Ushtarakë të shquar ndër vite, Ibrahim Gaxholli, një ushtarak që ka lënë pas respekt dhe mirënjohje

1477
Ibrahim Gaxholli, i përkushtuar kurdoherë në detyrë, i kreu me nder e dinjitet ato, me moralin e lartë të njeriut të punës, të përkushtuar për çështjen kombëtare
Atje ku janë rrënjët e fisit
Fisi Gaxholli në fshatin Kërpicë është i dëgjuar jo vetëm në zonën e thellë të Tomorricës, por në të gjithë rrethin e Gramshit. Ai njihet qysh herët për patriotizëm, për mikpritje, besë e trimëri. Ka qenë djep i atdhetarizmit prandaj dhe pinjollët e tij vazhdimisht kanë përkrahur dhe janë përfshirë në lëvizjet patriotike për liri e pavarësi, që në moshë të re kanë rrëmbyer pushkën dhe patriotizmin e kanë përcjellë si stafet nga brezi në brez. I tillë ishte Kapo Gaxholli, një figurë e njohur në fillimet e shekullit 20-të, i cili braktisi ushtrinë osmane, ku ishte rekrutuar si nizamë i saj dhe kthehet në atdheun e tij për tu bashkuar me kryengritësit shqiptarë për të luftuar kundër tiranisë osmane dhe shpalljen e pavarësisë. Ai mori pjesë aktivisht në kryengritjen e vitit 1912, ku me luftëtarët kryengritës të Elbasanit dhe të Gramshit, më 6 gusht 1912, hynë triumfalisht dhe ngritën flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore në qytetin e Elbasanit. Po kështu Kapo Gaxhollin do ta gjeje në ballë të rezistencës me bashkëfshatarët kundër forcave andarte greke që kishin zaptuar një pjesë të madhe të Shqipërisë së Jugut, duke i prerë rrugën në Kërpicë dhe duke i përzënë nga fshati dhe krahina e tyre. Mete Gaxholli është një tjetër pinjolli këtij fisi, trim dhe i besës, cili luftoi në krah të Selam Musait në Luftën e Vlorës të vitit 1920, së bashku me rreth 300 bashkëkrahinor të tij gramshiotë. Ndërsa xhaxhai tjetër, Kajo Gaxholli, me dy bashkëfshatarët e tij, Laze Deliu dhe Zybo Zybaj, kanë marrë pjesë me armë në dorë në revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit 1924, drejtuar nga Fan Noli. Fisi Gaxholli, ashtu si gjithë populli i zonës, e priti me urrejtje dhe indinjatë të thellë pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë më 7 prill 1939. Kështu Rexhep Gaxholli u bashkua që në fillim me çetën e Mestan Ujanikut dhe më pas u inkuadrua në rreshtat partizane të Brigadës 16-të Sulmuese të UNÇL deri në çlirimin e plotë të vendit. Kurse Haki Gaxholli u zgjodh sekretar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit Kërpicë dhe më vonë anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtarë të krahinës së Tomorricës deri në 1945. Kjo shtëpi me burrat e saj trima ishte bazë e LANÇ-it, këtu qysh në fillim komanda e çetës partizane gjeti mbështetje me strehim, furnizime me ushqim e veshmbathje dhe informacione për përballimin e situatës në atë zonë. Pas çlirimit të vendit, nga ky fis dhe në atë ambient patriotësh e fisnikësh në breza, lindën dhe u rritën me traditat më të mira dhe më të vyera edhe dy vëllezërit, Ibrahim dhe Eqerem Gaxholli, të cilët më pas, secili në fushën e tij, bën emër dhe i shërbyen atdheut me besnikëri dhe devotshmëri. Eqeremi në fushën e diplomacisë, ndërsa Ibrahimi në atë të mbrojtjes, si një ushtarak i lartë i Ushtrisë Shqiptare.
