Sejmen GJOKOLI/ Kur isua e polifonisë pritet me “saldaturën” e Yzos…

612
Sigal

REPLIKË E DETYRUAR

Pas një shkrimi të para pak ditëve për disa shqetësime që lidhen me polifoninë me iso, botuar nga ana ime në të përditshmen “Telegraf”, reagoi Yzeir Llanaj person që vetëm pse shoqata që ka në juridikson mban emrin “Polifonia Shqiptare” , pretendon se ka ekskluzivitetin mbi këtë vlerë të mirëfilltë kombëtare. E vërteta është se në shkrimin tim ” Kryevepra e nëpërkëmbur” të datës 25.11.2014,  duke trajtuar disa problematika që vuan kënga shqiptare me iso, prej rreshtit të parë e deri ne fund, më shumë se dy apo tri herë më është dashur të deklaroj se unë nuk marr përsipër e as e kam tagrin të flas, pa lere të diktoj, rreth termit “polifoni” apo “iso-polifoni”, debat i lindur ca kohë më parë dhe i agravuar këto kohët e fundit. Gjithashtu, më shumë se një here, ftoj shkencëtarë, akademikë e njerëz profesionistë të fushës të merren me këtë problem. Por si duket, autori i replikës Llanaj, i pa aftë të kuptojë as përmes rreshtash pa le midis tyre, katërcipërisht ndryshe nga sa shkruhet, me një mendim të arratisur përpiqet të më vendos jo vetëm si gardian të mbrojtjes së termit “iso-polifoni” por gati edhe të më shpallë shpikësin apo vendim marrësin e këtij termi.
Harron autori i replikës se fjalët i merr era ndërsa të shkruarat mbeten, sikundër mbetet edhe shkrimi im, në faqet e gazetës prestigjioze “Telegraf” apo më tej në rrjetin social që jo vetëm është lexuar e pëlqyer shumë por edhe është komentuar gjatë. Siç mund të vihet re, në shkrimin tim nuk citohet asnjë emër, nuk preket askush nominalisht edhe pse pas secilit argument apo mënyre të sjelluri natyrshëm ka njerëz konkretë. Por meqenëse njëri u vet deklarua atëherë e shikoj të domosdoshme ti kthehem edhe një herë temës së trajtuar. Dhe nuk do merrem e as do bie në nivelin e replikuesit që në varfëri të plotë vizioni e argumentesh merret me gërmat e emrit tim, ndonëse nuk më mungon aftësia e të bërit ironi. Kështu, duke folur për disa prej halleve dhe vështirësive që has polifonia jonë në kohët e sotme, në nëntitullin e parë: “ Nëpërkëmbja që vjen prej emrit” e ku trajtoj zhurmën e madhe që po bëhet nëse duhet të thirret “polifoni “ apo “iso-polifoni”, midis të tjerave shkruaj, citoj: “…E vërteta është se jo vetëm në këtë shkrim por asnjëherë nuk kam ndërmend të merrem me termat e as të marr përsipër të vërtetën fundore të këtij emërtimi, për mua kjo është dhe mbetet detyrë e studiuesve dhe shkencëtarëve të fushës. Ajo që dua të cek në këtë shkrim është mënyra dhe agresiviteti që herë-herë shfaqet nga ata që kanë mendim ndryshe e që rreken ta trajtojnë këtë problem”. Dhe vërtet, kjo ka qenë dhe mbetet bindja ime rreth këtij diskutimi e këtë mesazh përcjell qartazi edhe vetë shkrimi. Por, afër mendsh, nëse je thjesht një saldator  ish- kooperative, qoftë edhe e tipit të lartë, vështirë të lexosh pa lere të kuptosh filozofinë e një shkrimi që, modestisht, hedh dritë për katedra e institucione.  Po nuk  është halli se aq di e aq bën Yzeiri i shoqatës së polifonisë, por, siç thotë një fjalë e vjetër,“shejtani fle e ti e zgjuan”. Se, sikundër duhet ta merrni me mend e meqenëse hyri vetë në valle, ky i të ashtu quajturës shoqatë e “Polifonisë shqiptare” (ruajna zot për barrën e madhe që i ka vënë vetes) kërkon të marrë mbi vete më shumë se ç’ mund ti mbajë kurrizi, madje duke ngatërruar e pleksur keqazi edhe mjedise e institucione kulture. Mjafton të kujtoj se ky person është edhe prijësi i peticionit drejtuar përpara dy apo tre vitesh Ministrisë së Kulturës duke vënë në rresht e pas tij edhe disa emra