Si e ngritëm estradën e Maliqit me Aleko Prodanin

938
Pëllumb Çuni
Dossier & Kulturë
Rrëfimi i Koço Qëndros, ish partizanit dhe aktorit që u bë drejtor i pallatit të kulturës “16 Tetori” në Maliq të Korçës
Koço Qëndro u lind në fshatin Senicë të Delvinës. Ka qenë partizan. Pastaj drejtor i pallatit të kulturës së Maliqit. Është nga aktorët e parë që formoi estradën profesioniste të Korçës. Është autor i mjaft materialeve letrare për esradën dhe teatrin. Ka botuar librin me tregime “Të fshehtat e misionit të panjohur” vëllim me satira dhe e epigrame “Pse kështu gjeçi belanë?!” dhe komedinë “Disko Harpagoni”. Me një mjeshtri ka shkruar monografinë “Dhora jonë”, ku shpalos të gjithë madhështinë e aktores Dhorkë Orgocka. Ka në dorëshkrim historikun e aktrimit në vite, në Korçë. (Dhënë për “Telegraf”, më 30 Maji 2006 )
Sot pallati i kulturës së Maliqit mban emrin e Dhimitër Orgockës, këtij mjeshtri të madh të skenës që e ka gjallëruar jetën artistike të Maliqit. E ndërsa Dhimitër Orgocka bluan materiale për t’i vënë në skenë, Koçua mbledh materiale për historikun e teatrit në shekuj të Korçës. Po me këta të dy bashkohet edhe aktori tjetër më i ri, Syrja Meçe që shkruan komedi. Të tre janë pensionistë, por aktivë në krijimtari. Bashkë i mbledh kafja e mëngjesit, ku në tavolinën e tyre ulen dhe miq të tjerë dhe së bashku me kafen e ndonjë, por vetëm një teke raki, shkëmbejnë përvojë, konsultohen mes tyre. I pari ikën nga tavolina Dhimitri e më pas do të ngrihet Koçua 82 vjet e Syrjai 66 vjeç. E ndërsa bëhen gati të ngrihen, në derën e kafenesë shfaqet Vani Trako. Përsëri kthehen dhe kalojnë disa minuta me të. Edhe ky mbi 80-vjeçar, por që nuk i ndahet korit “Lira”. Vani këndon. Së bashku me gruan Qefseren ka luajtur në teatër. Koçua me një oratori të freskët flet për figurat që i dhanë jetë aktrimit në Korçë. “E përdorën teatrin njësoj si dhe pushkën”. Na flet për Mihal Gramenon. Si vunë në skenë dramën “Armiqtë e Popullit”. Po me Koçon vazhdojmë bisedën për klubin e kulturës së qytetit të Maliqit dhe mua më duhet të mbaj shënime me të shpejtë se nuk ndalet kur nis të rrëfejë. Do të ndahej nga fshati i lindjes në vitet e luftës. Do ta linte Senicën e Delvinës dhe do të rendte në Durrës si komisar dhe pas disa vitesh do të hidhej me parashutë në qytetin e Maliqit, ku do të drejtonte pallatin e kulturës së qytetit të sheqerit. Mbante datëlindjen e komandantit ai pallat. Ishte ngritur nga rusët së bashku me kombinatin. Pallati i hapi dyert një vit më vonë se kombinati. E ndërsa kombinati mbante emrin “8 Nëntori” po me një shifër ditëlindjeje u pagëzua dhe pallati i kulturës në Maliq apo si thirrej nga banorët dhe artistët klubi i kulturës. Klubi u hap më 8 nëntor të vitit 1952. Në atë klub e nisën rrugën aktorët Aleko Prodani, Dhimitët Pema, Koço Qëndro dhe Syrja Meçe. 

