Sejmen Gjokoli: Fuqia shpirtërore e një festivali

608
“Aulona Interfolk Festival “…Prej atëherë, më saktë muajit Maj 2009 kur startoi, kanë kaluar tetë edicione të këtij aktiviteti dhe impakti e vendi që zuri në jetën kulturore të vendit i jep përherë e më shumë të drejtë idesë e vizionit të nismëtarëve. U emërtua me emrin Aulona jo thjesht në respekt të emrit të qytetit të Vlorës në antikitet por edhe për misionin e përcjelljes së vlerave të trashëgimisë kulturore nga popujt pjesëmarrës si vlera të rralla të kulturës së përbotshme shpirtërore

     
– Ka pak ditë që në Vlorë është mbajtur edicioni i 8-të i Aulona Inter Folk Festival, si një nga organizatorët kryesorë të tij, ç’mund të na thoni ?

Më duhet të them qysh në fillim se edicionin e këtij viti do ta konsideroja si edicionin që sfidoi problematikat që u krijuan për efekt të vështirësive financiare por edhe konsolidimin e vazhdimësisë së tij. Duhet thënë se ndërsa për qytetin e Vlorës ishte edicioni i 8-të, pas ndarjes së re administrative ku bashkia e re e Vlorës tanimë ka një territor mjaft të gjerë në juridiksion mbetet i “pari”. Kështu, nëse deri dje për të zhvilluar dimesionin turistik të Festivalit duhej të ndërtoje agjenda edhe me njësi të tjera administrative tani, bie fjala, vizitat në Parkun Kombëtar të Llogorait, plazhet e Radhimës apo Ishullin e Zvërnecit, Kalanë e Kaninës etj janë pjesë e administrimit të Vlorës e për rrjedhojë aksesimi i tyre bëhet i drejtpërdrejtë. Thënë ndryshe realizimi me sukses edhe këtë vit, përveç “vulës” së standardeve, mori edhe atë të vazhdimësisë, falë përfshirjes në agjendën kulturore dhe vizionit edhe të administratës së re të bashkisë së Vlorës që është edhe vend lindja e këtij aktiviteti me karakter kulturor e turistik.
-Kur ka lindur dhe si e mori rrugën Aulona Interfolk?

Ka qenë një bisedë me disa nga miqtë e mi, konkretisht me muzikologun Vaso Tole e poetin e regjisorin Petrit Ruka që i dha udhë këtij aktiviteti ndërkombëtar folku. Personalisht kisha grumbulluar një përvojë të konsiderueshme nga pjesëmarrja me Grupin Folklorik “ Bilbili” zhvilluar në mjaft qytete e vende të njohura të Europës dhe e ndjeja se për diçka të ngjashme do kishte nevojë edhe vendi im, më saktë qyteti i Vlorës si një qytet bregdetar e kulturëdashës. Jetojmë në kohë integrimesh të mëdha dhe si gjithmonë kultura u paraprin zhvillimeve të fushave të tjera, sidomos atyre ekonomike e sociale.

Konceptimi qysh në themelim i ngjizjes së festivalit me kohën e hapjes zyrtare të sezonit turistik, për një qytet bregdetar si Vlora, mbetet një ide vizionare që e bën edhe aktivitetin edhe vet qytetin krejt unikal mes vendeve që lagen nga ujërat e Mesdheut. Përqasja e turizmit kulturor me atë natyror e bëjnë këtë festival sa të veçantë po aq edhe të admirueshëm nga shumë grupe folku, që gjallojnë anë e mbanë botës. Prej atëherë, më saktë muajit Maj 2009 kur startoi, kanë kaluar tetë edicione të këtij aktiviteti dhe impakti e vendi që zuri në jetën kulturore të vendit i jep përherë e më shumë të drejtë idesë e vizionit të nismëtarëve. U emërtua me emrin Aulona jo thjesht në respekt të emrit të qytetit të Vlorës në antikitet por edhe për misionin e përcjelljes së vlerave të trashëgimisë kulturore nga popujt pjesëmarrës si vlera të rralla të kulturës së përbotshme shpirtërore.