vërtet të nderuar nga fusha e kulturës. Prijës dhe organizator i atij peticioni të firmosur nga gjithfarë personash që asnjëherë nuk u morën vesh kush ishin, nga ishin e çfarë përfaqësonin. I ftuar të asistoja në takimin ballafaques të zhvilluar në ambientet e MKTRS ( kështu emërtohej MK aso kohe) mbaj mend se disa figura të rëndësishme dhe kontribues të pa mohueshëm në fushën e Trashëgimisë shpirtërore si Lefter Çipa, Muhamet Tartari, Feti Brahimi etj,  përmes prononcimeve të dërguara me shkrim në drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore e të lexuara publikisht nga titullari i institucionit  deklaruan se nuk kishin asnjë dijeni për firmat e tyre të cilat rezultonin të hedhura në peticionin e paraqitur. Ja pse atëherë gjithë ai “mal” i stisur me lloj–lloj paçavuresh “polli” një “mi” që nuk qeti në gjendje ti vihej emri që i takonte as nga vetë dikasteri i kulturës, ndonëse kur “ranë”  nga peticioni këta male të lartë, organizatorët, të çorientuar, nisën t’ia hedhin fajin e mashtrimit e falsifikimit njeri-tjetrit.
E rëndë atëherë por edhe më e rëndë sot kur fryma e këtij peticioni të  falsifikuar e mjeran, siç po duket, jo vetëm hap dyer Ministrie por edhe detyron të hidhen firma aspak të studiuara.
Në shkrimin replikë (replikë i thënçin) z. Llanaj rreket gjithashtu që autorin e shkrimit të mësipërm ta vendosë patjetër në konflikt edhe me akademikë apo disa studiues të nderuar që janë në mendje të tij. Përkundrazi në shkrim tim jo vetëm vlerësohet mendimi ndryshe i njerëzve të kualifikuar por edhe absolutizohet ai, madje e thënë qartë, kërkohet që ky mendim të unifikohet e dëgjohet nga institucionet vendim marrëse e strukturat përkatëse të shtetit. Personalisht dua të besoj se pavarësisht nga mënyra e të shprehurit, emra personalitetesh të kulturës, apo studiues të fushës së trashëgimisë shpirtërore asnjëherë nuk mund të jenë dakord me baltën që kërkohet të hidhet mbi njërin apo mbi tjetrin, jashtë çdo etike profesionale. Dhe as mund të jenë dakord që problemet e vërteta që ka polifonia të ngërthehen në qerthullin e termit të pagëzimit. Më vjen keq gjithashtu që replikuesi im, pa as më të voglën dhimbje, si për të na mbushur mendjen për kapacitetin e tij intelektual e profesional, na rreshton një sërë emrash të ndritur me kontribute e vlera në fushën e kulturës ndërkohë që vetë nuk ka asgjë të përbashkët me begraundin dhe madhështinë e tyre.
Dhe sa për arsimin tim, duke shprehur respektin maksimal për teknikët e minierës me të cilët kam punuar në një llogore për kaq vite e që në mënyrë pezhorative konsiderohem nga ana e zotit Llanaj, jashtë vullnetit tim, më duhet të deklaroj Diplomën time të Inxhinierit dhe më pas atë të masterit në “Menaxhim Arti”, pa thënë edhe cilësinë e Kryetarit të Rrjetit Kombëtar të grupeve dhe shoqatave të polifonisë, njohur nga UNESCO.
Pas kësaj besoj do ketë  mirësinë dhe zoti Llanaj të deklarojë Diplomën  e tij së bashku me çertifikatën e “Artistit të merituar”, vendosur në fund të shkrimit të tij.
Por, përpara meje,  mbase një kopje e dorëzon edhe në Ministrinë e Kulturës, më saktë në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore, ku kjo e fundit vetëm në konsulencë me të, si me “saldaturë”, i preu ison polifonisë shqiptare. Dhe së fundi, në vlerësim të lexuesit të interesuar, e shikoj me vend që në morinë e komenteve dhe vlerësimeve të shumta në rrjetin social “Facebook”, referuar shkrimit tim “Iso-polifonia, nga debatet për emrin te nëpërkëmbja”, botuar në “Gazeta Shqiptare”,të zgjedh për botim vetëm dy prej tyre, përkatësisht të Prof. Agron Ficos dhe Poetit e Regjisorit, Petrit Ruka.

