Tre net magjike në Tropojë

1036
Sigal

Nga Ramazan ÇEKA

Sukses i jashtëzakonshëm i “Sofrës Dardane”

NOA

“Sofra Dardane” ky aktivitet madhështor që këtë vit mbushi 16 vjet, u shtrua në këtë qershor më e begatë dhe më e suksesshme se asnjëherë tjetër më parë, pasi ajo përkonte me 140-vjetorin e Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit, e asaj bese që populli shqiptar u betua që ta mbajë deri në ditën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë. Prijës shqiptarë, intelektualë, por edhe njerëz të thjeshtë, formuan në këtë kohë një ushtri mbarëshqiptare të lirisë, që i paraprinë 28 Nëntorit të vitit 1912. Gjithë kjo histori 140-vjeçare përkon njëkohësisht edhe me Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por edhe me 12 Qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës. Kështu për tre netë me radhë më datat 10, 11, 12 qershor, startoi ky aktivitet, duke shpalosur mikpritjen e bujarinë në sofrën madhështore, “Sofra Dardane” siç i ka hije kësaj krahine me tradita të lashta shqiptare. Dardania nuk është thjeshtë një nocion historik, por është emri i lashtë i kësaj krahine historike dhe bën krenar çdo banor që sot është trashëgimtar i saj. Jo më kot kjo sofër i kalon caqet e Tropojës, është më e gjerë dhe më e madhe, sepse është “Sofra Dardane”.Në këtë shkrim nuk ka nevojë të lavdëroj mënyrën e organizimit të saj, pasi për të ardhur tek kjo ditë, çdo gjë është e menduar mirë dhe e organizuar deri në perfeksion. Vetë organizatori kryesor është një zot shtëpie që i din të gjitha rregullat “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar” me president z. Azgan Haklaj. Natyrisht mbështetja e Bashkisë së Tropojës, si në të gjitha edicionet e tjera edhe në këtë edicion meriton të gjitha lavdërimet nga artistët pjesëmarrës, qytetarët tropojanë, por edhe nga të gjithë miqtë e ftuar në këtë sofër nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria dhe Diaspora. E mrekullueshme dhe elektrizuese startoi nata e parë e këtij aktiviteti në stadiumin e lojërave me dorë të qytetit të mrekullueshëm që mban emrin e një heroit të madh kombëtar, siç është Bajram Curri, e këtij qyteti që ka hedhur themelet e tij në rrëzë të Shkëlzenit, e këtij qyteti që amplifikon jehonën e shpellës së Dragobisë dhe gurgullimën e ujërave të kristalta të Valbonës.

