Vajza e Lasgush Poradecit: Shtëpisë së Kulturës i kanë hequr emrin e babait, shtatorja është dëmtuar

38
Sigal

Vajza e poetit Lasgush Poradeci, Marie Gusho ka deklaruar se qyteti i Pogradecit, nga i cili mori dhe emrin i ati i saj, nuk kujdeset fare për imazhin e tij, pavarësisht se çfarë ka dhënë ky i fundit për atë vend.

Ajo ka theksuar se shtatorja e Poradecit është dëmtuar dhe Shtëpisë së Kulturës i kanë hequr emrin e tij. Sa i përket, shtëpisë muze që i është premtuar, Maria ka thënë se është shumë larg dhe ngelen thjesht fjalë.

“Dua që vepra e tij të përkthehet, jo vetëm në gjermanisht por dhe në anglisht, për këtë kam punuar, për këtë kam luftuar, por këtu çdo gjë është e vështirë. Nuk i duan vlerat shqiptarët. Do zoti bëhet, por unë nuk kam shumë shpresë, sepse Pogradeci e ka eliminuar komplet Lasgushin. Qytetit që ai i mori emrin dhe i fali famën e vetë, e ka abandonuar krejtësisht. Shtëpia e Kulturës që kishte emrin e tij, ia kanë hequr dhe kanë ndërtuar një qendër multifunksionale, që është një shoqëri aksionere ku ata i përthithin të gjitha aktivitet kulturore. Pra, atje nuk ka më shtëpi kulture Lasgush Poradeci, ai monumenti që kanë vënë në qytet te babi, ai po rrënohet. Unë kam 5 muaj që i kam lajmëruar dhe ata nuk e vënë ujin në zjarr fare. Varrin e babit tim e mbytën ferrat. Ky qytet vrapon aty ku janë lekët. Edhe shtëpinë muze bëjnë llafe kot, sepse as nuk kanë ndërmend ta bëjnë”, u shpreh Maria në emisionin “Pas Mesnate”.