Transparenca – cilësia ose gjendja për t’u bërë transparent

876
Merriam-webster në faqen https://www.merriam-webster.com/, paraqet si një nga përcaktimet e fjalës “transparency” – the quality or state of being transparent (e cila shqipërohet për një person me një anglishte modeste), në “cilësinë ose gjendjen për t’u bërë transparent”. Është një frazë sa e thjeshte për dëgjuesin dhe tejet e pranueshme për t’u aplikuar, por kjo frazë është po aq dhe e komplikuar, për subjektin që duhet të bëhet transparent, pasi ekzistojnë varianti hamletian: 

To be or not to be… 
që ka lidhje me dëshirën për të qenë transparent dhe në bazë të dëshirës ka një vendimmarrje, si dhe varianti, sa i përgatitur është në thelb për të bërë transparent, vendimmarrje të cilat “kryqëzojnë” subjektin në vetvete dhe kjo është e lidhur me përgjegjshmërinë e të bërit vendimmarrje. Rëndom, sigurisht dhe për shkak të situatës politike, ka akuza të rënda lidhur me mos bërjen publike të vendimmarrjeve të caktuara nga ana e Qeverisë, me pasoja për taksapaguesin, arsyet pse mbahen dhe cilat janë këto vendimmarrje, nuk janë objekt i këtij shkrimi, pasi për çështje të caktuara Kontrolli i Lartë i Shtetit është shprehur në raportet zyrtare të tij. Qëllimi në fakt është se çfarë pasojash sjell mungesa e transparencës nga cilido institucion, i cili qëndron në këmbë dhe shpenzon paratë e taksapaguesve dhe çfarë vlere të shtuar i shtohet atyre institucioneve që kanë një qasje të mirë ndaj transparencës. Nocioni transparencë është shndërruar në një nga temat më shpesh të përdorura kur bëhet fjalë për konceptin e mirëqeverisjes së mirë. Mashtrimi dhe korrupsioni në sektorin publik lulëzojnë, aty ku përgjegjshmëria dhe transparenca mungojnë. Në këtë drejtim, kur flitet për qeverisje të mirë, në esencë mendohet për frymën e integritet në nivel institucional, me të cilën do të inkurajohet dhe do të mundësohet pavarësi, profesionalizëm dhe llogaridhënie gjatë kryerjes së kompetencave të përcaktuara që, sidomos vende si i yni, e kanë të nevojshme. Transparenca, është një forcë e fuqishme, që kur aplikohet vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur, mund të ndihmojë në shmangien e veprimeve korruptive dhe përmirësimin e qeverisjes, duke nxitur kështu llogaridhënien para publikut që i ka zgjedhur. Zhvillimet e sotme në sferën globale dhe kombëtare, kanë sjellë nevojën e rritjes së kontributit të Institucioneve Supreme të Auditit, për të çuar përpara qeverisjen e vendeve të tyre, duke promovuar vlerat në rritje për përsosjen e principeve të llogaridhënies dhe transparencës dhe të udhëheqë me shembullin e vet e të rrisë besueshmërinë publike. INTOSAI, përmes Deklaratës në Kongresit XXII të Abu Dhabit, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ishte pjesëmarrës me delegacionin e vet, cilëson se është detyrë e Institucioneve Supreme të Auditimit të performojnë auditime cilësore dhe të mbështesin aspiratat për mirëqeverisje. Deklarata e Abu Dhabit cilëson implementimin rigoroz të standardeve të auditimit, forcimin e integritetit dhe etikes dhe trajnimin e vazhdueshëm profesional me qëllim forcimin e synimit për të rritur kontributin e SAI-ve në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik në të gjithë botën, kjo si pjesë e “Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm” në kuadër të Axhendës 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila përforcon nevojën dhe kërkesën për një auditim publik efektiv, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit. Mënyra se si qeveria përdor fondet publike ka qenë dhe është një ndër çështjet më të ndjeshme në vendin tonë. Vitet e fundit me rritjen dhe forcimin e rolit të KLSH vihet re se fokusi nuk është vetëm shpenzimi i parave publike në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse, por arritja e efiçencës në realizimin e këtyre shpenzimeve. Nëpërmjet kësaj mënyre jo vetëm parandalohet ushtrimi arbitrar i pushtetit zyrtar, por arrihet që qytetarët të marrin siguri mbi mënyrën sesi përdoren paratë e tyre dhe ku shkojnë ato. Kontrolli i Lartë i Shtetit në thelb kontribuon për një proces efikas të monitorimit dhe shqyrtimit në lidhje me burimet, se si janë përdorur ato, nga kush dhe për çfarë. KLSH ka shumë palë të interesuara në realizimin e misionit të tij dhe besimi i këtyre palëve do të thotë besim i publikut dhe i Parlamentit, për rezultatet e tij. Misioni i tij është informimi i publikut dhe i Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të enteve të tjera publike