Fëmijëria dhe udhësia e arsimimit
Ibrahim Haki Gaxholli lindi në vitin 1941 në fshatin Kërpicë të Gramshit. Që në fëmijëri ai spikati si një djalë i urtë, i sjellshëm, që i respektonte dhe i dëgjonte më të mëdhenjtë, që kishte etje për dituri dhe arsim. Shkollën 7 – vjeçare e kreu në vendlindje, më pas shkon për studime në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, të cilën e përfundoi në vitin 1963. Karrierën ushtarake e nisi si komandant toge dhe komandant baterie në grupin e Artilerisë Tokësore në Ballsh në vitin 1963. Më pas karriera e tij do të njihte vetëm ngjitje: shef zbulimi brigade, komandant grupi të artilerisë së mortajave në Roskovec, komandant grupi, i artilerisë së obuzave 122 mm në Lushnjë dhe në vitin 1973 emërohet komisari i Regjimentit të Artilerisë Bregdetare në Durrës deri në vitin 1975. Në vitin 1975, me vendim të emërtesës më të lartë të asaj kohe, emërohet komisar i Komandës së Forcave të Mbrojtjes së ishullit të Sazanit, ose shkurt komisar i ishullit të Sazanit. Me riorganizimin e ushtrisë dhe kalimin nga struktura e Korpuseve në Divizione, në shkurt të vitit 1983, emërohet komisar i Divizionit të Vlorës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1991. Në vitin 1992 del në rezervë me gradën kolonel. Ndërkohë, Ibrahim Gaxholli, duke qenë oficer i ri nuk ndërpreu dëshirën për arsimim të mëtejshëm: kreu gjimnazin në Lushnje, ndërsa në vitet 1971-1976 përfundoi edhe Universitetin e Tiranës, në degën juridike pa shkëputje nga puna. Më pas ai kryen studimet e larta ushtarake në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe kursin e lartë të Filozofisë. Gjithë këtë arsimim, ushtarak dhe civil, ai i kreu me sukses dhe me vlerësime të larta. Pas daljes në pension, Ibrahimi nuk mund t’i nënshtrohej fatit të keq. Kjo jo vetëm sepse ishte ende në një moshë të re dhe brenda vetes së tij kishte potenciale që ia jepte kultura dhe arsimimi i gjithanshëm që zotëronte, por edhe sepse nevojat e familjes ishin te mëdha, fëmijët i kishte ende të parritur mirë, nxënës dhe studentë. Provoi dhe arriti të fitojë licencën si avokat dhe gjatë viteve 1994 – 2011 punoi në këtë profesion, ndërsa në vitet 2000-2004 ai punoi si avokat në Departamentin e Veteranëve të LANÇ-it pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Kudo ku punoi dhe në të gjitha detyrat që kreu, në ushtri dhe jashtë saj, Ibrahim Gaxholli është shquar për cilësi të larta morale dhe profesionale, për sjellje shembullore me njerëzit, urtësi dhe zemërgjerësi, përherë i respektuar dhe i sakrificës. Për punën, qëndrimin dhe arritjet e tij në jetë Ibrahim Gaxholli është vlerësuar me shumë dekorata dhe medalje. Kështu ai mban Medaljen e Shërbimit Ushtarak, urdhrin “Ylli i Kuq” të klasit të tretë, urdhrin “Për shërbime të shquara në fushën e mbrojtjes” të klasit të dytë, urdhrin e “Skënderbeut” të klasit të tretë etj.