Si e ngritët estradën e Korçës?
Estradën në fillim e gjeta të ngritur në qytetin e Maliqit. Kur unë shkova si drejtor i pallatit gjeta aty si amator Aleko Prodanin, Dhimitër Pemën, Niko Dhimën, Stavri Shaminë. Syrja Meçe merrej me trupën e cirkut. Mua më dukej vetja sikur isha hedhur nga një parashutë në atë qytet tepër të vogël në ato vite që kishte vetëm kombinatin, pallatin e kulturës dhe disa ndërtesa të tipit vila tre katësh të ngritura për specialistët rusë që ngritën e montuan plaçkat e kombinatit. Punëtoria donin dhe pak humor pas turneve. Në Maliq ishte një bërthamë aktorësh të estradës. Pallati mbante emrin “16 Tetori”

Ku punonin këta aktorë që gjallëronin skenën e pallatit “16 tetori”?
Këta aktorë që ishin vërtetë heronj dhe unë gjeta tek ata shokët e mi të skenës, punon në kombinat. Në proceset më të vështira. Punon me tre turne. Në ato vite ishte vetëm një autobus në linjën Korçë-Maliq. Bëhet fjalë për vitet 1954 deri në 1959. Shpesh herë ata vinin në këmbë që nga Korça. Po në këmbë u qëllonte që të niseshin. Pasi mbaronin punën me turne nisnin provat në skenë dhe pas provave do të jepnim shfaqe. Më kujtohet një natë kur mbetën pa ikur në Korçë. Aleko Prodani, Dhimitër Pema, Stavri Shamia erdhën në pallatin e kulturës dhe ia nisëm provave për tërë natën. Kishte kaluar ora 2 e mesnatës, kur troket dera. Dal ta hapi kur shohë Sekretarin e parë të rrethit të Maliqit, Ilo Zetën, se në ato vite ishte rreth më vete, së bashku me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Qani Dumen. Binte daullja brenda në pallat. Qeshnin. Bëheshin prova. “Drejtor si e keni kthyer në kasaphanë pallatin, ç’ bëni në orë të vona këtu?” “Prova, – u them, – për shfaqen e re që do të vihet me rastin e ditëlindjes së komandantit”. Ata hynë brenda dhe kur panë korçarët që luanin në skenë na falënderuan dhe ikën.

Si i kishit marrëdhëniet me kombinatin?
Pallati u ngrit për lezet të kombinatit. Në ato vite ishte një nga objektet më të mira të kulturës së ngritur pas çlirimit. Të gjithë delegacionet që vinin në kombinat për t’i çlodhur i sillnin në pallat, për të parë sesi argëtohet klasa e re punëtore. Në kohën e verës e mbushja me lule brenda se kishim krijuar miqësi me lulishtarët. Ata më gjenin lulet më të bukura dhe unë i fusja pa biletë në shfaqje. Pallati kishte bibliotekë të pasur. Që në ato vite kishte 13 mijë kopje librash. Me dy banja brenda e me ngrohje. Një banjë ishte për të huajt që bënin vizita dhe u duhej për nevoja personale.

Po artistë të tjerë vinin në kombinat nga Korça për të bërë punën prodhuese?
I sillnin. Por jo vetëm artistët, por dhe inxhinierë e intelektualë të tjerë. Po të them një rast. Kishin caktuar për të bërë punën prodhuese kompozitorin Kostandin Trako, në kombinatin e sheqerit. Unë i thashë drejtorit të kombinatit që Kostandinin ta marr në pallat se më duhet atje se nuk ka çfarë të bëjë këtu. Ngritëm një kor të mirë që së bashku me estradën i ramë rreth Devollit, Korçës e deri në Moglicë shkuam. Një ditë me Kostandinin shkuam të shihnim se ku punonin aktorët që kishim në estradë. Atë ditë po bënin remont. U kishte qëlluar që të tre si Alekua, Dhimitri dhe Stavri, të punonin në repartin e vakumit. Ishin futur 6 metra poshtë ku ishte fundi i kazanëve. I pamë nga lart po nuk dalluam gjë. Kur dolën ishin nxirë sa nuk i njihje se kush ishin. Kostandini më tha se këta janë vërtetë heronj që punojnë këtu dhe vijnë pastaj e bëjnë humor në skenë.

