Status i ri për Personelin Akademik, ja pagat, shpërblimet, orët e punës, leja vjetore, detyrat dhe humbja e Statusit

1485
Pas rritjes së pagave e shpërblimeve, tjetër vendim lehtësues e mbështetës për punonjësit e arsimit universitar që kanë grada dhe tituj shkencorë
– Përcaktohen rregullat e punësimit dhe koha e kontratave të punës, marrëdhëniet e punës dhe ankimimi, e drejta për veprimtari të tjera brenda universitetit, kompensim e rimbursim financiar, kur punon për aktivitetet e parashikuara e të përcaktuara nga Bordi i Administrimit dhe lejet pa të drejtë page 
Ja VKM e plotë e datës 12 prill 2017 “Për Statusin dhe Trajtimin e Veçantë të Personelit Akademik” 

1. Personeli akademik gëzon status dhe trajtim të veçantë, që konsiston në liritë akademike, të drejtat ekonomiko–financiare, detyrimet e përgjegjësitë si dhe garancitë juridike e civile në zbatim të tyre.
2. Personeli akademik gëzon liri akademike në këto drejtime të veprimtarisë së tij, në:
a) mësimdhënie;
b) punë kërkimore-shkencore;
c) kontribut institucional;
ç) kontribut profesional.
2. Liria akademike ushtrohet në kuadrin e përgjegjshmërisë pedagogjike e shkencore dhe nuk presupozon përjashtimin nga vlerësimi i performancës së personelit akademik. Personeli akademik nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të tij ndaj politikave të institucionit. Në të gjitha rastet, personeli akademik vepron brenda normave të etikës, në respekt të institucionit dhe kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi. 

4. Personeli akademik e humbet statusin kur përfundon/zgjidhet kontrata.

5. Anëtarët e personelit akademik nuk mund të penalizohen nga institucioni i arsimit të lartë për shkak të rezultateve të vlerësimit të punës së tyre kërkimore-shkencore, të kryera në përputhje me fushën përkatëse dhe misionin e institucionit të arsimit të lartë.

6. Kur personeli akademik konstaton se i është cenuar liria akademike, dinjiteti profesional apo ka një qëndrim jo etik ndaj tij, i drejtohet Këshillit të Etikës të IAL-së, për këtë çështje. Procedura e trajtimit të ankesave kryhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit lartë. Vendimi i Këshillit të Etikës është gjithnjë i ankimueshëm në rrugë gjyqësore.

7. Anëtarët e personelit akademik të kategorive “Profesor” dhe “Lektorë”, punësohen në IAL nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të pacaktuar. Anëtarët e personelit akademik të kategorisë “Asistentë-lektorë”, punësohen në IAL nëpërmjet një kontrate me kohëzgjatje të caktuar. Këto 3 kategori, mund të punësohen me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme. 

8. Personeli akademik nuk mund të largohet apo të zëvendësohet, pa miratimin e tij, gjatë kryerjes së punës kërkimore-shkencore në një projekt të ndjekur prej tij, përveç rasteve të shkeljeve të rënda të vërtetuara, të parashikuara në Kodin e Punës dhe aktet e brendshme të institucionit të arsimit të lartë.

9. Koha normale e punës së personelit akademik nuk mund të jetë më shumë se 1536 orë në vit. Ngarkesa mësimore e personelit akademik parashikohet në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.

10. Leja vjetore e personelit akademik është jo më pak se 40 ditë pune (56 ditë kalendarike). Në rast se kjo leje nuk konsumohet nga personeli akademik, si pasojë e nevojës së institucionit dhe me propozimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe me miratimin e Bordit të Administrimit, jepet shpërblimi përkatës në të holla. 

11. Personeli akademik, brenda kohës efektive të punës, mund të kryejë detyra akademike, shkencore ose në mbështetje institucionale ndaj të tretëve, në përputhje me statutin dhe rregulloret e IAL-së. 

12. Personeli akademik, për aktivitete që lidhen me drejtimet e punës së tij, sipas pikës 2, të këtij vendimi, ka të drejtën e përfitimit të një leje deri në dy javë, me miratim nga drejtuesi i njësisë kryesore, që informon, në çdo rast, rektorin. Për kohëzgjatje mbi dy javë, leja merret nga rektori. Në të gjitha rastet, kërkesat për leje duhet të jenë të dokumentuara dhe të justifikuara. Personeli akademik raporton përpara departamentit mbi aktivitetin e kryer gjatë lejes.

13. Personeli akademik mund të kryejë detyra të larta në administratën publike, vendase apo të huaj, për jo më shumë se 5 vjet, pa ndërprerje, duke ruajtur statusin e tij. Në funksion të ruajtjes së vendit të punës, sipas profilit akademik, nënshkruhet një marrëveshje e posaçme me rektorin e institucionit. Pas kësaj periudhe, anëtari i personelit akademik, me kërkesën e tij, rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlefshëm.
Personelit akademik ka këto të drejta
a) Të përparojë në karrierën akademike, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi 
b) Të trajnohet, të kualifikohet në institucionet akademike e kërkimore shkencore, brenda dhe jashtë vendit, sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me profilin
c) Të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e IAL-së, duke kryer aktivitete zgjedhore në përputhje me statutin dhe rregulloret e tjera të IAL-së.
Personali ka këto detyra e përgjegjësi
a) Të njohë, të respektojë, të zbatojë dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi
b) Të respektojë kohën në funksion të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, sipas orarit te punës dhe ta shfrytëzojë vetëm për kryerjen e detyrave. Koha e punës dhe e mësimdhënies përcaktohet nëpërmjet kontratës së punës
c) Të rrisë aftësitë profesionale akademike dhe të marrë pjesë në veprimtari formuese për këtë qëllim
ç) Të mos kërkojë ose pranojë asnjë përfitim pasuror, për kryerjen e detyrave akademike, me përjashtim të pagës dhe privilegjeve të tjera, të përcaktuara me ligj, akte nënligjore dhe aktet e brendshme të IAL-së;
d) Të mbajë përgjegjësi të plotë për veprimet e tij, gjatë kryerjes së detyrës si personel akademik në IAL dhe institucionin kërkimor shkencor.
dh) Të zbatojë etikën institucionale në respektim të imazhit të institucionit të arsimit të lartë dhe figurës profesionale.
e) Të zbatojë kodin e etikës në veshje e sjellje, gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit akademik.
E drejta për veprimtari të tjera brenda universitetit, pagat, shpërblimet dhe leja pa të drejtë page 
1. Personeli akademik, me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion administrimi në institucionin e arsimit të lartë ku është punësuar, me përjashtim të zgjedhjes anëtar në Bordin e Administrimit.

2. Pagat e personelit akademik të të gjitha kategorive përcaktohen nga Bordi i Administrimit, pasi ka marrë mendimin e Senatit Akademik, por jo më shume se kufijtë maksimalë të pagës për funksion/titull, të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë”.

3. Personeli akademik përfiton kompensim e rimbursim financiar, kur punon për aktivitetet e parashikuara në drejtimet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në masën dhe sipas procedurave të përcaktuara nga Bordi i Administrimit dhe kuadrit ligjor në fuqi. 

4. Personeli akademik mund të kërkojë leje, pa të drejtë page, për arsye shëndetësore apo familjare. 5. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.
Sigal