Stegopuli, fshati me shumë histori dhe kulturë qytetare ndër vite

16
Sigal

JOVAN BIZHYTI

ALEKO ÇANO

Në gjerdanin e fshatrave të Lunxherisë në Qarkun e Gjirokastrës, në lartësinë e një ballkoni mbi luginën e Drinos, shtrihet fshati i hershëm me shumë histori e kulturë qytetare, Stegopuli. Në atë ballkon natyral, shquhet nga largë madhështia e një lapidari, që simbolizon ngjarjet e rëndësishme historike që mbartë ky fshat nga lufta Nac.Çl., siç janë: djegia deri në martirizim i gjithë fshatit nga bisha nazi-fashiste në 26 janar 1944, si një nga bazat kryesore të luftës për çlirimin e atdheut.

Pikërisht aty në atë vend, në 21 shkurt 1943, u bashkua dhe mençuria e dituria e arsimtarëve dhe gjithë intelektualëve të Gjirokastrës, duke i bërë thirrje gjithë popullit për bashkim e kushtrim lirie në luftën e armatosur për çlirimin e vendit. Po aty në atë shesh të “Goricelës”, siç e quanin fshatarët, në 16 gusht 1943, u mblodhën partizanët nga e gjithë krahina e Lunxherisë dhe krijuan Batalionin e parë partizanë të Gjirokastrës me emrin e dëshmorit ”Hero” të krahinës, “Misto Mame”.

Po ashtu, madhështia e atij lapidari rrezaton emrin, gjakun dhe heroizmën edhe të 22 partizanëve të fshatit që u rreshtuan në formacionet luftarake partizane, ku 7 nga këta djem të Stegopulit, u flijuan në lule të rinisë për çlirimin e Atdheut. Aty, pas çlirimit, ishin varrezat e këtyre 7 dëshmorëve, të cilat vite më vonë u shpërngulën për t’iu bashkuar dëshmorëve të gjithë rrethit të Gjirokastrës në varrezat e dëshmorëve të qytetit.

Historia e Stegopulit, është e lidhur ngusht me gjithë historinë e krahinës tashmë shumë të dëgjuar të Lunxherisë, lashtësia e së cilës ka mbi krye qytetin antik të Antigonesë, siç e kanë përcaktuar dhe shumë historianë, qyteti që u lind nga “Dashuria” dhe u shkatërrua nga “Urrejtja”, në ato kohë të hershme të antikitetit. Banorët e kësaj krahine, janë bartës të asaj kulture të ndritur antike dhe pasardhës të atyre brezave që e ndërtuan me dashuri atë qytetrim dhe më pas urrejtja dhe lakmia që mbollën luftën, e cila solli shkatërrimin e tij.

Të gjitha këto zona rreth Antigonesë, kanë qenë të banuara prej shekujsh nga shqiptarë të krishterë. Konsulli francez pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, që i ka vizituar këto krahina qysh në fillimet e shekullit të XIX-të shkruan: “Shumë shekuj më parë, krahina e Lunxherisë e më tej, banohej kryesisht nga shqiptarë të krishterë, të cilët përbënin një popullsi vendase të lashtë me prejardhje Pellazgjike, të vendosur aty para ardhjes së fiseve të lashta helene”.

Një nga këto fshatra të kësaj krahine është dhe Stegopuli. Sipas gjurmëve të historisë së tij dhe tregimeve gojore të brezave, thuhet se mbi tre shekuj më parë, ky fshat i ka patur vendbanimet diku më poshtë në një gropë rrëzë mali, buzë luginës së Drinos, aty ku kishin dhe tokat bujqësore. Ai vend është quajtur “Delvinë”, emër të cilin e mbanë edhe sot, ku ekzistojnë ende rrënojat e themeleve të fshatit të dikurshëm. Për të qenë më të mbrojtur nga luftrat e sulmet e pushtuesve osmanë, por dhe nga përmbytjet e Drinos gjatë stinës së dimrit, fshati u ngjitë në lartësi malore, në faqen shkëmbore të malit të Marotas, i cili lartësohet në 2230 m. mbi nivelin e detit. Fshati në pozicionin e ri faqe mali, u popullua me shtëpi të ndërtuara me gurë ku shumë prej tyre me dy kate e me dritare të mëdha nga hynë me shumicë drita e ngrohtësia e diellit të bollshëm mesdhetar që përfshinë gjithë krahinën.

