Silva Dollapi: Linda në skenën shqiptare, i përkas këtij vendi!

662
Sigal

Intervista/ Flet këngëtarja e mirënjohur e diasporës, Silva Dollapi : Thjeshtësisht Diva!

Ajo është një ndër këngëtaret shqiptare më të njohura dhe përsëri mbetet e thjeshtë dhe komunikuese. Silva Dollapi, artistja e kërkuar e diasporës dhe këngëtarja e shumë hiteve të njohura është një femër plot energji dhe pasion për profesionin që ka. E kemi parë në shumë koncerte kohët e fundit, si në Shqipëri edhe jashtë saj dhe së fundmi ka lançuar në tregun muzikor klipin e saj më të ri “Po Martohemi” . Jeta e saj është e lidhur me avionin, pasi gjithmonë ka kërkesa nga të katër anët e botës, ku ka komunitet shqiptar.

 -Tashmë jeni një zë i njohur në këngën popullore, si ndiheni nga vlerësimet që ju kanë bërë deri tani?

 Unë ndjehem shumë mirë dhe e vlerësoj shumë publikun kudo që ndodhet, por më shumë dua të përshëndes publikun e Tropojës, të cilët më japin një vlerësim maksimal.

 -Si një emër i njohur i këngës popullore, si e shikoni sot zhvillimin e saj?

 Unë i kam dëgjuar të gjitha rrymat e reja që janë futur në krijimtarinë popullore, por unë nuk mundem që të gjykoj pasi secili ka linjat e tij, pavarësisht se unë preferoj muzikën, por mendimi im është që duhet të rikthehet ana e mirëfilltë në krijimtarinë popullore, ashtu si ajo ka qenë më parë, por dhe muzika e lehtë. Nuk jam kundër këtyre rrymave, por ato duhet të vijnë pa dëmtuar tabanin kombëtar.

 -Sa e dëmton turbo-folku tabanin kombëtar popullor?

Unë nuk jam e mendimit që të vazhdojë turbo-folku të jetë prezent në krijimtarinë popullore shqiptare. Atë e pëlqen rinia pasi është dhe mosha që e kërkon atë këngë, por unë si Fatmira mbetem tek krijimtaria popullore e mirëfilltë, ajo që i takon tabanit kombëtar. Nuk dua të paragjykoj, por dua të them që rryma turbo-folk e devijon tabanin popullor shqiptar.

  -Ju tashmë jeni një këngëtare e njohur po ne s`dimë për çfarë keni studiuar ?

  Ndoshta pak e dinë. Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve për Koreografi. Pas përfundimit të studimeve unë punova si koreografe në Tropojë në vendin e origjinës. Ishte një vit që njoha të tjera rezerva tek vetja dhe tek jeta. Ishin vitet 1995-‘96, ku më pas unë do të dilja jashtë shtetit me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve. Kjo dalje më shërbeu si shtysë që të jepem pas këngës. Gjermania, Zvicra u bënë atdheu im i dytë. Pastaj erdhi dhe martesa ime në Zvicër me një qytetar zviceran i apasionuar pas këngës.

  -A është shoqëria shqiptare një shoqëri maskiliste?

Është. Këtë e them me bindje. Në Shqipëri ruhen traditat dhe shumë mirë, por ka dhe ca teprime sidomos në raport me hapësirat që duhet të ketë femra. Unë kam krijuar familje jashtë dhe besoj nuk do ta kisha këtë trajtim nga një mashkull shqiptar. Në Europë, artisti, këngëtarja vlerësohet shumë. Një mashkull shqiptar nuk jep kaq përkujdesje për një femër.

 -Kjo do të thotë që femra shqiptare s’i ka hapësirat e duhura në shoqëri?

 Besoj se jo. Pra, them që ka fituar shumë të drejta. Por në disa fusha të jetës ajo është e paragjykuar. Shihet me mosbesim. Ndërsa mund të them se të qenit artiste disa herë është akoma më paragjykuese. Kudo artisti është nderi i kombit, është qendra e rëndesës do të thoshja. Por femra shqiptare është më e veçanta në botë. E bukur, e dashur, familjare, e respektuar. Amvisë. Ajo duhet të ketë fat të mirë. Femra shqiptare ndryshon nga të gjitha femrat në botë.

 -Ç’do të thotë për ty të këndosh live?

 Të këndosh live është gjëja më e bukur që mund të bëjë një këngëtar. Ka shumë emocione dhe duartrokitjet e publikut janë më të ngrohta. Më duket se kur këndoj live unë ua shpërblej ato duartrokitje. E ndiej më thellë respektin dhe admirimin e tyre. Të shkakton një ndjesi të këndshme, të dish se gjithë ata njerëz kanë ardhur të të dëgjojnë vetëm ty. Gjithmonë kam tentuar të këndoj live dhe zëri më ka ndihmuar shumë.

 Përveçse një artiste e suksesshme ju jeni dhe një nënë dhe bashkëshorte e shkëlqyer. Na trego pak për anën e panjohur të Silvës ?

Unë jam rritur si një vajzë tropojane dhe vazhdoj t’i ruaj traditat e mija ashtu siç kam qenë në vajzëri. Disiplina ka qenë një ndër pjesët e karakterit tim, jam rritur duke qenë një nënë e shkëlqyer, një grua e shkëlqyer, një amvisë shumë e mirë. Këto janë tre gjërat që duhet të ketë një femër shqiptare dhe në këtë aspekt, gjithmonë kam patur përgjegjësi ndaj vetes dhe ndaj familjes. Për mua familja është diçka shumë e shenjtë, që nuk lihet pas dore për asnjë moment.

 -Ju merr malli për atdheun?

 Sot largësitë janë shumë të vogla. Për disa orë je në Shqipëri. Kjo s’do të thotë që nuk më merr malli, por sa herë ndjej mall, vij pa problem. Njëkohësisht dua të them se unë jam e ftuar vazhdimisht në Shqipëri dhe njëherë në vit jam në shtëpinë time.

  -Si i keni lidhjet me këngëtaret dhe këngëtarët e tjerë shqiptarë në diasporë?

Kam lidhje të shkëlqyera dhe s’ka përse të mos jenë. Secila ka repertorin e vet, ka fansat e vet. Kemi respekt të ndërsjellët dhe nuk kemi shfaqur shenja xhelozie.