“Trio vlonjate”, grupi që bëri të njohur këngën popullore qytetare vlonjate

2874
Nga Ergys ALUSHI
Në repertorin e grupit, këngët më të bukura do të ishin “Dy pëllumba mbi çati”, “Thëllëzat që hedhin valle”, “Hajde moj kumbulla vlonjate”, “Nën portokalle moj”, “Te porta me llamarinë”, “Ezmerkë lezet me kripë”, etj .Asaj kohe, “Sazet e Vlorës” mblidheshin e luanin muzikë kryesisht në lokalin e babait të Themistokli Mone, i cili do të kishte pas Luftës së Dytë Botërore një rol të rëndësishëm në përpunimin e këngës qytetare vlonjate dhe krijimin e grupit të njohur me emrin “Trio vlonjate”. Ky grup muzikorë do ta ndërpriste aktivitetin e tij, kur gjermanët e ardhur në Vlorë pas kapitullimit të Italisë, në vjeshtën e vitit 1943, do të arrestonin dy vëllezërit e Reshatit e do t’i dërgonin në kampet e përqendrimit, për të mos u kthyer më. Në repertorin e grupit në të gjithë historinë e tij mendohet se janë më shumë se 150 këngë popullore qytetare vlonjate, të cilat deri sot janë të pambledhura,. me qëllim ruajtjen e tyre dhe botimin për t’u shërbyer brezave. 
Diku në një nga ditët e fundit të muajit maj të vitit 1950, tre këngëtarë do të bashkoheshin për të kënduar së bashku disa këngë qytetare vlonjate të përpunuara nga kompozitorët Themistokli Mone e Reshat Osmani.Ata do të ishin Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe Bersharete Ismaili. Këta do të ishin pjesëtarët e parë të asaj që më vonë do të njihej si “Trio vlonjate”.

Në vitin 1953, grupit do t’i bashkohej këngëtarja Meliha Doda, që do të zëvendësonte Bersharete Ismailin. Përpunimi i këbgëve të trevës së Vlorës dhe këngët e kënduara nga të mirënjohurit në Vlorën e viteve ’30-40, Bilbil Ceno e Asim Ceno. Grupi iI ri i këngëtarëve shumë shpejt do të fitonte popullaritet, jo vetëm në qytetin e Vlorës, por edhe në qytete të tjera, duke u bërë i dallueshëm për karakteristikat e zërit dhe të këngëve që këndonin.

Në repertorin e grupit, këngët më të bukura do të ishin “Dy pëllumba mbi çati”, “Thëllëzat që hedhin valle”, “Hajde moj kumbulla vlonjate”, “Nën portokalle moj”, “Te porta me llamarinë”, “Ezmerkë lezet me kripë” etj.

Para “Trio vlonjate” – tradita
Këngët polifonike të trevës së Vlorës dhe sazet e hershme, ishin baza e këngës popullore qytetare vlonjate. Qyteti i Vlorës, në fillimet e shekullit të 20 ka pasur muzikantë të talentuar, të cilët gjallëronin sadopak jetën e asaj kohe, dasmat e gëzimet e familjeve vlonjate.

klaniretisti Bilbil Ceno dhe violinist Asim Ceno kanë qenë dy nga muzikantët me emër jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera afër me Vlorën. Ata ishin pjesë e familjes Cenaj që ishte një familje e madhe artistësh, të cilët me veglat muzikore që u binin dhe këngët që këndonin, mbushnin monotoninë e viteve 30-40 në qytetin e vlorës. Në vazhdimin e viteve, të tjerë orkestrantë populloë do t’i shtoheshin familjes Ceno si Saba Arizaj, Vizhdan Mersini, Dule e Vasillaq Ceno. Asaj kohe, “Sazet e Vlorës” mblidheshin e luanin muzikë kryesisht në lokalin e babait të Themistokli Mone, i cili do të kishte pas Luftës së Dytë Botërore një rol të rëndësishëm në përpunimin e këngës qytetare vlonjate dhe krijimin e grupit të njohur me emrin “Trio vlonjate”.

