Shqipëria triumfon në Gjeorgji në garën botërore World Rising Star 2019

1290
Sigal

Producentja Albana Çakshiri: Synimi im, promovimi i fëmijëve shqiptarë në skenat botërore.

Duket se vitin e ka startuar në mënyrën më të mirë të mundshme agjencia e spektakleve dhe modelingut “Albania Event Production” dhe presidentja e saj Albana Çakshiri e cila ka qenë anëtare e jurisë ndërkombëtare në këtë eveniment global me pjesëmarrjen e 47 konkurrenteve nga më shumë se 20 shtete të botës. Albana Çakshiri ka përzgjedhur dy konkurrente në këtë garë Ani Laze 16 vjeç dhe Fiziona Medulaj 14 vjeç. Të dyja konkurrentet shqiptare janë vlerësuar me çmime prestigjioze duke bërë krenar çdo shqiptar. Fiziona Medulaj u votua nga juria me çmimin Best Model of the World si dhe çmimin tjetër Fashion Model. Teksa konkurrentja tjetër Ani Laze është vlerësuar me plot 3 çmime si asnjë konkurrent tjetër në këtë garë. Best Photomodel of the World, Best Press dhe Best Intelligence ishin çmimet që i bëri të sajat 16-vjeçarja nga Poliçani. Albana Çakshiri producente dhe pronare e disa patentave shumë të rëndësishme në tregun botëror si Miss Summer World, Golden Star Kids International, Miss&Mister Children ka treguar për gazetën “Telegraf” se Shqipëria e ka nisur mbarë vitin me trofe, ndërsa do ketë shumë të tillë gjatë vitit. “Unë synoj që të promovoj jo vetëm në skenat shqiptare, por në ato më të njohurat në botë fëmijët shqiptarë që aspirojnë skenën dhe që duan të bukurën. Tashmë kemi nisur përgatitjet për përzgjedhjen e konkurrentëve në garën e madhe botërore që zhvillohet në Antalya, Turqi Golden Star Kids International. Në garën e zhvilluar në Tbilisi, Gjeorgji pak ditë më parë ne u kthyem si triumfuese në atdhe duke promovuar edhe Shqipërinë tonë me vlerat e saj” , ka pohuar ndër të tjera producentja Albana Çakshiri. Në morinë e çmimeve në CV-në e Çakshirit është shtuar dhe ky i fundit me të cilin është vlerësuar nga produksioni gjeorgjian i World Rising Star. Best Jury Member ka qenë çmimi për Albana Çakshirin për të cilën disa ditë më parë gazeta e njohur botërore Daily Mail, duke vlerësuar përkushtimin dhe sukseset e njëpasnjëshme në skenat tashmë jo vetëm shqiptare. Aktualisht agjencia e drejtuar nga Albana Çakshiri është duke organizuar garën e parë të fëmijëve shqiptarë në Selanik të Greqisë Miss&Mister Children Diaspora 2019.