Si u kthye një këngë lirike Shkodrane në hymn patriotik në Kosovë

1300
Sigal

Prof. Ramadan Sokoli (1920 – 2008), lindur në Shkodër, është një figurë e shquar e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe e muzikës e etnomuzikologjisë sonë në veçanti.

Gjithë jeta dhe vepra e tij flet për një përkushtim të madh në shërbim të atdheut e kombit, jo vetëm me krijimtarinë muzikore të bukur e me vlerë që kemi prej tij, por edhe për studimet e thelluara dhe me kompetencë në fushën e traditës  muzikore, të etnomuzikologjisë  dhe të vlerave kulturore kombëtare.

Ai ishte i paisur me një kulturë të gjërë, studjues sistematik dhe i thellë, njohës i disa gjuhëve të huaja, gjurmues dhe kërkues i thesareve më të çmuara  të muzikës e kulturës shqiptare, autor i librave me vlerë si  “Folklori muzikor shqiptar”, “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, “Figura e Skenderbeut në muzikë” si dhe i veprës me kontribut të lartë në shkencat albanologjike “16 shekuj“, etj. në thelbin e së cilave janë studimet për të njohur traditën shqiptare të muzikologjisë, duke shkundur pluhurin e kohës në mbi 40 personaliteteve shqiptare, duke argumentuar origjinën e tyre shqiptare, etj. Veprat e tij janë të njohura dhe shumë të vlerësuara edhe në botën e jashtme. Ai ka qenë një shkencëtar i vërtetë dhe studiues me potencë i kulturës sonë. Ai meriton nderimin dhe vlerësimin më të madh që mund t’i bëhet një njeriut të përkushtuar dhe të talentuar, nderim dhe vlerësim që nuk e pati në vitet e diktaturës, e cila, duke njohur aftësitë e tij, pas një persekutimi të veçantë, i krijoi mundësi shumë të kufizuara për të dhënë maksimumin e aftësive të veta.

Është autor edhe i disa këngëve të bukura popullore, si “Turtulleshë”, “Blegëron delja”, “Jelino”, “Lulja me erë”, “Zanushës”, etj. si dhe shumë krijime të tjera muzikore

Jeta e tij kaloi shpesh herë mbi tehun e thikës, por falë aftësive të tij, optimizmit që e karakterizonte dhe shpresës  për një të ardhme më të mirë, këmbënguljes prej shkenctari të vërtetë, arriti të mbijetojë e të bëhet ky që është sot – një figurë e  nderuar e etnomuzikologjisë e kulturës shqiptare, historia e së cilës nuk mund të mendohet pa figurën e shquar të Prof. Ramadan Sokolit dhe pa veprën e tij të madhe në shërbim të kulturës kombëtare, që përcakton fillimet e studimeve të kësaj fushe.

 “Lulja me erë” mund të jetë një nga këngët më të njohura në Kosovë. Është kënduar në momentet më të rëndësishme të historisë së saj, edhe pse kur është krijuar ajo nga prof. Ramadan Sokoli, në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar, autori i saj nuk e kishte parashikuar aspak se kjo këngë mund të bëhej, për një kohë të gjatë, hymn i luftës patriotike të shqiptarëve të Kosovës, kundër  pushtimit serb.

Historia e këngës “Lulja me erë” ose “Besa – besë” është mjaft interesante dhe paraqet një rast ndoshta unik në tërësinë e këngëve lirike, jo vetëm shkodrane, por mbarëshqiptare. Prof. Rexhep Munishi në Prishtinë ka bërë një studim të gjatë për këtë këngë, duke trajtuar me mjeshtri evoluimin e saj në aspektin letrar dhe duke ruajtur të paprekur melodinë. Më vonë, Osman Xhatufa, autor i librit monografik për Prof. Ramadan Sokolin, e trajton gjërësisht historikun e kësaj kënge, mbështetur edhe në studimin e prof. Rexhep Munishit.

Vetë autori i kësaj kënge të bukur, Prof. Ramadan Sokoli, është shprehur kështu:

“Pasi kisha shkruar disa këngë në fund të viteve ’30 emë tej , ndër të tjera, shkrova edhe këtë këngë:

                                   Me shami xhamadan të kuq

                                   Nuk të zenka po të bika ngusht.

                                               Refreni: Ku je rrit – o lulja me erë

                                                           Bukur – o,  fol me gojë nji herë.

                                   Syni zi plot me shkëndija

                                   Buzën kuq, gjak si qershia.

                                               Refreni: Ku je rrit – e lulja me erë

                                                           Bukur – o,  fol me gojë nji herë”.

Ky ësht varianti i parë i këngës së vetë autorit.

Kënga, për herë të parë është kënduar në një dasmë, pastaj u përhap gjithandej. Më vonë është kënduar dhe inçizuar në Radio-Tirana, në interpretimin e grupit të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve “Na bashkoi kënga popullore”, etj.

Lidhur me këto fakte,  muzikologu Prof. Rexhep Munishi ka shkruar: “Në aktin e krijimit, autori i kësaj kënge as që ka mundur ta paramendojë e të parashohë se një ditë, përkatësisht pas tridhjetë vjetësh, një krijim fare i shkurtër, me motive dashurie, do të marrë përmasa kombëtare dhe do të institucionalizohet  për t’u vënë në funksion në çaste të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare”.