-Cilat kanë qenë dhe janë të veçantat e këtij Festivali?

Nuk dua të them se ky festival “ zbuloi Amerikën” mbasi edhe më parë ka patur vajtje – ardhje nga grupe folklorike të vendeve të ndryshme të huaja por Aulona Inter Folk Festival është i pari dhe deri sot i vetmi aktivitet i zhvilluar qartazi mbi bazën e një projekti ku vendosin standardet jo vetëm të gjeografisë së ansambleve pjesëmarrëse por edhe të kushteve dhe të gjithë infrastrukturës së tij. Më lejoni që këto që po them ti ilustroj me dy argumente të thjeshta. Nga rreth shtatëdhjetë grupe dhe ansamble që kanë marrë pjesë në të tetë edicionet e zhvilluara, dyzet e dy kanë ardhur nga vende të ndryshme të Ballkanit e Europës. Mjaftoj të përmend shtete si Sllovakia, Polonia, Italia, Kroacia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Bosnjë- Hercegovina etj. Standardet shtrihen gjithashtu edhe në kulturën menaxhuese dhe promovuese të festivalit ku asnjëherë, pavarësisht problemeve të mbështetjes financiare, nuk kanë munguar disa aksesorë tregues për aktivitete serioze si ftesa,broshura, spote televizive, billbordera, gazetë e posaçme në ditët e festivalit etj. Dhe meqenëse jemi te të veçantat nuk mund të lë pa cekur përfshirjen e këtij festivali në agjendën kryesore të aktiviteteve kulturore të bashkisë së qytetit në ditët e hapjes zyrtare të sezonit turistik. Pa asnjë mëdyshje dimensioni turistik i këtij aktiviteti e bën atë unikal në të gjitha qytetet dhe shtetet që lagen nga dete e ku turizmin e kanë alternativë zhvillimi.

– Sa ka qenë pjesëmarrja më e madhe në këtë event me përmasa të jashtëzakonshme?

Do veçoja edicionin e tretë dhe të katërt por sidomos këtë të fundit.
Përveç grupeve brenda vendit në këtë edicion kanë marrë pjesë tetë grupe nga shtete të tilla si Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Greqia, Italia, Kosova, Kroacia, Sllovakia.
Në këtë edicion që përkon edhe me vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga vendi ka marrë pjesë me një performancë të jashtëzakonshme edhe Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore i cili u shpall edhe fitues i kupës së festivalit. Besoj e përfytyroni vetë ç’mund të ndodhë në një skenë festivali folku kur ka pjesëmarrje nga Bratislava, Zagrebi, Sofia etj, kryeqytete europiane nga vijnë këto grupe.

–Kush nga vendet pjesëmarrëse ka lënë më shumë mbresa në vite?

Më duhet të jem i kujdesshëm në përgjigjen që duhet të jap për këtë pyetje. Arsyeja është e thjeshtë dhe vetëm një : Sicili vend mburret dhe e ka të shenjtë folklorin e vet. Sicili ka bukurinë dhe trashëgiminë e tij që e ka të shenjtë e të pa tjetërsueshme.
Por duke qenë se Aulona Folk më shumë se sa një festival i mirëfilltë tradicional e burimor është një manifestim spektakolar folku më duhet të them se disa ansamble që kanë ardhur nga Sllovakia, Bullgaria, Kroacia, Italia e Polonia kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe me plot meritë janë shpallur edhe fitues të Kupës së Festivalit.

-Si ka qenë pritja e qytetarëve vlonjat për këtë event ?

Vlonjatët janë qytetarë artdashës por jo pak edhe tradicionalë, të rritur e kultivuar me artin që buron nga trashëgimia jonë kulturore. Janë bartës e përcjellës por edhe konsumatorë të kësaj pasurie. Ndoshta është kjo arsyeja që qysh në nisje ky aktivitet pati ndjekësit e vet të shumtë. Kam vënë re se sa më shumë janë shtuar serioziteti dhe standardet e festivalit aq më shumë është shtuar edhe shikueshmëria e tij. I paraparë nga organizatorët për tu zhvilluar në mjedise të hapura, tanimë në shëtitoren e re të Skelës pranë sheshit “ Pavarësia”, duket se kanë gjetur njeri tjetrin edhe Festivali por edhe qytetarët që e përcjellin me kërshëri.