Fshati Stegopul shtrihet në tre lagje, me kopshtet e trojet e tyre që zenë një sipërfaqe me mbi 15 ha. Ai është një fshat malor i “tipit të pllajës”, me ndërtime të ngjeshura dhe me kopshte të vogla rreth banesave, të ndarë sipas fiseve apo grup familjesh me njohje apo prejardhje të një kohe. Ndërtimet e hershme kanë patur një arkitekturë që afrohej ndjeshëm me banesat qytetare gjirokastrite. Karakteristikë ka qenë banesa me dy kate dhe me dy krahë, si karakteristikë e banesave lunxhiote. E veçantë në arkitekturën e saj ishte dhoma e çiftit të ri me banjë, që përdorej për nuset e reja dhe lehonat. Në përgjithësi, shtëpitë kanë qenë të rrethuara me avlli të lartë deri në 5 metra. Portat ishin me një arkitekturë të veçant, me çati mbi vete dhe me sofate, ku uleshin mbrëmjeve pleqtë e plakat e fshatit.

Shumë nga familjet kanë mbetur me emër në Stegopul e për rreth si: Koçonaqaj, Manxhaj, Banushaj, Bogaj, Çanaj, Papavangjeli, Çelari, Lezaj, Baraj, Karrellaj, Dacaj, Stravaj, Pano, Shulaj, Gjikaj e tjerë. Banorët lunxhoitë dhe stegopuliotë, kanë lënë emër të mirë jo vetëm si blegtorë me tufa të mëdha, por dhe si mjeshtra të gurit e të ndërtimeve të banesave, rrugëve e urave e të objekteve të kultit brenda krahinës e deri në Greqi e në Stambollin e largët. Konsulli feancez, Pukëvili në kujtimet e tij shkruan: “Banorët e krahinës së Lunxherisë, shquhen në ndërtimin e banesave e objekteve të kultit, rrugëve të kalldrëmta, kanalizimeve, urave e ujsjellsave”. Në vitin 1777, Sulltani në një ferman special që nxori, u dha privilegj të veçant lunxhiotëve në ushtrimin e kësaj zeje. Ndërsa një studiues europian shkruan: “Lunxhiotët dhe ndërtues të tjerë të viseve jugore e jugë-lindore të Shqipërisë, janë stërvitur në shkollën praktike të etërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, ku kanë mësuar teknikën e lashtë të trashëguar prej më se 2000 vjetësh”.

Stegopuli ka patur qysh herët 17 burime uji të ftohtë, që buronin nga shkëmbinjtë e malit të Marotas. Banorët vendas disa nga këto burime i sistemuan me qyngja guri e qeramike, duke i kthyer në çezma, uji i të cilave ishte i shëndetshëm e kurativ. Vinin shpesh njerëz të sëmurë me tuberkuloz nga krahina të ndryshme të vendit për t’u kuruar me ujin e ftohtë të malit të Marotas. Ai ujë e ndante jetën e njeriut në dysh, të sëmurët ose shëroheshin, ose vdisnin! Pra, efekti i ujit bënte seleksionimin natyral. Forca kurative e atij uji kërkonte dhe një ushqim të mirë, sidomos mishi i leshtë i blegtorisë dhe bulmeti i staneve, të cilat për një kohë të shkurtër i kthenin të sëmurët në jetë shëndosh e mirë.

Stegopuli, si dhe fshatra të tjerë të krahinës së Lunxherisë, kanë dhe shumë vende piktoreske, ambjente të bukura klimaterike, natyrë me gjelbërim të bollshëm me rrepe shekullorë që i bëjnë hije e freski fshatit. Nën to mblidheshin pleqësia e fshatit dhe kuvendonin për hallet e problemet e përditëshme. Krahas çezmave e burimeve me ujë të ftohtë mali që shuajnë etjen e njerëzve, ka dhe shkollën ku mësojnë fëmijët, ka dhe kishat e manastirin e Shëndëllisë (Shën Ilia), ku kryenin ritet fetare ortodokse banorët e fshatit e tjera. Dikur, Stegopuli ka patur 13 kisha, krahas manastirit të Shënndëllisë, si:  kishat e Shën Spiridhonit, Shën Maria, Shën e Premte, Shën Kolli, Shën Mërtiri, Shën e Djela, Shën Gjergji, Qish Bardha, Palo Kisha e tjera. Në kohë të ndryshme, këto objekte kulti dhe ato natyrore erdhën duke ndryshuar, por banorët e hershëm i kujtojnë ato me nostalgji dhe zgjojnë  kujtimet e hershme që përbëjnë pjesë të historisë të familjeve dhe të vet fshatit të Stegopulit në përgjithësi.

