Robert Përmeti: Injoranca në luftë kundër artit 

822
Sigal

Robert Përmeti
Piktor

“Nuk mund të arrijë askush të zhduki trashëgiminë e një populli të vuajtur për gati 80 vitesh, nga njerëz me pushtet apo pa pushtet e për më tepër nga ca anonimë pa mbështetje nga populli, të ashtuquajtur politikanë, që shquhen së pari për mungesë patriotizmi e më pas për mungesa në formim”

Krahas shumë problemeve madhore ekonomike, politike të sigurisë etj, që po përjeton vëndi ynë, nuk është rastësi çfaqja e një fronti të ri problematik, “pothuajse jetik”, për opozitën tonë:“Lufta kundër artit që u realizua në vitet e diktaturës.” Me këtë front që kërkon të hapi opozita aktualisht, do të thotë që të spostojë vëmëndjen e opinionit shqiptar nga problemet kanceroze të korupsionit, varfërisë, trafikut klandestin, krimit në rritje etj, por shpall luftë kundër mermerëve, bronxit, kanavaceve, filmave etj, duke u shndërruar kështu në shtojcë e interesave të pozitës. Diktaturën e jetoi mbarë populli shqiptar dhe këta që sot dalin si opozitar, në atë kohë nuk ndiheshin, jetonin të strukur, që të mos them se shumë prej tyre i shërbyen me devotshmëri sigurimit të shtetit, që të mos them se ata lidhën krushqira me ish komunistët me funksione për të rregulluar biografinë familjare. Pa përmëndur këtu, shumë isha të dikurshëm që nga zelli u pranuan edhe në radhët e partisë. Dhe sot, këta nga që nuk kanë se ç’ti bëjnë qullit i fryjnë kosit. Nuk përballen me pozitën, por duan të bëhen interesant, me luftën kundër artit. Arti, i realizuar në çdo kohë, është vlerë kombëtare, trashëgimi që vet populli e ruan dhe e përkrah, por çuditërisht edhe në këtë shekull çfaqen vandalët kundër artit. E nga këta vandalë ne presim të zhgënjyer demokratizimin e jetës sonë. Ky art është pjesë e historisë së popullit tonë. Çfarë arti komunist është tabloja e piktorit Guri Madhi “Bajram Curri”. Çfarë arti komunist është tabloja e këtij piktori që materializon me artin e tij, shpirtin luftarak, dashurinë për njëri tjetrin, sakrificën për jetën etj te tabloja “Pëllëmbë e gjak”? Si mund të diskutohet tabloja e Guri Madhit “Dorzimi i armëve” me personazh Skënderbeun. Ti djegim? Ti shkatërojmë? Temat legjendare të historisë shqiptare te tablotë e piktorit të shquar Sali Shijaku si, “Nora e Kelmendit”, te figura simbolike e Mic Sokolit, te Vojo Kushi etj. Dhe shëmbuj të arritjeve të tilla në artin shqiptar ka me qindra dhe nga autorë të ndryshëm shqiptar, që kanë lëvruar gjinitë e pikturës dhe të skulpturës. Si mund të mendohet që të shkatërrohet monumenti i Skënderbeut në qëndër të Tiranës, vetëm prej faktit që ai është realizuar në periudhën e diktaturës! E gjithë kjo histori pesëdhjetë vjeçare shqiptare e mbushur me dhimbjet dhe varfërinë e kohës, janë dëshmi e pasaportë që pasqyrojnë këtë kohë. Kush ja ka parë hairin asaj kohe le të ngushëllohet, e kush e ka vuajtur le ta shprehi revoltën e tij te aktorët e diktaturave dhe jo te arti i kohës. Nuk është faji i artistëve, që në vëndin tonë u instalua diktatura. Artistët si gjithë populli, bënin një punë. Edhe artistët vuajtën burgun, internimin, diferencimin dhe përbuzjen. Por ata krijonin dhe me talentet e tyre shprehnin ndjenjat, që tentonin t’i transmetonin te populli, ku gjenin përkrahje dhe ngushëllim. Artistët këndonin, aktronin në teatro e filma, kërcenin, pikturonin apo realizonin skulptura, ashtu sikurse populli shkonte punonte me tre turne nëpër ara –fabrika- kantjere. E ashtu sikurse gjithë populli edhe këta pseudo opozitarët e sotëm, punonin nëpër ara –fabrika- kantjere. Kërcenin nëpër festivale e dekada Maji, bënin pikturë edhe skulpturë, si gjithë të tjerët. Fatkeqësia e popullit tonë nuk ishte arti, që realizohej në atë kohë e ku artisti luftonte e punonte per te jetuar, për të mbajtur familjen. Fatkeqësia e popullit tonë ka ardhur edhe vjen nga këta pseudo opozitar, që jetonin në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit, që nuk e hapën asnjëhere gojën si opozitar të vuajtur nga regjimi. Arti shqiptar ka pas arritjet e veta në fusha madhore si në muzikën operistike, baletin klasik, kinematografi, teatër, arte figurative, letërsi etj. E nqse ka pas arritje, kjo ka ardhur si vlere e pasurisë shpirtërore që ka populli ynë, që prej shekujsh mbijeton.

