Sherif Merdani: Arshi Pipa, intelektuali që e ka përshkruar më mirë Enver Hoxhën

1346
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtari i mirënjohur,  “Mjeshtri i madh”  Sherif Merdani: Apeli im “Na pret të gjithëve një gur mbi varr, pak dashuri, pak dashuri”

Dje (22 maj) në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u përkujtua revolta e ish të burgosurve politikë të Spaçit dhe të Qafë-Barit. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë kreu i Shoqatës së të Përndjekurve politikë Simon Miraka, ish të burgosur politikë, nipër dhe mbesa të ish të përndjekurve politikë që tani nuk jetojnë më. Në këtë takim folën shumë ish të përndjekur, të cilët sollën kujtimet e tyre për ditën e 22 majit 1984. Në fjalën e tij z. Miraka theksoi se, PD dhe vetë Sali Berisha për të cilën votuam vite të tëra nuk u kujtuan kurrë për ish të përndjekurit politikë. Ishte detyrë e PD të ngrinte një memorial në kujtim të ish të përndjekurve politikë që u vranë, u pushkatuan pa gjyq, u lanë pa varr, apo humbën rininë e tyre në burgjet e Spaçit, Burrelit, Qafë -Barit etj… Ne na takon një memorial, ku të derdhim lord në kujtim të këtyre martirëve të demokracisë, ne duam një memorial që të dimë ku të lehtësojmë dhimbjen sa herë që kujtojmë këtë skëterrë. Po aq prekëse në këtë ceremoni përkujtimore ishte fjala përshëndetëse e z. Lek Mirakaj (ish i përndjekur politik) tashmë me banim në SHBA. Ndërsa në fjalën e tij z.Reshat Kripa theksoi se, ishin 20 mijë të burgosurit politikë që sollën demokracinë e sotme. Por fjala e shkurtër e këngëtarit të mirënjohur Sherif Merdani pati ovacione të fuqishme.

  Çfarë do ta cilësonit sot këtë ditë të veçantë të 22 majit të revoltës së burgosurve të Spaçit dhe të Qafë-Barit?

Po kjo është një ditë e veçantë, një ditë ndryshe, një ditë që na kujton shumë gjëra. Ishte miku im Simon Miraka që më ftoi në këtë ditë kujtese,  i cili kur më mori në celular më tha “Sherif mos harro, se nesër (për datë 22 maj) kemi ditën përkujtimore të 22 majit. Dhe unë nuk harrova të vija. Në fakt, menjëherë, mendova të bëj një fjalim si bëhen në të tilla raste, pro pastaj mendova se, nuk do të ishte e udhës që të bëja të tilla fjalime që ngjallin shumë vonesa dhe ankthe, ndaj dhe do të flas thjeshtë pa letër, për ato ditë kujtese. Këto ditë kam lexuar një shkrim  të mikut tim Visar Zhiti për këtë ditë dhe mund të them se unë nuk mund të shkruaja më mirë se ai për këtë ditë. Sot mund t’ju them se ai shkrim është më i mirë se ato që mund t’ju them unë dhe pse unë kam disa gjëra dhe përjetime krejt të veçanta. Megjithatë, unë kam disa përshtypjet e mia. M’u kujtua një shkrimtar i madh anglez  që thotë “E kaluara i përket vdekjes ndaj ne duhet të mendojmë për të ardhmen”. Mendova me vete ka të drejtë, por ky shkrimtar as që e ka menduar se çfarë ka hequr rinia shqiptare e regjimit komunist. Ai nuk mund ta mendoj (ose mendonte) se çfarë terri ka hequr kjo rini në ato vite të paimagjinueshme.

Dhe çfarë do të kujtosh për këtë ditë?