Erdhët në Maliq nga Durrësi pasi e latë uniformën ushtarake?
Kështu ka ndodhur. Më dukej sikur isha hedhur me parashutë në një zonë të panjohur. Por gjeta të rinj të talentuar që veç punës në kombinat ishin dhe të palodhur në skenë. Duke parë hovin e tyre edhe unë luaja së bashku me ata. Ishim aktor. Kur ngjitesha në skenë e lija gradën e drejtorllëkut.

Ju e mbyllët karrierën si aktor në estradën e Korçës? 
Aktor në estradën e Korçës kam qenë që në ditët e para të krijimit të saj. Nga pallati i kulturës së Maliqit erdhëm unë, Aleko Prodani dhe Dhimitër Pema. Estrada profesioniste e Korçës u krijua në vitin 1959. Kishte 7 aktor. Tre erdhëm të importuar nga Maliqi dhe katër i gjetëm këtu në Korçë.

Si u ecën punët me këtë estradë. Po me Maliqin i shkëputët marrëdhëniet?
Me qindra role si në estradë, teatër, në filma. Po nuk e lamë dhe klubin e Maliqit. Vinim shpesh gjatë të dielave e pasditeve dhe vinim pjesë në skenë me amatorë të klasës punëtore. Pallati i Maliqit ishte me ngrohje e me kinema. Kishte si aktor estrade dhe një trup cirku. Nga trupa e cirkut kisha Syrja Meçen që edhe ky u bë aktor estrade në fillim në Maliq e pastaj e morëm me teatrin e Korçës.

Si është vlerësuar puna juaj?
Bashkia e Maliqit më ka dhënë titullin “Personalitet i skenës”. Po për mua eshtë kënaqësi që ky pallat kulture ka nisur përsëri të gjëmojë si dikur. Ai ka marrë emrin e Dhimitër Orgockës. Dhimitri e ka gjallëruar jetën e këtij pallati që e ka zili dhe teatri i Korçës.

Si ecën sot estrada e Korçës?
Me ikjen e Aleko Prodanit, skena korçare nuk po gjen atë humor që ka bërë ndër vite. Mungojnë aktorët e mirëfilltë që t’i japin skenës gjallëri e të thithin qytetarët. Jepen shfaqje duke importuar aktorë nga Tirana dhe nga Durrësi. Unë dëshiroj që Estrada e Korçës të ecë në vazhdën e traditës së mirë. Ajo ka sivjet 50-vjetorin dhe, nga ata që e themeluan, vetëm unë kam mbetur gjallë si i fundit i asaj bërthame. 
Kërkesa për Petrit Dumen: Riza Kodheli, me 10 ushtarë sjell mbretin e Greqisë në thes
“Më parë kisha ardhur në trevën e Korçës vetëm një herë kisha qenë me kompaninë ku unë isha komisar në provokacionet e 2 Gushtit. Maliqi atëherë po ngrihej. Po ku kishim nge që të shihnim. Ne u vendosëm disa ditë në mbështetje të garnizonit të Korçës. Një ditë më thërret Petrit Dumja, pasi kishin zënë rob një oficer dhe dy ushtarë grek. Më thërresin që unë të përktheja se dija greqisht. Kur pas meje hynë dy burra të veshur me uniformë partizane e me pushkë në krah ku i kërkuan Petrit Dumes 10 ushtarë të fuqishëm, se ata do të shkonin të kalonin kufirin grek se kishin marrë vesh që mbreti i Greqisë Jorgua, kishte ardhur në afërsi të kufirit. Ata i thoshin se do ta fusnin në thes dhe do ta sillnin në Korçë. “-Po ç’ e e duam Jorgon,- u tha Petriti”. “-Po morëm mbretin, bie dhe shteti i Greqisë”. Aty mësova se dy burrat ishin Riza Kodheli dhe Agush Gjergjevica. Unë komunikova vetëm me një të kapur rob, i cili ishte infermier dhe shoqëronte ushtarët e vendit të tij, si tha ai, për të mbrojtur kufirin. Pastaj u morën të tjerë me të”. ( 30 Maji 2006 )
Sigal