Etnomuzikologu i njohur, Prof. Rexhep Munishi, duke analizuar ecurinë e këngës në rrjedhën e saj historike, nëpër dekadat e ndryshme,  thekson se që në çastin kur kënga e Ramadan Sokolit “Me shami xhamadan të kuq” ose “Lulja me erë” nis jetën e saj të pavarur, në gojën e popullit nisin edhe ndërhyrjet, ndryshimet, shtimet, plotësimet e ndryshme tekstore (më pak ndryshime melodike ), që ndodhin në krijimtarinë gojore.

           “Besa – besë, besën ta kam dhanë

           Për liri, jetën du me dhane”

Shqiptarët e Kosovës, në kohë të ndryshme, kishin nevojë për një himn, për një këngë që t’i shoqëronte e t’i mobilizonte në lëvizjet e mëdha dhe në demonstratat e fuqishme. Ata, pra, kërkonin një himn, një këngë me vlerë, një melodi të bukur, të ngrohtë por edhe të fortë, të kapshme nga të gjithë, që të ishte optimiste,  nxitëse e mobilizuese.

Nuk dihet se kush e bëri ndryshimin e parë të kësaj kënge, por dihet se ajo u pëlqye si melodi, u ruajt si konstrukt i tekstit origjinal dhe u plotësua me një kontekst ndryshe dhe në këtë mënyrë kënga nisi të këndohet në çaste të rëndësishme të historisë për shqiptarët e Kosovës.

Kështu kënga mori drejtim tjetër, atdhetar. Një rast i pashembullt.

Duke ndjekur hap pas hapi ndryshimet që pësoi kënga në rrjedhën e saj, vemë  në dukje se kënga disa herë, sipas momentit në të cilin zhvillohej demostrata, ndërronte ndonjë varg, pa ndryshuar gjë tjetër. Në demonstratat e vitit 1968 të organizuara në Kosovë, kjo u këndua  me këtë tekst:

                                               Besa – besë, besën ta kam dhanë

                                               Për Kosovë, jetën du me dhanë.

                                                           Refreni: Ku m’je rritë moj, lulja me erë

                                                                         Në Kosovë, ku jam kenë përherë.”

Këto ditë më ra në dorë libri “Demonstratat e gjashtëdhjetetetës” të autorit Selatin Novosela, një nga organizatorët kryesorë të demonstratatve të atij viti, i cili verteton këtë fakt, por pa permendur autorin e kësaj kënge. Në këtë rast këtij autori i jepet të drejtë, sepse nuk kishte rëndësi parësore krijuesi, por vetë kënga, vetë veprimi. (Shih librin Selatin Novosela: “Demonstratat e gjashtëdhjetetetës”, Prishtinë 2008, fq.162)

Kjo këngë fitoi një popullaritet kaq të madh, sa që u bë lajtmotivi  kryesor i çdo ngjarjeje politike për  popullin e Kosovës.  Kjo këngë u bë edhe himn i Klubit Sportiv  “Prishtina”  duke i shoqëruar fitoret e këtij ekipi sportiv  bashkë me entuziazmin e tifozëve të tij.                                                                                                  Besa – besë, besën ta kam dhanë

                                               Për Prishtinë, jetën du me dhanë.

                                                           Refreni: Ku m’je nisë moj, lulja me erë

                                                                         Në Prishtinë, do të jem  përherë.”

Gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, në të cilat u shfaqën qartë dhe prerë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për të pasur edhe ata Republikën e vet… dhe më vonë në demonstratat e viteve 1989 – 1991, në të cilat pati edhe viktima të shumta, shqiptarët gjithnjë betoheshin se do të luftonin në të gjitha mënyrat, për Kosovën e lirë, betim që e shprehnin edhe nëpërmjet të kësaj kënge – hymn.

Kënga, që u bart më shumë se gjashtëdhjetë vjet në gojën e shqiptarit, del në fund të viteve ‘90 me një frymë tjetër, në vartësi me kushte e reja historike:

                                               Besa – besë, besën ta kam dhanë

                                               Për Drenicë, jetën du me dhanë.

                                                           Refreni: Ku m’je nisë moj, lulja me erë

                                                                         Në Drenicë, te baca Azem.

                                                                         Ku m’je nisë moj, lulja prej ari,

                                                                         Në Drenicë te Adem Jashari.

.Kështu kënga “Besa – besë”…si krijim i autorit, që mori përmasa gjithë popullore, shoqëroi kronologjikisht ngjarje të historisë sonë kombëtare në atë mënyrë që edhe vetë kënga mori statusin e një krijimi historik.

…Shumë pak e dinin se kënga “Besa – besë” si dhe shumë këngë të tjera të lartpërmendura kishin si autor  Prof. Ramadan Sokolin. Kjo nuk është diçka e rastit, por sidoqoftë është një privilegj i madh për artistin, kur vepra e tij bëhet pronë e popullit dhe kështu i shërben një qëllimi të lartë e fisnik. (Shih “RAMADAN SOKOLI – Jeta dhe vepra”  shkruar nga studiuesi Osman Xhatufa, botim i Sh.B. “Artes”, viti 2004)