Prof. Agron F. Fico
Eseja “Kryevepra e nëpërkëmbur.. botuar sot në gazetë shtronte probleme kyçe  për këngët polifonike dhe, me gjerë për kujdesin ndaj kulturës popullore.
Me të drejtë nënvizohej se nuk është termi kryesore, por vetë përmbajtja dhe trajtimi i këtij thesari. Që në mbledhjen e parë, dy vjet më parë, të CIOFF-it mu krijua përshtypja dhe më vonë bindja se kjo krijimtari -flori ishte  në drejtimin e njerëzve të paafte, pa nivel shkencor, me pak përjashtime.
Natyrisht duhet që dhe institucionet qendrore të marrin përgjegjësi, ndërsa
mendimi shkencor e profesional padyshim duhet e rrit forcën dhe të dëgjohet më shumë.

Petrit Ruka- Poet, Regjisor.
Shkrimi është i mirë derisa merret me thelbin e problemit që ka sot kjo mënyrë të kënduari si ruajtjen, zhvillimin dhe ringritjen e saj me tej, duke mos ia lenë këtë pasuri me vlerë botërore ( e shpallur në mbrojtje nga UNESCO) rastësisë, siç po ndodh deri me sot.
Jemi ne, te zotët e shtëpisë, më shumë se sa ndihma e UNESCO-s që duhet ta mbajmë gjallë atë duke e shtrirë në tërë hapësirën që i takon një pasurie të tillë kombëtare. Shqetësimi për emrin mbetet një çështje më e lehtë për tu zgjidhur dhe, siç dhe ti e thua, le të jetë objekt i specialistëve të fushës. Në fund të fundit populli do të vazhdojë ta quajë ashtu siç e ka quajtur ndër shekuj, ndërsa emërtimi zyrtar mund të zgjidhet më lehtë me mirëkuptimin e të gjithë studiuesve që e njohin, e studiojnë dhe e ndjekin hap pas hapi këtë kulturë bazike të kombit shqiptar. Edhe njëherë thembra e Akilit mbetet ajo që të shqetëson së pari edhe ty, spontaniteti dhe nëpërkëmbja e të gjitha organeve përkatëse që e kanë për detyrë ruajtjen dhe zhvillimin e saj…

Kështu shkruajnë për shkrimin tim të cilin z. Llanaj përpiqet ta anatemojë, ta tjetërsojë e ta zhvlerësojë, dy nga korifenjtë e kulturës shqiptare Fico e Ruka, për mos të përmendur të tjerë miq,dashamirës e njohës të polifonisë.
Me këto konsiderata mendoj ta mbyll edhe unë këtë replikë të detyruar e të pa dëshiruar, por, besoj, të domosdoshme.
Besoj për këtë radhë është e mjaftë edhe për Yzeirin e ndonjë yzo tjetër që i shkon pas e që ndërsa tundin “flamuj” profesionalizmi e dhembshurie lenë pas mediokritet e ngatërresa.