Në krye të drejtimit në ishullin e Sazanit
Pas diplomimit oficer karriere, Ibrahim Gaxholli edhe pse në një moshë të re, u rrit shpejt në karrierë dhe iu besuan njëra pas tjetrës detyra të rëndësishme. Por ajo që spikat në tërë këtë karrierë të gjatë ushtarake më se 30 vjeçare, padyshim që është detyra e komisarit të ishullit të Sazanit, detyrë të cilën e kreu me nder dhe përkushtim për më se 8 vjet rresht, 1975 – 1983. Të caktoheshe në krye të punëve dhe të drejtimit të ishullit të Sazanit në atë kohë nuk mund të ishte kurrsesi një rastësi apo një përzgjedhje nepotiste. Ishulli i Sazanit ishte një pikë e një rëndësie të veçantë ushtarake, ndofta më e veçanta dhe më e rëndësishme e mbrojtjes së vendit. Sazani ishte karakolli i avancuar i mbrojtjes sonë bregdetare dhe si i tillë, në krye të tij duhet të ishin kuadro të zgjedhur, të aftë, por edhe të sakrificës. Dhe Ibrahim Gaxholli e kishte treguar këtë qysh herët në detyrat e ulëta dhe të mesme që kishte kryer si ushtarak karriere. Natyrisht, periudha e shërbimit në Sazan për të është periudha që ai e vlerëson mbi të gjitha segmentet e tjera të karrierës së tij më shumë se tre dekada në ushtri. Kur flet për ishullin e Sazanit ai ndjen një dobësi që i shfaqet dukshëm në sy dhe në tonin e zërit. Ka mall e nostalgji për atë kohë, për dhjetëra, qindra e ndofta mijëra njerëz, oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjës civil me të cilët ai ka punuar e shërbyer në atë vend të vështirë, të izoluar, ka ndarë me ta gëzimet dhe hidhërimet që të fal jeta. Atje ai ka lënë një pjesë të mirë të shpirtit të tij, të jetës së tij. Atje, së bashku me bashkëshorten e tij të shtrenjtë, të ndjerën Elisabetë, ka rritur fëmijët e tij të dashur, Ylli dhe Erjena, duke i edukuar me dashurinë për atdheun dhe me shpirtin e sakrificës dhe të solidaritetit. “Ishulli i Sazanit ka qenë dhe mbetet një fortesë e rëndësishme gjeostrategjike euro-ballkanike. Ai ka njohur pushtime të shumta, qysh nga koha e romakëve, – tregon me nostalgji Ibrahimi. – Ka “rënkuar” nën pushtimin e venedikasve, turqve, francezëve, grekëve etj., por nuk është nënshtruar! Edhe atëherë, me siguri që duhet të ketë patur gjallëri dhe nuk është braktisur. Ashtu si i mbarë vendi edhe Sazani u çlirua në tetorin e vitit 1944. Tashmë ai nuk mund të lihej i braktisur apo i harruar. Nisur edhe nga situatat rajonale dhe më gjerë, shteti i ri i ktheu sytë tek ai dhe nisi ta bëjë një bazë ushtarake, që gradualisht erdhi duke e forcuar dhe armatosur deri në dhëmbë. Jam i bindur që kjo nuk ishte gabim. Ishte koha e Luftës së Ftohtë dhe si një pozicion strategjik që kishte në Mesdhe, ishulli ynë ishte i detyruar të “duronte” peshën e rëndë të armëve, të mbante “malin” e betoneve mbi trupin e tij! Ishte i armatosur, por ishte edhe krenar. Jeta atje gumëzhinte nga gjallëria, nga rregulli dhe disiplina, nga gatishmëria e lartë për ta mbrojtur brenda disa minutave, në qoftë se dikush guxonte të prekte qoftë edhe një pëllëmbë toke apo deti!”