Si u censurua për 20 vite Dritero Agolli, Librat që u sakatuan apo u kthyen në karton

837
Me dhjetëra tregime të ikonës së letrave shqipe, Dritero Agollit shkruar gjatë viteve të monizmit, ose janë gjymtuar në botime, ose nuk janë botuar për shkak të censurës, deri dhe një pjesë e tyre janë kthyer në karton. Është një realitet i panjohur apo paksa i njohur në opinion, të cilin shkrimtari i njohur e ka përballuar dhe sfiduar me dinjitet, profesionalizëm, duke arritur në ato maja që ka ngjitur sot. Artani, djali i Dritero Agollit rrëfen për ‘Telegraf’ se sakatimi në botim i krijimtarisë së Agollit, mosbotimi apo heqja nga qarkullimi, nuk ka vazhduar pak, por mbi dy dekada, dhe është përjetuar me vuajtje e dhimbje nga autori. Por ai, sipas tij, nuk e ka dhënë veten, nuk është ligështuar. ‘Sigurisht, ai e ka përjetuar dhimbshëm këtë situatë me të cilën përballeshin krijuesit e guximshëm në atë kohë, por nuk është dorëzuar, përkundrazi, ka punuar e shkruar e botuar vazhdimisht… Ai shton gjithashtu se lista e krijimeve të censuruara është e gjatë.. Një pjesë e vogël janë botuar, ndërsa e gjithë kjo lloj krijimtarie është pjesë e një libri të veçantë që është në proces botimi…
Në një libër të Dritero Agollit, në pak kopje, botuar së fundi janë shumë tregime të pa botuara më parë, ose të plotësuar?
-Po, kështu është. Është libri ‘Zhurma e erërave të dikurshme’, në të cilin janë përfshirë disa tregime të Agollit, të plota, ashtu siç kanë qenë në origjinal dhe disa për shkaqe censure, pra të panjohura nga lexuesi… Vite më parë, më 1966, libri me tregime ‘Njerëz të krisur’, dha diçka të veçantë nga krijimtaria e censuruar e tij, e që u mirëprit nga lexuesi…
Diçka për krijimtarinë e censuruar të Agollit?
-Nuk është pak… I janë sakatuar tregimet, nuk i janë botuar apo dhe më pas ndaluar. Unë dua të përmend diçka, vëllimin e katërt të veprave të zgjedhura të Agollit, me 10 volume, publikuar në vitin 1981. Këtu, në shumë tregime, nga ndërhyrjet e thella, është zbehur konflikti dhe është mjegulluar kuptimi. Autori ka qenë fatkeq në tregimet e tij. Të gjithë ose janë ndaluar pas botimit, ose janë kritikuar rëndë. Autori ka qenë fatkeq në tregimet e tij. 
Në ç’formë ka qenë censura?
-Librat ose janë ndaluar pas botimit, ose janë kritikuar rëndë. Kjo ka nisur nga fillimi i viteve 60-të dhe ka vazhduar deri në mesin e viteve 80-të. Njëzet vjet me radhë! Është vërtet e çuditshme dhe e pakuptueshme…
Si e ka përjetuar Agolli këtë? 
-Sigurisht, ai e ka përjetuar dhimbshëm këtë situatë me të cilën përballeshin krijuesit e guximshëm në atë kohë, por nuk është dorëzuar, përkundrazi, ka punuar, shkruar e botuar vazhdimisht. E rëndësishme është që kjo krijimtari do u jepet në dorë lexuesve së shpejti me një botim të ri…
Çfarë botimi do të jetë?
-Ai do të jetë një botim i plotë me krijimtarinë e censuruar të Dritero Agollit. Libri është ën shtyp dhe pritet të dalë së shpejti…
Shtëpia botuese ‘Agolli’
Përmbledhja me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, që botohet sot, është më e plota nga gjithë botimet e mëparshme. Këtu janë tregimet e librit të parë me tregime të autorit “Zhurma e erërave të dikurshme” të 1964-s dhe të tjera të botuara në shtypin letrar e politik të kohës deri më 1986-n. Në librin e tanishëm janë dhënë variantet e botimit të parë, pasi botimet e dyta apo të treta kanë qenë të redaktuara, ndonjëherë deri në sakatim. Kështu, në vëllimin e katërt të veprave të zgjedhura ne dhjetë vëllime, botuar më 1981, në shumë tregime, nga ndërhyrjet e thella, është zbehur konflikti dhe është mjegulluar kuptimi. Autori ka qenë fatkeq në tregimet e tij. Të gjithë ose janë ndaluar pas botimit, ose janë kritikuar rëndë. Dhe kjo ka nisur nga fillimi i viteve 60-të dhe ka vazhduar deri në mesin e viteve 80-të. Njëzet vjet me radhë! Është vërtet e çuditshme dhe e pakuptueshme. Në vitin 1995 Shtëpia botuese “Apolonia” botoi një libër me njëmbëdhjetë tregime nga ato që përmendëm më lart, me titulli “Njerëz të krisur”. Ky ishte një libër i vogël, rreth 160 faqesh, megjithatë ai ndihmoi për njohjen apo rinjohjen e autorit si një tregimtar krejt i veçantë nga të tjerët. Libri i sotëm “Zhurma e erërave të dikurshme” i jep autorit një njohje më të plotë në fushën e prozës së shkurtër.
Shënimi i redaksisë
Sigal