për përdorimin e burimeve publike sipas ligjit, me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë dhe nxitja e kësaj përgjegjshmërie në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe me ndjeshmërinë popullore për shtimin e luftës kundër abuzimit. Për KLSH, si një institucion publik që punon në emër të Kuvendit, aftësia për të krijuar besimin në palët e interesuara është e një rëndësie vendimtare, dhe kjo arrihet duke patur një nivel transparence përherë e më të lart me publikun. Sa më i lartë ky nivel aq më të ndërgjegjësuar do të jenë qytetarët për vendin se ku shkojnë dhe mënyrën se si përdoren paratë e tyre, dhe kjo do të përkthehet në një reagim më të ndjeshëm për të forcuar llogaridhënien dhe për të përmirësuar qeverisjen e mire. Në terma profesional, nocioni i transparencës i referohet dhënies nga organet supreme të auditimit, të një raport auditimi të besueshëm, të qartë dhe të rëndësishëm brenda statusit të tij, mandatit dhe strategjisë. Në këto vitet e fundit ajo që së tepërmi bie në sy është ndërtimi i një ure bashkëpunimi me medien, në kuadër kjo edhe të vizionit të Kryetarit të KLSH për transparencë dhe komunikim efektiv me të gjitha palët e interesit në të njëjtën linjë me praktikat më të mira. KLSH aktualisht nëpërmjet publikimeve të saj,përfaqësohet në të gjitha mediat, pavarësisht masës apo pozicionit të tyre në treg të gjithë trajtohen në të njëjtën mënyre pa favorizuar askënd prej tyre. Përveç kësaj, element i rëndësishëm është edhe raportimi publik mbi gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe të aksesit publik ndaj informacionit,apo dhe artikujt në gazetat e përditshme në vend, ku paraqiten problematikat e hasura nga auditimet, për fushën e koncesioneve, projekteve të huaja, ndërtimit të rrugëve, apo lejeve mjedisore etj, ku KLSH vazhdon ta kryej në mënyrë të vazhdueshme detyrat institucionale,duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale për individë e subjekte juridike. Për sa më sipër nga KLSH, synon të rrisë ndikimin e saj në llogaridhënie për përmirësimin e qeverisjes dhe luftën ndaj korrupsionit. Sfida e madhe e filluar në vitin 2012, për promovimin e kuptimit më të mirë të rolit dhe detyrave që kishte ky institucion, mund të themi se deri tani e cila ka njohur vetëm rritje dhe nuk është ndalur për asnje moment të vetëm, kjo e pasqyruar në një qasje të re të rritjes së interesit të publikut ndaj produktit të KLSH, njohjes më mirë të rolit si organi suprem auditimi në vend dhe transparencës së produktit të tij. Definicioni I Transparencës për Kontrollin i Lartë i Shtetit qëndron I mishëruar në kulturën e ndërtuar të këtij institucioni,dhe kjo është mbi të gjitha një tregues i seriozitetit të institucionit. Dhe duhet të jetë shembull për të gjithë institucionet në Shqipëri, për të rritur standardin institucional të transparencës on line, kur realisht për të gjithë ekzistojnë hapësira dhe potenciale që mund të shfrytëzohen për përmirësimin e fushës së informimit. Ndërkohë që KLSH-ja në përputhje me programin e miratuar të transparencës, vendos në dispozicion të publikut, pa kërkesë të tij, nëpërmjet faqes së internetit www.klsh.org.al në një menu të veçantë të titulluar “Transparenca” të gjitha informacionet që çmohen si të nevojshëm për tu bërë publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka dëshmuar gjatë këtyre viteve se suksesi qëndron tek ndjekja e standardeve dhe parimeve më të mira të auditimit bazuar në standardet e INTOSAI-t, mes të cilave është dhe transparenca dhe llogaridhënia me palët e interesuara. Rritja e profesionalizmit të KLSH, në nxjerrjen e konkluzioneve mbi përgjegjësitë e lindura dhe dhënien e rekomandimeve, të cilat janë vendimtare në konceptin e përgjegjësisë publike të administratës, kërkojnë që auditimet e tij të kenë metodologjitë dhe praktikat e një cilësie të lartë, bazuar kjo dhe në ISSAI 12 – The Value and Benefits of Supreme Audit Institutions – making a difference to the lives of citizens (ISSAI- 12 -Vlerat dhe dobitë e SAI-t- duke bërë një ndryshim në jetën e qytetarëve). Sfida e KLSH, mbetet rritja e profesionalizmit, llogaridhënies e transparencës, duke zbatuar procedurat që rrjedhin nga ligji dhe Standardet Ndërkombëtare, për të siguruar një ushtrim sa më efektiv të përgjegjësive të tij në Raportet e auditimit dhe rritjen e kontributit për një qeverisje të mirë e luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Marjola Llanaj
Audituese e Lartë
Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit
Sigal