-Ndihma nga cilat institucione qeveritare ka qenë më e madhe ?

Ashtu si e thashë edhe në hyrje të kësaj interviste ky event i madh folklorik është konceptuar si aktivitet që në radhë të parë ti shërbejë Bashkisë së Vlorës, komunitetit artdashës të saj. I instaluar në muajin maj të çdo viti, kohë kur pushteti vendor në mënyrë zyrtare hap sezonin turistik, ky aktivitet bëhet pjesë e kalendarit kulturor që Bashkia harton për çdo vit duke u bërë gjithashtu pjesë kryesore edhe në mbështetjen financiare të tij.
Por sado dashamirëse që të jetë administrata e pushtetit lokal për të bëhet e vështirë dhe gati e pa mundur mbështetja e vetme e një aktiviteti me peshë të tillë ndaj në të gjitha rastet kërkohet mbështetja edhe nga donator të tjerë.

Natyrshëm në mes atyre që mund të kontribuojnë mbeten institucionet shtetërore të kulturës por edhe të tjera ente apo agjenci që shteti u alokon fonde për të mbështetur aktivitete të shoqërisë civile, pjesë e të cilave mbeten edhe shoqatat apo iniciativat private në fushën e kulturës.
Kur flasim për mbështetje financiare është një problem që më duhet të flas shumë por në këtë intervistë po trajtoj vetëm dy–tri momente.
Bie fjala është e pa shpjegueshme që ndonëse është mbajtur edicioni i tetë i Aulona Inter Folk Festival, tanimë i mirënjohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, ende nga Ministria jonë e Kulturës nuk ka asnjë vëmendje e asnjë mbështetje serioze thua se të tillë aktivitete zhvillohen në çdo ditë, në çdo fshat e qytet të vendit.

E pa falshme që edhe pas tetë edicionesh që ky festival ndërkombëtar zhvillohet në transparencën më të madhe e në ditën me diell- që thonë, në MK nuk figuron gjëkundi madje as denjohet të vendoset në kalendarin e aktiviteteve kulturore që ky dikaster publikon përmes buletinit të posaçëm.
Dhe kjo ndodh kur pikërisht ky Festival nga CIOFF publikohet në kalendarin botëror të festivaleve folklorike, mes rreth njëmijë festivaleve që zhvillohen në botë nën ombrellën e këtij organizmi të mirënjohur botërisht. Pa folur pastaj për mbështetjen që duhet tu jepet këtyre aktiviteteve nga ente të tjera publike, misionet dhe politikat e të cilave kanë qasje me misionin dhe objektivat e këtyre festivaleve.

– Cili është qëllimi kryesor i këtij Festivali ?

Ai që është përcaktuar qartazi qysh në themelim të tij dhe që është shprehur jo vetëm në statutin e Qendrës Kulturore “ Aulona” e cila është organizatorja e vetme e Festivalit por edhe sanksionuar në vendimin përkatës të gjykatës : Njohja, ruajtja, pasurimi dhe promovimi i vlerave dhe traditave krijuese e interpretuese në fushën e kulturës në përgjithësi dhe atë të trashëgimisë kulturore në veçanti përmes integrimeve kulturore mes popujve e shteteve.

I mbështetur financiarisht kryesisht nga financat e taksapaguesve aktiviteti duhet të shkojë në përmbushje të kërkesave shpirtërore të komunitetit, në gjallërimin e jetës kulturore e artistike të qytetit dhe njëherazi në shërbim të përmirësimit të jetës social ekonomike të bashkëqytetarëve tanë.
Aulona Inter Folk Festival përpiqet gjithashtu që përmes shkallës së lartë të promocionit të bëhet edhe një promovuesi i drejtpërdrejtë i resurseve të shumta turistike të Vlorës dhe bregdetit shqiptar.

– Mund të përcillni vlerësimet e këtij viti ?