Para disa vjetësh me z.Miraka dhe me shumë ish të burgosur politikë ne bëmë një vizitë tek Qafa e Barit, në ditën që përkonte me 22 Majin. I hipëm autobusit dhe u nisëm. Në autobus krah meje ishte Visar Zhiti,  bashkë  me të birin. E pata zili, Visari kishte marrë të birin, që të shikonte se çfarë kishte  hequr i ati, ku kishte jetuar, ku kishte fjetur, ku kishte punuar, t’i tregonte burgun, mensën, ushqimin, vuajtjet. Më në fund shkuam  në Qafë- Bari. Çdo gjë kishte ndryshuar. Rruga ishte e zënë bari ishte sa një bojë njeriu. Burgu thuajse ishte inekzistent. Ishin hequr dyer dritare, tulla, hekura. Kishte ngelur vetëm si skelet. Ishin shkatërruar të gjitha. Dukej si një gërmadhë e keqe. Si një gërmadhë pa jetë që ka dhënë shpirt me kohë. Kishin ikur të gjitha kujtimet tona në atë ndërtesë pasi ato ishin tjetërsuar dhe pse gërmadhat ruanin po ato përmasa dhe po atë pozicion gjeografik. Me të vërtetë u ndjemë keq. Unë akoma më keq, do të doja që aty asgjë të mos ndryshonte. Të ishte si ajo godinë e viteve 1970, pasi vetëm ashtu memoria historike do të ishte më konkrete. Por jo, askush nuk ishte kujtuar për ‘të dhe pse shumë veta kishin vuajtur. Askush nuk ishte kujtuar dhe pse aty ishte një prej historive më të dhimbshme të ish të burgosurve politikë.

 Kush ishte objektivi i parë i vizitës suaj?

 Vizita e parë ishte tek mensa. Ajo atëherë ishte si ne, shpresa e vetme. Aty ne shikonim njëri-tjetrin si të mjerët e Hygoit. Të them një gjë. Sa u futëm të gjithë shtangëm. Shikonim njëri- tjetrin në heshtje dhe qanim si fëmijë. Lotët s’kishin të reshtur. Ishte një lot dhimbje dhe malli. Mall për njëri- tjetrin dhe për vuajtjet e paimagjinueshme. Prisnim se kush do të fliste i pari, por vetëm qanim. Qanim nën heshtjen tonë. S’kishim fjalë. Askush s’e mendonte si hynim në atë mensë me një tas në dorë për të ngrënë një supë me ujë. Askush nuk e beson se si ushqeheshim ne. Unë them se këto vende, këto burgje, duhet të jenë dhe të ruhen si Matat’hauzen. Por bota është më e zgjuar se ne, janë më qytetarë se ne. Ata e ruajtën historinë që të mos përsëritet. E ruajnë që t’u thonë brezave ja si ishte dikur që sot të mos e përjetojmë më. Në kampet e përqendrimit nazist shkojnë për t’i vizituar nga Amerika, nga Kanadaja, ndërsa ne i shkatërrojmë.

 Ç’kujton nga burgu i Qafës së Barit?

Çfarë nuk kujtoj. Dhimbje, lot, mall për të afërmit, shkathim fizik. Mbaj mend Përgjegjësin e burgut, një kriminel i lindur. Do kisha qejf ta takoja dhe t’ja thosha në sy këto fjalë. Ai  me urdhrat e tij vriste njerëz, shtynte në greminë njerëz të pafajshëm vetëm dhe vetëm pse ishin kundër regjimit. Ne aty ishim shumë intelektualë që s’dinim ç’ikshim bërë. Sot dua të jap një apel, një mesazh, një fjalë zemre. Të dashur bashkëvuajtës. Sot ne jemi të thinjur të gjithë nga vuajtjet si ish të persekutuar të regjimit komunist dhe presim të na dëmshpërblejnë. Po unë dua të jap një mesazh tjetër që në këto vite që na kanë mbetur t’i japim sa më shumë dashuri njëri -tjetrit. Më shumë respekt për njëri- tjetrin më shumë mirënjohje për njëri -tjetrin, më shumë  lidhje me njëri- tjetrin. Lërini sharjet,  lërini të kaluarat se kush na spiunoi, se kush na dënoi se kush na tradhtoi. Iku ajo kohë. Të jetojmë ç’na ka mbetur. Duhet të jemi si ato vargjet e asaj këngës korçare “Na pret të gjithëve një gur mbi varr, pak dashuri, pak dashuri”. Ky është mesazhi që sjell unë në këtë ditë. Dashuri për njeri tjetrin. Në Spaç nuk kam qenë kur u bë kjo revoltë, por mbaj mend revoltën e burgut tonë të Qafës së Barit, e cila është dhe mbetet një skemë e jashtëzakonshme. Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë ajo ditë merr vlera.