Në veçanti manastiri i Shëndëllisë (Shën Ilia), është një objekt kulti i hershëm, që i përketë periudhës së Mesjetës së Hershme, i shpallur “Monument Kulture, me kishën e tij të Shën Ilias, e ndërtuar qysh në vitin 1624, duke qenë ndër kishat më të hershme të vendit. Ai ka qenë një objek kulti madhështor, ku këmbanat e tij oshëtinin me tinguj të fuqishëm që ndiheshin deri poshtë luginës së Drinos dhe deri përtej në Gjirokastër. Për ndërtimin e kishës së Shën Ilias,, bën fjalë një mbishkrim në portën e hyrjes ku thuhet: “Ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar, është i profetit të lavdëruar, Shën Ilia Thesbitit, ngritur dhe ndërtuar prej themeli me kontributin, përpjekjet dhe shpenzimet e jeromonakëve, Makarit dhe Joakimit, viti 1624”. Më vonë në vitin 1762, ‘ u stolisë dhe u zbukurua nga arhondi i shumënderuar, Zoti Guma dhe ati i tij, Qirjaku, si dhe bashkëshortia e arhondit, për shpëtimin e shpirtit të tij, në kohën kur ishte igumen i shumënderuari, ish Metropoliti i Janinës, Zoti Kuliniku dhe vëllezërit e tij, Dhimitri e Gjergji”. Maj 14, viti 1671. (Sipas studiuesit Dhimitër Beduli në librin, “Kishat e Shqipërisë”).

Në qendër të fshatit ka qenë “Konaku”, siç i thoshin banorët dikur, një shesh ku mblidheshin pleqësia e fshatit. Aty në mes të “Konakut”, nën hijen e rrepave madhështorë, ka qenë dhe një gur i rrumbullakët në formë froni, ku ulej kryeplaku i fshatit, Mihal Çano. Më tej, Stegopuli kishte shkollën ku mësonin në breza fëmijët e fshatit. Fillimisht ajo ka qenë shkollë greke dhe pas vitit 1890, pas krijimit të alfabetit shqip, nisi mësimi i gjuhës shqipe. Mësuesit e parë kanë qenë Sevo Pesha, Spiro e Petro Rrumbo e tjerë.

Nga shumë familje të nderuara të Stegopulit kanë dalë jo pak njerëz të mësuar e intelektualë të shquar, të cilët kanë dhënë kontribute në fusha të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Banorët e Stegopulit, qysh në vitet e hershme, i ka tërhequr kryesisht emigracioni në Greqi, Turqi, në SHBA e në vende të tjera. Nga gjysma e dytë e shekullit të XIX-të e fillimet e shekullit të XX-të, nga Stegopuli kanë dalë 62 specialistë me arsim të lartë, një pjesë e të cilëve janë shquar në fusha të ndryshme të ekonomisë, shkencës, arsimit dhe shëndetsisë. Vite më pas numri i tyre u dy dhe trefishua. Të tillë mund të përmendim inxhinierin arkitekt stegopuliot, Koconaqi (Pano), i cili ka qenë i njohur jashtë vendit, si bashkautor në konstruksionin e hekurudhës së famshme ndërkombëtare, Berlin-Bosfor-Bagdat.

Përpara periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë, nga Stegopuli kanë qenë dhe dy deputet në parlamemtin turk, që mbanin mbiemrat: Qirici dhe Manopulli. Po ashtu, duhen përmendur dhe disa avokatë të hershëm stegopuliotë, që kanë shërbyer në Stamboll, një prej të cilëve pranë administratës së Sulltanit.

Mësuese e Popullit, Urani Rrumbo

Në Stegopul jetonte në atë kohë mjeku i dëgjuar në gjithë rrethin e Gjirokastrës, doktori pathollog, Papavangjeli. Ai studimet e larta i kryu në Universitetin e Athinës për mjeksi dhe veç klinikës mjeksore ku bënte vizita, kishte në Stegopul dhe një farmaci që siguronte ilaçet për pacientët e sëmurë. Tek doktor Papavangjeli vinin pacientë jo vetëm nga fshatrat e krahinës, por dhe nga qyteti i Gjirokastrës e më përtej. Një ditë në vitin 1929, shkoi tek doktor Papavangjeli dhe Enver Hoxha kur ishte djal i ri 21 vjeç, për të vizituar vëllain që vuante nga tuberkulozi. Ai shkruan në librin “Kujtime të Vegjëlisë”:

“Kur shkova në Stegopul, u ngjita lartë dhe pash fshatin me rrugë të sistemuara të shtruara me kalldrëm, në çdo shtëpi rrugët ishin si në qytetin e Gjirokastrës. Anash kishte mure guri të lartë dhe para çdo shtëpie kishte porta kryesisht me gurë të gdhëndur dhe me hark. Kalova nëpër fshat. Disa burra luanin tavull, kishte xhandermari që ruanin rendin, kishte dyqane si në qytet e tjera”. Pra, siç shkruhet, Stegopuli në ato vite ishte një fshat i qytetruar.