“Fatkeqësia e popullit tonë nuk ishte arti, që realizohej në atë kohë e ku artisti luftonte e punonte per te jetuar, për të mbajtur familjen. Fatkeqësia e popullit tonë ka ardhur edhe vjen nga këta pseudo opozitar, që jetonin në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit, që nuk e hapën asnjëhere gojën si opozitar të vuajtur nga regjimi. Arti shqiptar ka pas arritjet e veta në fusha madhore si në muzikën operistike, baletin klasik, kinematografi, teatër, arte figurative, letërsi etj.”

Piktorët e Popullit Sali Shijaku dhe Guri Madhi, janë artiste, që na kanë nderuar dhe na nderojnë si përfaqësues të artit shqiptar, në gjithë botën. Të përzgjedhur nga fondacioni i mirënjohur ndërkombëtar me qëndër në Paris etj “Emanuele Benezit”, këta dy artista janë koleksionuar si pjesë e 2mijë artistave më të mirë botëror nga viti 1923 deri në vitin 2006. Dhe emrat shqiptarëve Sali Shijaku e Guri Madhi renditen krahas piktorëve më të shquar botëror si Mone, Çezane, Matiss, Renuar, Modelian, Pikaso, etj. Nga ky fondacion orientohen edhe sot te gjitha ankandet ndërkombëtare të veprave të artit. E ndërkohë që bota e qytetëruar i vlerëson, ne këtu me në krye disa opozitar flamurtar, rëmbejmë kallaçët kundër artit. E këto përzgjedhje nuk i bëjnë politikanët sherxhinj të parlamenteve, por janë kritikët bashkëkohorë më në zë, nga Amerika, Anglia, Japonia, Franca, Italia, Gjermania etj etj. E në parlamentin tonë janë mbledh njerëz që turpërojnë përfaqësimin e kulturës shqiptare, ku të mësuar si grindavecë, shajnë dhe anatemojnë çdo gjë që u del përpara, të bindur se dinë se çthonë, të bindur se dinë se çbëjnë. Por nuk dinë që me këto qëndrime shprehin veç injorancë dhe mungesë të theksuar kulture. Çfarë të drejte kanë këta ligjërues të mirëpaguar dhe që nuk u ka thënë kurrë njeri “Puna e mbarë”, që të nëpërkëmbin të drejtën e autorit, pronësinë e autorit. Këta pseudo ligjvënës, pronë njohin vetëm ndërtimet e tyre pa leje, ndërtimin e pallateve duke masakruar urbanistikat e qyteteve dhe as nëpër mënd nuk u shkon se vepra e artit ka autorësi, ka pronësi. Në vëndin tonë janë masakruar dhe rafshuar kinematë, teatrot, galeritë, shtëpitë e kulturës, bibliotekat etj dhe opozitarët tanë grindavec, që quhen opozitar, sepse luftojnë për karike dhe pushtet, veç heshtin. Si mund të kërkojë opozita dhunimin e artit që ka mbijetuar në vitet e diktaturës, kur Rusia agresore, gjatë pushtimit të Ukrainës ka rafshuar teatrot, kinematë, teatrin e operas, galeritë e artit, muzetë, qëndrat e trashëgimisë kombëtare etj. Masakra ruse në Ukrainë i ka frymëzuar opozitarët shqiptar që të imitojnë masakrat ruse në Shqipëri? Nuk zhduket dot historia dhe trashëgimia e një populli, jo me seanca grindavecësh opozitar, por as me pushtime ushtarake. Nuk mund të arrijë askush të zhduki trashëgiminë e një populli të vuajtur për gati 80 vitesh, nga njerëz me pushtet apo pa pushtet e për më tepër nga ca anonimë pa mbështetje nga populli, të ashtuquajtur politikanë, që shquhen së pari për mungesë patriotizmi e më pas për mungesa në formim. Opozita duhet të marri formë si opozitë reale që duhet t’i përkushtohet problemeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe mos t’i futet një beteje të humbur donkishotiane, për të luftuar artin e çdo kohe. Politikanët kthehen në anonimitet dhe që nuk i njeh njeri, ndërsa arti mbijeton duke sfiduar edhe shekujt.