Të gjitha këto emocione i sollën në këtë spektakël artistët e mbledhur nga të gjitha trojet. Këtu u këndua për historinë, për trimërinë, për mikpritjen dhe bujarinë, u këndua për dashurinë, por edhe për problemet e mëdha që ka sot kombi ynë, deri në bashkimin e tij. Në këtë spektakël u ngjitën në skenë këngëtarë të mrekullueshëm të skenës shqiptare, të cilët ishin të ftuar specialë, si “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, “Mjeshtrja e Madhe” Fatmira Breçani dhe bilbili i këngës kosovare Shkëlzen Jetishi. Me një performancë të shkëlqyer u paraqitën edhe Ansambli i Këngëve e Valleve “Gryka e Kaçanikut”, Ansambli Autokton “Rugova”, Ansambli “Agimi” Prizren, Ansambli “Maja e Karafilit” Plavë-Guci, si dhe shumë Ansamble të tjera. Impresionuese ishin për gjithë publikun performancat e dy vogëlusheve Klara Hasukaj nga Tropoja dhe Ardena Gjonbalaj nga Plavë-Gucia, të cilat ishin shembulli më i mirë që tregon se kjo sofër do të shtrohet, jo vetëm për 16 vjet, por për 160 vjet e mijëra e mijëra vjet. Kushtet atmosferike, natën e parë të këtij spektakli, nuk qenë të favorshme, por Grupi Artistik “Dardania” nga Tropoja, i drejtuar nga maestro Skënder Doshlani e sfidoi motin gjatë performancës së tij “live”, duke u bërë në një farë mënyre si një çadër e madhe për të gjithë spektatorët. Kjo sepse në këtë sofër nuk këndonin zërat, por zemrat. Këngëtarë dhe interpretues, muzikantë e valltarë, u ngjitën në skenë si artistë të vërtetë, por gjithmonë ndoshta dikush duhet veçuar, e sidomos kur bëhet fjalë për artistë të rinj. E tillë ishte këngëtarja e re e mrekullueshme, me një zë brilant Agnesa Breçani, të cilës jo vetëm Zoti, por edhe familja i kishte trashëguar gjenin e një talenti shumë premtues. Koncerti zgjati tre net me me një pjesëmarrje të madhe të një spektatori të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, e në të vërtetë ky nuk ishte thjeshtë një koncert, por një sofër e madhe që Tropoja shtroi në shtëpinë e saj. “Mjeshtri i Madh” i koreografisë Deli Metalia dhe kompozitori Skënder Doshlani i bënë një vlerësim këtij evenimenti, duke u ndalur në radhë të parë në vlerësimin e punës së “Unionit Artistik të Kombit Shqiptar” si ideator dhe organizator, natyrisht duke lavdëruar edhe ndihmën e madhe të Bashkisë Tropojë. Ata u ndalën në vlerësimet e tyre edhe tek niveli i lartë artistik e profesional i grupeve dhe këngëtarëve pjesëmarrës. Veprimtari i shquar z. Tahir Gjonbalaj nga Plavë-Gucia, i cili ishte i ftuar nderi në këtë sofër, u shpreh shumë i emocionuar për këtë veprimtari kulturore e artistike duke shpalosur edhe ai vlerësimet më të larta për mikpritjen dhe bujarinë tropojane, duke i ftuar të gjithë që në muajin gusht të këtij viti, të jenë mysafirë në sofrën e Plavë-Gucisë. Në mbyllje të aktivitetit, Presidenti i “Unionit Artistik të Kombit Shqiptar” z. Azgan Haklaj, në fjalën e tij falënderoi qytetarët tropojanë, miq të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por në mënyrë të veçantë artistët e mrekullueshëm që i japin vlera të jashtëzakonshme këtyre aktiviteteve. Në mbyllje të shkrimit dua të jap dhe informacione në lidhje me vlerësimet që iu bënë performancave të artistëve pjesëmarrës.

Natyrisht ky aktivitet kishte edhe jurinë e tij të përfaqësuar nga regjisori i famshëm Osman Mula, “Mjeshtër i Madh”, Deli Metalia “Mjeshtër i Madh”, Skënder Doshlani-kompozitor, si dhe Enida Çami-drejtoreshë e projekteve të “Unionit Artistik të Kombit Shqiptar”, të kryesuar nga maestro Ermir Dizdari “Mjeshtër i Madh”, i cili në fjalën e tij u shpreh se përzgjedhja e çmimeve ka qenë e vështirë. Megjithatë si në fund të çdo aktiviteti u dhanë edhe çmimet përkatëse. Çmimin e parë e fitoi Ansambli Autokton “Rugova”, çmimin e dytë “Folk ALB” Tiranë, çmimin e tretë Shoqëria Kulturore “Çeta e Profetëve” Has, çmimi “Viti i Skënderbeut” iu dha Ansamblit “Vitia” dhe “Presheva Jehon”. Çmimi “Lidhja e Shkrimtarëve të Prizrenit” iu dha Ansamblit “Agimi” Prizren dhe Ansamblit “Maja e Karafilit” Plavë-Guci. Çmimi “Ansambli më i mirë” iu akordua grupit të Deçanit, çmimi “Teksti, kompozimi dhe interpretimi më i mirë” Linda Gjonbalaj, Plavë Guci, si dhe plot çmime të tjera inkurajuese. Ndodh që gazetarët dhe kameramanët e televizioneve që sakrifikojnë në aktivitete të tilla mos të përmenden, por unë këtu dua të përmend disa prej tyre, duke vlerësuar punën e shkëlqyer të stafit të televizionit 21 të Kosovës, të përbërë nga gazetari Abaz Krasniqi dhe kameramani Fatos Veseli. Ky aktivitet madhështor u pasqyrua në media prestigjioze, si nga Televizioni Publik Shqiptar, Top Channel dhe TV 21 i Kosovës.