Thertorja që ther dhe rrjep taksapaguesit sarandiotë

615
Probleme me sigurinë ushqimore dhe ankesat për kontrollin e munguar veterinar
U krijua si vend therjesh dhe kontrolli veterinar për rritjen e shkallës së sigurisë ushqimore, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik për konsumin e produkteve të mishit, me synim kontroll të rreptë dhe garanci tek konsumatori. Kjo thertore shtetërore u ndërtua në fshatin Metoq të bashkisë së Sarandës, me qëllimin jo vetëm të rritjes së sigurisë, por edhe për garancinë e freskisë dhe sigurisë së konsumit të mishit që tregtohet në njësitë tregtare të produkteve dhe nënprodukteve blegtorale. Të gjitha këto produkte duhet të kalojnë në filtrin veterinar, para se të dalë në treg për konsumin e përditshëm, duke marrë vulën e specialistit për sigurinë e konsumit dhe kushtet e paracaktuara nga shteti e standardet që duhen plotësuar. Dhe nisur nga kërkesat dhe standardet që produktet ushqimore blegtorale duhet të plotësojnë para daljes në treg për konsum, këshilli bashkiak ka miratuar në shtator të vitit 2016, me qëllim administrimin më të mirë të këtyre produkteve blegtorale, ka vendosur, konform rregullave dhënien me qira të një objekti për thertore. Në respekt dhe zbatim të këtij vendimi, shumë subjekte tregtare që merren me tregtinë e këtyre produkteve, kanë paraqitur edhe ofertat e tyre, dokumentacionin dhe planin e menaxhimit në lidhje me funksionimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin e objektit–komunitet me mish të freskët, të pastër e të kontrolluar nga specialistë veterinarë. Por, si çdo çudi bashkiake në këto dy vjet, vjen edhe çudia e radhës, bashkia, nuk ka ndjekur e respektuar ofertat e paraqitura dhe nuk ka zbatuar vendimin e këshillit bashkiak. Por çuditërisht, si çuditë e shumta që ndodhin vetëm kur vidhen lekë dhe bashkia e Sarandës këtë e ka vendosur standard, sepse kjo bashki krijon madje edhe struktura paralele, e për më tepër të pakualifikuara dhe me paga fikse (Çudi dy punëtorë dhe dy drejtorë). Ky akt, si shumë të tjerë në këtë bashki, plotëson interesat e klienteliste dhe ato miqësore, pse jo paguhen madje edhe “taksat” e mandatimit. Pavarësisht se kjo formë menaxhimi për subjektet tregtare të mishit sjell anomali dhe vështirësi, e pse jo pagesa “nën dorë për një vulë”, që ka sjellë edhe shumë vështirësi, duke mos u shërbyer në kohë e me cilësi tregtarëve, por vetëm kanë një tabelë që tregon orarin zyrtar. Kjo ka bërë që tregtarët janë larguar, sepse nuk kanë interes për të frekuentuar këtë thertore që u shërben klaneve. Punonjësit, përveçse nuk janë specialistë, kanë një rrogë dhe nuk kanë interes për funksionimin e thertores. Edhe sikur të kenë nuk janë specialistë. Thjeshtë marrin rrogën dhe bashkia abuzon me një element të rëndësishëm të konsumit të përditshëm, por një bashki e shurdhuar tek zëri qytetar nuk ka veshë të dëgjojë zërin e qytetarit. Dhe në këtë thertore, përveç risqeve që përmendëm, nuk bëhet fjalë për therje jashtë orarit. Ky fakt ka sjellë deklaratën e vetë tregëtarve, ku thuhet se shumë therje bëhen në vende të papërshtashme dhe tregëtohen jashtë kushteve dhe standardeve të konsumimit. Më shumë theren nëpër stane apo vendburime ku ka ujë. Këto nxirren në treg pa kontrollin veterinar, sidomos në ditët e festave ku janë më të theksuara rastet. Dy kasapët nuk i përballojnë dot therjet. Pra administrimi i thertores nga bashkia është abuziv dhe korruptiv, referuar deklarimeve të subjekteve të tregut që frekuentojnë atë. Por duhet shtuar fakti që edhe dokumentimi deklarues është jo i saktë nga sa therje kryhen realisht. 

Agron MEMA
Sigal