Të gjitha rekordet dhe kuriozitetet e Superkupës

786
Sigal

Sot, finalja e Superkupës: Skënderbeu-Tirana. Bardheblutë e synojnë për herë të dhjetë trofeun

Janë të njëjat “fytyra” të edicionit të kaluar, ato që do të diskutojnë finalen e Superkupës, madje me të njëjtat role: Skënderbeu (kampion i vendit)-Tirana (fituese e Kupës së Shqipërisë). Një vit më parë “drama” u shfaq në Korçë, ndërsa sot do të luhet në Tiranë, në “Qemal Stafa”. Skënderbeu synon Superkupën e parë, ndërsa Tirana, trofeun e dhjetë. Bardheblutë janë dhe ata që e kanë fituar më shumë herë Superkupën: 9 herë. Trajneri Hulian Rubio e fitoi vjet duelin me Shpëtim Duron e Skënderbeut, ndërkohë që sot do të përballet jo me çekun, Stanislav Levi, që fitoi kampionatin, por me Mirel Josën, një ish-trajner kampion me Tiranën, në sezonin 2003-2004. Historia e Superkupës së Shqipërisë, kompeticionit që ka nisur në vitin 1989, nis pikërisht me finalen Dinamo-Tirana, të zhvilluar më 11 janar të vitit 1989, e të fituar nga blutë dinamas 2-0. Qysh atëherë, duke mos e përfshirë sfidën Skënderbeu-Tirana (sot, në “Qemal Stafa”), janë zhvilluar 23 finale, katër prej të cilave kanë kërkuar kohën shtesë dhe tri prej tyre e kanë përcaktuar fituesin nga seria e gjuajtjeve të penalltive. Tirana është dhe skuadra që e ka fituar edhe me shumë trofeun e Superkupës, 9 herë. Bardheblutë mbajnë edhe rekordin e finaleve të luajtura: 12 të tilla. Skënderbeu nga ana e tij do të luajë finalen e dytë të Superkupës. Njëzet e tre finalet e luajtura deri tani të Superkupës së Shqipërisë kanë parë 15 trajnerë fitues: Sulejman Mema (2), Edmond Liçaj (2), Sulejman Starova (2), Shkëlqim Muça (2), Bejkush Birçe (1), Dashamir Stringa (1), Vasil Bici (1), Miklosh Temeshvari (1), Dervish Haxhiosmanoviç (1), Enver Haxhiabdiç (1), Mirel Josa (1), Zllatko Daliç (1), Ilija Lonçareviç (1) dhe Shpëtim Duro (1) dhe Hulian Rubio (1). Tirana, skuadra që e ka fituar edhe me shumë trofeun e Superkupës, mban edhe rekordin e finaleve të luajtura: 12 të tilla, ku në tri raste ka dalë e humbur, pikërisht kundër Dinamos (0-2, 1989), Vllaznisë (1-2, 2001) dhe Partizanit (0-2, 2004). Janë gjashtë trajnerët e huaj që e kanë fituar Superkupën: hungarezi Temeshvari (Tirana), malazezi Haxhiosmanoviç (Vllaznia), boshnjaku Haxhiabdiç (Tirana), kroati Daliç (Dinamo), kroati Lonçareviç (Tirana) dhe spanjolli Hulian Rubio (Tirana). Në edicionin 1995-1996 dhe 1998-1999, Tirana fitoi si kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, por rregulli i vendosur atëhere nuk e parashikonte që ajo të ishte fituese e Superkupës. Kështu, që Tirana mbeti pa atë trofe. E njëjta gjë edhe me Partizanin e edicionit 1992-1993, që fitoi kampionatin dhe Kupën.

FINALET E

SUPERKUPËS

1989: DINAMO-Tirana 2-0

1990: FLAMURTARI-Dinamo 3-3 (5-4 p)

1991: FLAMURTARI-Partizani 1-0

1992: ELBASANI-Vllaznia 3-2 (me shtesa)

1994: TIRANA-Teuta 1-0

1998: VLLAZNIA-Apolonia 1-1 (5-4 p)

2000: TIRANA-Teuta 1-0

2001: VLLAZNIA-Tirana 2-1

2002: TIRANA-Dinamo 6-0

2003: TIRANA-Dinamo 3-0

2004: PARTIZANI-Dinamo 1-0

2005: TIRANA-Teuta 0-0 (5-4 p)

2006: TIRANA-Elbasani 2-0

2007: TIRANA-Besa 4-2

2008: DINAMO-Vllaznia 2-0

2009: TIRANA-Flamurtari 1-0

2010: BESA-Dinamo 3-1

2011: TIRANA-Skënderbeu 1-0

2012: Skënderbeu-Tirana (sot)

SHËNIM

1993: Nuk u dha trofeu

1995: Finalja nuk u luajt

1996: Nuk u dha trofeu

1997: Finalja nuk u luajt

1999: Nuk u dha trofeu

Finalet e Republikës

Tri finalet e para të Superkupës së Shqipërisë ato të viteve 1989, 1990 dhe 1991 janë zhvilluar, në datën 11 janar, pikërisht në atë që konsiderohej si “Festa e Republikës”, nga regjimi komunist. Më pas, data ndryshoi dhe ajo zhvillohet si kudo në Europë përpara fillimit të sezonit.

Sezonet pa finale

Në dy raste, finalja e Superkupës nuk u luajt. Kështu ajo e sezonit 1995-1996, me kampione Tiranën dhe fituese të Kupës, Teutën, nuk u luajt. Po kështu edhe finalja e edicionit 1996-1997, midis Tiranës kampione dhe Partizanit fitues të Kupës së Shqipërisë, për shkak të trazirave.