Një personalitet tjetër i lindur në Stegopul në vitin 1893, ka qenë dhe inxhinieri, Kiço Papavangjeli, djali i doktor Papavangjelit. Ai mësimet e mesme i mori në Stamboll në një kolegj anglez, ndërsa studimet e larta i kreu në SHBA, ku u diplomua për ingj. Ndërtim-Urash. Pasi punoi disa vite atje, në vitin 1928, kthehet në atdhe dhe fillon punë në Ministrinë e Punëve Botore. Kiçua ishte intelektual i brumosur me kulturën e demokracisë perëndimore, patriot idealist dhe antifashist i vendosur. Për këto arsye politike, ai u lëviz nga Ministria dhe u emërua Kryetar i Zyrës së Punëve Botore në Berat. Aty e gjeti dhe pushtimi i Italisë fashiste. Kiçua bënte në masën e puntorëve një propagandë antifashiste. Ai u thoshte atyre të mos futeshin në organizatat fashiste. Midis të tjara ai shprehej: “Në rast se u pushojnë nga puna, ju mos u dorëzoni, atë që kemi, do ta ndajmë së bashku”. Pas çlirimit të vendit, Kiçua punoi në Ministrinë e Ndërtimit dhe ka kontribuar gjithë kohën për ndërtimin e urave e rrugëve të shkatërruara nga lufta.

Në Stegopul është dhe shtëpia e Patriotes së Rilindjes sonë Kombëtare, Urani Rrumbo, që me kontributin e saj, sidomos në fushën e arsimit shqip, të emancipimit të vajzave e grave, e përgjithësisht të shoqërisë shqiptare, i dha emër e nder jo vetëm Stegopulit, por gjithë krahinës së Lunxherisë, Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë. Urania i takon familjes së shquar, Rrumbo, një familje atdhetare, shumë arsimdashëse, pjestarët e së cilës kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit. I ati, Spiro Rrumbo, ishte ndër mësuesit e parë, po ashtu mësues ishin dhe xhaxhai, Koçua, vëllai i saj, Kornili, motra Emilia, kushuriri Fotua, pra një armatë e tërë arsimtarësh e familjes Rrumbo të Stegopulit.

Urania u bë pishtare e kësaj familje patriote, megjithse ishin kohët më të errëta të rregjimit obskurantist në Shqipëri. Në vitet 1915-16 ajo mbaroi shkollën e mesme femërore në Janinë dhe filloi punë si mësuese për herë të parë në Dropull, në fshatin minoritar të Vanistrës, që i thoshin dhe, “Parisi i Vogël”. Pastaj ajo vazhdoi detyrën e mësueses në Filat të Çamërisë, ku jepte mësim shqip dhe i ati, Spiro Rrumbo. Pas një kohe, Urania u kthye sërish në Lunxheri, ku dha mësim në shkollën e fshatit Dhoksat dhe më tej duke marë parasysh kontributin e saj të shquar, u emërua drejtoreshë në shkollën femërore “Koto Hoxhi” në qytetin e Gjirokastrës. Ditën e parë të hapjes së kësaj shkolle, ajo theksoi:

“Gëzimi im më i madh është se vendosa në një bankë e krahë për krahë vajzën myslimane të Manalatit me atë të Varoshit, si motra të pandara me njera-tjetrën”. Më 8 gusht 1920, me nismën e Uranisë e të patriotëve të tjera të shoqatës “Motërmate”, u organizua në Gjirokastër e para mbledhje e grave, të cilat kërkonin dritë, arsim e përparim. Urania më 20 nëntor 1920 harton një manifest në emër të grave gjirokastrite dhe e botoi në shtypin e kohës. Në të ngrihej problemi i barazisë së burrit me gruan. Për kontributin e madh që Urania dha në fushën e arsimit e të emancipimit të grave e vajzave, është nderuar me titullin më të lartë, “Mësuese e Popullit”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë në regjimin e kaluar komunist.

