Sot, 37-vjetori i ndarjes nga jeta i ish-Kryegjyshit Botëror, Ahmet Myftar Dede

Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një atdhetar i flaktë dhe gur i rëndë në themelet e Bektashizmit shqiptar e atij botëror.”
Si sot plot 37 vite më parë, u nda nga jeta Ahmet Myftar Dede, ish-kryegjyshi Botëror Bektashian, kleriku që iu përkushtuar gjithë jetën këtij besimi dhe që dënoi ashpër pushtimin fashist në prill të vitit 1939. Ai u rreshtua krah luftëtarëve të lirisë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit. Dede Ahmeti, njëkohësisht, ka merita të mëdha në forcimin e ngritjen e institucioneve bektashiane, gjatë një dekade, përkatësisht nga vitin 1948 deri në vitin 1958, kohë në të cilën ai ishte në krye të Selisë së Shenjtë. “Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gur i rëndë në themelet e Bektashizmit Shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë, zgjuarsinë, guximin e tij, Dede Ahmeti, për 10 vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh, me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar…. Sot, ditë në të cilën Dedei ynë mbush 37 vite të ndarjes nga jeta, është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kush është Dede Ahmet Myftari
Dede Ahmet Myftari ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, Brataj të Vlorës dhe ka ndërruar jetë në vitin 1980. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Mbeti jetim qysh herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije dhe për atdhe. Prej të afërmve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Pas mbarimit të shkollën qytetase (1924-1929), në vitin 1936, kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dume dhe mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Në moshën 22 vjeçare mori dorë në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939 dhe u konsakrua dervish në po këtë teqe, nga baba Zeneli. Në qershor të vitit 1939, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!”. Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Porto-Romanos…Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e Porto-Romanos dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të qarkut në Martanesh dhe përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Në luftë, në një prej betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Por kleriku atdhetar, i rikthehet detyrës së klerikut. Më 2 tetor 1945, merr titullin baba dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit – Elbasan si edhe Kuzum Babait në Vlorë. Në 2 qershor 1948, zgjidhet në funksionin më të lartë, në atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Për dhjetë vite me radhë, në krye të Selisë së Shenjtë dede Ahmet Myftari përveç ruajtjes të pastër të doktrinës bektashiane, mundësoi arsimin fetar duke bërë me dije edhe dervishin e teqesë më të largët dhe punoi dukshëm për harmoninë fetare në vend. Organizoi gjithashtu një varg lidhjesh të komunitetit bektashian shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Në konferencën ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1952, ai shpalosi mendimet në referatin, ku Perëndia zinte vendin e merituar. Por këtu, regjimi reagoi dhe dede Ahmet Myftari, së bashku dhe dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës, ku nisin peripecitë e persekusioni. Në këtë periudhë teqeja e Drizarit u shndërrua në Seli e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Dede Ahmet Myftari ndërroi jetë në 10 korrik 1980.

Klerikët e lartë për Dede Ahmetin
Dede Ahmeti ka lënë gjurmë në historinë e bektashizmit dhe është vlerësuar edhe nga Kryegjyshët që pasuan rrugën e tij në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane.

Dede Reshat Bardhi ka thënë: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit.. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës…Teqeja e vogël e Drizarit, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të raskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të çlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij”. 

Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi i sotëm Botëror i Bektashinjve pohon: “..Sot është një ngjarje e shënuar për miliona besimtarë bektashin në Shqipëri e mbarë botën, është ditë e 

E shënuar, ditë mirënjohje e vlerësimi për Dede Ahmetin, njeriun që punoi e luftoi gjatë gjithë jetës për bektashizmin dhe kombin. Dede Ahmet Myftari ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e Bektashizmit Shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë, zgjuarsinë, guximin e tij, Dede Ahmeti, për 10 vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh, me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar, duke lënë një shembull mjaft kuptimplotë për klerikët dhe besimtarët në dekada. Dhe i tillë do të mbetet Dede Myftari ndër breza, në dekada të tjera e në shekujt që vijnë. Sot, ditë në të cilën Dedei ynë mbush 37 vite të ndarjes nga jeta, është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën, ditë me të cilët ne krenohemi… ”-
Thënie të Dede Ahmetit:
-Ylli i dashurisë dhe mirësisë, Plaku ynë i Madh Haxhi Bektash Veliu në lidhje me bashkëjetesën paqësore na urdhëron kështu:”Që të krijoni një paqe të qëndrueshme në botë, duhet ta doni njeri-tjetrin, ta respektoni njeri-tjetrin, ta ndihmoni njeri-tjetrin e të mos e dëmtoni njeri-tjetrin…
-I dituri është baras me një shenjtor, se dituria është dhuratë e Zotit të madh, është një pasuri që e ke për vete, por që ndriçon edhe brezat që do të vijnë.
-…Të diturit të nderojnë me diturinë e tyre, trimat të mbrojnë me trimërinë e tyre, bujarët të ndihmojnë me bujarinë e tyre…”
“Sot bustet e Ahmet Myftar Dedesë hijeshojnë sheshet, në qytetin e Vlorës dhe vendlindjen e tij në fshatin Brataj. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe Komunës Brataj, Personalitet i shquar i Labërisë. “Albapost”, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emetuar në emisionin e pullave Ahmet Myftar Dede. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë. Ai mbetet një figurë e shquar për bektashizmin në Shqipëri dhe në botë”. 
Përgatitën: K. Boriçi, N. Çuni
Sigal