… Dhe rrëfimi i tij për Sazanin nuk ka të sosur. Komisar Ibrahimi e konsideron atë si vendlindjen e tij të dytë, pasi atje ka lënë dhe ka marrë kaq shumë kujtime sa që mund të shkruash jo një, por disa libra. Por ajo që të bën përshtypje është fakti që nga ky njeri e ke shumë të vështirë të nxjerrësh apo të qëmtosh sadopak nga puna apo shembulli i tij i drejtpërdrejtë. Modestia dhe thjeshtësia e tij është e admirueshme. Por me këtë rast, po kujtoj një fakt që e ruaj nga kirurgu i famshëm ushtarak Ismail Feta, vite me parë. Nga fundi i viteve ’70-të, kur kirurgu duarartë kryente stazhin e caktuar për mjekët ushtarakë në Sazan, një natë të vonë ai ishte njoftuar se komisari i ishullit ndodhej në gjendje kritike shëndetësore. Nga konsulta që bëri, apendesiti i tij ishte acaruar dhe paraqiste rrezikshmëri për jetën. Bashkë me komandantin e ishullit kishin vendosur të lajmëronin një helikopter të Bazës së Farkës për ta transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por komisar Ibrahimi kishte kundërshtuar. “- Ju lutem, më bëni ndërhyrjen këtu, në spitalin e ishullit, – kishte kërkuar ai, duke shtuar: – Dy ditë më parë kështu u veprua edhe me një ushtar apo jo doktor”?! Dhe Ismail Feta nuk kishte kundërshtuar, por menjëherë kishte vepruar sipas kërkesës së komisarit… 
Komisari i Divizionit të Vlorës
Në shkurtin e vitit 1983 në ushtrinë shqiptare u bënë disa reforma të thella, të cilat u konkretizuan në një strukturë të re, duke kaluar nga struktura e Korpusve në atë të Divizioneve. Pikërisht në këtë kohë mbi bazën e ish-Korpusit të Katërt të Fierit u krijuan tre divizione: Divizioni i Fierit, Divizioni i Lushnjës dhe Divizioni i Vlorës. Ibrahim Gaxholli, tashmë një drejtues i lartë dhe i pjekur emërohet në detyrën e komisarit të Divizionit të Vlorës. Ai ishte tashmë edhe një njohës i mirë i bregdetit shqiptar dhe i profilizuar në organizimin dhe drejtimin e mbrojtjes sonë bregdetare. Pas një pune më se 8 vjeçare në ishullin e Sazanit, tashmë ai do të merrte një detyrë më të lartë dhe ky ishte një vlerësim tjetër që i bëhej punës dhe kontributit të tij si një ushtarak karriere. Vlora ishte një drejtim strategjik kryesor, i dyti pas atij të Durrësit dhe Ibrahimi do të vinte në krye të kësaj njësie të madhe ushtarake që do të mbulonte pikërisht këtë drejtim nevralgjik të mbrojtjes sonë. Divizioni i Vlorës mori emrin e Selam Musait dhe kjo do të ishte për komisar Ibrahimin një koencidencë e bukur, sepese dikur një xhaxha i tij, Mete Gaxholli, kishte luftuar bashkë me Selam Musanë në luften e Vlorës më 1920 kundër pushtuesve italianë. Kështu pra u bashkuan sërish në Vlorën e Flamurit Selam Musai me Gaxhollët, por këtë herë me nipin e Metes, për të mbajtur dhe ngritur më lart nderin e lavdinë e Heroit, por dhe për të forcuar konsoliduar ushtrinë shqiptare dhe për të mbrojtur atë tokë të vaditur me gjakun e Selam Musait dhe qindra e mijëra dëshmorëve të tjerë. Në këtë detyrë të lartë Ibrahim Gaxholli do të qëndronte deri në vitin 1991, vit të cilin ushtria shqiptare nisi një reformim krejtësisht të ri, diktuar edhe nga ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipëri. Si komisari i Divizionit të Vlorës Ibrahim Gaxholli tregon se bashkëpunimin me komandantin e Divizionit dhe kolegun e tij Skënder Sera e ruan edhe sot si një vlerë të veçantë. Me të dhe me shtabin e Divizionit kanë pasur një unitet mendimi e veprimi, që spikaste në çdo veprim kolegjial dhe në çdo detyrë dhe arritje të përbashkët. Komisar Ibrahimi tregon se detyra luftarake e këtij Divizioni ishte mbrojtja e kufijve jug-perëndimor të vendit, duke filluar nga derdhja e Vjosës deri NT Saranda dhe në thellësi deri në kufi me Tepelenën dhe Gjirokastrën. Kjo njësi bashkëvepronte me divizionet e Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës. Divizioni i Vlorës ka qënë një nga Divizionet më të rëndësishëm të të gjithë ushtrisë shqiptare. Ai përbëhej nga disa njësi (brigada, regjimente) të këmbësorie (gjitharmëshe), artilerie tokësore, kundërajrore