 A ke takuar ndonjë nga gardianët e burgut apo drejtuesit e burgut, policët e burgut në demokraci?

Drejtpërdrejt jo, por ja çfarë më ka ndodhur një ditë. Kisha shkuar tek zyra, ku marrim pensionin.  Pensionin e marrim në datën një të çdo muaji. Me thënë të drejtën unë kam një pension të konsiderueshëm pasi kam punuar në Ministri të Jashtme për 22 vjet dhe nuk e dija  se kisha disa vlerësime suplementare përveç rrogës. Duke qenë “Mjeshtër i madh”, duke qenë si i përndjekur marr diçka akoma më shumë. Kur mora lekët një ish- punonjës i Sigurimit në regjimin e Enver Hoxhës ( e pyeta unë më pas ku ke punuar) duke parë që mora aq shumë lekë më thotë: Zoti Manani shumë lekë merrni ju? Unë nuk marr as një të tretën tuaj? E pashë dhe qesha.  “Zotëri,- i them -Sherif Merdani ka bërë rreth 16 vjet burg, ku unë kam nxjerr aq krom, bakër dhe pirit,  sa kur i kam llogaritur në flori, as për 100 vjet shteti nuk më shlyhet mua. Të gjithë këta  të përndjekur, sikur të marrin aq sa kanë punuar, pa diskutuar për rininë që kanë humbur duhet të marrin 100 herë më shumë se sa marrin”,- i thashë. Në po marrim shumë pak në raport me aq sa kemi dhënë.

 Juve ju janë nëpërkëmbur të drejtat dhe shpërblimet dhe nga Partia Demokratike, të cilën e keni përkrahur. Çfarë apeli u bëni ish të përndjekurve politikë për të fituar të drejtat e tyre?

 Unë ju bëj apel gjithë ish të përndjekurve që ne duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët që të fitojmë të drejtat.  Ne nuk duhet të djegim veten për të fituar të drejtat. Ato janë forma jo demokratike, jo njerëzore, jo  të kësaj kohe. N.q.s do digjemi të gjithë, kush do t’i kërkojë të drejtat tona? Kush do përcjellë zërin tonë. Kundërshtarët tanë atë duan të digjemi të gjithë. Ne duhet të jemi të bashkuar. Duhet  të kemi një zë. Një organizim. Jo të përçarë. Asnjë politikan se çan kokën kur vetëdigjemi dhe jemi të përçarë.

 Ju keni folur diku për Arshi Pipën, përse e komentoni kaq shumë?

Pasi ai mbetet një hero në heshtje i të burgosurve politikë shqiptarë. Ai ishte një intelektual i rrallë, një njëri  që lexonte, studionte, shkruante, por edhe debatonte. Ai ndenji mbi 10 vjet në burgun e Spaçit dhe aty la lënë gjurmë për veprat e tij, për intuitën, për ato ide që kishte kundër komunizmit. Ai është futur në burg në vitet 1950, ndërsa unë shkova në atë burg në vitin 1976 dhe mund të them se ato që dëgjoja për ‘të dhe ato që kam lexuar nga shkrimet e tij më kanë befasuar. Aty në ato shkrime gjeje kritika për autorët italianë, për shkrimtarët rus, etj… Çdo gjë e tij ishte e përkryer pasi ishte një talent në krijimtari dhe një njeri i rrallë në kritikë. Kjo ishte arsyeja pse Arshi Pipa gjeti momentin dhe u arratis nga Shqipëria. Ai nuk e donte komunizmin, nuk e donte heqjen e fesë dhe nuk duronte dot zhdukjen e pronës private. Arratisja e tij ngjalli shumë reaksion tek qeveria shqiptare. Më vonë ai shkoi tek radio “Zëri i Amerikës” dhe u bë personalitet në Amerikë.