Falë edhe motit të përshtatshëm me ditë të bukura e me diell,edicioni i këtij viti ndonëse me më pak grupe pjesëmarrëse për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, mundi të realizojë një performancë të pëlqyeshme në të gjitha komponentët. Kam parasysh koncertet për tri mbrëmje në skenën e sheshit “ Pavarësia” në Skelë, paradën e kostumeve përgjatë Bulevardit “Ismail Qemali” , si dhe guida turistike në resortin turistik “ Bojo” në Radhimë.Ansamblet e ardhura nga Bullgaria, Kosova, Italia e Polonia ( fituese e Kupës së Festivalit) por edhe grupet vendase nga Vlora e Lushnja e vendosën edhe këtë edicion në radhën e më të mirëve të realizuar më parë.

Pjesëmarrja e të rinjve në festival mbetet gjithashtu një vlerë e shtuar e aktivitetit mbasi përcjell mesazhe të mëdha edhe për të rinjtë shqiptarë.
Shikueshmëria e lartë në të gjitha netët e festivalit nga qytetarët artdashës por edhe të ftuarit e shumtë nga Prishtina, Klina, Vitia, Gjilani, Shkodra, Tropoja, Përmeti e Tirana si dhe përcjellja që realizoi media dhe rrjetet sociale janë treguesi më domethënës i fuqisë shpirtërore që ky aktivitet vazhdon të transmetojë.
Përshëndetja e Kryetarit të Bashkisë , njëkohësisht President Nderi i këtij edicioni z. Dritan Leli, tregoi edhe një herë jo vetëm mbështetjen por edhe vlerësimin për ditët ndryshe që ky manifestim i folkut europian krijojnë në Vlorë në vigjilje të sezonit turistik.
– A ka Festivale të tillë simotra në vendin tone ?
Më duhet që për etikë të rezervohem në këtë përgjigje. Megjithatë për hir të së vërtetës e duke lënë mënjanë modestinë më duhet të them se jo vetëm në hapësirën brenda vendit por edhe në atë mbarë shqiptare nuk gjendet një Festival i ngjashëm. Unë i respektoj gjithçka po ndodh, ndonëse me shumë vështirësi, në disa qytete të vendit si në Përmet, Peshkopi, Tropojë, Gjirokastër, Sarandë, Shkodër etj por këtu po flasim për një aktivitet të mirëfilltë ndërkombëtar ku për çdo herë grupet nga shtete të tjera zënë mbi nëntëdhjetë për qind të grupeve pjesëmarrëse. Pa folur për standardet akomoduese dhe aksesorët e tjerë në planin publicitar e atë të imazhit.
Gazeta “ Telegraf” me përcjelljen që i ka bërë këtij aktiviteti në vite përbën njëkohësisht një model që lidhet me respektin ndaj vlerave tona kombëtare që jo pak medie I nëpërkëmbin keqas.
-Synimi në të ardhmen ?
Ndërkohë që Festivali po i afrohet ndjeshëm vitit të dhjetë, duke shënuar kështu jubileun e pare të jetës së tij, për organizatorët mbetet detyrim jo vetëm përsosja e tij por edhe zgjerimi i gjeografisë së grupeve pjesëmarrëse duke synuar jo vetëm prurjen e vlerave të rralla folklorike por edhe artistë popullorë nga vende të largëta të dëshiruar për hapësira turistike, imazhin e të cilave ata e përcjellin në vendet e tyre.
Nga ana tjetër koha deri në edicionin e 10-të do të shërbejë edhe si një mundësi për një projekt të posaçëm ku ato ditë në Vlorë, krahas AIFF, të mund të zhvillohet edhe një konferencë e CIOFF, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të seksioneve përkatëse nga vende të ndryshme të Europës ku seksioni ynë shqiptar ka vendin e vet. Vlora e meriton dhe i ka të gjitha mundësitë të promovojë jo vetëm resurset që natyra ja ka falur por edhe gjithçka të mirë e të bukur po bën në shërbim të integrimit dhe shkëmbimit të vlerave të kulturës tonë kombëtare.
Sigal