dhe bregdetare, njësi detare etj. Në kanalin e Otrantos, – tregon Ibrahimi, – lundronin vazhdimisht anije luftarake sovjetike dhe amerikane si kryqëzorë, fregata, nëndetëse etj. Pas largimit nga Baza e Vlorës, Flota Sovjetike e Mesdheut ankorohej shpesh në portet detare të ish-Jugosllavisë, sidomos në Split, Dubrovnik etj. Megjithëse lundronin përgjatë dhe në afërsi me ujërat tona territoriale, ato nuk i shkelën ato. Këto lundrime të flotës sovjetike bëheshin me qëllime të caktuara: mbajtjen nën vëzhgim të bregdetit shqiptar dhe të kanalit të Otrantos; lëvizje për qëllime zbulimi nëpërmjet mjeteve të radiozbulimit të situatës politike dhe ushtarake të vendit tonë, si dhe mbajtjen nën tension të mbrojtjes sonë bregdetare. Ne gjithmonë i shoqëronim ato me anijet tona luftarake, nëndetëset viheshin në gatishmëri. Po kështu edhe aviacioni. Pas ngjarjeve të viteve 1981-1984 (proceseve politike të ndodhura në vendin tonë) u intensifikuan rastet e prekjes së ujërave tona detare, prandaj dhe ne rritëm gatishmërinë luftarake. Divizioni i Vlorës, që përfshinte edhe ishullin e Sazanit, kishte në dorë të sigurtë çelësin e kanalit të Otrantos dhe siguronte mbrojtjen e bregdetit tonë nga ndonjë konflikt i mundshëm ushtarak në rajon dhe më gjerë. Ibrahim Gaxholli flet me shumë respekt dhe dashuri për popullin e Vlorës, në qytet dhe në fshatra. “Emrimin tim në krye të këtij Divizioni, – tregon ai, – fillimisht e prita pak si me shqetësim, sepse mendoja nëse do ta kryeja me sukses këtë detyrë të lartë e të rëndësishme, nëse do të mund t’i shërbeja me aq përkushtim dhe besnikëri popullit të Vlorës heroike. Por përvoja që kisha fituar në ishull më bënte optimist. E them me bindje se, cilido që ka shërbyer si ushtarak në Vlorë, në çdo rang apo detyrë që të ketë qenë, ka pasur një privilegj. Populli i Vlorës dhe në përgjithësi vlonjatët kanë një gjë të veҫantë, ata historikisht e kanë dashur ushtrinë, i kanë dashur dhe respektuar ushtarakët në të gjithë kohërat. Dua të jem i ndershëm dhe korrektë me vlonjatët, pasi unë tek ata gjeta mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të tyre në kryerjen e detyrës. Këtë e kisha provuar edhe në Sazan, por kur erdha komisari i Divizionit në Vlorë këtë të vërtetë dhe cilësi të rrallë të tyre e ndjeva më mirë. Dashuria dhe respekti ndaj ushtarakëve nuk është një gjë rastësore, përkundrazi, është një gjë e kultivuar dhe e trashëguar nga brezi në brez, e cila lidhet me jetën dhe mbrojtjen e atdheut. Dhe vlonjatët këtë e kanë treguar sa herë që atdheu dhe fatet e tij janë rrezikuar”. Vlerat patriotike populli i Vlorës dhe vlonjatët, – vijon rrëfimin e tij Ibrahimi, – i treguan edhe në ngjarjet e eksodit të vitit 1990. Ishin kohë të vështira, të panjohuar nga ne. Në Vlorë erdhën edhe shumë njerëz nga qytetet e tjera të vendit dhe donin të rrëmbenin edhe anijet luftarake për të emigruar. Ishte gjendje e vështirë, ushtria mbajti një qëndrim patriotic, ajo nuk u përfshi në këto ngjarje, por u përpoq që të ruaj anijet dhe pasurinë shtetërore, pa ushtruar dhunë dhe pa prekur asnjë qytetar. Urdhri ynë dhe i drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes ishte të mbronim mjetet ushtarake. Mobilizimi i disa njësive rezerviste u përgjigjën për ruajtjen e mjeteve dhe depove, por jo të qëllonin mbi popullin. Nuk kishim eksperiencë dhe nuk kuptonin se emigrimi ishte një rrugë për një jetë më të mirë. Perëndimi kishte emigruar 300 vjet më parë në Amerikë për një jetë më të mirë… 
Komisar fjalëmbël dhe shpirtmadh 