 Kush është e veçanta e krijimtarisë së Arshi Pipës?

Është ajo që ai e portretizoi Enver Hoxhën në mënyrë të përsosur në këto vargje?

 Stalinuç i Shqipërisë,

Harram paç ti qumësht edhe sisë,

Harram qumshëtin e një nëne,

Edepsëz doç i satëme…

 Këtë poezi e ka thënë Berisha në një debat me Edi Ramën. Këto  vargje janë brilante, me kaq shumë pak fjalë, askush nuk mund ta portretizonte Enver Hoxhën.

 Është folur shumë për revoltën e burgut të Qafës së Barit, përse lidhet me 22 Majin?

Lidhet pasi në këtë ditë si të burgosurit e Spaçit dhe të Qafës së Barit dolën në protestë kundër regjimit, si një regjim mesjetar. Burgu i Qafës së Barit është në Pukë dhe ishte një burg famëkeq. Ky burg është rreth 20 klm larg Fushë- Arrëzit. Në këtë burg kam qenë rreth 4 vjet e gjysmë. Në Burrel rreth 8 vjet e gjysmë, por kam qenë dhe në Spaç 3 vjet e gjysmë. Kjo është historia ime. Pra rreth 16 vjet burg.

 Si është mbajtur kaq në formë në zë dhe në fizik Sherif Merdani pas kaq vuajtjesh në burgjet më të ashpra pa asnjë komoditet?

Është Zoti që na e kompenson rininë tashmë në pleqëri. Ne vijmë  nga ferri, vijmë nga skëterra. Unë me këtë rast nuk dua të bëj trimin, heroin, pasi më vjen turp ta bëj. Burgjet tona ishin si në mesjetë, pa asnjë kusht. Burgjet e sotme janë si të jesh në shtëpi. As mund të krahasohen, pasi ne ishim në vende me kushtet mizerabël, pa krevate, pa  banja, pa asnjë komoditet. Ishte si në Aushvic.

 Çfarë të veçante mund të thuash për ish të burgosurit politikë?

Mund të them këtë që, ne mblidhemi këtu, me Sokolin, Sherifin, Simonin, Reshatin etj., por tamam të vërtetën nuk e thotë asnjeri. Asnjeri, e theksoj këtë. Pra shumë të vërteta të burgjeve ne nuk i themi dhe as marrim mundimin t’i themi.

Po pse nuk e thoni të vërtetën?

E di pse nuk e themi?! Se po të themi të vërtetën,  do të zhduket raca jonë. Do të zhdukemi si shqiptarë. Do fillojmë një urrejtje masive, një urrejtje patologjike dhe ne do fillojmë një vëllavrasje edhe më të madhe se ajo në kohën e regjimit.

Kush janë fitimtarët

 Reshat Kripa

 Duke ndjekur këtë ceremoni përkujtimore, rri edhe meditoj:

– Kush janë fitimtarët e asaj beteje të madhe gjysmë shekullore ndërmjet sistemit kapitalist dhe atij socialist? Dy janë idetë që janë ndeshur me njëra- tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para, ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë, ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste, ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Mit’hat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ishin Sokoli, Toma dhe Sandri. Ishin Skënderi, Dervishi, Hajriu dhe Pali. Ishin mbi 6.000 të rënët në luftën për liri dhe demokraci. Ishin mbi 20.000 të burgosurit politikë. Ishin mbi 40.000 familjet e internuara dhe dëbuara. Ishin mbi 500.000 të përndjekurit politikë që u detyruan t’i heqin mbi shpatullat e tyre tmerret e sistemit totalitar…

Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur himne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, brenda 24 orësh, ndërruat fletën dhe u kthyet në ithtarë të demokracisë. Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mit’hat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. tani për tani, keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi mashtrimin pasi, siç shkruante poeti i madh Ali Asllani:

Ja, ja grushti çdo të bjeri përmbi krye të zuzarëve,

Koha është e maskarenjve, po Shqipëria është e shqiptarëve!

Kjo ditë do të vij.