Lapidari i krijimit të Batalionit “Misto Mame” në Stegopul16 gusht 1943

Po nga Stegopuli ka qenë dhe një nga figurat e shquara të artit skenik, aktori i dëgjuar i Teatrit Popullor, Andon Pano. Ai ka marr pjesë në luftën antifashiste Nac.Çl. dhe ka qenë një nga krijuesit e teatrit partizan në maj 1944. Pas çlirimit të atdheut, ai ishte nga të parët aktor që ngritën Teatrin e Shtetit në vitin 1945. Ka lozur disa rrole kryesore në shfaqjet e para të teatrit dhe mban titullin “Artist i Merituar”. Nga Stegopuli ishte dhe Kostandin  Boshnjaku, i lindur në vitin 1888. Ka kryer studimet në Institutin Tregtar të Pireut të Greqisë. Ishte ekonomist, publicist dhe diplomat. Ka punuar një kohë jashtë shtetit. Eshtë kthyer në Shqipëri në vitin 1939 dhe u lidh me luftën antifashiste Nac.Çl. Pas çlirimit, në legjislaturën e parë, u zgjodh deputet në Kuvendin e Parë Popullor në vitin 1945, po ashtu mbante dhe detyrën e Drejtorit të Bankës së Shqipërisë.

Vite më pas nga Stegopuli, u shqua dhe mjeku Ortoped, Prof. Dr. Panajot Boga, babai i ortopedisë shqiptare, kontributi i të cilit lartësoi në nivele të larta mjeksinë shqiptare dhe vet emrin e këtij biri të shquar të Stegopulit në krahinën e Lunxherisë së Gjirokastrës, si dhe figura të tjera të shquara në fusha të ndryshme.

Banorët e Stegopulit kanë rrahur shumë dhe kurbetin që në kohë të lashta, por dashurinë dhe lidhjet me fshatin ata i kanë patur shumë të ngushta. Kjo jo vetëm me mallin që kanë shprehur, por dhe me kontributin që kanë dhënë për lulëzimin dhe modernizimin e fshatit të tyre, Stegopulin. Që në shekullin e XVIII-të e më parë, banorë të Stegopulit kanë qenë emigrantë kryesisht në Stamboll, por pjesërishtë dhe në Amerikën e largët. Veç dashurisë për vendlindjen dhe lidhjet e ngushta, mjaftë prej tyre edhe kanë investuar me të ardhurat e tyre në fshat, dikush në shtrimin e rrugëve me kalldrëme, dikush në ujësjellësa e çezma, në konstruksionin e shtëpive me një e dy kate, në konstruksionin e ngritjen e kishave dhe manastirit të fshatit, apo dhe paisjen e tyre me ikona e kambana madhështore e tjera. Në ato vite erdhën në fshat 4-5 kambana të mëdha për kishat dhe manastirin e Shën Ilias, të cilat kur binin, shpërndanin tinguj harmonikë, që dëgjoheshin në gjithë luginën e Drinos, deri dhe përtej në Gjirokastër. Dashuria për vendlindjen, i ka mbajtur ata të lidhur me fshatin e me gjithë krahinën e bukur të Lunxherisë. Ja si shkruan një kurbetli, Thanas Jani, për vendlindjen e tij të dashur:

“Shih si duket Lunxheria ime

Stegopuli im në atë streh mali,

jeta ime ku kam hedhur rrënjë,

zemra ime aty të më ndali.

 

Erdha në vendlindje të shuaj ca mallin

mallin që kam në gjoks, në buzë e në sy,

në ç’udhë të shkoj, ku të vete më parë,

kam frikë se dhe zogjtë mos më mbajnë mëri!”

 

Sot Stegopuli, nuk e ka më atë shkëlqim të viteve më parë. Largimet masive jo vetëm brenda vendit, por kryesishtë në emigrim jashtë kufijëve të Shqipërisë si në Greqi, në Itali e deri në kontinentin e largët të SHBA-së, e kanë venitur disi jetën e këtij fshati me kaq shumë histori e kulturë qytetare, e këtij fshati që ka nxjerë edhe jo pak njerëz të shquar në fusha të ndryshme brenda e jashtë vendit. Ky shkrim veç historisë, është dhe një thirrje për ata djem e vajza të Stegopulit e më përtej anë e mbanë Shqipërisë, që të mos i braktisin fshatrat e tyre kaq të bukura e me kaq histori, por edhe nëse janë larguar përkohësisht për një jetë më të mirë, të rikthehen për ta rindërtuar jetën sërish në gjurmët e kësaj historie që i bënë nder vendlindjes dhe gjithë Shqipërisë. Stegopuli mbetet një fshat në vargun e fshatrave të Lunxherisë me rekurse të veçanta historike e turistike.