Turpi i Dinamos

Dinamo, finalen e sezonit 2001-2002 e luajti si kampionia në fuqi e Shqipërisë, ndërkohë që Tirana si fituese e Kupës së Shqipërisë. Por, në finalen e Superkupës, Tirana fitoi me rezultatin tenistik 6-0, duke regjistruar edhe fitoren më të thellë në këtë kompeticion.

Dueli i tetë midis të huajve dhe shqiptarëve

Kjo do të jetë hera e tetë, që një trajner shqiptar vendoset përballë një trajneri të huaj në një finale të Supekupës. Skënddrbeu drejtohet nga Mirel Josa, ndërsa Tirana nga spanjolli Hulian Rubio Trajnerët e tjerë të huaj janë hungarezi Miklosh Temeshvari (Tirana), malazezi Dervish Haxhiosmanoviç(Vllaznia), boshnjaku Enver Haxhiabdiç (Tirana), kroati Zllatko Daliç (Dinamo) dhe kroati Ilija Lonçareviç (Tirana) dhe argjentinasi Luis Manuel Blanko. Të gjithë të huajt i kanë fituar duelet me trajnerët shqiptarë, përveç Blankos, ky i fundit humbi pikërisht me Shpëtim Duron. Gjashtë trajnerë të huaj kanë mundur të fitojnë trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Miklosh Temeshvari është i pari i huaj që fitoi Kupën e Shqipërisë. Hungarezi e fitoi me Tiranën kundër Teutës (1-0, 2000). Malazezi Dervish Haxhiosmanoviç e fitoi me Vllazninë, në një finale të fituar 2-1 me Tiranën (2001). Boshnjaku Enver Haxhiabdiç e fitoi me Tiranën, në finalen kundër Dinamos (6-0, 2002). Kroati Zllatko Daliç e fitoi Superkupën (2008) me Dinamon, duke mundur në finale Vllazninë (2-0). Kroati Ilija Lonçareviç e fitoi (2009) me Tiranën, duke mundur 1-0 në finale Flamurtarin e Vlorës, me një gol të një vlonjatit Arbër Abilaliaj. Spanjolli Hulian Rubio e fitoi Superkupën (2012), duke mundur 1-0 në finale Skënderbun, me golin e Bekim Balës.

DUELET SHQIPTAR-I HUAJ

1999-2000       TIRANA-Teuta 1-0

Miklosh Temeshvari-Hasan Lika

2000-2001       VLLAZNIA-Tirana 2-1

D. Haxhiosmanoviç-Shkëlqim Muça

2001-2002       TIRANA-Dinamo 6-0

Enver Haxhiabdiç-Faruk Sejdini

2007-2008       DINAMO-Vllaznia 2-0

Zllatko Daliç-Agim Canaj

2008-2009       TIRANA-Flamurtari 1-0

Ilija Lonçareviç-Eqerem Memushi

2009-2010       BESA-Dinamo 3-1

Shpëtim Duro-Luis Manuel Blanko

2010-2011 Skënderbeu-TIRANA 0-1

Shpëtim Duro-Hulian Rubio

2011-2012       Skënderbeu-Tirana

Mirel Josa-Hulian Rubio

 

REKORDET E KOMPETICIONIT

Më shumë trofe: 9

Tirana (1994, 2000, 2002, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011)

Më shumë finale: 12

Tirana (1989, 1994, 2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011)

Fitues rresht: 3

Tirana (2005, 2006, 2007)

Paraqitje rresht: 8

Tirana (2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007)

Golashënuesit:

3 gola: Sokol Kushta (Flamurtari), Mahir Halili (Tirana),

2 gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Ermal Tahiri (Dinamo), Ferdinand Bilali (Elbasani), Saimir Patushi (1 Vllaznia, 1 Tirana), Elvis Sina (Tirana), Devi Muka (Tirana),

1 gol: Eduart Abazi (Dinamo); Hekuran Jakupi (Elbasani); Uliks Kotrri (Vllaznia), Hysen Dedja (Vllaznia); Viktor Daullja (Flamurtari), Vioresin Sinani (Vllaznia), Auron Miloti (Vllaznia), Dashnor Poçi (Apolonia), Indrit Fortuzi (Tirana), Sokol Prenga (Tirana), Ervin Bulku (Tirana), Fjodor Xhafa (Tirana), Alban Tafaj (Tirana)

Sokol Kushta, “topçiu” i Superkupës

Sokol Kushta është i vetmi lojtar, i cili ka realizuar 3 gola në një finale Superkupe. Sulmuesi i Flamurtarit ka shënuar në barazimin 3-3 kundër Dinamos, në finalen e vitit sezonit 1990-1991, dhe të fituar më pas me penallti 5-4. Tre gola, por në dy ndeshje ka realizuar Mahir Halili i Tiranës. Gjashtë futbollistë kanë shënuar nga 2 gola, 29 nga një gol.

48 gola, në 18 finale

Në 18 ndeshjet finale janë shënuar plot 48 gola, nga këto 3 me penallti. Goli i parë në finalen e një Superkupe mban firmën e sulmuesit të Dinamos, Eduard Abazi, i cili shënoi në minutën e 4-të kundër Tiranës, në edicionin 1989-1990. Golin e fundit e ka realizuar shkodrani Bekim Balaj në fitoren 1-0 të Tiranës me Skënderbeun. Golin më të shpejtë e ka realizuar Igli Allmuça i Partizanit, në minutën e 2-të, në ndeshjen Partizani-Tirana 2-0 (2004).