Kontributi i Themistokli Mone
Me të drejtë mund të konsiderohet “babai” i këngës popullore qytetare vlonjate dhe i grupit “Trio vlonjate”, duke bërë bashkë e ngjitur në skenë tre këngëtarë që i dhanë emër dhe e bënë të njohur Vlorën, me këngët e bukura vlonjate, të cilat edhe sot këndohen në të gjithë vendin, duke u dalluar menjëherë se janë “këngë të Vlorës”. Rridhte nga një familje me tradita në fushën e kulturës. Ai vet do të studionte në konservatorin e Romës, dëshirë kjo dhe e babait të tij, të cilin nuk e përfundoi dot për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Roli i tij është i padiskutueshëm në jetën artistike të qytetit të Vlorës, pas Luftës së Dytë Botërore, duke spikatur me energjinë dhe përkushtimin e tij për të organizuar koncerte dhe argëtuar bashkëqytetarët e tronditur nga pasojat që kishte lënë Lufta në qytet. Ka një kontribut të gjithanshëm në jetën kulturore e artistike të Vlorë që nga këngët për fëmijë e deri tek opereta e tablotë muzikore për të vegjël e për të rritur.
Roli i Reshat Osmanit
Në këtë atmosferë artistike do të rritej Reshat Osmani, që do të ishte kompozitori dhe lideri i “Trios vlonjate”. Në shtëpinë e tij do të krijohej një grup muzikor , pasi familjarët e tij ishin muzikantë, të cilët do të luanin muzikë e këndonin këngë në lokalin e babait të tyre, Rakip Osmani, fillimisht dhe kryesisht për të tërhequr njerëz në lokal, por më pas dhe si një grup muzikor që do të luante rol në jetën artistike të qytetit. Ky grup muzikor do ta ndërpriste aktivitetin e tij, kur gjermanët e ardhur në Vlorë pas kapitullimit të Italisë, në vjeshtën e vitit 1943, do të arrestonin dy vëllezërit e Reshatit e do t’i dërgonin në kampet e përqendrimit, për të mos u kthyer më. Reshat Osmani ishte një muzikantë i lindur dhe dinte t’u binte shumë veglave muzikore, ndërkohë që shkonte shpesh së bashku me Themistokli Monen, në fshatrat e Vlorës ku dëgjonte e mblidhte këngë të vjetra popullore të cilat më pas i përpunonte dhe i këndonte vetë ose me të tjerë, ende pa u krijuar “trio vlonjate”.

Si lindi kënga qytetare vlonjate?
Nga grumbullimi i materialit në fshatrat e Vlorës, tradicional dhe origjinal, dy kompozitorët Themistokli Mone dhe Reshat Osmani, por edhe me mendimin e të tjerëve muzikantë të Vlorës, u arrit në përfundimin se lloji i orkestrës që i shkonte për shtat këngës popullore qytetare vlonjate ishte fizarmonika, klarineta e defi. Efektet ishin menjëherë pozitive. Këngët e kënduara nga “Trioja vlonjate” të shoqëruara nga kjo orkestër u pritën mirë në popull dhe ishin lehtësisht të kuptueshme dhe që mësoheshin lehtësisht për t’u kënduar. Kënga popullore qytetare vlonjate ka kryesisht karakter lirik, i kushtohet dashurisë, jetës, realitetit të përditshëm shoqëror e familjar. Ndër vite kënga qytetare vlonjate pati një rritje cilësore, duke ndryshuar shumë nga fillimet e saj, aq sa dy kompozitorët filluan që t’i kompozonin këngët në përshtatje me zërat, stilin dhe karakteristikat e këngëtarëve që përbënin “Trion vlonjate”. Në repertorin e grupit në të gjithë historinë e tij mendohet se janë më shumë se 150 këngë popullore qytetare vlonjate, të cilat deri sot janë të pa mbledhura, me qëllim ruajtjen e tyre dhe botimin për t’u shërbyer brezave.

“Trio vlonjate”
U krijua në mesin e vitit 1950, fillimisht me Kostandin Thanën, Reshat Osmanin e Bersharete Ismailin, ndërsa në vitin 1953 në grup u afrua Meliha Doda, me origjinë nga Prizreni, e ardhur në Vlorë në vitin 1952, për të punuar si mësuese. Kostandin Thana ishte nga qyteti i Shkodrës, por familja e tij ishte vendosur në Vlorë që para Luftës së Dytë Botërore. Në “Trion vlonjate” Reshat Osmani kishte zërin e parë, Kostandin Thana, zërin e dytë dhe Meliha Doda, zërin e tretë. Në përbërje të orkestrës së grupit të mirënjohur vlonjat, ishin Babush Osmani, Mishel Lako, Dola Sareta, Vizhdan Mersini, Skënder Bute, Dule Ceno etj. Në vitet ’79 në përbërje të grupit do të bashkohej dhe një tjetër këngëtare e mirënjohur e këngës popullore qytetare vlonjate, Kleopatra Skarço. Në festivalin botëror të këngës popullore që u zhvillua në vitin 1957 në Moskë, “Trio vlonjate” do të arrijë suksesin e vendit të tretë, duke fituar simpatinë jo vetëm të publikut rus e nga gjithë bota por edhe të shumë kompozitorëve, të cilët në vitet në vazhdim patën interes për ta studiuar këngën popullore qytetare vlonjate për vetë karakteristikat dhe origjinalitetin e saj, ku ndërthurej bukur polifonia dhe sazet e vjetra.
Sigal