Ibrahim Gaxholli, i përkushtuar kurdoherë në detyrë, i kreu me nder e dinjitet ato, me moralin e lartë të njeriut të punës, të përkushtuar për çështjen kombëtare. Është e vërtetë që ai arriti të ngrihet në detyra të larta duke mbajtur për shumë kohë funksionin e komisarit. Ky funksion ishte i nderuar në kohën e epopesë më të lavdishme të popullit shqiptar, LANÇ-it dhe i tillë u trajtua edhe më pas. Për fat të keq, sot nga disa elementë keqdashës, figura e komisarit anatemohet, si një funksion që kryhej nga njerëz të ideologjizuar të sistemit monist, por kjo është sa e gabuar aq edhe e dëmshme. Figura e komisarit simbolizonte njeriun e mirë, të dashur me njerëzit, punëtor e atdhetar dhe të tillë kishte plot ushtria jonë e asaj kohe. Komisarët e niveleve të ndryshme ishin njerëz të mirëarsimuar, të aftë profesionalisht dhe që gëzonin respekt dhe autoritetin e duhur para vartësve. I tillë ishte edhe Ibrahim Gaxholli. Ai ka qenë kuadër drejtues aktiv, që ka lënë emër, mbresa dhe kujtime të paharruara në masat e gjëra të ushtarakëve me të cilët ka punuar. Gjithnjë me një personalitet dhe figurë të devotshme, me veti e cilësi të larta moralo-politike, e karakterizonte thjeshtësia e ndershmëria dhe lidhjet e ngushta me masën e ushtarëve, oficerëve dhe popullin kudo ku shërbeu. “Gjatë karrierës time, – tregon ai, – kam punuar pothuaj me të gjithë lidershipin ushtarak të kohës, duke filluar nga gjeneralët e luftës B.Balluku, P.Dume, H.çako, M. Shehu, R.Parllaku, por edhe më të tjerë si P. Murra, K. Mustaqi, V. Llaka, K. Karoli etj. Vlerësimi im për ta është mjaft pozitiv, secili prej tyre ka kontributin e tij në forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit tonë. Po kështu janë shumë e shumë kuadro të lartë ushtarakë që kanë punuar me përkushtim për forcimin e mbrojtjes së rajonit të Vlorës. Dua të përmend disa nga ata që kanë drejtuar njësitë e repartet ushtarake të dislokuara në Vlorë e në distriktin e saj detarë si: kundëradmiralët A. Mati, Z. Mero dhe T. Sejko, oficerët e lartë N. Muho, Festim Tefa, Vladimir Beja, S. Abazi, Ilo Thimjo, Ilir Hoxha, Sali Shirka, Hasan Oparaku, Nexhip Shkëmbi, te paharruarin Tajar Cinari ish-Komisar i ishullit te Sazanit si edhe kuadro të tjerë ushtarakë të lartë, të cilët drejtuan më vonë njësitë ushtarake në Vlorë dhe, në pamundësi për t’i përmendur emrat, u dërgoj përshëndetje të sinqerta atyre dhe familjeve të tyre të respektuara kudo ku janë”. Pikërisht nga shumë nga këta kuadro të mirënjohur ushtarakë, Ibrahimi mori shprehinë dhe staturën e një organizatori, takticieni dhe drejtuesi të lartë i njësive ushtarake. Edhe autorët e këtij shkrimi e kanë njohur nga afër Ibrahim Gaxhollin dhe ruajnë për të konsideratë dhe vlerësim të veçantë, si një kuadër ushtarak i kulturuar dhe me aftësi profesionale, i thjeshtë, shumë komunikues dhe zemërgjerë. I tillë ishte ai edhe kur kryente detyra të ulëta, edhe kur arriti në detyra të larta. I tillë ka mbetur edhe sot. I nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e kanë njohur në punë dhe në jetë. Ndonëse po i afrohet 75 viteve dhe shëndeti ka filluar t’i rëndohet, Ibrahim Gaxhollit nuk i janë zbehur cilësitë e tij më të mira njerëzore, ai ka mbetur ashtu siç e kemi njohur, i dashur dhe i respektuar, fjalëmbël e shpirtmadh, që i do njerëzit pa interes, e do jetën dhe përpiqet ta përballojë atë me kurajën dhe optimizmin që e ka karakterizuar përherë. Jetë të gjatë komisar Ibrahimi!
Muharrem Dardha & Hysen Tabaku
Sigal