por megjithatë nuk përjashtohen rastet e veçanta. Asgjë nuk është absolute. Jeta ka vërtetuar shumë gjëra. Pra edhe ka. Përcaktimet nuk janë me thikë.

 -Jeni e lidhur me shtypin?

 Gjithmonë lexoj ato çka më duhen për atdheun tim. E gjej kohën kur duhet. Gjej dhe kohën për të lexuar romane. Leximi është pjesë e jetës sime. Çdo gjë fillon me leximin dhe aty mbaron.

-A është shoqëria shqiptare një shoqëri maskiliste?

Besoj se po. Është. Këtë e them me bindje. Në Shqipëri ruhen traditat dhe shumë mirë por ka dhe ca teprime sidomos në raport me hapësirat që duhet të ketë femra. Unë kam krijuar familje jashtë dhe besoj nuk do ta kisha këtë trajtim nga një mashkull shqiptar. Në Europë, artisti, këngëtarja vlerësohet shumë. Një mashkull shqiptar nuk jep kaq përkujdesje për një femër.

-Pro apo kundër kirurgjisë plastike ?

 Patjetër që Pro, kjo gjë është në dëshirën e personit. Gjithkush ka shijet e veta, gustot e veta, defektet e veta. Jetojmë në një shoqëri të lirë, ku asgjë nuk është tabu. Secili e ndjen të nevojshme të përmirësojë një defekt. Këtu nuk ka asnjë të keqe.

-Përkufizo termin Dashuri …

Dashuria … Dashuria çon botën përpara. Dashuria nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë. Dashuria për familjen, për punën, për gjysmën tënde, për gjithçka!  Dashuria është jeta më e bukur njerëzore.

-Çfarë e bën një këngëtare të jetë e suksesshme, sipas jush ?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Më pëlqejnë sfidat, por i marr parasysh edhe pasojat ! Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

Kush është idhulli juaj në fushën e muzikës ?

Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinale dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër e kujdesshme në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.

 Çfarë pëlqen tek njeriu?

Inteligjencën dhe korrektesën. Cilësi që shumë pak i kanë. Me këto cilësi njeriu shpërndan vetëm mirësi.

 Jeni xheloze?

Ka shumë xhelozi. Unë jam xheloze për punën brenda normave për ecjen përpara. Pa xhelozi profesionale jeta ndalon.

 Je penduar për profesionin?

Aspak. Më pëlqen profesioni dhe jeta që bëj. Çdo gjë e bëj me koshiencë.